Nga duart e nënës, në duart tona
Punët që nga duart e nënës kalonin,
Tani në duart tona do të “këndonin”,
Çdo ditë nëpër punëra do të jemi
Dhe nënën duarartë model e kemi.
Njeriun e mat puna. Kjo
edukohet që në fëmijëri. Të vegjlit bëjnë siç shohin. Nëna përpiqej të na
aktivizonte e të na ndihmonte në punë të ndryshme. Të gjithë kanë përfituar
prej saj.
Gama e ndihmës ishte e
gjerë: që nga të mësuarit për të gatuar, te punimi e mbjelljet në kopsht, te
përpunimi i rezervave të ushqimeve për ditë të tjera e sidomos për dimrin etj.
Nga
ditari lexoj:
Sot Ermiri dhe Klodi, të dy me arsim të lartë ekonomik që kanë punuar
në institucione të ndryshme si financierë, morën në telefon nga Tirana që
banojnë në një shtëpi me qera e pyetën në fillim për Nexhmijen: Si i bën
domatet në vazo... po speci, patllixhani, qepa bëhen?... Këtë praktikë Nexhi e
ka mësuar edhe nga Dedeja dhe e ka praktikuar në familjen tonë. Miri që është
tepër i rregullt, një intelektual i mirëfilltë, është edhe një vëzhgues e
vlerësues po kaq i mirë. Mbasi bisedoi gjatë me të ëmën, e kërkova dhe unë për
të folur me nusen e tij. Në telefon i përgëzova të dy për këtë vendim që kishin
marrë për të bërë diçka sipas traditës së gjyshes e mamasë. Më mirë të hani
domaten, specin, patërxhanin, bamjen, barbunjën e prodhimet e korrikut,
gushtit, shtatorit apo tetorit se sa ato të dimrit. Kjo jo vetëm për shije, po
për çdo gjë...
Duke vazhduar me ditarin,
po shkruaj:
16 shkurt 2001. Ora 17.00
Shkoj te Pelushi, i cili ka qenë ushtarak e pimë kafenë e pasdites në
disa ditë të javës bashkë. Për drekë Nexhmija kishte bërë byrek me domate e
prodhime të tjera të thara sipas praktikës së Dedesë. Në petë kishte përdorur
20 – 30% miell misri. Edhe pjekja ishte bërë e mirë. I them gruas të më
mbështjellë një racion nga ky byrek për shokun para se të pimë kafen. Ai e
pëlqeu shumë. Më i mirë se sa ai me mish, tha. Jo vetëm më i shijshëm, ia
ktheva, por të bën më mirë edhe për shëndetin se është me perime e zarzavate;
edhe kostoja është më e lirë.
Nga duart e nënë Dedesë
kanë mësuar më shumë vajzat e saj, Lefteria e Adelina. Dy motrat e mia gatuajnë
shkëlqyer, dinë të punojnë leshin e deles për çorape, fanella, triko, shalle
etj. Babai e ne fëmijët visheshim përgjithësisht me këto prodhime të duarve të
Dedesë e motrave tona. Këto dinë të qepin e të arnojnë, të përgatisin ullinj,
glikoja, reçelëra e të tjera si ato. Edhe nuset: Natasha, Nexhmija, Adelina,
Lindita e Valentina kanë mësuar në çdo drejtim nga vjehrra e tyre Dede. Kam
kënaqësi kur dëgjoj e shikoj praktikisht se si nga Dedeja kanë fiksuar në
mendje fjalët e saj kur thoshte se shtëpia i do të gjitha. “Të punohet si bleta
që ka organizim të përsosur, por edhe ushqimin e saj e siguron në behar për
dimrin që ka përpara”.
Pikërisht me këtë thënie që
nënvizova më lart, ma mbylli gojën një ditë kur unë i thashë: Ti Dede do kohën
e parë, fukarallëkun...