Thursday, February 19, 2015

OPINIONE E VLERËSIME: AGRONI – SHOK I JETËS

OPINIONE   E   VLERËSIME
ZYHDI HYKA
AGRONI – SHOK I JETËS
Në muajin shtator të vitit 1972 një djalosh buzagaz me uniformë ushtarake të sapoveshur u shfaq para meje, duke më përshëndetur ushtarakisht. “Jam oficeri i ri i sapodiplomuar, Agron Çala”, m’u prezantua. Ushtarakisht ia ktheva edhe unë dhe u prezantova, duke dalë nga korniza e uniformës. Jam lindur në fshatin Mjedë të Shkodrës, jam me detyë komandant kompanie dhe jam oficer prej 5 vjetësh. Më uroi për një karrierë të suksesshme dhe nuk u mjaftua vetëm me prezantimin e thjeshtë, por më dha të dhëna për vendlindjen Klos, shkollën e kryer, diplomën e ushtarakut dhe në fund më tha se këtu në Gjirokastër nuk kishte asnjë të njohur. Më pëlqeu çiltërsia e tij, por njëherazi e kuptova se kërkonte mbështetjen time në këtë mjedis të ri.
Në punë shumë shpejt shpalosi aftësitë e tij në kryerjen e çdo detyre me intelekt. Veçanërisht i pëlqente të punonte me rininë, ishte kurajoz dhe mbështeste veprimet e mira të atyre që e rrethonin, por nuk toleronte mangësitë, të cilat i bënte prezente në kohën dhe vendin e duhur. U bë i njohur në kolektiv për aftësitë e tij profesionale, duke u vlerësuar jo vetëm nga eprorët, por edhe nga vartësit e tij. Këto aftësi e të tjera Agroni i manifestoi edhe në detyrën e instruktorit në punën me rininë, deri sa karriera e tij u mbyll. Nuk po zgjatem me vlerësime për punën e tij, por për lidhjen tonë, marrëdhëniet tona shoqërore.
Shumë shpejt Agroni me veprimet e tij fitoi besimin në shoqëri. Ai ishte i gatshëm të jepte ndihmesën e vet në çdo moment kur dikush nga ne, shokët e tij, kishte probleme apo shqetësime që kërkonin edhe sakrificën individuale. Në nëntor 1972, 3 muaj pas njohjes sonë, isha caktuar me shërbim në repartin ushtarak ku shërbenim të dy. Reparti ishte 8 km larg vendbanimit dhe duheshin dy orë për të arritur atje. Atë natë më kishin ardhur pjesëtarët e familjes nga Shkodra. Para se të vinin në shtëpinë ku banoja unë, ishin takuan me Agronin. Nuk njiheshin. Si ushtarak e kishin pyetur për mua. U kishte treguar se ku ndodhesha. Nuk e di tjetër se çfarë kishin biseduar. Unë isha me shërbim në repart. Nuk dija asgjë për ardhjen e tyre dhe as i prisja. Kishte kaluar mesnata, kur përpara meje u shfaq Agroni. U habita dhe mendja menjëherë shkoi në të keq. Shqetësimi ishte shumë i madh, sepse largësia nga njerëzit, mungesa e informacionit gjithnjë më krijonte stres dhe s’kishte si të mos të të shkonte mendja kushedi se ku. Pse erdhe, si? – dhe pyetjet pasonin njëra – tjetrën pa i lënë kohë të përgjigjet. Ai e kuptoi tronditjen time dhe më qetësoi.
-Shko në shtëpi, - më tha, - të kanë ardhur prindërit nga Shkodra. Erdha të të zevendësoj unë sonte. Do të rri unë me shërbim në  vendin tënd.
Megjithatë shqetësimi nuk m’u hoq. U mundova të mësoj diçka më tepër, por ai më qetësoi. Shëndoshë e mirë i ke. Erdha që të shkosh e të çmallesh me ta. M’u betua për kokën e nënës dhe vetëm atëherë u qetësova. I dija lidhjet e tij me të ëmën dhe e besova. Shpesh herë më kishte folur për të, ma kishte përshkruar aq mirë sa, vite më vonë, kur e takova për herë të parë m’u duk sikur njiheshim prej kohësh. U bëra gati dhe ika. Rrugën e përshkova me një frymë. Natë ishte, errësirë e plotë, ftohtë. Kur je vetëm, edhe ditë sikur të jetë, rruga sikur të ha, jo më natën. Ecja dhe mendoja për atë që kishte bërë Agroni. Mirë unë që kisha një arsye të merrja rrugën natën, po atë çfarë e shtyu?! Kur arrita në shtëpi, edhe ata i gjeta të shqetësuar e dyfish në merak për Agronin që ishte nisur ashtu i vetëm nëpër natë dhe për mua. Asnjeri nuk kishte rënë të qetësohet, sepse sapo trokita në derë u gjendën të gjithë në këmbë. U interesuan së pari për Agronin si kishte mundur të vijë. Shok për jetë, thanë dhe ashtu është e vërteta.
Motivi që e nxiti Agronin është shumë njerëzor, shfaqje e një edukate të trashëguar, të kultivuar e të farkëtuar në një familje me kode të larta morale, ku njeriu është njeri dhe duhet t’i bëhesh krah kur ka nevojë.

Edhe sot që është bërë baba e gjysh, Agroni manifeston qëndrime korrekte e dashamirëse në shoqëri. Fjalën “vëlla” e përdor shpesh, se vëlla të vërtet e konsideron atë që ka shok e mik. Mirësinë e dashurinë e shpreh edhe në veprimet më të thjeshta, që në buzëqeshje, në përshëndetje, në interesimin për gjërat e familjes apo të përditshmërisë. Kaluan shumë vjet që nga ajo kohë, kur u njohëm e punuam bashkë dhe u thinjëm, por miqësinë e ruajtëm dhe e forcuam, jo vetëm ne, por edhe familjet tona. I jemi gjendur pranë njëri – tjetrit në gëzime e hidhërime. Mbresa të pashlyeshme kam nga dasma e Tikut, djalit të tij, ku isha familjarisht. Një fis i madh dhe një shoqëri e gjerë. Të gjithëve u gjendej pranë Agroni në atë atmosferë gëzimi. Nuk thonë kot “shok për jetë”.