Thursday, February 19, 2015

Stafeta e brezave

Stafeta  e  brezave
Të parët tanë janë krenaria, në rrugë të tyre ecim ne, për çdo brez flet biografia, ndriçojnë si yje, çajnë re!
Dedeja për fëmijët ishte shkrirë vite me radhë. Kujdesi i saj qe i veçantë. I rriti, i shkolloi, i martoi, i gëzoi. Edhe këta u bënë prindër. Dhe si gjyshe kishte plot nipër e mbesa. Sa më e madhe në moshë, aq më e dashur dhe e kujdesshme tregohej me ta. Kishte merak të veçantë të rriteshin të shëndetshëm. Të sjellshëm, të shkolluar, të urtë. Dëshironte t’i ushqente e t’i ruante nga të ftohtit, të bëheshin të mbarë.

Nga shembulli i saj për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve mësuam shumë edhe ne, shtatë fëmijët e saj, që edhe pse me vështirësi të mëdha, u bëmë njëri më i mirë se tjetri. Për këtë Dedeja ka merita të veçanta. Në jetën e familjes së madhe ka shembuj që tregojnë dashuri e respekt të anëtarëve të saj për njëri – tjetrin. Ftesa për të pirë një kafe apo për të ngrënë një drekë, për të shkuar te njëri – tjetri për çdo sebep me atë mall që porosiste Dedeja ishte e zakonshme jo vetëm në vëllazëri, por edhe më gjerë. Koha na kishte ndarë, larg njëri – tjetrit, por gëzimi shprehej në sy e në çdo veprim kur shkonim atje. Na mbushej shtëpia me gëzim të veçantë, kur më vinin këtu në Gjirokastër vëllazëria, nipër e mbesa, të afërm. Shohim e mësojmë nga njëri – tjetri. Stafeta e brezave pasohet... Emrin e nënë Dedesë e mbajnë lart.