PASHK SIMONI
NJERI STANDARD... I PËRPIKTË
U gëzova
shumë kur Agroni më tha: “Po shkruaj një libër për nënën, por nga ju Pashk dua
disa mendime për opinion”.
Unë Pashk
Simoni kam lindur në Rrëshen të Mirditës në vitin 1932. E njoh Agronin që nga
viti 1972, kur erdhi oficer i ri në Repartin Ushtarak Nr.8555 në Gjirokastër.
Ishte i ri, por që atëherë dallohej për marrëdhënie të drejta me oficerët e
ushtarët, për cilësi në mësimdhënie, për rezultate në stërvitje ushtarake, për
kulturë e korrektësi kudo. Këto cilësi Agroni i ka ruajtur e kultivuar edhe
këto 40 vjet që kanë ikur. Unë në shtator 1978 u dënova politikisht me 9 vjet
burg dhe u ndërpre karriera ime ushtarake. Për Agronin dëgjova në vitet 1988 –
1989 se u dënua politikisht. Ai kishte ngritur probleme të ndryshme e shfaqje
të korrupsionit që përbënin një regres shoqëror.
Me fillimin e proceseve
demokratike Agroni u aktivizua dhe me fjalën e tij të qetë e të matur ka
ndihmuar konkretisht në bindjen dhe sqarimin e njerëzve. Me fitoren e
pluralizmit politik e të Partisë Demokratike në vitin 1992, Niko Lici, unë,
Eqerem Hoxha dhe Shefqet Boni, katër oficerë të ushtrisë të dënuar politikisht
nga regjimi komunist, në emër të Shoqatës së të Dënuarve e të Persekutuarve
Politikë u shprehëm me fjalët më të mira për të dhe ai u pajis me vërtetimin
dhe statusin përkatës. Këtë jo se i bëmë ndonjë nder a favor, por Agroni e
meritonte për cilësitë e qëndrimet e veta. Këto cilësi të tij m’u përforcuan
tani që po lexoj librin për nënën e tij. Unë po u afrohem të tetëdhjetave dhe
nga përvoja ime them se kush do e respekton prindërit, është përsëmbari. E
lexova me ëndje librin dhe në të zbulova e vlerësoj:
Së pari, dashurinë që ka
treguar gjatë gjithë jetës për prindërit e tij. Edhe pse ushtarak e larg tyre,
ai ka gjetur kohën e mundësinë për t’u ndodhur pranë njerëzve më të dashur të
tij.
Së dyti, tek Agroni nuk ka
ndryshuar asnjë nga cilësitë që kam evidentuar që herët, përkundrazi i ka
shumëfishuar, pasuruar e fisnikëruar ato.
Kështu ka qenë dhe kështu
është Agroni. Ai ka ditur të përballojë problemet jo të vogla gjatë jetës së
tij dhe ka mbetur ai që ka qenë: Njeri i mirë, standard.
Dhjetor 2011