NË FEJESA
E MARTESA
Nënë Lavdia për fëmijët e
saj gëzoi,
Një nga një i fejoi e
martoi,
Por ajo shumë shpresonte
Nipër, mbesa të fejonte e
martonte.
Është e njohur enigma e sfinksit dhe
Sizifi që e mundi me përgjigjen e tij. Kështu është njeriu. Vjen, rritet dhe
ikën. Në këtë rrugëtim të shumta janë ato që e shoqërojnë, qofshin gëzime apo
hidhërime. Brezat vijnë e ikin, duke i transmetuar njëri – tjetrit tradita e
zakone dhe çdo brez mundohet t’i zbatojë ato sipas mënyrës së vet. Gëzim të
madh shkakton ceremonia e martesës. Familja shtohet me një person të ri, do të
vijnë pastaj trashëgimtarët, do të mbushet shtëpia me cicërimat e tyre të
gëzueshme, do të lidhen miqësi të reja, se njeriu nuk jeton dot pa njerinë.
Dedeja
kishte një merak të veçantë. Ajo nuk mund ta shkelte miqësinë. Pastaj tjetri të
fton, domethënë të nderon e respekton, prandaj ti duhet t’ia kthesh në të
njëjtën mënyrë. Ishin këto disa nga
parimet e saj, që u mundua t’i zbatojë gjatë gjithë jetës. Edhe kur nuk i
mundte këmba e dora, ajo kërkonte që në këmbë të saj nderet t’i bënim ne,
fëmijët e saj, së pari ata që kishte brenda, pastaj ne të tjerët…
Kështu
kemi vepruar përherë.
Mos
harro datën 10 korrik!
E martë,
12.06.1990
Tiku sot u nis për në Zhapokikë me Skënderin e Taibenë. Miri
ka ikur të shtunën në Toç me Ilmiun e Myzejenin, kushërinjtë e mi të mirë. Ata
kishin ardhur në Gjirokastër për të prerë rrobat sipas zakonit. Më 10 korrik do
të martohet.
Në Toç kam dy teze, Hatemen e Mbeten dhe në këtë dasmë do të
shkoj duke marrë të gjitha masat. Dedeja më kishte porositur në veçanti: Mos
harro dasmën e Myzejenit të Musait në Toç.
Meraku i nënës!
Në
fejesën e Migenës me Elvis Bahollin
Tiranë. E shtunë, 21.06.2003
Në Tiranë unë, Nexhi e Mustafai shkuam për të bërë edhe një
hatër tjetër. Hyseni kishte fejuar Migenën, një vajzë e mrekullueshme, e cila
sapo mbaroi juridiken u emërua në Ministrinë e Jashtme. Për të gjithë ne ky
ishte një gëzim tjetër. Do të uronim për dy sebepe. Dedeja, midis të tjerash,
kishte pyetur edhe për emrin. Edhe dhëndrrin e quajnë Elvis, iu përgjigj
Hyseni. Ajo mbeti pak e menduar, pastaj u kthye nga unë: Do ta mbaj mend e do
them Visi i Hysenit, Visi i Genës.
Gëzim,
mall e dhembshuri
E diel, 22 qershor 2003
Dita është e kthjellët dhe e nxehtë. Kthehemi nga Tirana.
Ishim në dasmën e Irenës, vajzës së Lefterisë. Dreka u bë të shtunën për shokë
e miq në hotel Arbana. Ishte fëmija e parë për Dedenë që martonte nga fëmijët e
fëmijëve. Por nuk ishte i vetmi fakt ky i gëzueshëm për të… Irena ishte një
vajzë e mrekullueshme. Para një viti, kur ishte fejuar, kishte shkuar në fshat,
Klos, ku jetonte Dedeja, bashkë me të fejuarin, Altinin dhe kishte qëndruar
disa ditë me gjyshen. Dedesë i ishte bërë shumë qejfi. Një e dy ma përmendte
këtë fakt.
Bashkë po ktheheshim nga dasma. Në makinën bens ishim ngjeshur
8 veta, nga 5 që mund të marrë me pak shtrëngesë. Isha unë me Nexhmijen,
Mustafai me Tanon dhe Lindita me fëmijët, Oltën e Taulantin. Ishte dashuria e
gjyshes për nipër e mbesa që na detyroi në këtë veprim dhe t’u plotësojmë
dëshirën të dy palëve. Në Mbrostar ndaluam, mbasi aty kishin qëndruar për të
pushuar edhe krushqit, që po shkonin për të marrë pjesë në drekën që kishin
organizuar njerëzit e dhëndrrit në Fier. Atje ishe edhe Tiku. Ishin në dy
makina: Hyseni, Tasha, Tiku, Mirela, Lefteri, Lefteria, Shefqeti, dy motrat
etj. Kur u ndanë, pashë që Dedeja ishte përlotur… Do të iki Irena në Amerikë…Po
rripin e mesit të makinës e vendosa unë.
Në
dasmën e Edmond Kananit
E shtunë, 12 korrik 2003
Në mëngjes shkoj në Klos. Do të marr Dedenë e do të nisemi
për në Tiranë, mbasi na ka ftuar për darkë Muzafer Kanani. Marton djalin,
Edmondin. Në dasmë Muzaferi e teze Mbetja kishin ftuar pothuaj të gjithë, miq e
shokë.
Gjatë rrugës, në Kolonjë të Lushnjës, Dedeja më tha:
-Merre atë gruan me fëmijë, se nuk e mori autobusi.
E mbajta. Gruaja u afrua me ndrojtje.
-Kam vetëm një mijë lekë (të vejtra), - tha, - nuk kam më
tepër.
-Nuk e mbajta për lekë, - ia ktheva, - por më tha nëna ime,
kjo të pa. Nuk të marrim për lekë.
Dasma kaloi mirë. U kënaqëm. Atje u takova për të parën herë
edhe me burrin e Letës, Gramozin. Ia shtruam muhabetit. Në Klos u kthyem të
nesërmen. Në khim erdhi edhe Lili me Taulantin.
Në
dasmë te Vajsi Çalaj…
Më 27 shtator 2003, ditë e shtunë për darkë tek
Vajsi Çalaj. Marton vajzën. Ishte gëzimi i parë në tre kushërinjtë e mi që
banojnë në Poçem. Vejsiu, njeri me shpirt të gjerë e mikpritës si ai, kishte
vendosur ta “digjte” në gëzimin e parë që kishte në shtëpi. Unë isha ftuar
familjarisht. Shkuam. U mblodhëm të gjithë, farë e fis. Kushërinj e të afërm
nga ishin e s’ishin. U takuam e u çmallëm me ata që kishim vite pa u parë. U
gëzova shumë, kur më thanë se Pëllumbi ishte sistemuar në Angli.
Ftesa shkruante ora 18.00,
prandaj të gjithë u mblodhëm në Klos. Andej do të niseshim. Me “mitsubishin” e
Nuros u nis Dedeja, unë, Nexhi, Tiku e të tjerë. Kur arritëm, shtëpia ishte
plot dhe vazhdonin të vinin edhe të ftuar të tjerë. Mirë e bëri Vajsiu. Na
mblodhi të gjithë, se jemi shpërndarë si zogjtë e korbit. Duhen të tilla
sebepe. E sheh njeriu njerinë, çmallet. Gëzojmë të gjithë bashkë, se ku i dihet
e nesërmja se çfarë mund të sjellë. Jo më e nesërmja, por as së sotmes nuk i
dihet! Gjithçka dukej në rregull, por ndjeva një farë stepjeje e një shqetësim
që qëndronte pezull mbi kokat e të gjithëve. U takova me Çeçon dhe ai më tha
nën zë: Diçka ka ndodhur! Se çfarë nuk e mora vesh aty për aty. U preva dhe një
“gjynah!” më shpëtoi vetvetiu. Megjithatë do mbajtur terezia, i thashë Çeços.
Të gjithë bashkë me Dedenë në krye u futëm në shtëpi për të uruar. Njerëz
kishte plot. 220 ftesa kishte dërguar Vajsiu.
Nga shtëpia me Nuron shkuam
në Poçem tek lokali i Fatmir Lamçes, ku do të bëhej dasma. Edhe këtu njerëz
plot. Të gjithë bisedonin vetëm për një gjë: aksidentin që kishte ndodhur.
Baxhanaku i Vajsiut ishte rrëzuar me makinë dhe ishte vrarë kushëriri i parë i
Fatmirit. Njerëz të mrekullueshëm. Ai e kishte marrë vesh. Situata ishte e
rëndë. E pleqëruam me Çeçon: dasmorëve u duhej thënë për fatkeqësinë. Duhej shmangur
disi muzika e kënga. Duhej ngushëlluar edhe Fatmiri. Kështu u bë, por dasmës i
iku “sherbeti”, njerëzit u dëshpëruan dhe ishte vërtet për të lotuar. Kishte
ikur një njeri, babai i tre fëmijëve, një njeri i mirë. Varrimi do të bëhej të
nesërmen. Dasmë e vdekje. Gëzim e lotë. Të pandara janë të dyja. Kështu e ka
kjo jetë. Më erdhi keq se nuk arrita dot në kohë për përcjelljen. Me Nuron u
nisëm, por makina pati defekt rrugës. I shkuam në shtëpi. Xha Barjami, xhaxhai
i tij, 80 vjeç, më njohu menjëherë edhe pse kishim 27 vjet pa u parë. Plaku u
përlot. Të gjithë i kishim sytë me lotë. Vetëm një fjalë munda të them: Durim…
Në fejesën e
Adriatikut
E diel, 15 maj 2005
Prej kohësh e kishim lënë
që të dielën më 15 maj të vinin njerëzit e Fiorit. kthim vizite sipas zakonit
për t’u “hapur rrugën të rinjve”. Nga Tirana erdhi Hyseni, Lefteria, Erioni;
nga Klosi Nurua dhe Lili. Dedeja kishte ardhur që të enjten. Ishte lënë që
miqtë nga Përmeti të vinin në orën 11. Erdhën 7 veta. E bë prezantimi. Biseda
nisi këndshëm e natyrshëm. Dreka filloi rreth orës 12.00. Masat ishin marrë të
gjitha dhe vendi ishte i bollshëm në shtëpinë e Ladit, që kishte marrë edhe
Almën. Fredi dhe Lindita ishin në krye të punëve. Mishi dhe të gjitha ishin me
bollëk. Dreka kaloi këndshëm, megjithatë Dedeja nuk ishte në humor si gjithnjë.
E kisha vërejtur se kishte filluar të bjerë. Fotografitë dhe filmimet i bëri Zydi
Hyka. Në orën 16.00 grupi i Tiranës mori Dedenë dhe u nisën. Ajo qëndroi tek
Hyseni, pastaj shkoi nga Lefteria, pastaj nga Lina. Shkoi edhe nga dajë
Barjami. Prej kohësh donte të vente tek ai. Bile kishte ngulmuar për këtë.
Qëndroi një javë tek ata në Tiranë. U çmallën. Ishte e para herë që qëndronte
kaq gjatë larg shtëpisë. Në Klos e çoi Lefteri me Lefterinë më 22 maj.
Kur martohet
Erioni?
E martë, 26 korrik 2005
Me Përparimin e kishim
biseduar disa ditë më parë se si duhej të vepronim me Dedenë, ta merrnin apo jo
në dasmë. Koha ishte shumë e nxehtë dhe ajo kishte probleme me zemrën. E lamë
të shkonte ai e të bisedonte shtruar me të, por të dielën më mori në telefon e
më tha se nuk shkonte dot. Vendosa të shkoj e ta bisedoj vetë.
Të martën në drekë shkova
në Klos. Pyetja e parë e Dedesë ishte: Kur do të martohet Erjoni. I thashë se
martohej këtë të diel, më 31 korrik dhe shtova:
-Unë erdha kësaj here
apostafat për të të thënë se bisedova me Papin dhe kemi mendimin se meqë është
temperaturë e lartë 35 - 37° e ka shumë probleme shëndeti në fëmijë e të
moshuar, është mirë që ti e Nexhi të mos vini tani.
Ngriti dorën ndoshta për të
më kundërshtuar, por unë vazhdova:
-Nga vjeshta do t’ju çoj
unë e ti të rrish disa ditë.
E pashë që iu prish pakëz
qejfi, tjetër kishte për të thënë e tjetër tha:
-Mirë, është vapë. Të vejë
djali me nusen, por dhe ti kij kujdes…
-Mua më kanë caktuar të
marr nusen të dielën, më duhet të vishem edhe me kostum, - qesha.
Ndërsa po
bisedonim këto, TVSH – ja në emisionin e lajmeve dha njoftimin se nga shkaku i
temperaturave të larta kishte pasur shumë probleme shëndetësore, prandaj duhej
shumë kujdes. Ditët në vazhdim temperaturat do të pësonin ngritje. Dedeja tundi
kokën.
-Po rriten, - tha, - dhe
unë të nxehtit nuk e duroj dot, ndryshe me të ftohtit.
Ndoshta ishte kjo që ia
ktheu mendjen.
31 korrik 2005
Erdha prapë…
Dasma mbaroi vonë. Shkoi si
mos më mirë. Tiku me Fiorin qëndruan. Unë me të tjerët, Nuron, Andën, Genin,
Elonën, Tonin shkuam në Klos. Ishte vonë kur arritëm në fshat. Rreth mesnatës.
Dedeja na priste. Na pyeti për të gjitha. Për dajallarët, tezen e Toçit, teze
Mbeten. Për dajë Barjamin nuk i treguam që ishte i sëmurë dhe nuk erdhi në
dasmë. Pastaj nxora mish të pjekur që ma kishin dhënë për të. U kënaq shumë. Jo
nga mishi, po nga respekti dhe që nuk e kishin harruar.
Dedenë do të ma
bjerë Agroni në Tiranë
E shtunë, 27 gusht 2005
Më 2 shtator 2005 jami në
dasmë. Martohet Migena, vajza e Hysenit. Kohë për udhëtime të gjata nuk është.
Vapa ta merr shpirtin. Po do të shkojmë. Janë disa gjëra që njeriu nuk mund t’u
shmanget dot. Tjetri të respekton dhe e ke për detyrë ta nderosh. Ata nuk u
mjaftuan me kaq. Sot kishin marrë në telefon rreth orës 21.00 Hyseni dhe Tasha.
Kishin biseduar me Nexhmijen. I kishin dhënë dy porosi:
E para, çifti i madh ose i
vogël i familjes Çalaj në Gjirokastër të marrë “masa” se janë caktuar për darkë
te krushku!
E dyta, Agroni të bjerë
Dedenë në Tiranë!
Pa hyrë mirë në shtëpi,
Nexhi m’i transmetoi të gjitha fjalë për fjalë, pasi më uroi: “Të trashëgohet
vajza e vëllait, jetë të lumtur se është vajzë e mrekullueshme”. Duhet t’i
nderojmë, ky ishte edhe mendimi i saj.
-Do të shkojmë të gjithë, -
i thashë, - do të marrim edhe Dedenë.
Fjala u bë vepër. Nuk mund
të mos i zbatonim mesazhet që morëm. E biseduam me Nexhin dhe e vendosëm. Të
martën shkova në fshat. Dedeja më priste. Hyseni ka dasëm të premten, më tha.
Po, ia ktheva unë, ne do të ikim bashkë nesër, të tjerët do të vijnë më vonë
drejt e në Tiranë.
Nga Klosi u nisëm të
mërkurën në mëngjes në 7.30 me Bektashin deri në Qafën e Kashit, pastaj me
furgon deri në Fier e pastaj në Tiranë. Te Hyseni shkuam me taksi. Morëm në
telefon Linën dhe ajo erdhi e mori Dedenë.
E premtja erdhi. Në mëngjes
u mblodhëm të gjithë tek Hyseni e prej andej në një lokal në drejtim të
Elbasanit. Gjithçka kaloi shumë mirë. Dedeja u kënaq shumë, por edhe të tjerët.
Prania e saj sikur e kishte shtuar gjallërinë. Në mbasdite vonë Tiku, Nexhi,
Vita, Miri e Dedeja u nisën për në Klos. Nuk dëgjoi të qëndrojë më gjatë. E
pashë të lodhur ndryshe nga herët e tjera. Mosha bën të vetën. Është edhe
skleroza pastaj…
Në martesën e
Marjola Zenelit
Korrik 2006
Përparimi me Adelinën më 29
korrik do të martojmë Marjolën me Anesti Pepën. Përparimi më kishte kërkuar me
telefon që të shkoja më parë si dajë që isha. Ne do të shkonim të gjithë, por
mua m’u dha rasti të jem më parë atje. Më kishin lajmëruar që në datën 28
korrik të merrja pjesë në mbledhjen e Komitetit Shtetëror të Kthimit e
Kompensimit të Pronave në Tiranë. Kështu bëra, shkova më parë. Të tjerët do të
qëndronin te Miri të premten dhe të shtunën do të vinin atje.
Të ënjten shkova te Papi.
Dedeja, sa më pa, vërejti vetullat dhe më bëri një shenjë qortuese. Nuk tha
asgjë se kishte njerëz të tjerë. Pastaj më hoqi mëjanë dhe nisi të më qortojë:
-Po Nexhin me fëmijët…
-Do të vijnë të shtunën, -
e qetësova unë.
Nuk donte të më besonte. Më
pyeti disa herë.
-Unë erdha më shpejt se
nesër kam një mbledhje, - u mundova t’i mbush mendjen. Sikur u qetësua.
Porosi për
dasmën e Tikut
E shtunë, 29 korrik 2006
Të gjithë ishin ulur nëpër
tavolina. Dedeja ishte me Hysenin, Tashën e të tjerë. Ajo u ngrit nga vendi dhe
erdhi në tavolinën tonë e m’u drejtua:
-Dasmë… - tha dhe në cep të
syrit i shkau një lot.
-Dasmë, - ia ktheva edhe
unë i emocionuar dhe ngrita gotën, - të trashëgohen e jetë të lumtur!
U kthye ngadalë në vendin e
saj, pastaj shkoi tek tavolina ku ishin ulur dajallarët Barjan, Nekim, Myzafer
e të tjerë. Tek unë u afrua Hyseni. Kishte merak për Dedenë. Nuk është mirë,
tha. Tunda kokën në shenjë pohimi. Ka rënë, tha. Prapë pohova me kokë.
-Në dasmën e Tikut mos e
mundo…
mblodha supet pa i kthyer
përgjigje.
Dedeja uron: Në dasmë të Mirit; të trashëgohet,
jetë të lumtur Tiku!
08.10.2006
Një javë pas dasmës shkova
në Klos për të takuar Dedenë, që nuk erdhi dot. Ashtu siç kishim biseduar me
Hysenin, Lefterinë e Adelinën vepruam. Dedeja nuk duhej të vinte në Gjirokastër!
Unë Dedesë i dërgova “racionin” e dasmës me Valin e Mustafait dhe më 2 tetor me
Erjonin i dërgova tortë… Unë nuk mund të rrija pa shkuar e pa e takuar pas
dasmës, megjithëse u vonova 6 ditë për
arsye shëndeti, por për më tepër se duheshin mbyllur llogaritë e dasmës.
Në tetë të mëngjesit të së
shtunës, 7 tetor, isha në Klos. Dedeja ishte në avllinë e shtëpisë e po shkonte
drejt kasolles së bagëtive. Sa më pa të hyj te porta e madhe, mbajti këmbët. Iu
afrova. Më uroi si përherë “mirëseerdhe!” Më përqafoi dhe më tha: “Tani në
dasmë të Mirit! Tiku të trashëgohet! Dasma kishte dalë e mirë…” Pas këtyre
urimeve nisi nga pyetjet për njerëzit e Nexhit. Ladin e nusen e tij, për të
gjithë. Nuk e kuptuam se si kaloi dita e nata. U bëra gati të nisem mëngjesin
tjetër, por më ndaloi. Rri edhe një natë, më tha. Nuk ia prisha. Po ti kur do
të vish, e pyeta. Tundi kokën: -Unë nuk vi dot, me kë do ta lë Kelon?! Mustafai
do të iki në Greqi, na u bë kjo mortje…
Të dashur nipër e mbesa të Dedesë,
Në këtë libër për hallën, dajeshën, gjyshen, tezen, xhaxheshën tuaj unë
nuk munda të shkruaj të gjitha pjesëmarrjet dhe urimet që ajo u ka bërë në
çaste kulmore gëzimi për ju, familjet tuaja, por edhe për të. E vetmja arsye
është mungesa në ditar e këtyre datave, momenteve e shprehjeve të gëzimit e të
urimit të saj. Do të ishte kënaqësi e veçantë t’i kishim të fiksuara këto çaste
në dasmën e Agimit, Myneveres, Batjarit, Afërditës, Arturit, Eftalisë, Altinit,
Mirelës, Yllit, Petritit, Fiqiriut, Pëllumbit, Tatjanës, Violetës, Shkëlqimit,
Enerietës, Kozetës, Ardianës, Enkelejdës, Eqeremit, Xhevdetit, Ilmiut,
Dhuratës, Xhezmiut, Dylberit, Behijes, Arshiut, Mehmetit, Kastriotit, Zanës,
Vasilikës etj. Me këtë rast ju kujtoj urimin që ajo e kishte në majë të gjuhës
e që me siguri ua ka bërë: Jetë të
lumtur e mbarësi në jetë!
Mbarësia e lumturia shkojnë përherë bashkë. Ato e zbukurojnë jetën, e
fisnikërojnë njeriun, e begatojnë jo vetëm jetën materiale, por edhe atë
shpirtërore. Jetë të lumtur e mbarësi!