Thursday, February 19, 2015

NJERIU DHE KOHA

NJERIU DHE KOHA

Duke punuar për pëgatitjen e kësaj monografie të një biri për nënën e vet, njoha dimensionet e vërteta humane të njeriut me emrin Agron Temo Çalaj. I lindur në Klos të Mallakastrës, ku vetëm fëmininë kaloi aty, se pastaj vazhdoi shkollën ushtarake dhe detyra e hodhi në Gjirokastër, por asnjëherë nuk i shkëputi lidhjet me rrënjët e veta. Dashuria dhe nostalgjia për njerëzit e afërt dhe vendlindjen shprehen qartë në faqet e ditarit të tij. Malli bënte që të gjente kohën dhe të hidhej “një vrap” atje, në fshat dhe kujtimet nuk kanë të sosur dhe ngazëllimi i nënës që iu kthye “pëllumbi në fole” qoftë edhe për pak.
Nëna si të gjitha nënat, e dashurisë dhe e përkujdesjes së pafund, e merakut për gjithçka që ka të bëjë me nderin, moralin, mikun, punën, vlerën e vërtetë njerëzore. E tillë ishte Lavdija, që të gjithë e njihnin dhe i flisnin Dede. Dhe Agroni në këtë libër e ka gdhendur figurën e saj në gjithanshmërinë e vet, duke evidentuar ato cilësi që e kanë karakterizuar gjithmonë shqiptarin. Një familje me norma, njerëz të punës, që pavarësisht nga vështirësitë e mungesat u përpoqën për më të mirën për fëmijët e tyre. Nënë Lavdija nuk kishte shkollë, por fëmijët e saj i arsimoi. Si pëllumba i nxori nga foleja e saj e i nisi në rrugën e gjatë të jetës, por më parë i përgatiti që krahët e tyre të ishin të fortë e të mos thyheshin nga acaret e kohës. I mëkoi me dashuri dhe me cilësi e virtyte të larta. Dhe koha tregoi se ata u bënë ashtu siç i dëshironte ajo. Është ky libër një dëshmi e gjallë e kësaj gjëje.
Me Agronin jemi moshatarë, pavarësisht drejtimeve të ndryshme. Ai është ushtarak dhe në bazë të ligjit Nr.9171 datë 22.01.2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë” sot duhet të kishte gradën e  gjeneral majorit apo gjeneral leitnantit. Kohët ishin të tilla që i hanin ata që me kontributin e tyre përpiqeshin për të ndryshuar diçka në realitetin ku jetonin e punonin. I rritur e edukuar në një familje me norma, ku të bardhës i thoshin të bardhë e të zezës të zezë, ai nuk mund të vepronte ndryshe, nuk mund të tjetërsohej apo të vinte një maskë e për më tepër të përshtatej me të keqen.
Në qytete të vogla si Gjirokastra edhe po të mos kishe miqësi, një njohje e thjeshtë, një mirëmëngjesi do ta kishe këmbyer me gjithkënd. Pastaj “të rejat” përhapeshin shpejt. Le pastaj qimja bëhej tra nga thashethemet. Kështu ndodhi edhe në rastin e Agronit. Po të kthehemi në vitin e largët 1989, para ndryshimeve demokratike në vend, po t’u referohemi kujtimeve të atyre që e kanë njohur e punuar me të do të mësojmë të vërtetën mbi dënimin e tij, heqjen e titullit oficer dhe pasojat e tjera. Agroni e dinte se lufta për progres të krijon kosto, por ai si një njeri i devotshëm dhe me ndërgjegje të lartë i shtroi problemet me ndjenjë të lartë përgjegjshmërie. Kritikoi dhe vuri në dukje të meta që mund të ndreqeshin e duheshin ndrequr. Për këtë u dënua. Koha dëshmoi se ai kishte të drejtë në ato që kishte theksuar se me urdhërin Nr.2799 datë 15.10.1997 është rititulluar oficer aktiv si komandant i B2K në Gërhot të Gjirokastrës. Po vendos edhe një foto me Ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes Sabit Brokaj, që kishte firmosur urdhërin. Megjithatë peripecitë e këtij njeriu në drejtim të së drejtës së tij ende nuk kanë marrë fund. Koha nuk po i rivlerëson siç duhet kontributet njerëzore. Rastësi, koecidencë, ngatërresë, harresë apo çfarë emri mund t’i vihet kësaj gjëje?!... Padyshim janë organet kompetente që duhet ta vënë të drejtën në vend, duke vlerësuar kontributet në luftë me çdo tiran, mashtrues e përvetësues.
Ndoshta një herë tjetër do të kem rastin të shkruaj më gjatë për kontributet dhe çështjen e Agronit, por po i rikthehem edhe një herë librit “Gjurmë jete”. Çdo lexues do të gjejë në të realitete konkrete dhe njerëz konkretë. Portreti i nënës jepet me objektivitet me të vërtetat që mbart. Autori është ndalur në momente që përbëjnë disa kulme. Vetë ai pohon se ka qenë larg, ashtu si dy vëllezërit dhe dy motrat, por sa herë që shkonte në fshat për të takuar prindërit apo për ndere e hatëre të ndryshme Dedenë e gjente në punë. Megjithatë linte gjithçka dhe e pyeste e interesohej mbarë e mbrapsht për gjithçka. Kur vdiq babai, pohon Agroni, vajtjet në fshat i shpeshtova. E lusja të vinte të banonte tek ne në Gjirokastër apo dhe në Tiranë tek Hyseni e të tjerët, por mendjen e kishte atje në fshat. Njeriu i punës, i ullinjve, shegës, kopshtit të vogël në vitet e kooperativës dhe i gjërave të reja në vitet e demokracisë, i gjelave të detit dhe i gjithçkaje tjetër e tërhiqnin dhe mendonte se vendi i saj ishte atje ku kishte kaluar jetën.
Libri i Agronit i konceptuar në kapituj sjell freski, të emocionon me thjeshtësinë dhe mënyrën e rrëfimit. Fletët e shkëputura nga ditari apo vlerësimet e të tjerëve për Dedenë tregojnë për gjurmët e një jete që nuk shuhen lehtë, por janë ngulitur thellë në zemrat e njerëzve të dashur e që do të trashëgohen brez pas brezi.
Çdokush që do të marrë në dorë këtë libër padyshim do ta vendosë veten në pozicionin e Agronit, se gjithsekush prej nesh ka një nënë dhe në moshë sado të shtyrë të jetë e përmend me mall e nostalgji: NËNË!   
                                                              ODHISE ÇERKEZI



Një kujtim me Dedenë time të shtrenjtë, që lindi, rriti dhe edukoi me shumë sakrifica shtatë fëmijë: Hysenin, Agronin, Lefterinë, Adelinën, Nuredinin, Tekiun dhe Mustafanë. Ajo pati meritën edhe në rritjen, arsimimin dhe edukimin e 16 nipërve e mbesave të fëmijëve të saj; të 17 nipërve e mbesave të vëllezërve e motrave dhe 22 nipër e mbesa të vëllezërve e motrave të burrit.