Thursday, February 19, 2015

Dy fshatra të një krahine

Dy fshatra të një krahine
Iki dhe kthehem sërish në ato vende. Atje ka lindur si një rrap madhështor me rrënjët të shtrira thellë në zemër një dashuri e pashuar. Me një nostalgji të pashuar kthehem sërish atje. Qielli më merr në krahët e tij dhe më sjell midis ullinjve dhe blerimit. Është një vend i dashur. Është vendlindja ime, është vendlindja e njerëzve të mi. Çorrushi dhe Klosi janë dy fshatra të krahinës së Mallakastrës dhe largësia midis tyre me rrugë këmbësore është rreth 20 km, ndërsa me mjete bëhet dy herë më e gjatë. Dy fshatra me të njëjtat tradita e zakone, me njerëz punëmirë, të besës, mikpritës, trima. Historia e tyre vjen nga thellësia e shekujve.
Rreth vitit 270 p.Kr. bylinët kishin  formuar plotësisht koinonin e tyre, si një bashkësi politike, e cila shtrihej në një sipërfaqe rreth 20 km² në krahinën e sotme të Mallakastrës, duke pasur si bosht luginën e lumit Gjanicë. Përveç Bylisit dhe qytetit të vjetër në Klos, bënin pjesë në këtë koinon qyteti antik në Gurëzezë, pranë Cakranit dhe qyteti antik në Margëlliç, pranë Patosit...” – shkruajnë Neritan Ceka e Skënder Muçaj në veprën “Bylisi”.
Çorrushi është vendlindja e nënës sime, ndërsa Klosi vendlindja ime. E gjithë krahina e veçanërisht këto fshatra u bënë më të njohura me Luftën Nacionalçlirimtare e pas saj. Dy figura, Mehmet Shehu e Bilbil Klosi, i dhanë emër atyre. I pari si komandant i Brigadës I Sulmuese e më vonë për tridhjetë vjet me radhë si kryeministër i vendit, ndërsa i dyti si komisar në formacionet partizane e më vonë në detyra të rëndësishme të pushtetit. Të dy dhanë kontributin e tyre për përparimin e shoqërisë shqiptare. Bilbil Klosi vuri në dispozicion të luftës ose, siç i thonë, “shkriu” gjithë pasurinë e tij të tundshme e të patundshme për idealet e mëdha. Ai vinte nga një familje e pasur, por me vizione të gjera. Nuk mund të mos përmend në këtë monografi Qemal e Sherif Klosin, Izet e Bujar Muratin, Ardian e Bledi Klosin, Luftar Binjakun, Asllan Ferzaj, Hair Pashaj, Shefit Velaj, Bajram Zeqo Çalaj, Axhem Xhelilaj, Asqeri Veizaj, Skënder Lamaj, Dilaver Harizaj, Novruz e Dino Shehu, Sulo Bajramaj etj, të cilët nëna ime i kujtonte me respekt dhe shpesh i sillte si shembull për mençurinë, maturinë, drejtësinë dhe virtytet e tjera të larta njerëzore që mbartnin e ua transmetuan edhe brezave të tjerë. Forca e dashurisë dhe e lidhjes së fuqishme me vendlindjen padyshim e detyroi Gjeneralin, ushtarakun e lartë Izet Murati, që në momentet e fundit të jetës, aty në Korçë ku shërbeu për shumë vjet e doli në pension, t’u lejë amanet gruas dhe tre fëmijëve: “Të prehem në Klos... Atje ku kam lindur...”
Historia e Klosit është e lidhur ngushtë me atë të Bylisit e të bylinëve. Gjeografi grek Pseudo – Skylaksi në një përshkrim të bregdetit Adriatik e Jon rreth vitit 380 p.Kr. shkruante: “Orikët banojnë në krahinën e Amantisë; amantët që shtrihen deri këtu janë ilirë nga bylinët”, duke lënë të kuptohet se lidhja midis amantëve e bylinëve shpreh një bashkësi politike. Bashkësia e bylinëve ishte pjesë e krahinës së madhe ilire të Atintanisë, e cila përfshinte gjithë luginën e poshtme e të mesme të Vjosës. Ndërtimi i menjëhershëm i një qyteti të madh ishte zhvillimi i hershëm i jetës qytetare në atë trevë. Fare pranë Bylisit, në fshatin e sotëm Klos, gjenden rrënojat e një qyteti tjetër ilir të themeluar në gjysmën e dytë të shekullit V p.Kr, Klosi i njohur me emrin Nikaia. I pari që shkroi për qytetin e Klosit ishte arkeologu austriak K.Paç, që e vizitoi atë në vitin 1900.
I pasur është historiku i të dy fshatrave. Çorrushi shtrihet në krahun jugor të rrugës nacionale Tiranë – Sarandë. Nga Lindja kufizon krahinën e Mallakastrës me rrethin e Tepelenës. Nga Veriu kufizohet me fshatin Zhubanat, malin e thatë; nga Lindja me fshatin Zhulaj; nga Perëndimi me fshatin Kutë, ndërsa në Jug të fshatit gurgullojnë ujërat e Vjosës dhe në brigjet përtej saj shtrihen fshatrat Shkozë, Sevaster e Gorishtë të rrethit Vlorë.
Pozita gjeografike dhe klima është e favorshme për rritjen e ullirit, arrës, lajthisë, shegës, bajames, hardhisë, dardhës, qershisë, kumbullës, ftoit, mollës, fikut etj. Veprimtaria kryesore ekonomike vazhdimisht ka qenë bujqësia, blegtoria dhe frutikultura. Në qendër të fshatit ndodhet shkolla 9 – vjeçare.
Janë të njohura fiset Seranaj, Islamaj, Hodaj, Pashaj, Haxhiaj, Velaj, Ymeraj, Zenelaj, Jaupaj, Memushaj, Saliaj, Lazaj, Velikaj, Begaj, Mahmutaj, Koçiaj, Allkaj, Hamzaj, Sinani, Shehu, Islami, Myrtaj, Xhelilaj, Avdulaj, Kalemaj, Ramaj, Kapllani, Hoxhaj, Ismalili, Velaj, Aliaj, Demaj, etj. Ndodh që disa fise janë me mbiemër të njëjtë, por kjo gjë nuk tregon për lidhje gjaku. Këto fise banojnë në lagjet Majas, Varfaj, Bajraktari, Asllanaj, Banaj, Kënaj, Shullënjas, Zotoagaj, Bregasi, Shehaj (lagjia në të cilën ka lindur edhe Mehmet Shehu), Hoxhaj, Agaraj, Çaushaj, Hederaj, Hallkomuçaj. Theksojmë se terreni është kodrinor me një toponimi të pasur. Shpjegime të shumta jepen për origjinën e fshatit dhe banorët e tij. Lidhjet martesore zakonisht bëheshin jashtë fshatit dhe, sipas zakonit, me krushqi. Kështu ndodhi që një ditë mblesi nga Klosi trokiti në derën e Seranajve për nënën time.
Klosi ndodhet në qafën midis vendbanimit ilir Bylis dhe Nikae, sot vende arkeologjike turistike, të cilave populli i zonës u thotë përkatësisht Gradishta e Hekalit dhe Gradishta e Klosit, toponime sllave që vijnë nga gjysma e dytë e shekullit VI m.Kr. Klosi është një fshat i vogël, aq sa para një shekulli është quajtur edhe fshati i 40 shtëpive. “Nga një qendër e thjeshtë protourbane, buzë rrugës që lidhte bregdetin e Adriatikut me Epirin në gjysmën e dytë të shekullit V p.Kr. Kloasi u shndërrua në një qytet të fortifikuar me mure të fuqishme të stilit poligonal dhe kuadratik” – shkruhet në veprën “Bylisi” të autorëve Neritan Ceka e Skënder Muçaj dhe më tej vazhdojnë: “muri rrethues me një gjatësi 1850 m e qarkon plotësisht
kodrën në një sipërfaqe prej 18 ha, duke ndjekur linjën e terrenit. Muri nga më të hershmit e fortifikimeve qytetare ilire, ka trashësi 3m – 3.5m dhe është ndërtuar në dy faqe me blloqe të mëdha guri gëlqeror lokal... Qyteti ka vetëm një hyrje të formuar nga zgjatja paralele e dy krahëve të mureve, të vendosur në qafën që e lidh me zonën përreth. Pranë hyrjes dhe në pikat më të mundshme për t’u sulmuar janë ndërtuar tri kulla mbrojtëse.”
Nga Veriu e Perëndimi ai kufizohet me fshatin Hekal, i njohur veçanërisht në vitet ’30 – ’40 të shekullit XIX në kohën e Tanzimatit e të revoltave popullore dhe më vonë për kontributin e tij në luftën çlirimtare. Nga Lindja kufizohet me fshatin Kremenar, ndërsa nga Jugu me fshatin Drizar. Në Jugperëndim të tij gjarpëron Vjosa dhe në luginën përballë shtrihen fshatrat Gorishtë e Karbunarë të rrethit të Vlorës. Padyshim Vjosa me ujërat e saj ka ndikuar në ekosistemin e vendit dhe në mikroklimën e tij.
Ky fshat i vogël është i mbledhur dhe emrat e fiseve janë përdorur kryesisht për të emërtuar edhe lagjet. Por katër mund të quhen lagjet kryesore të tij: lagjja Qendër në mes të qafës midis dy qyteteve, Gradishta (e shkëmbit) në lindje, Gradova në perëndim dhe Poçemi ose fusha nga jugu.
Përsa u përket fiseve kryesore, ato janë: Murataj, Klosi, Merkaj, Veizaj, Harizaj, Çalaj, Velaj, Shehaj, Binjaku, Lamaj, Pashaj, Ferzaj, Xhelilaj, Verbaj, Rama, Likaj, Bajramaj, Hamitaj. Fshati ka një shkollë fillore, ndërsa si aktivitet ekonomik historikisht banorët janë marrë me bujqësi, blegtori, pemëtari e perime. Kultura e ullirit dhe hardhia përbëjnë bazën kryesore të të ardhurave të ekonomisë së familjeve të Klosit. Për ullirin historikisht në gjithë krahinën është krijuar mendimi se ai sjell fat, është i mbushur me simbole si në botën fetare, klasike dhe moderne. Është simbol paqeje. Për këtë arsye në vitin 1997, kur u dëmtuan shumë drurë frutorë, ulliri u mbrojt nga vetë populli me fanatizëm.
Lagjja Gradishtë ose e Shkëmbit është e vendosur në anën perëndimore të rrethimit të qytetit arkeologjik Nikaia dhe në anë të këtij muri rrethues në drejtimin veri – perëndim janë vendosur në vitin 1960 varrezat e fshatit Klos.
Këtej u nisën krushqit atë ditë për në Çorrush...
Për mua padyshim të dyja fshatrat janë të dashura, sepse rrënjët e mia zgjaten e ndërthuren prej tyre...