NËNA SËMURË
Lajmi i keq
E enjte, 15 janar 2004
Zilja e telefonit te numri
084266293 binte me këmbëngulje. Ishte ora 16.00. E ngriti Tiku dhe nga ana
tjetër u dëgjua zëri i Valit. Dukej e shqetësuar. Pa e zgjatur shumë me të, më
kërkoi mua. E mora unë receptorin dhe dënesat e saj erdhën deri tek unë. Po
qante. Dedeja është shumë sëmurë, tha. Përmendi edhe Nuron e Tekiun, por nuk kuptova
asgjë tjetër. Ku është, munda të pyes, në Ballsh?! Tëmthat më rrihnin fort. U
trondita edhe unë. Shpejt e mblodha veten dhe mora në telefonin celular Hysenin.
Nuk kishin kaluar as 15 minuta dhe dola në rrugë për në Ballsh. Gjeta një
makinë me targa KV. Më dukej sikur po qëndronim në vend dhe e nxita shoferin të
eci më shpejt. Në orën 19.00 u ndodha në spitalin e Ballshit. Ngjita me një
frymë shkallët dhe në katin e dytë u përballa me një infermiere.
-Ka ardhur një plakë nga
Klosi…
-Çfarë e ke?
-Nënë…
-Mos je Agroni?
-Po ju?
-Nusja e Refatit të
Axhemit…
Më priu dhe më çoi në
dhomën e fundit në krahun e djathtë. Pashë Dedenë në shtrat. Ishte e zverdhur
dhe ashtu me duart mbi batanije m’u dukën si pa jetë dhe u ngjetha.
-Është më mirë, - më
pëshpëriti infermierja, - pas asaj që pësoi…
Dedeja vuante nga tensioni
dhe kishte pasur një hemorragji. Gjaku i kishte shpërthyer nga hundët. Ndoshta
kjo e kishte shpëtuar nga ndonjë hemorragji cerebrale. U ula në cep të
shtratit. Ajo sikur e ndjeu praninë time dhe hapi sytë. Më kapi dorën dhe u
mundua të verë buzën në gaz.
-Mos fol, - i thashë, - do
të bëhesh mirë.
Dola në korridor dhe u
lidha përsëri në telefon me Hysenin. Mos u nisni, i thashë, është më mirë. Ata
ishin nisur me dy makina dhe ndodheshin në Kavajë. Mirë ahere, po kujdes
rrugës, i porosita. U ktheva përsëri në dhomë te Dedeja. Nuk kaloi shumë dhe
erdhi mjeku. E vizitoi mirë e mirë dhe, kur mbaroi, e pyeta:
-Hë, doktor, si duket?
-Mirë, mirë… - dhe nuk e
zgjati. Shënoi diçka në kartelë dhe i dha porosi infermieres.
-Doktor Fetiu të
trashëgohen të rinjtë e jetë të lumtur, - e urova.
Djali i Fetiut ishte fejuar
me Marjolën e Përparimit e të Adelinës, mbesën time. Rreth orës 21 erdhën dhe
të Tiranës. Pasi qëndruan pak me nënën, u bëmë të gjithë bashkë dhe shkuam
takuam mjekun. Si mjek e si krushk. Na qetësoi, duke na thënë se ishin marrë të
gjitha masat dhe e keqja kaloi, megjithëse duhej kujdes. Të gjithë bashkë u
kthyem te Dedeja.
-Më pengon kjo që më kanë
çuar këtu, - më thotë Dedeja, duke më treguar me dorë hundën.
I kishin vendosur tampon
për të ndaluar hemorragjinë. Doktori ia hoqi vetë me një pincetë. Dukej më e
qetë. Të nesërmen u nisa edhe unë për në Tiranë. Kisha për të bërë dy hatëre
dhe për të marrë disa lekë. U ktheva në Ballsh me dajë Nekimin.
-Mundova gjithë njerëzit, -
ia bëri Dedeja, kur na pa në derë dhe një pikë loti shkëlqeu në cep të syrit.
Më vonë erdhi edhe dajë
Barjami me Këzen e Altinin.
-Ju mundova të keqen, -
prapë Dedeja, - po mos ma kini qederin…
Doktor Fetiu nguli këmbë të
na jepte drekën, pranuam po i vumë si kusht që të na vinte edhe ai në Klos. Na
e dha fjalën, po nuk e mbajti. Kishte shumë ngarkesë.
Dedeja ishte më mirë.
Doktori tha se mund ta merrnim. U bëmë gati, morëm ilaçet dhe ikëm me
“Mitsubishin” e Nuros. Dajë Nekimi për në Tiranë, ne për në Klos. Në fshat
Tekiu i kishte marrë të gjitha masat dhe, kur shkuam ne, dreka ishte gati. Bëri
drekë të mirë. Dhe kishte arsye; e para, Dedeja u kthye nga spitali mirë; e
dyta, kishte ardhur daja me xhixhinë dhe, e treta, vetë ishte kthyer nga
Greqia. Në darkë u mblodhëm te Dedeja.
Të nesërmen, kur ikëm,
Dedeja na përcolli me fjalët:
-Mos u bëni merak…
Interesohen për
Dedenë
Sëmundja e nënës, sipas
fjalëve të mjekut, nuk ishte e thjeshtë. Ai na tha se quhet ALZHEIMER dhe
pacienti humbet kujtesën e intelektin. U interesova të mësoj më shumë për këtë
sëmundje me emër të çuditshëm dhe shfletova. Kjo sëmundje ose siç quhet ndryshe
me terma shkencore Demenca senile është sëmundje si pasojë e së cilës humbin shumë
funksione psikike, në radhë të parë kujtesa dhe intelekti, që na kishte thënë
edhe doktor Fetiu. Aktivizimi i trurit që në moshë të vogël ndihmon në
parandalimin dhe ngadalësimin e simptomave të saj. Sipas një studimi, personat
të cilët kanë shkollim të mirë ose zhvillojnë aktivitete intelektuale aktive
janë më pak të prirë për t’u kapur prej saj. Dedenë e kishte kapur. Isha në merak dhe telefoni
nuk pushonte. Mirë është, përgjigja, gjithçka normale. Ka ndonjë rast që e
humbet, por prapë vjen në vete.
Kudo që shkoja, më pesnin
për Dedenë, jo vetëm të afërm, por edhe shokë e miq: si është me shëndet,
ç’veprime bën, si është me ushqimin, a bën pyetje, po muhabet si më parë…?! U
jepja përgjigje: mirë, por e shoqëroja edhe me: ta shohim më vonë…
Dedeja ishte
mirë
Gjirokastër, më 15 mars 2005
Elsoni, djali i Nuros dhe i
Adelinës vazhdon vitin e dytë në Medrese këtu në Gjirokastër. Të premten më
datën 11 iku në fshat me leje nga shkolla. Kur u kthye, erdhi e na takoi. Ishin
të gjithë mirë. Edhe Dedeja ishte mirë, keni të fala dhe më pyeti se kur do të
vijë Agroni. Unë i thashë porosinë tënde, do të vijë pas të 40 – ve të nënës së
Nexhit, por mos u bëj merak. Pastaj nxora e i dhashë 30000 lekët që më dhatë ju
e ia dhashë në dorë. Rrofsh edhe ti, or nip i vogël, më tha…
Nuk vij dot…
Klos, e diel 7 maj 2006
Ditë më parë e kishim
vendosur me Nexhin të shkojmë në Klos të dielën, të hënën te Miri në Fier,
pastaj unë në Tiranë.
U nisëm me autobusin e orës
05.00 të mëngjesit dhe në orën 07.30 ishim në fshat. Të gjithë i gjetëm në
gjumë me përjashtim të Dedesë, e cila ishte nga lopa. Nexhi kishte disa kohë pa
ardhur në fshat, kurse unë vija çdo muaj e më dendur.
-Ku më ke humbur ti, - i
tha Dedeja, duke e përqafuar. Ndoshta një vërejtje a qortim siç dinte t’i bënte
ajo.
Pasi u pyetëm, Dedeja na u lut
të hanim mëngjes, por ne kishim ngrënë në Greshicë. Duke biseduar me Valin,
Nexhi tha se do të merrnim edhe Dedenë me vete për të bërë hatërin tek Myzafer
Kanani. Dedeja e dëgjoi.
-Faleminderit, more djalë,
por nuk vij dot, - na e preu, - nuk jam Dedeja e parë…
Ishte e kotë të ngulnim
këmbë më tepër. U çmallëm. Të nesërmen te Miri në Fier. U gëzuan shumë.
-Shyqyr që na gjete
shtëpinë, - iu drejtua djali nënës. Një qortim i dytë ky.
U nisa për në Tiranë. Te
Myzaferi shkova vetëm. Në shtëpi gjeta teze Mbeten. Fjala e parë ishte Dedeja.
I shpjegova gjerë e gjatë. Donte të vinte, por nuk vjen dot. Ka rënë, nuk është
më e para. I bëra të gjitha hatëret dhe të nesërmen u ktheva në Fier e me
Nexhin në Gjirokastër, ku na priste Skerdi Vladimir Cacaj i vogël.
Do të iki… Më
çoni në Klos
Tiranë, 30.07.2006
Mbas dasmës së Marjolës,
Përparimi dhe Lina donin ta mbanin disa ditë Dedenë për t’u çmallur. Unë
qëndrova mbas dasmës në Tiranë me mendimin për ta vizituar, për merak.
Të dielën në mëngjes ajo
m’u drejtua mua e më tha:
-Do të ikim… Më çoni në
Klos!
Aq shumë nguli këmbë, sa ua
prishi planet Papit e Linës. Erjoni me Linën u nisën me Dedenë.
Pleqëri me
kusure,
nuk të doja, po
më zure…
Klos, më 01.02.2007
Më 31 janar shkova në
Tiranë për dy probleme:
Së pari, Papit i kishte
vdekur vëllai i madh, Nazmiu e duhej ngushëlluar në shtëpi, edhe pse me Nexhin
kishim qenë Ditën e Dheut në Ballsh.
Së dyti, duheshin lidhur
kontratat e qirasë. Qiramarrës të rinj i kishin marrë, kështu që duheshin bërë
gjërat ligjore.
Mbarova punë në Tiranë dhe
më 1 shkurt u ktheva në Klos. E kam bërë si rregull që një herë në muaj do të
shkoj në Klos. U bënë 35 vjet që kur jam larguar nga prindërit dhe këtë zakon,
shkuarjen çdo muaj, e ndjek. Është edhe tjetra: i çoj pensionin Dedesë, edhe
ndonjë gjë mbi të se Mustafai duhet ndihmuar. E kisha biseduar dhe me Linën në
Tiranë dhe e kishte marrë ajo përsipër të bisedonte edhe me të tjerët. Mustafai
tani duhej të ishte në shtëpi, nuk duhej të shkonte më në Greqi.
Dedenë e gjeta në avlli
pranë kasolles së bagëtive. Mirë se erdhe, më përshëndeti sa më pa. Më pyeti
për Nexhin, fëmijët, për të gjithë. Heshti një kohë goxha të gjatë dhe pastaj
papritur tha: Pleqëri me kusure, nuk të
desha, po më zure…
Djali im…
Klos, 03.10.2008
Është hera e parë që kam
mbi dy muaj pa shkuar në fshat. Në telefon isha lidhur me Mustafanë e Valin e
isha interesuar për shëndetin e Dedesë. Mirë është, përgjigjeshin. Unë e
konceptoja sipas mënyrës sime këtë përgjigje. Megjithatë problemet e tjera nuk
më dhanë mundësinë të shkoj e ta shoh me sytë e mi. Miri, djali i vogël, erdhi
nga Pogradeci dhe na vuri në dijeni për një shqetësim shëndetësor që kishte.
Nga natyra Miri, siç e ka edhe emrin, është kurajoz, çdo gjë e merr me të
qeshur e me optimizëm. Mos u mërzisni, na qetësonte, nuk është gjë.
Problemi që na tha, na u
duk serioz dhe nuk mund ta linim të kalojë. Së pari vendosëm të shkojmë në
Tiranë e të bëjmë vizitat e nevojshme, por pastaj e shtymë për më vonë. Do t’ia
nisim këtej nga Gjirokastra. Nga spitali ushtarak që është hapur nga Greqia.
Mjeku kardiolog grek, drejtor i këtij spitali, dy ditë rresht i bëri të gjitha
ekzaminimet e nevojshme. Më dha konkluzionet dhe unë u binda në përfundimet e
tij. Duhej bërë ndërhyrje kirurgjikale.
Shqetësimi ishte i madh,
por njerëzit na u ndodhën pranë. U bisedua me spitalin dhe u morën masat. U bë
shtrimi. Edhe atje gjithë ditën njerëzit tanë në këmbë. Unë, Nexhi dhe Tiku
atje, Fiori me Adjonin e vogël kishin shkuar në Përmet. Miri një e dy merrte
celularin dhe shikonte fotografinë e Adjonit. Ua tregonte edhe të tjerëve. Dhe
nuk ishin të paktë. Të gjithë të afërmit u mblodhën atje dy ditët para
operacionit dhe më pas. Dajallarët e mi u gjendën aty. Bile dajë Barjami më
qortoi që nuk e kisha lajmëruar. T gjithë u bënë copë, kush e kush të na gjendej
më pranë në çdo nevojë që të kishim. Në këtë hall Nesti e Mariola ishin në
dispozicionin tonë me makinën e tyre për lëvizjet e ndryshme që na duhej të
bënim. Lajmi për Mirin kishte shkuar deri në Amerikën e largët. Irena na mori
në telefon disa herë me merakun e madh se si mund të shkonin gjërat, duke na
ofruar ndonjë ndihmë të mundshme. Nga Klosi erdhën me urgjencë Nurua e
Mustafai. Gjithë ato ditë tension, por gjithçka shkoi më së miri.
Kur Miri vendosi të shkojë
në punë në Korçë përsëri, unë shkova në Klos për të parë Dedenë. Kur hyra në
portë, ajo ishte në avlli me disa rroba në duar. I fola dhe iu hodha në qafë.
Në fillim nuk më njohu. Rrudhi vetullat, u mendua pak e pastaj tha:
-Djali im!
Emrin nuk po ma thoshte.
Nuk e mbante mend.
-Jam Agroni, - i thashë dhe
shtova – jemi të gjithë mirë.
Për Mirin nuk dinte gjë. As
nuk i thashë. E pashë që sëmundja kishte përparuar mjaft, pavarësisht se në
pamje të parë dukej mirë me shëndet. Këtë e vërtetova më tepër atë natë që
qëndrova me të.