Përmes
kujtimeve...
Sa herë na ndodh të kthejmë kokën pas për të kujtuar, për
të kuptuar dhe për të vlerësuar atë çfarë ka kaluar?!... Sa pak apo sa shumë
mbajmë mend?!...Mes kësaj morie kujtimesh gjejmë vlera, padyshim aty është edhe
ngërçi i memories dhe sfida me vetveten për të kujtuar sa më shumë të mundemi.
Për gjithçka mund të jemi në mëdyshje, por me bindje mund të them se vetëm për
dashurinë me të cilën na ka sjellë nëna në jetë, nuk mund të kemi dyshime.
Ndoshta deri në momentin kur Zoti e bekon njeriun me një fëmijë, do të ishte e
vështirë të kuptoheshin ndjesitë e një nëne, por pa diskutim përpos
eksperiencës personale, për sa kohë i gjithë njerëzimi ka rënë dakort se është
ndjesia më e fortë që mund të përcillet, nuk ka më vend për dyshime se dashuria
dhe ndjenja e nënës ndaj fëmijës është unike në llojin e saj.
Për njeriun që na ka sjellë në jetë, nuk do të mjaftonin
fjalët për të përshkruar mirësinë dhe përkushtimin, nuk mund të gjejmë shembuj
të ngjajshëm për të shprehur energjinë që kurrë nuk mungon.
Nëna është emri i parë që thërrasim, kur na dhemb shpirti
apo kur kemi nevojë dhe, nga ana tjetër, i pari person që gëzon sa herë që një
e mirë na ndodh në jetë. Në fund të fundit, dashuria për nënën do të jetë më e
gjata dashuri e përjetuar në jetë, e cila daton me lindjen tonë, por edhe më e
sigurta dhe më e natyrshmja, e cila kurrë nuk do të na kursehet...
Përmes këtij libri kujtimesh, zoti Çalaj i ka bërë një
dhuratë të vyer, mbi të gjitha, vetes së tij, por edhe të gjithë familjes, të
cilët e gjejnë vetveten mes morisë së ngjarjeve dhe ndodhive që kanë lënë
gjurmët e tyre dhe përbëjnë esencën e një jete të tërë. Aty janë sakrificat dhe
gëzimet familjare, aty është përditshmëria, aty është thjeshtësia dhe padyshim
edhe forca e kurajoja me të cilën njeriu përballon sfidat e një jete shpesh të
vështirë e me andralla.
Nënë Lavdija është një pjesëz e secilës gjyshe që me mund
e sakrificë ngriti përmes përkushtimit të madh një familje në kohëra të
vështira. E shoh atë të pasqyruar në çdo gjyshe kudo në Shqipërinë që kam
zbuluar vitet e fundit, me portretin domethënës dhe karakterin e fortë, duke
jetuar në një kohë aspak të lehtë diametralisht të ndryshme me këtë të
sotmen...
Ajo është nëna dhe gjyshja që meriton çdo fjalë zemre që
është shkruar në këtë libër, gruaja plot me eksperiencë dhe mençuri, me vullnet
të fortë, shtyllë e familjes, por edhe me sensin e humorit.
Mirënjohja më e madhe që mund të na japin në jetë, është
që të mbahemi mend gjatë për shkak të mirësisë dhe të meritave personale.
Padyshin vendin e nderit në hierarkinë e mirënjohjes e merr nëna...
“Zoti nuk mund të jetë kudo, prandaj ai krijoi nënën”, -
thotë një proverb çifut.
Marin
Mema
Tiranë, 13.03.2013