Thursday, February 19, 2015

N D E R I M I

N D E R I M I
Njeriu nderohet jo vetëm sa është gjallë e në jetë, por edhe kur është larguar e s’jeton më. Kjo gjë tregon respekt dhe e nderon secilin. Në kohën e shpërbërjeve të mëdha dhe të humbjes së mjaft vlerave njerëzore, familja jonë është sjellë e sillet si shumë familje të tjera me nderim ndaj të parëve të saj. I kujtojmë. U bëjmë homazhe, u shkojmë tek varri. U vendosim lule. Shembullin na e jepte nëna jonë, ndaj po e vazhdojmë edhe ne.
Fletë nga ditari:
Sot vura një tufë me lule te varri i gjyshërve të mi, Metkë e Kanushe Çalaj. Një tufë me lule e vendosa edhe te varri i babait tim, që me shumë sakrifica na rriti, edukoi e shkolloi. Jam me Dedenë, Nexhmijen, Adriatikun dhe Ermirin...
Vazhdon ditari:
...Në orën 05.00 nisem për në Klos. E kisha lënë me Nuredinin, vëllanë e madh të fshatit, që në orën 10.00 do të jem aty. Do të takohemi... Nurua e Anda më prisnin. Anda kishte marrë masa dhe për drekë. Ramë dakord se nuk do të qëndroj më shumë se një orë. Duhesha në një vend tjetër. Të tre shkëmbyem pyetje, u çmallëm dhe unë u nisa për në varreza. “Do të vij edhe unë”, tha Nuredini. Shkuam, po tani pa Dedenë. Ajo kishte 15 muaj që prehej aty me baba Temon e prindërit e tij. Përkëdhelëm fotografitë e tyre, i puthëm, vendosëm nga një lule dhe u larguam. Shkuam te varri i Pelivanit, pastaj lule vendosëm te varri i Izet Muratit. Biseduam me Nuron. I thashë: Dashuria për fshatin e të parëve të tij e për bashkëfshatarët e këtij burri fisnik duhet të na bëjë ne që ta nderojmë ashtu si njerëzit tanë. Ky nuk ka njeri të familjes apo të fisit këtu në fshat, i ka larg e shumë larg, prandaj njerëzit që dinë të vlerësojnë veprat e mira njerëzore, duhet ta nderojnë Izet Muratin. Po, po, u përgjigj vëllai, ashtu është. Unë e familja ime, i thashë Nuredinit, sa herë do të vijmë në Klos e këtu në varreza, do të vendosim lule edhe te varri i këtij burri të mrekullueshëm, që e kam njohur personalisht. Kur u ktheva në Gjirokastër, me Nexhmijen gjetëm numrin e telefonit 031322730 të Bujar Muratit, njeriut të tij të afërt që banon në Ballsh dhe i thashë ato fjalë që bisedova me vëllanë. Burri, që është siç ka emrin, por edhe Dedeja fliste shumë mirë, u gëzua e tha faleminderit 3 herë.
Kështu biseduam e kështu u puqëm në mendime me dy djemtë e nënë Lavdijes që na porosiste gjithmonë: T’i nderojmë njerëzit edhe kur s’janë gjallë!
Dje vajta në Çorrush se dajë Barjami ka qenë sëmurë. Ai vuan nga dhjami dhe mjeku e ka këshilluar për ta operuar. Rrugën e bëra me këmbë afërsisht dy orë: Bejar, Liqeni, lagja Agaraj ku banon daja me Këzen. Gjatë rrugës në afërsi të kësaj lagjeje nga Veriu, në një vend të zgjedhur janë varret e gjyshërve Maliq e Mejmedi Seranaj. Meqenëse koha ishte e mirë dhe rruga kalonte aty pranë, u ktheva e vendosa dorën mbi fotografitë e tyre. I putha sikur t’i kisha përpara si dikur, që më puthnin e përqafonin, kur takoheshim. Lavdi atyre që lindën e rritën mamanë time! Shëndet e mirësi dajave e tezeve që kanë treguar e tregojnë kujdes për varret e tyre të rregulluara me mermer e për nderimin që u bëjnë edhe tani që nuk janë gjallë.
Gjirokastër: Në varrezat e këtij qyteti me kulturë ndodhen dy varret e prindërve të Nexhit, Papit, Ladit e Linditës. Skënderi ka vdekur më 19.01.1994; Tajbeja më 16.02.2005. Varroshet janë përgatitur mirë dhe kujdesi për t’i mirëmbajtur është i vazhdueshëm. Nexhmija, vëllezërit e motra Lindita e kanë bërë rregull që çdo muaj, para dite do të venë në varreza për të kujtuar e nderuar prindërit. Nuk janë të pakta rastet që bashkë me ta të jem edhe unë, djemtë e dy mbesat, Florida dhe Alisa. Nderimi për këta dy prindër për mua shkon më thellë. Si gjyshër të mirë kanë ndikuar direkt në mirërritjen e Adriatikut dhe Ermirit. Më janë ndodhur gjithmonë pranë për halle e probleme që ka nxjerrë jeta.
Kthehem nga Tirana me makinën time veturë Gj 5299. Kisha shkuar me një shokun tim për probleme tregtie. Pa hyrë në Ballsh, te varrezat e këtij qyteti i them shokut të ndalojë 10 minuta këtu se dua të çoj një lule. Do të të them kur të kthehem... Vendosa një lule te varri i Petrit Dushit, burrit të Myneveres, vajzës së xhaxhait tim. Ai ishte burrë i shkëlqyer. Iku i ri. Ka lënë dy fëmijë të mirë, vajzë e djalë. Shkova te varri i Qerim Cenos, babait të Lefterit që kishte vdekur në vitin 1992 e kishte pësuar dënim politik. Andej u ktheva te varri i prindërve të Përparim Zenelit. Shoku që më priste, nuk u mërzit për vonesën, përkundrazi më përgëzoi. Ky ishte oficeri i ndershëm e miku im i mirë Avni Peçi.
Raste të tilla kam regjistruar shumë në ditarin tim. Është respekti dhe nderimi i njeriut për njeriun, një tipar i bukur i trashëguar brez pas brezi. I përjetshëm kujtimi i atyre që nuk janë më në këtë jetë, por që jetojnë përditë pranë nesh me ato që na kanë lënë!...
Ne ecëm në gjurmët e të parëve tanë, mësimet e Tyre dhe të Dedesë i kemi pasur gjithmonë parasysh. Në gjurmët tona ecin fëmijët tanë. Ndoshta nesër këtë gjë do të bëjnë edhe fëmijët e tyre, se populli thotë: dardha nën dardhë bie.