I K J A …
Dy vajzat, Lefteria dhe Adelina
në orën 22.30
Kur të vjen, hapi derën –
thotë populli. Vjen e mira, vjen edhe e keqja. Të dyja janë për njeriun. Ai do
t’i heqë, do të përballet me to. Gëzimi të lumturon, bëhesh më i lehtë, shend e
verë dhe e gjithë bota për një çast të duket sikur është e jotja. E keqja të
përfton të tjera gjendje. Gjithçka rreth teje nxin. Të thonë shëndet e ti ua
kthen me plaç. Të duket sikur edhe rrobat e trupit të rëndojnë. Koka të rëndon.
Këmbët nuk i hedh dot, të duket sikur toka t’i mban fort dhe nuk do t’i
lëshojë. Nuk do si të bësh e nga të vërtitesh. I mbledh të gjitha forcat për të
bërë diçka, për ta flakur tej këtë gjendje. Një gjendje e tillë mund të të
pushtojë pa asnjë shkak. Mjafton një re e vockël fare në qiell, një hije që të
duket sikur të ndjek pas (Sa shumë hije na kanë ndjekur në të kaluarën!), diçka
fare e parëndësishme dhe gjithçka të përmbyset. Nuk pranon asgjë. Mos i fol,
thonë në raste të tilla, nuk është në të mira apo etiketime të tjera. Të duket
sikur diçka e keqe do të të ndjekë, paçka se je mirë e bukur. Për më tepër kjo
gjendje rëndohet kur ka një shkak dhe ne
e kishim një shkak, sëmundjen e nënës.
Të qenët larg e për më
tepër kur dikush është i sëmurë, bën që veshët të bëhen pipëz. Një zile
telefoni dhe vrapon ta ngresh receptorin, zemra të rreh fort dhe diçka të
shtrëngon kraharorin. Ankthi të pushton. Padurim apo diçka tjetër që nuk di si
ta shpjegosh e ç’emër t’i vësh. Ç’do të dëgjoj vallë?!… Kështu ndodh përherë me
njeriun, por dikush përjetimin e shfaq hapur e dikush e bluan përbrenda sipas
natyrës së vet. Që nga sëmundja e Dedesë kjo më ndodhte shpesh. Një tingëllimë
dhe kërcenim në këmbë. Edhe vajtjet në fshat i kishim shpeshtuar. Ishim shtatë
fëmijë dhe në çdo kohë njëri prej nesh, që ndodheshim larg, do të gjendej aty.
Më 2 janar Hyseni, Tasha,
Lefteria, Adelina shkuan në Klos për ta parë e për t’i uruar për Vitin e Ri
2010. Nuk kaluan dy ditë e përsëri Lefteria e Adelina në Klos. Vajzat tek nëna!
Kishin sjellë me vete edhe shumë ilaçe të reja, rekomanduar nga mjekët. Ato
banonin në Tiranë, por edhe kur nuk mund të shkonin vetë, do të dërgonin në
fshat gjëra që nuk gjendeshin atje. Edhe gatime dërgonin, jo se Dedesë i
mungonin apo ata që i ndodheshin tek koka nuk ia bënin, por tjetër nga vajzat.
U dukej sikur do t’ia lehtësonin sadopak sëmundjen. U kthyen ato prapë në datën
4 në Klos se nëna ishte rënduar. E kuptuan se nuk e kishte të gjatë dhe donin
t’i gjendeshin te koka. E mërkurë, ora 22.30 nëna iku. Iku në duart e të
bijave…
Vdekja e nënës
E mërkurë, 6 janar 2010
S’kishte vajtur akoma ora 8 e mëngjesit dhe
ngrita receptorin. Sinjalet e tij ma shtuan padurimin. Zëri nga ana tjetër po
vononte. Kur po përgatitesha t’i bija për së dyti, në telefonin e Mustafait më
doli Lefteria. Është rënduar, më tha dhe në tonin e zërit të saj ndjeva
dënesën. E kuptova se gjërat nuk po shkonin mirë. Nëna kishte më se dy vjet e
sëmurë dhe rënia erdhi gradualisht. Fjalët e prera të Lefterisë e më tepër
pauzat, dënesat ma shtuan shqetësimin. Nuk kaloi as një orë dhe u nisa për në
Klos. Në Qafë të Kashit u takova me Nuron me makinë që vinte nga Ballshi me
ushqime për Mustafanë. Shkuam bashkë në fshat. Dede, Dede – i fola disa herë,
por ajo nuk reagoi e as përgjigje nuk mora. U mblodhën aty pothuajse të gjithë,
të mëdhenj e të vegjël, fëmijë, nipër e mbesa. Nuk flisnim. E hidhnim shikimin
sa nga Dedeja tek njëri – tjetri. Neritani dhe Mikeli, dy djemtë e vegjël të
Mustafait, nuk i mbante vendi. Hynin e dilnin me sytë gjithë lotë. Po ikte
gjyshja që i kishte rritur me kaq përkushtim, që i kishte dhe e kishin përditë
në sy. Nuredini, Adelina. Tekiu, Lindita, Mustafai e Valentina që më parë
kishin biseduar e marrë të gjitha masat për një nderim sa më dinjitoz të nënës
sonë, kur të vinte çasti i ikjes. Dhe ai çast erdhi në orën 22.30. Duhej
mbledhur vetja, sa sado që e prisnim, vdekja është vdekje dhe të trondit. Aq më
tepër që po ikte nëna. Menjëherë filluan punët konkrete që tradicionalisht
zhvillohen në këto raste. Së pari nisën lajmërimet, nuk duhej harruar askush.
Kur të zbardhte dita, do të merreshim me varrimin, drekën e të tjera.
Gjithsekush filloi të merret me diçka. Dy ditë më parë në fshat kishte ardhur
Hyseni me Natashën, dajë Barjamin me të shoqen i kishte sjellë me makinë i
biri, Altin Seranaj më parë. Nexhmija u nis nga Gjirokastra me Elsonin, djalin
e Nuredinit, që është student në Universitetin e atij qyteti dhe në orën 2 pas
mesnate mbërritën në Klos.
Atë natë nuk mungoi as
Irena, vajza e Lefterit dhe e Lefterisë, që jeton në Amerikë, por kishte ardhur
për të parë e çmallur me njerëzit. I përmendi edhe atë natë porositë që i
kishte dhënë gjyshja para se të nisej për atje larg përtej deteve. “Mos e harro baltën tënde, bijë, - i
kishte thënë, - mos i harro ata që të
bënë kokën. Ktheje kokën pas dhe ngaherë kujto…”
I pari që u lajmërua ishte
xhaxhai ynë Zeneli, vëllai i vogël i babait tonë. Një orë më parë ishte larguar
për të pushuar pak e për t’u kthyer sërish. Është i moshuar dhe lëviz me
vështirësi nga këmbët, por erdhi menjëherë. Me të erdhën dhe i biri, Viktori me
të shoqen, Shqiponjën. Ata morën detyrën të prisnin njerëzit që do të vinin,
t’u nxirrnin kafe, raki e cigare dhe të gjitha ato ditë ata ishin në këmbë.
Askush nuk u harrua.
Lajmi i keq u përhap shpejt
dhe pa zbardhur mirë dita shtëpia u mbush plot me njerëz. Nipër e mbesa,
kushërinj të afërt e të largët, shokë e miq erdhën për t’i dhënë lamtumirën e
fundit Dedesë. Xhaxha Baçua u pikëllua shumë nga ikja e kunatës, por më tepër
se nuk mundi të vinte në ceremoninë e saj. Ka më se një vit që ka zënë
shtratin. Ai njeri i urtë e punëtor e ndjeu dhe e përjetoi thellë këtë gjë.
Këtë e vërtetuam më 8 janar kur shkuam unë, Hyseni, Lefteria e Adelina për ta
takuar në shtëpinë e tij.
Në të tilla raste fjalët
dalin me vështirësi dhe të duket sikur nuk kanë asnjë vlerë, nuk mund ta
shprehin atë që ndien zemra. Pavarësisht se mosha e atij që ikën mund të jetë e
shtyrë, mund të ketë qenë sëmurë e vuajtur ai ose ajo vetë, por edhe të tjerët
që i kanë qëndruar ditë e natë te koka e i kanë shërbyer, prapë se prapë
dhimbja është e pashprehshme. Fjalët nuk mund ta shprehin dot, më tepër se
fjalët flasin tiparet e fytyrës, lotët e syve, rrudhat që brazdojnë ballin,
damarët e qafës apo tëmthat që rrahin fort. Me zor gëlltitesh e tingujt me zor
artikulojnë fjalët. Këto i provova vetë ato ditë, i pashë të zbulohen në plot
fytyra.
Ce r e m o n i a
E enjte, data 7
janar 2010
Pak çaste pas mbarimit, me
xhaxha Zenelin dhe të tjerët biseduam për orën e varrimit. Do ta bënim të
nesërmen në orën 13.00. Dimër është, errësohet shpejt, do të bëhet dreka dhe
njerëzit do të ikin. Nuk mund të ikin nëpër natë. Pastaj nuk i dihet edhe
kohës. Ankth të madh koha. Të gjitha mediet kanë paralajmëruar kohë të keqe,
erë e fortë e furtunë, shira që nuk ishin parë prej 100 vjetësh. Në Shkodër
kishte ndodhur përmbytje e madhe dhe mijëra njerëz kishin lënë shtëpitë me
gjithçka e ishin larguar për të shpëtuar kokën. Kësaj i trembeshim më tepër. Sa
për vendin e varrimit ajo e kishte caktuar vetë, e kishte lënë me amanet që në
shkurt të vitit 1991.
Për të pritur ngushëllimet
u caktua xhaxha Zeneli, Hyseni, dajat dhe unë. Njerëz hynin e dilnin pa pushim.
Ngushëllime, fjalë zemre. Shtëllungat e dendura të reve filluan të davariten
dhe koha u hap.
-Siç e kishte shpirtin të
bardhë nëna juaj, ashtu po i bën edhe koha… diell… - e dëgjova këtë ta thonë
shpesh, edhe disa që nuk i njihja dhe pyesja për ta.
Sa më shumë kalonte koha,
aq më shumë njerëz vinin. Rreth orës 11.00 ndjeva një shqetësim. Nuk më tha
njeri dhe, së pari, nuk i kushtova rëndësi. Është nga ikja e nënës, më kaloi
vetëtimthi nëpër mend, por nuk më mbante vendi. Një parandjenjë kisha. Gjeta
një moment dhe u shmanga nga detyra. U ngrita dhe dola. Nuk kisha gabuar.
Këzja, nusja e dajë Barjamit, ishte sëmurur, i kishte rënë të fikët dhe e kishin
nisur në spital në Fier. E kuptova gjendjen e saj. E dija lidhjen dhe
afinitetin e saj me Dedenë. Shpesh takoheshin bashkë, bisedonin për hallet dhe
problemet e panumërta të jetës. Dhe kishin kaluar shumë… Agimi me Yllkën e çuan
në spital. Duhet vlerësuar gjendja, m’u shpreh doktor Fetiu. Dajës nuk i
treguam asgjë nga sa kishte ndodhur.
Ora po afronte. Me dajat,
motrat, vëllezërit shkuam në odën ku “u gdhi” Dedeja jonë e pazevendësueshme.
Janë momente të vështira këto, kur duhet t’i japësh lamtumirën e fundit njeriut
të dashur. Nuredini e hoqi pothuajse fare mbulesën dhe i puthi edhe duart. I
pashë ato duar pa jetë dhe përnjëherë m’u kujtuan vitet e shkuara kur në vitin
1966 shkova në shkollën e mesme në Fier. Ato kishin qepur për mua dy këmishë
dhe kishin thurrur një triko me lesh deleje që ishte bluzë e xhaketë për dimër.
Të pije një gotë dhallë, të haje një kokërr ulli apo një pjatë gjelle të
përgatitur nga ato duar e të pjekur në saç do ta mbaje gjatë shijen e mirë dhe
përkujdesjen e asaj zonje shtëpie. Mbas këtij momenti, shumë duar u zgjatën dhe
e ngritën. Duart e saj kishin mbajtur në prehër e ishin përkujdesur për të
gjithë ne, fëmijët e saj, nipërit e mbesat. Duart dhe supet ndërroheshin në atë
kilometër që ndan fshatin nga varrezat.
Fjalën e rastit e mbajti
mësuesi me përvojë të gjatë Bardhul Çalaj. Midis të tjerash, ai theksoi: “Lavdija lindi, rriti dhe edukoi 7 fëmijë.
Ajo dallohej si nënë, edukatore dhe punëtore… Prehu e qetë pranë xha Temos,
këtu në Thënas! Lamtumirë, Dede!” – e mbylli fjalën ai. Pas tij Hyseni,
duke iu drejtuar të pranishmëve tha: “Ju faleminderit
të gjithëve, në gëzime ua shpërblefshim… Jeni të ftuar në drekën e përmortshme
në lokalin në qendër të Komunës Hekal… Të 11 – tat i organizojnë vëllezërit në
Tiranë dhe të 40 – tat djemtë në Klos…”
Pas këtij momenti nisi
ceremonia e përcjelljes atje në varrezat e Thënasit, ngjitur me murin rrethues
të Nikaeas së lashtë. Koha ishte e mirë. Janar ishte, por doli edhe një vetull
dielli që lëshoi rrezet e veta mbi të gjithë ne. Pas kësaj shkuam për drekën.
Mesazhe ngushëllimi
Nuk thonë kot se gëzimi
kalon edhe vetëm, ndërsa dhimbja do shokë. Patëm shumë që erdhën, por pati edhe
nga ata që nuk mundën. Koha me problemet e saj bën të vetën. Për më tepër
largësia. Megjithatë lajmi i kaloi kufijtë dhe mesazhet e ngushëllimit ishin të
panumërta. Menjëherë erdhën ngushëllimet nga Batjari, Mbarimja e Lani nga
Italia; Mehmeti, Katerina, Vini e Albani nga Greqia; Xhevdeti e Besniku nga
Athina; Haredini i lajmëruar nga Festim Çalaj që banojnë në Itali dhe plot të
afërt të tjerë. Telefonat dhe celularët nuk pushonin, shokë e miq, të njohur
nga Gjirokastra, Korça, Saranda, Tirana etj. Një mik i hershëm në SMS – në e
tij shkruante: “Ngushëllimet tona të
thella për humbjen e nënës së dashur, që i qëndruat gjithmonë pranë. I
paharruar kujtimi i saj!”
E diel, datë 17 janar, ora 12.00
Përsëri kohë e mirë, me
diell. Dajat e mi, vëllezërit e Lavdijes, në nderim të motrës së tyre,
organizuan një drekë në Tiranë. Erdhën edhe njerëz që s’kishin mundur të vijnë
në fshat, si Bardha, kushërira e parë e tyre dhe e Dedesë dhe të tjerë. Në këtë
përkujtimore unë shpreha fjalët e mëposhtme:
Të dashur dajë Barjam e
Nekim,
I dashur Agim, nipi më i
madh i Dedessë,
Të dashur nipër e mbesa të
Hallo Dedesë (Artur, Altin, Eftali, Astrit, Shkëlqim, Adriana, Enkelejda,
Violeta, Mondi, Kozeta, Eqerem, Ilmi, Myzejen, Xhevdet, Besnik e Dhurata)
Motra, halla juaj e madhe
dhe nëna ime sot në datën 17 janar mbush 11 ditë që ka ikur nga kjo jetë; është
ndarë fizikisht, por me zemër e me shpirt ajo do të mbetet e pazëvendësueshme ashtu
siç kishte edhe emrin; e lavdishme për ju, e lavdishme për ne, e lavdishme për
nipër e mbesa, e lavdishme për këdo që e ka njohur Dedenë tonë të paarritshme.
Kjo drekë mortore në
respekt të vetes e veprës së saj, po më jep mundësinë të shpreh edhe një herë ngushëllimin
dhe falënderimet e mija: Të rroni ju, motrat e vëllezërit e sa, të rrojnë nipër
e mbesa familjarisht dhe t’u ketë lënë uratën.
I paharruar kujtimi i Dedesë!
Përsëri diell…
14.02.2010
Të 40 – tat u bënë në Klos.
Nuredini dhe Tekiu, që banojnë atje, mbajtën peshën e organizimit dhe pritjen e
njerëzve. Një javë më parë Hyseni me Natashën mori rrugën për në fshat. Kishte
marrë dy qiparisa nga Tirana, i mbolli tek varri i Dedesë dhe biseduam për drekën
e për njerëzit që do të mbanim. Nuk duhej harruar asnjeri.
Njerëzit erdhën të gjithë,
si atë ditë kur u bë kësodhi. Koha ishte shumë e keqe. Ftohtë, shi, erë,
furtunë. Shiu i madh kishte bllokuar rrugët dhe Altin Seranaj e Altin Sherifi
nuk erdhën dot në Klos me makinat e tyre, por furgona. Të tyret i lanë në
Ballsh. Njerëzit i pritëm në shtëpi. Shiu binte. Në orën dhjetë u nisëm për në
varreza. Doli dielli. Asnjë nga çadrat që kishim marrë me vete, nuk u përdor.
Diell bëri se ashtu kishte qenë nëna jonë Dede:
Diell. Bardhësi…
Njerëz shumë të dashur munguan
Nderimi dhe respekti janë
tipare që duhet ta karakterizojnë njeriun. Njeriu për njeriun, nuk thonë kot.
Nderoje dhe respektoje tjetrin, duaje dhe nuk ke të keqe nga kjo. Mirësia buron
mirësi. Nderoje dhe respektoje sa është në këtë jetë, por kujtoje e nderoje edhe
kur ikën prej saj. Këtë traditë e kemi trashëguar nga të parët tanë dhe
mundohemi t’ua përçojmë edhe të rinjve, paçka se kohët kanë ndryshuar.
11 korriku na mblodhi në
Klos në ceremoninë përkujtimore të nënës sonë të dashur. Si ikin ditët! Kaluan
6 muaj. Para disa ditësh kishte qenë Hyseni për të biseduar me vëllezërit e
tjerë, Nuron, Tekiun e Mustafanë. Ai është më i madhi nga të gjithë ne.
Unë me Nexhin dhe Elsonin u
nisëm me autobusin e linjës Gjirokastër – Tiranë në orën pesë të mëngjesit dhe
në Klos arritëm në orën 8.30. U takuam me vëllezërit e motrat, nipërit e
mbesat, xha Zenelin, teze Mbeten, dajë Nekimin. Në orën 9.30 u nisëm dhe bëmë
zakonin në varreza. Shumë ishim, por na mungonte dajë Barjami që ishte sëmurë,
teze Hatemja, Agim Seranaj e Adriatik Çalaj që s’mund të vinin…
Mall e lotë përpara varrit të nënës
(meditim)
Do
shkruaj me fjalë të zemrës
Për
mundimet e nënës;
Moj
nënë s’të harroj kurrë,
Përkujdesjet
që ke bërë.
Që nga
moshë e fëmijërisë
Gjer në
atë të burrërisë
Plot të
përpjeta e tatëpjeta
E
vështirë ka qenë jeta.
Sa herë
dhimbje ne kemi,
Themi
nënë, ti pranë na vjen,
Me ne
dhimbjen seç e ndan,
Kujtimi
yt një balsam.
Fëmijët
kërkojnë erën tënde,
Fjalën
e matur gjithë mendje,
Përkëdhelje
e këshillime
Si
dikur kur ndienim dhimbje.
S’mundem
më të vazhdoj,
Fjalë
s’më vijnë më në gojë,
Veç një
lule po vendos
Në
kujtim të Dedesë sonë.