MBRESA NË VITE
Me fjalë të
thjeshta, po të dalë nga zemra po hedh pak radhë me mbresat e mia dhe të të
tjerëve për Agronin.
Me Agronin
jeta ushtarake na bashkoi për më se 20 vjet, në fillim të “barabartë” si
kursantë në Shkollën e Bashkuar e pastaj kuadro – oficerë, si eprorë e vartës
në mënyrë të ndërsjelltë në Korpusin e “egër” të Gjirokastrës.
Ne jemi kimistë...
Me këtë këngë rreshtore në
gojë e plot dëshirë për dije, për t’u bërë kuadro sa më të denjë për mbrojtjen
e Atdheut kaluam plot dy vjet me Gonen në shkollë. Që në fillim, tek Agroni më
pëlqeu e na afroi thjeshtësia. Ishte “djalë fshati”, kokulur e punëtor dhe
mjaft i zellshëm në mësime. Kudo në kabinetet e teknikës e lëndëve helmuese apo
poligonet e qitjes e stërvitjes taktike dallohej Agroni për aktivizimet e
shumta në mësime, për veprimet e shpejta e të guximshme në stërvitjet praktike.
Në Shkollën e Bashkuar, së
bashku me Agronin, u njoha edhe me djem të tjerë nga Klosi i Mallakastrës, si
me Hysen Çalën, Astrit Veizin dhe shefin e ciklit tonë të kimisë, Izet Muratin.
Për të gjithë ata kam ushqyer respektin më të madh për karakterin dhe aftësitë
e tyre profesionale, ndaj jam shprehur: “Djemtë e Klosit si azganë, njëri më i
mirë se tjetri janë”. Kështu nuk kishte si të ndodhte ndryshe, tek Agroni do të
spikasnin cilësitë më të mira të familjes e të vendit nga vinte. Për të thënë e
shkruar për Gonen kam shumë, por do të përmend vetëm një episod të veçantë të
jetës shkollore. Në korrik të vitit 1970 ishim në Martanesh për të zhvilluar
stërvitjen taktike me lëndë helmuese të vërteta. Ne kimistët stërvitjet taktike
komplekse i kishim më të vështira edhe se këmbësorët. Në një prej këtyre ditëve
na ndoqi në stërvitje shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume.
Ai mbeti shumë i kënaqur nga sa pa dhe në përfundim na tha: “Pasnesër është 10
Korriku dhe unë me ushtarët e rojës e ju si kimistë do të bëjmë një ndeshje
futbolli. Portier do të keni shefin tuaj, Izetin. Po fituat, do t’ju jap për
festë dy shelegë”. Sapo përfundoi fjalën, hidhet një kursant biond (ky ishte
Agroni): “Po qe se humbasim, çfarë t’ju japim ne...” Qeshën të gjithë.
Me Agronin na lidhi puna në
Gjirokastër, unë në Brigadën e pestë e ai në batalionin e kimisë në
Mashkullorë. Shpesh mbrëmjet i kalonim bashkë në pallacinat e Gërhotit. Një
natë të dhjetorit duke ndjekur këngët e Festivalit të njëmbëdhjetë, i them më
vete Agronit: “Hë, mo Gone, si të duken këto këngët e festivalit?”
Pasi u mendua pak, tundi
kokën dhe ashtu qetë – qetë si e ka zakon, më thotë: “Nuk di ç’të them unë, por
për kohën më duken shumë të avancuara. Besoj se shumë shpejt do t’u dalë tymi”.
Nuk vonoi shumë dhe
plenumet e partisë e fjalimet e udhëheqësit dënuan e sakatuan jo vetëm këngët,
por edhe artistët.
Në batalionin e kimisë e të
flakëhedhësit në Mashkullorë kryente stërvitjen si oficer rezervist edhe babai
im, Pilua. Një natë më thotë: “Të kam njohur një shok të mirë, Agron Çala e
quajnë. Është oficer jo vetëm i përgatitur, po dhe shumë i komunikueshëm si me
ne dhe me ushtarët. Atij i ngjit fjala si me zamkë, ndaj ta ruash miqësinë me
të”. Dhe miqësinë e kemi.
Vitet kalonin. Agroni
tashmë ishte më i pjekur e më i aftë nga ana ideopolitike e profesionale. Për
këtë e shumë të tjera e kishin emëruar shef të propagandës e të kulturës në
korpus. Në mes të vitit 1981, pasi mbarova stazhin e kandidatit të partisë, më
emëruan edhe mua përgjegjës për anën kulturore në shtëpinë e oficerëve në
Gjirokastër. Prapë së bashku në lidhje direkte pune. Të gjitha problemet (dhe
nuk ishin të pakta) ai dinte t’i përballonte e zgjidhte me maturi e pjekuri.
Edhe në Lunxhëri, ku shërbeu për shumë vjet, ai shpalosi përherë cilësitë e tij
karakteristike: i përkushtuar, komunikues, i matur e përherë në krye ku ishte
fronti më i vështirë. Të gjithë e donin dhe e nderonin. Të shumta janë detajet
që përbëjnë jetën e këtij njeriu, por po e mbyll me kaq.
5 dhjetor 2011