Thursday, February 19, 2015

HUMOR, SHAKA E IRONI

HUMOR, SHAKA E IRONI

              Një popull që s’di të bëjë humor, është popull budalla.  

                                                                                       Nopçe




Humori dhe shakaja ka qenë pjesë e pandarë e jetës njerëzore. Përmes tyre njeriu shprehte mendimet, gjykimet e qëndrimet e veta për probleme apo shprehte botën e vet. Mjaftonte një fjalë që të ndryshonte gjendjen shpirtërore, të krijonte një tjetër atmosferë dhe për pak të harroheshin hallet, problemet e shqetësimet. Humori e shakaja janë traditë, trashëgimi e ushqim shpirtëror brez pas brezi edhe në zonën tonë. Ato kanë qenë një nga tiparet dalluese edhe të nënë Dedesë, pjesë dhe shpirt i jetës së saj. Veçori e humorit dhe shakasë së saj ëshrtë se ai bëhej i këndshëm, dashamirës, i thellë në domethënie e kuptimplot. Nuk ishte ofendues dhe i shpëlarë.
Humorin e shakanë ajo i përdorte për të kaluar hallet, mërzitjet e telashet e jetës, për të goditur e vënë në lojë fenomene e dukuri që asaj nuk i vinin për shtat apo shfaqje që binin ndesh me moralin, me ato anë të jetës të cilat për të ishin të shenjta. Nga ana tjetër diçka që nuk shkonte në aspektin shoqëror e shtetëror bëhej objekt i humorit të saj. Kështu ajo ua kalonte ujin “nën rrogoz” të gjithëve. Ndodhnin fatkeqësi dhe Dedeja do të ishte e pranishme, sepse gëzimin njeriu mund ta kalojë edhe vetëm, thoshte ajo, por për të keqen duhen miqtë e shokët. Dhe në këto raste fjala e saj bënte që buza e fatkeqit të qeshte për një moment. Në dasma e davete humori e shakaja arrinin shkallën më të lartë.
Etnografi hungarez Nopçe e quante të mençur një popull që bënte shaka. Shakaja dhe humori i Dedesë “penalizonte” hollë. Për të gjitha fushat e jetës dhe dukuritë e ndryshme të saj, Dedeja e kishte fjalën gati, të drejtpërdrejt apo të tërthortë, me nënkuptim dhe fjala e saj ishte "kush ka mizën nën kësulë…” Të shumta janë rastet për të cilat ajo ka mbajtur qëndrim dhe ka thënë fjalën e saj.
*
Fshati ynë prodhonte ullinj, grurë, misër etj. Një ditë disa pata të Dedesë kishin vajtur në grurin e kooperativës bujqësore. Atje i zuri duke ngrënë grurë përgjegjësi i sektorit me rojtarin dhe lajmëruan në shtëpinë tonë për t’i marrë, por duhej të paguanim gjobë për “dëmin” e shkaktuar. Dedeja, kur mori patat që fluturonin, u shpreh: e ditkan edhe këto kë duhet të hanë… Hanë grurin se ai ikën, kurse misri na mbetet për bukë tërë vitin… dhe e gjejnë më vonë.
*
Babai  ishte shumë i zoti për bagëti. Ai për nevoja familjare shiste sidomos në Fier dhen, lopë, qengja, viça. Ishte fundi i marsit 1964. Unë isha 13 vjeç dhe më mori me vete në pazarin e Fierit. Do të shiste 6 kokë dhen me shelegët përkatës, duke krijuar 3 çifte. I shiti të gjitha, por për dy kokë nuk i mori lekët tamam, por me të pritur. Kur u kthyem pas 24 orëve se rruga ishte 40 km vajtje – ardhje, bisedoi me Dedenë për mangësinë e lekëve. Ajo ia ktheu me humor: Kur do të vesh prapë, se ka të tjerë që kanë halle e s’i kanë lekët tamam.
*
Ishte koha kur partia e pushteti urdhëruan në muajin dhjetor që në çdo fshat të grumbulloheshin me ditë pune, pagesë, fekalet e gropave të zeza të shtëpive. Ato shumëfishoheshin me baltë e përdoreshin si pleh për arat e mbjella me grurë, misër etj. Njerëzit që i transportonin, u qelbën, por kulmi i shakave bëhej kur peshoheshin. Dedeja i tregonte duke thënë: Gratë e koperativës si pa të keq i thoshin brigadierit e normistit që i peshonin: Ti më hëngre 3 kg m…, nuk i peshove mirë; tjetra ia priste: Mua më hëngri më shumë.
*
Sa herë që veja në fshat kisha një detyrë për të kryer: do të qethja babanë, ndonjëherë edhe xhaxhallarët. Në një rast i thashë babait: nesër do të të qeth, presin gërshërët… Ai i tha Dedesë që Agroni e la për nesër. Ajo më kërkoi e më gjeti se kisha shkuar për të takuar një bashkëfshatar. Qethe sot, më tha, se nesër do të iki në Ballsh dhe atje do ta qethin e do ta ruajnë. E kishte fjalën: do t’i marrin lekët.
*
Udhëtonim me Dedenë për në Çorrush. Kjo rrugë është e gjatë dhe kalonim nëpër fshatrat Drizar, Kutë e pastaj mbërrin në Çorrush. Ahere rruga bëhej vetëm me këmbë. Ishte fillimi i shtatorit 1987. Në rrugën poshtë fshatit Kutë, në hijen e një fiku ishte ulur një grua që kishte vjelë duhan dhe kishte mbushur një kosh të madh. Po çlodhej pak para se të shkonte tek hangari për ta shkuar në vargje. 15 – 20 vargje vlerësoheshin me një ditë pune. Dedeja iu afrua dhe e pyeti për të vëllanë që ishte shefi i planit të kooperativës. Gruaja që kishte afërsisht moshën e Dedesë, u gëzua tepër për respektin që ushqente e gjithë zona për Barjam Maliq Seranaj. Dedeja vazhdoi ta pyesë për kushërirën e saj të parë, Pashakon, burrin e fëmijët. Për një moment heshti dfhe shikonte me vërejtje herë nga gruaja e herë nga koshi.
-Nuk ke kafshë ta ngarkosh duhanin?!…
-Kam një gomar, por punon burri; mbart zhavorr e rërë nga lumi Vjosë se po rregullojmë shtëpinë e po shpejtojmë se po na zë dimri, - ia ktheu gruaja dhe shtoi – Nga nxitimi burri ngordhi e gomari vdiq.
Aty për aty Dedeja nuk qeshi, por e përshëndeti: - Të fala Pashakos nga Lavdija e Klosit e mirupafshim!
Më vonë ajo për humor thoshte: burri më ngordhi e gomari më vdiq, por mund ta ketë edhe mirë se nuk dihet se çfarë burri ka…
Te burimi i Korijes, në faqen perëndimore të lagjes Agararaj të fshatit ku po shkonim, u ulëm në hijen e shelgut dhe Dedeja përsëriste shprehjen e qeshte. Qesha dhe unë, duke i thënë:
-U ngatërrua, pa nuk e tha për ironi e humor…
*
Fshati ynë ka traditë që martesa brenda fshatit nuk janë bërë dhe nëpër dasma ftohen nga një apo çift për çdo familje. Dedeja ishte ftuar nga familja jonë nga xhaxhallarët Zyrakoja dhe xhaxha Zeneli me Zybejdenë. Në tavolinë së bashku me ta ishte edhe një burrë me djalin e tij 19 – vjeçar, por jo nga fshati ynë. Duke ngrënë, burri rreth të gjashtëdhjetave i thoshte të birit: Ha Bushi, ha nga këto që “bëjnë” poshtë; ka plot mish, pilaf, byrek, kukurec, patate… Mos ha nga ato që bëjnë lart si birrë, raki, verë… Ha, biri im! Ha, ka plot nga këto që ikin poshtë…
Më vonë, kur e tregonte Dedeja, imitonte aq bukur sa na bënte të gjithëve të shkrihemi gazit…
*
Në Klos një paradite erdhën në shtëpinë tonë deputeti i zonës Blendi Klosi i shoqëruar nga Luftar Elmazi, mik i familjes sonë, e kuadro të tjerë të komunës Hekal. U ndodha edhe unë në atë takim. Dedeja, siç e kishte zakon, u shprehu mirëseardhjen, pastaj u nxori nga një gotë dhallë fshati. I kishte dalë nami për të. Pastaj nxori raki e kafe. Blendi kërkoi përsëri një gotë dhallë… Po ke, tha ai. Dedeja ia ktheu aty për aty:
-Pylli i ka drutë. Kot që rrimë pastaj këtu në fshat…
*
Me Dedenë me autobus shkonim në Tiranë. Në Lushnjë autobusi ndaloi që njerëzit të pushonin e të hanin bukë. Në tavolinën ku ishim ulur të dy, erdhi Napolon Semi, biznesmen i farmaceutikës me shumicë në Gjirokastër. Ai m’u drejtua mua: “Nëna jote?” Pastaj e takoi sikur ta kishte nënën e tij. Kamerierja na ofroi peshk të freskët nga liqeni i Dumresë. Dedeja ia priti: “Ai sot është qelbur nga bishti, se nga koka ishte më parë”.
Napoloni, një intelektual i vërtetë, e kuptoi dhe porositëm biftek e të tjera. Kur u ngritëm, ai nguli këmbë dhe i pagoi të gjitha.
*
Me Hysenin në Tiranë udhëtonim me autobusin e linjës Kombinat – Kinostudio. Kur zbritëm tek banka, Hyseni më tha: Më vodhën nga xhepi 5 mijë lekë të reja! Këtë ndodhi ia thashë Dedesë, kur shkova në fshat. Ajo “u prek”, gjynah, tha, Hyseni i ka me djersë… Tundi kokën dhe shtoi:
-Është bërë keq… - dhe nisi të tregojë: Njërit i futën dorën në xhep dhe tjetri e ndjeu. Në xhep nuk kishte asgjë, por u kthye nga hajduti dhe filloi ta shajë: i poshtër, hajdut, maskara; kurse hajduti fare i qetë ia ktheu: i poshtër, maskara e mu… je ti që nuk ke asnjë lek në xhep. Boços ia muarrën të gjitha dhe mirë që ishte Zylka e Nasipi… Më vonë, kur tregonim se kishim udhëtuar këtu e atje, ajo na thoshe e shaka: Mbani ndonjë lek në xhep, të mos u shajnë hajdutët…
*
Në vitet 1984 – 1985 Tekiu erdhi ushtar në Gjirokastër, me qëllim që të bëhej një bletërritës i mirë, duke marrë përvojën e kësaj zone. Një ditë, ndërsa e kishte mbaruar ushtrinë, bisedova me Dedenë: Dua t’i bie bletë Tekiut këtu, por e kam të vështirë…
-Me autobus, mbështille me çarçaf a ndonjë rrobë, që të duket si televizor.
Kështu bëra. Tekiu fillimisht eci mirë. Kur shkoja në fshat më vonë dhe pyesja si i ka bletët Tekiu, Dedeja shprehej: si televizori. Televizori nuk punonte se nuk merrte valët mirë dhe herë rregullohej e herë prishej. Nënteksti ishte i qartë.
*
Një plak 77 – vjeçar me dy bashkëfshatarë po prisnin në një stacion furgonash për të gjetur një mjet për të shkuar në pazar. Aty kaloi i biri i plakut me furgonin e tij mbushur plot me njerëz dhe nuk e mbajti për të marrë të atin, por duke i bërë një shenjë. “Do të vij më vonë”, domethënë. Plaku iu drejtua të tjerëve me inat, duke u thënë: Mirë unë se i kam “bërë” mëmën, po ju çfarë i keni bërë djalit tim…
E tregonte Dedeja këtë ndodhi, kur binte rasti i marrëdhënieve prind – fëmijë.
*
Qershor 1986, prashitej misri në ndërmarrjet bujqësore. Një ditë drejtori planifikoi të kontrollojë cilësinë e prashitjes. Ndalet tek një burrë që punonte e i thotë: Nuk e prashit mirë, ke lënë barëra, nuk e ke mbathur mirë etj. Punëtori nuk i pranoi vërejtjet, atëherë drejtori u drejtohet atyre që e shoqëronin: Ç’është ky vulgar… Punëtori e dëgjoi dhe foli me zë të lartë: Pse drejtori më tha kurvar…
Drejtori u ndal përsëri dhe filloi t’i sqarojë fjalën vulgar, që i kishte drejtuar, domethënë se nuk merr vesh, nuk dëgjon. Nuk të thashë kurvar si e ke kuptuar ti e si ta ka qejfi. Kështu ndodh me ata që nuk duan të dëgjojnë vërejtjet e të tjerëve, shtonte Dedeja nga ana e saj.
*
Një çift pleqsh jetonin vetëm në fshat, mbasi tetë fëmijët që kishin lindur e rritur, ishin larguar në qytet për të jetuar më mirë. Njëri nga djemtë vendosi t’i marrë pleqtë me vete në qytet. Prindërit qëndruan një vit me djalin e tyre dhe vendosën të kthehen përsëri në shtëpinë e tyre në fshat. Kur e pyesnin plakun 80 – vjeçar pse ike nga qyteti, ai pa u menduar fare ua kthente me të qeshur: -Kur jam “gjeneral” në shtëpinë time, pse të jem “ushtar” në shtëpi të djalit?! Do të rroni e do të më kujtoni…
*
Mbas viteve ’80 ishte një fukarallëk i madh. Fshatarit ia morën bagëtitë, bile edhe pulat e detit, duke e lënë me gisht në gojë. Një djalë, që atë ditë kishte pasur një punë të rëndë dhe e kishte marrë shumë uria, i thotë nënës së vet: Dua të ha; më skuq sallam e vezë.
-Jo të dyja, sallam e vezë, - ia ktheu babai që e dëgjoi, - se jemi në rrethim.
Kur e pyesja Dedenë: si kaloni; ajo përgjigjej me të qeshur: Mbetëm në rrethim…
*
Një miku ynë fejoi vajzën me një djalë nga një zonë tjetër. Ishin njohur vetë të rinjtë. Vete dhe unë e Dedeja për të uruar. Në bisedë me të, e pyes: çfarë thotë fshati për këtë miqësi.
-Mirë flasin, - m’u përgjigje, - por ti duhet të dish se bostani dhe dhëndrri njihen se cilët janë vetëm kur hapen!
*
Një burrë rreth të dyzetave çfarë nuk kishte bërë; mashtronte, gënjente e vidhte jo vetëm në kooperativë, por edhe në shtëpitë e të tjerëve. Një ditë, kur u fol për të, Dedeja tha: Po kalove shumë gjerdhe me hunj, dije se ndonjë ditë hu do të të hyjë nga mbrapa!
*
Ishte dhjetori i vitit 1992. Udhëtonim me autobus. Një pasagjer në moshë të re zbriti në Lushnjë. Shoferi i kërkoi x lekë. Ai nuk qe dakord. Debatuan, gati sa s’u rrahën. Dedesë nuk i erdhi mirë për këtë sherr dhe më pyeti: Ku jemi këtu, nga është ky djali që po bën sherr. Nuk e di, iu përgjigja, por këtu jemi në Lushnjë.
-E, e kuptova, edhe myzeqarët që kanë qenë të urtë, kanë hipur në autobusin e Vlorës dhe janë bërë “trima” si ata…
*
Kur diskutohej në kooperativë tufëzimi i bagëtive, Dedeja që ishte e pakënaqur nga këto reforma, m’u shpreh: Agron, erdhi koha të vemi prapë në fushë, në Povël – Poçem për të zënë e jetuar me bretkoçka se këta po na marrin edhe pulën…
*
Në datën 16 janar 1990, ditë e martë, kisha shkuar për disa ditë në Klos. Kohë me diell. Rreth orës 10 dal i vetëm në Moçelez, ullinjtë e shumtë, te Bregu i Lisit dhe në shtëpi. Kur kam qenë fëmijë, e kam bërë këtë rrugë pothuajse përditë. Ky zakon më ka mbetur që atëherë dhe sa herë që mundem, e bëj përsëri. E gjithë kjo zonë është me ullinj të egër e të butë, të gjithë monopol shteti. Një ditë më parë në Moçelez kisha parë një ulli të butë mbushur me kokrra, ndoshta një kuintal. Një ditë më vonë asnjë kokërr. Ia thashë Dedesë. E ka vjelë filani natën, më thotë.
-Si ka mundësi, ai është dhe komunist?! – u habita unë.
-Dëgjo, - më tha, - kur venë natën për ullinj, rrush etj. dokumentin e komunistit e lënë në shtëpi dhe e marrin në mëngjes, kur shkojnë në punë dhe kërkojnë “hajdutin” ditën.
*
Sa herë që venim tek prindërit në Klos ne të larguarit: Hyseni, unë, Lefteria, Adelina vetëm apo familjarisht, e kishim bërë rregull që të shkonim për vizitë tek xhaxhallarët. Në këto vizita zakonisht na shoqëronte Dedeja. Në një rast u kthyem vonë, kishte kaluar nënta, por si dimër që ishte, nata ishte e dendur dhe mezi po i kalonim ato 500 metra për në shtëpinë tonë. Na u afruan disa qen, duke lehur. Dedeja m’u afrua mua që kisha një shkop e një elektrik në dorë.
-Ikni, more shejtanë, se edhe alarm t’u kishin bërë, nuk do të ishit mbledhur kaq shpejt! – foli ajo.
*
Një njeriu ynë kishte bërë ushtrinë me një djalë nga Delvina dhe vendosi t’i shkojë në shtëpi. Kur vajti, e gjeti shokun vetëm, se gruaja me fëmijët i kishin shkuar në Berat tek të afërmit. U gëzuan të dy dhe filluan të mendojnë se çfarë do të hanin për darkë. I zoti i shtëpisë për ta kënaqur mikun, kishte qejf të bënte revani e ta piqte në saç, por nuk kishte siguri për ta bërë. E bëj unë, tha miku, vetëm na duhet vaj ulliri e niseshte. I kam të gjitha. Ia nisën punës. Morën kusinë dhe hidh vaj e hidh niseshte. Kështu hidh vaj e hidh niseshte u mbush kusia dhe revania nuk doli e mirë. Këtë histori Dedeja e rrëfente atëherë kur harxhohej gjëri e nuk dilte gjë.
*
Në vitin 1962 unë isha 11 vjeç dhe ruaja dhentë dhe lopën e shtëpisë. Ato i çonim në Vjosë për të pirë ujë e për të kaluar vapën. Me bagëti shkonin edhe shumë të tjerë: fëmijë, burra, të moshuar. Merrnim bukën me vete; ullinj, dhallë, qepë, domate e ndonjë gjë tjetër, por gjithmonë ushqim i varfër. Një ditë kisha hapur trastën nën hijen e një rrapi dhe bashkë me të tjerë po hanim drekën. Dhallë e ullinj. Aty vjen xha Velua, 60 – 65 vjeç, mik i shtëpisë sonë dhe hokatar i madh. Të bëftë mirë, Agron, më thotë. Ia ktheva me faleminderit. Filloi nga pyetjet: çfarë ha më mirë ti? Të kripurat i ha? Po, iu përgjigje. Po të ëmblat? Po, i thashë përsëri. Po të thartat? Po, tunda kokën. Po ti xha Velo çfarë ha më shumë? – e pyeta unë. Po ç’të ha unë, këto i hake të gjitha ti…, prandaj unë s’kam ç’të ha. Mua m… më ka ngelur.
Në darkë e tregova këtë bisedë me prindërit. Ata qeshën më vonë ma kujtonin shpesh.
*
Gjatë 63 viteve të jetës së saj në Klos, nëna përballoi ndërtimin e 5 shtëpive të ngritura me ustallarë të dëgjuar nga Opari e gjetkë. Këto shtëpi janë bërë nga themeli deri te çatia, padyshim në kushte shumë të vështira ekonomike. Në vitet ’60 – të kur është ngritur që nga themeli faqja jugore dhe lindore e shtëpive të Bilbil Klosit, që u blenë nga Nazifi, babai shkoi në Tiranë te hallë Zylka dhe bleu 220 panine të vogla, që me sherbet sheqeri përdoreshin si ëmbëlsira për 4 ustallarët. Vështirë ishte edhe për mish, bukë gruri etj. Po kështu vështirë ishte edhe për materiale ndërtimi, por shtëpitë duheshin bërë. Shtëpi ndërtoi edhe Nuredini e Tekiu më vonë, kur u ndanë nga trungu familjar. Kur ndërtuan ata, uji në fshat kishte ardhur, edhe material ndërtimi gjendej, por leku ishte i vështirë. Kur ngritëm këto shtëpi, thoshte Dedeja, ustallarët që hodhën çimenton nga pjesa lindore e shtëpive dykatëshe kërkonin ujë çdo ditë për të hedhur mbi soletën e banjës. Soleta kërkon 40 ditë ujë, thoshin ata, për t’u garantuar 400 vjet. Ujin e sillnim me kafshë që larg. Kur vinte biseda për ndërtim shtëpie, ajo nxirrte një “Eh!…” të fortë, duke thënë:
Çekani, shokë çekani,
Me ustallarë të del xhani,
Bëjëm mure dhe çatira,
Më mbenë sytë nga tepsia e revania…
*
Me nënën isha në Tiranë. Gjatë rrugës për te Lefteri e Lefteria në lagjen “Ali Demi” kaluam te xhamia në qendër pranë bashkisë. Nga hyrja e saj pamë shumë njerëz që faleshin. Kishin hequr këpucët, të tjerë rrinin në këmbë. Ishte mbasdite. Dedeja, kur pa gjithë ata njerëz, ndaloi e tha: “O Enver të ishe vetë t’i shikoje këta me by… përpjetë!” Ia shkrepëm gazit. Nuk kishim bërë as dy hapa, kur sytë i kapën në hyrje të xhamisë një burrë të moshuar me këmishë të kuqe me një çantë të madhe në dorë.
-Shiko, shiko, - më tha, - burrë me këmishë të kuqe e me flokët si grua nuk ka lezet fare. Edhe çanta që mban, është sa një kutë e brenda me siguri që ka m…t.
-Mos, - i thashë, - se na dëgjojnë…
Ikëm, por e qeshura vazhdont
*
Humor e të qeshura të mëdha shkaktonte nëna jonë, kur niste e tregonte histori të dëgjuara, të ngjara e të pangjara.
Një çifti të ri i kishte lindur një djalë. Ndaj tij tregonin shumë kujdes e dashuri. Një ditë e ushqente e ëma, por ai bënte naze. Babai i tij, duke parë se ai nuk po hante, u mundua ta bindë dhe i tha: Ha, të keqen babi, se po nuk hëngre, nuk bëhesh burrë i madh…, nuk të rritet bibilushi…
-Ha vetë ti, - hidhet gruaja, - se ky i vogël është, e ka kohën përpara e do t’i rritet.
*
Një çift udhëtonte për të shkuar në një dasmë në Fier. Gjatë rrugës një bletë i hyri burrit nga këmba e pantallonave dhe e pickoi në kokën e penisit. Burri pati dhimbje të mëdha dhe shkuan drejt e në spitalin e Fierit. Gjatë kohës që u desh për të arritur deri atje, burrit iu ënjt (trash) shumë nga pickimi. Duke e vizituar mjeku, gruaja ndërhyn dhe i thotë: Aman, doktor, të mos ketë dhimbje, pa le të rrijë kështu…
*
Një grua ia “dridhte” burrit. Një ditë burri e ruajti për të parë se kush do t’i hynte në shtëpi, që e kishte private e me kopsht. Pa që hyri një burrë. Pas disa minutash vajti i ra derës. Para se t’i hapte derën burrit, gruaja hapi dritaren e korridorit për të dalë i dashuri. Kur hyri burri në korridor, nga dritarja e pa atë që po kalonte gardhin për të ikur. Kush është ai, e pyeti burri gruan. Gruaja qe e shkurtër dhe i thotë: Ulu të të hypi tyja e ta shoh. Kështu bëri burri dhe gruaja filloi ta “shajë” të huajin: O i tillë, o mustaqetrandafil, nuk na le gardhe e gjerdhe, vjen e ma de… se ky që është nën mua… na ha m… ty dhe mua.
*
Në një mbledhje për të dëgjuar kërkesat e organeve të trupit të njeriut se kujt i takonte më parë për të dalë në pension, “ngrihen” me radhë: Syri thotë – më takon mua se jam lodhur më shumë, se kam parë rrugën, ushqimin, kam gjetur shtëpinë, punën etj. Pa mua nuk mund të bëheshin këto që jeton njeriu. Dora ia ktheu – pa punuar unë nuk do të kishim as bukë për të jetuar. Ç’thua ti, - ia ktheu këmba, - pa lëvizur nëpërmjet meje, as ti nuk do të punoje dot. E, e – ia priti goja, - pa e marrë ushqimin nëpërmjet meje, do të ishte e vështirë jetesa e njeriut dhe pjesët e tjera të tij, që duan të dalin në pension para meje. Zemra, pa ç’pa dhe ua ktheu e zemëruar: - po unë që kam punuar 24 orë në 24…Sikur disa minuta të mos punoja, njeriu do të vdiste, prandaj më takon vetëm mua të dal e para në pension. Kështu kërkuan edhe organet e tjera të turpit të njeriut, secili duke ngulmuar në vështirësitë e veta. I fundit kërkesën e bëri Pen…: Mua më takon, tha krenar, se kam punuar gjatë gjithë kohës në lagështirë dhe errësirë.
*
Një djalë 7 – 8 vjeç shkonte në shkollë. Rruga kalonte anës xhamisë dhe, sa herë shikonte hoxhën, e përshëndeste: “Mirëmëngjes, hoxhë efendi!” Mirëmëngjes, o djalë i bukur i mamasë, ia kthente hoxha. Një  herë hoxha i tha djalit: Pashë ëndërr sikur fjeta me mamanë e bukur. Djali ia thotë së ëmës. Kjo e porositi të birin t’i thotë: Edhe mami pa ëndërr sikur ju i hanit mu…in. Mirë, o djalë, ëndrrat kështu e kanë, disa dalin, disa nuk dalin, ia ktheu hoxha.
*
Mullixhiu i fshatit e hiqte veten shumë të zgjuar. Këtë gjë ai e manifestonte kudo dhe përpara gruas; prandaj ha kulaç, thoshte dhe shtonte, gruas i tregoj vendin. Një ditë gruaja e tij ishte me të dashurin brenda në mulli. Erdhi i shoqi me një gomar të ngarkuar me grurë për ta bluar në mullirin e tij për llogari  të një fshatari. Kur ai erdhi tek dera e mullirit dhe do të shkarkonte gomarin, doli gruaja dhe i thotë burrit:
-O burrë, nuk na ka duk mielli fare, prandaj thuaj “Ysh, o Kiç” e hajde rreth mullirit.
Mullixhiu “i zgjuar” bëri siç i tha e shoqja, që ai e kishte bërë “zap”. Gjatë kohës që mullixhiu i vinte rrotull mullirit me gomarin e ngarkuar, i dashuri i gruas doli nga mulliri pa u vënë re fare nga i zoti dhe u largua qetë – qetë.
*
Në stanin e dhenve ujku kishte kohë që bënte dëme dhe të zotët nuk kishin mundur që ta vrasin apo ta ruajnë. E zonja e stanit, Borzilokja, vendosi të shkojë te hoxha i fshatit se mos i jepte ndonjë zgjidhje me ndonjë nga marifetet e tij. Hoxhë efendiu kaloi dorën mbi mjekër dhe, pasi u mendua pak, tha:
-Edhe ka marifete, po është e vështirë…
-Le të jetë, - ia ktheu gruaja, - vetëm të mos na hajë ujku dhentë.
-Po të jetë se pranoni këto vështirësi, dakord. Ulu këtu mbi minder dhe zhvishu që të shikosh sa e vështirë është dhe që ujku mund t’i hajë.
U zhvesh Borzilokja dhe hoxhë efendiu pe…in e tij e rrotullonte rreth “vendit” të saj duke thënë: ja kështu bën ujku, vjen vërdallë gardhit dhe pastaj gjen ndonjë shteg dhe hyn brenda e ha dhentë. Hoxha e rrotullonte anës dhe thoshte: Hajde anës dhe mos u fut brenda, hajde anës dhe mos u fut… dhe ndonjëherë ia përplaste në kërthizë…, se atë bën ujku kur vete te vatha, prandaj të thashë që është e vështirë, po ka dhe marifete. Largoju, o ujk e mos i ha dhentë e Borzilokes, përsëriste hoxha dhe njëkohësisht e sillte pe… rrotull, e godiste te kërthiza, deri sa e bëri Borziloken të thotë: Çoje te “shtegu” pa le t’i hajë të gjitha… Të thashë, ia ktheu hoxha, që është e vështirë, ja po e fus brenda…
*
Një burrë shkoi në pyll për të bërë dru. Aty pa një grua vetëm, që edhe ajo po bënte dru. Iu afrua asaj dhe i kërkoi “muhabet”. Tjetra e kundërshtoi, por ky ngulmoi përsëri. Ahere ajo e goditi me një dru në kokë. E mbuloi gjaku, e la punën dhe shkoi në shtëpi.
Gruaja, mbasi bëri drutë dhe i çoi në shtëpi, vendosi të shkojë në shtëpinë e burrit të huaj. Vendosi ta turpërojë përpara gruas së vet. Shkoi në shtëpinë e tij. Si je, e pyeti. Po ja, u përtyp tjetri pa e zgjatur. Mushkës i duhen mësuar huqet para se t’i vesh, tha me nënkuptim e huaja. E shoqja e kuptoi se të shoqin nuk e kishte goditur mushka në pyll, por kishte qenë tjetër gjë. Pse s’e vrave fare, se na turpëroi fare, i mallkuari… - iu drejtua gruas së huaj.
*
Në një ditëlindje ishin mbledhur plot njerëz. I ftuar si shok ishte edhe babai im. Më shumë pinë se hëngrën. Filluan vallet. Të parën e merr i zoti i shtëpisë 70 – vjeçar që bënte ditëlindjen. Në valle i shpëtoi një po…, që u dëgjua nga të tjerët. Nipi i tij, sa e dëgjoi, u fut me shpejtësi në valle duke folur me zë të lartë: Rrofsh, o dajë që na çlirove!… dhe ngrinte këmbën e bromp pordhë. Disa ikën fare në shtëpinë e tyre. Nëna jonë për këtë ndodhi thoshte: Nipi më i mirë i ngjan Dajës!
*
Para viteve ’90 ushtria bëhej 2 – 3 vjet. Kur e mbaronte atë djali, prindërit i bënin darkë apo drekë. Në një rast ishte bërë zhurmë dhe prindërit e mi nuk kishin mbetur të kënaqur. Ma treguan edhe mua. Pse, e pyeta nënën.
-Enët që janë bosh, tingëllojnë shumë, - ma ktheu. – Ato që janë plot, të mbushurat, nuk u dëgjohet tingëllimi. Kështu ndodh edhe me njerëzit.
*
Para një shekulli e më tepër martesat bëheshin me lajmës dhe gruaja nuk i fliste në emër burrit. Natën e parë të martesës mashkulli nuk dinte nga seksi dhe e drejtonte P… nga kërthiza. Nusja, duke parë që ky u bë ujë në djersë për ta futur, i thotë: AGA BE, AGA VELI/ KU E KAM UNË E KU E VË TI.
*
Një Borziloke u kuptua nga burri i saj se bënte seks natën te kasollja e kashtës. Me marifet burri bëri rolin e dashnorit dhe, si natë që ishte, ajo jo vetëm s’e kuptoi me kë po bënte…, por u shpreh më fort se herët e tjera: Më kënaqe o i kënaqur qofsh, se vdiqa me atë shalë kokosh. Burri iu shpreh: njëlloj janë edhe “kjo” edhe “ka”, bile me tëndin u kënaqe më shumë si e the vetë…

Të shumta janë historitë që tregonte Dedeja. Emri i Borzilokes përdorej shpesh prej saj dhe merrte kuptime të ndryshme. Ne e dëgjonim dhe shkriheshim gazit, por i vinim dhe gishtin kokës. Nuk ishte thjesht rrëfimi apo shakaja, ishte diçka më e thellë. Pas tyre fshihej një porosi, një moral…