Në këtë libër jam munduar që të evidentoj e sistemoj cilësitë e vlerat njerëzore të nënës sime, t’i shpreh ato qartë, pa tepëri duke e menduar ndër vite.
E kam parë këtë si një detyrim moral, jo thjesht si biri i saj, por në këtë kohë që jetojmë po vërej se shumë vlera po humbasin, se familja po kalon në një krizë, se vlerësimi ndaj të moshuarve që janë në këtë jetë le më pastaj i atyre që kanë ikur, lë shumë për të dëshiruar. Shikojmë të moshuar të vetmuar, që fëmijët i kanë dy hapa larg e nuk kujdesen fare për ta e plot shfaqje të tjera negative që të pezmatojnë e ta mbushin shpirtin plot vrer. Humanizmi ka humbur, dashuria për prindërit po ashtu. Vesi e ka shpërfytyruar njeriun dhe virtyti përpëlitet gati për t’u mbytur.
Këtë libër e sjell si një dëshmi të asaj që bën prindi për fëmijën dhe të detyrimit që ka fëmija ndaj tij. Mendoj se mund t’ia kem arritur qëllimit. Lexuesi do të bëjë vlerësimin e vërtetë. Gjithashtu në libër nuk ka gjëra të paqëna e të sajuara. Ndoshta mund të ketë ndonjë pasaktësi të vogël, por jo të qëllimshme, por objektive. Këtë e shpreh me zemër të pastër dhe po me sinqeritet shprehem se kam pasur edhe vështirësi për dy arsye:
Së pari, nuk kam gjetur materiale shkrimore në ambiente jete e pune të nënës sime.
Së dyti, edhe unë kam jetuar e punuar larg e, pavarësisht se jam përpjekur për t’i qëndruar afër, ka patur mungesa e vështirësi që ndihen sidomos në shaka, humor, fjalë të urta etj.
Jam përpjekur që të shprehen edhe përjetuesit, njerëz të gjakut të saj, por edhe ata që e kanë njohur e bashkëkohës të nënës sonë, duke gjykuar se për lexuesin do të jenë po kaq të vërteta. Në këtë drejtim ka patur dëshirë të shprehen pozitivisht edhe njerëz të tjerë brenda e jashtë vendit, njohës të mirë të jetës e punës të nënë Lavdijes. Falënderim të veçantë u dërgoj në emër të familjes Çalaj për respektin që kanë patur e fjalët e mira që kanë shprehur.
Më lart kam shkruar se njëra nga vështirësitë e kësaj monografie ka qenë mungesa e ndonjë materiali shkrimor (dokumentar). Dua të sqaroj për nënën kam patur si dokument vetëm ditarin që kam mbajtur tri dekadat e fundit e veçanërisht kohën në të cilën ajo mori edhe rolin e babait, i cili ndërroi jetë në mars 1991. Ky ditar si e vërtetë historike dhe vlerësim objektiv duhet të shihet edhe nga një këndvështrim tjetër: kjo grua fisnike dhe me vlerat që evidentuam në faqet e këtij libri kishte për bashkëshort një njeri po me ato vlera e cilësi njerëzore dhe ky ishte Baba Temua.
Me respekt të gjithëve
Autori