Thursday, February 19, 2015

AGRON ÇALAJ – KJO ZEMËR E MADHE

KRISTO STOJA
AGRON ÇALAJ – KJO ZEMËR E MADHE
Një burrë i thjeshtë, një njeri i zakonshëm, që në fytyrë i rrëzëllen buzëqeshja, e sheh gjithmonë tek bën itinerarin e përditshëm nga një lagje periferike për në qendrën e re të qytetit e kthim. Pjesa më e madhe e banorëve të kësaj lagjeje e bëjnë rrugën me urban, kurse ai e përshkon distancën, goxha të gjatë, me “makinën e babait”.
-Ndihem më i qetë, më i lehtësuar. Lëvizja me këmbë e kuptoj që më bën mirë. Pastaj takoj shokë, takoj miq, shkëmbej një mendim, mësoj një të re, - shprehet Agroni.
I pata dhuruar mikut tim librin “Brenda vetes”, botuar kohët e fundit. Më shumë i kishte pëlqyer tregimi “Ankthi i nënës”. Hoqa paralelen me portretin “Dedeja” që Agroni ka rikrijuar në librin kushtuar nënës së vet. Ky është një krijim i dashur plot ndjenjë, i ngrohtë, ku lexuesi menjëherë zbulon dashurinë e birit për nënën e tij të mirë, dashuri që rrjedh nga gjithçka ka bërë kjo grua me sakrificat e saj për të rritur fëmijë të denjë, të arsimuar, të zotë për veten dhe shoqërinë. Dhe, ndërsa ecën mes rreshtave të librit, ndien aromën e tokës si aromën e bukës që del nga saçi, ndien gurgullimën e ujërave të kristalta që mbushin me jetë Klosin, ndihesh si poshtë pemëve të rënduara nga frutat, midis kopshteve me zarzavate të shumëllojshme, gjendesh gjoksmbushur nga aromat e pyllit, lëndinave, ndërsa bletët të ngarkuara me polen nxitojnë për ta kthyer atë në mjaltë. E në këtë blerim, në këtë peizazh, në këtë mozaik të qëndisur bukur gjen edhe praninë, dorën, djersën, kontributin e Dedesë, kësaj nëne të palodhur e të lidhur pazgjidhshmërisht me fshatin.
Agron Çalaj, ky bir i Klosit të Mallakastrës, e kishte një dëshirë: t’i shërbente familjes, fshatit, zonës, duke kontribuar në zbukurimin e tokës, në shtimin e llojeve të bimëve të kultivuara, në rritjen e prodhimeve bujqësore dhe në përzgjedhjen e varieteteve më cilësore, më të shijshme, më të ushqyeshme.
Koha dhe detyra e ndau fizikisht nga fshati, por ai nuk iu nda atij. Shpesh herë në bisedat tona më pyeste për varietete bimësh e lulesh. Më kërkonte t’i gjeja dhe, sa herë shkonte në fshat, shkonin edhe të rejat.
Për shkak të detyrës si ushtarak, Agroni punoi gjatë në Lunxhëri. Atje u bë mik me fshatarët, u bë i shtëpisë, si i thonë. Një ditë e ftoi një mikun e tij nga Dhoksati, Pavli Kacin, në fshatin e tij në Klos. Tri ditë qëndruan dhe Pavli mysafir u undua t’i japë gjithë përvojën e tij me bletët vëllait bletërritës të Agronit.
-Ti je agronom i lartë, - më thoshte shpesh në bisedë, - dhe unë kam nevojë të përfitoj prej teje.
Pyet dhe ato që merr i zbaton në praktikë. Kudo ku ka njerëzit e vet, ai shkon me duart plot. Atje ku shkon ai, shkon ngrohtësia, dashuria, mirësia. Ai ka zemër të bardhë, të madhe, të butë. Nga sytë e Gones buron një dritë e pastër dhe në fytyrë i ravijëzohet buzëqeshja. Ai nuk e njeh padrejtësinë, mungesën e respektit, të korrektesës. Nuk është i ri në moshë, por energjia nuk i mungon dhe është i gatshëm për të kontribuar në çdo moment. Një njeri i tillë, plot virtyte, i rritur mes vështirësive të fshatit, i rrahur nga dallgët e jetës, i pandarë nga Klosi i tij, i gjendur pranë nënës hallemadhe dhe të tijve, nuk mund të rrinte pa shkruar me fjalë zemre për ta...

10 dhjetor 2011