NËNË DHE BABA
T’i bëjmë ballë kohës, ashtu si të na
vijë...
S h e k s p i r
Me Linën do të
vini në Krahës
Klos, 21 tetor 1988
Shkoj në Klos si zakonisht çdo muaj. Prindërit dhe të
tjerët ishin të gjithë mirë. U çmallëm. Kishim shumë për të thënë. Më pyesnin,
u përgjigjesha. Pyesja, më përgjigjeshin. Në bisedë e sipër Dedeja më tha:
-Do veni në Krahës me Linën për të bërë hair nusen e
Tekiut...
U mendova një çast dhe ia ktheva:
-Po Tekiu a është dakort?
-Ai ka pyetur vetë, pastaj ne kemi Ëngjëllushen, njeriun
tonë atje. Le që Tekiu është për së mbari, nuk e kemi për të humbur djalin.
Familje e mirë, njeri i mirë.
Diçka kisha biseduar me Tekiun ashtu shkarazi, por Dedeja
e bëri fakt të kryer. Megjithatë duheshin marrë disa masa, duheshin bërë
përgatitjet e duhura. Një seri pyetjesh më trokisnin në kokë dhe ia thashë
Dedesë.
-Kur do të vemi? Sa do të jemi: Çfarë do të blejmë?
Nënqeshi lehtë si për të më qetësuar.
-Muajin tjetër, - tha, - po do biseduar me Linën.
-Dakort.
Kështu bëmë.
MOS U MËRZIT,
QESH AI QË QESH I FUNDIT
E hënë, 15.01.1990
Kohë e ftohtë. Ka afërsisht 30 ditë që temperatura
qëndron nën zero. Me diell dy muaj. Unë po mbush 10 muaj që kam ikur nga puna
dhe prindërit janë mërzitur tepër. Ata dhe Hysenin i kisha sqaruar edhe më parë
për problemin tim, që ishte një kontribut i heshtur. Megjithatë ata kishin të
drejtë të shqetësohen e të bëhen merak. Dedeja, sa herë që unë veja në Klos, më
bënte pyetje të zgjuara, duke e kuptuar më mirë problemin tim.
Erdha në fshat. Të rri disa ditë dhe t’i qetësoj edhe
këta. Ishte ora 12 e po kësaj dite. Koha ishte me diell. Kisha dalë në avlli të
shtëpisë dhe po mendohesha. Dedeja vjen me dy – tre kokrra mollë nga ato të
shtëpisë dhe më thotë:
-Ulemi këtu e qëroji këto...
U ulëm tek shkallët. Erdhi edhe babai. Duke biseduar më
thotë:
-Unë besoj se ju vetë nuk keni probleme, por ato që keni
thënë, për të mirën e punës i keni thënë. Mos u mërzit, qesh ai që qesh i
fundit...
KUJDES
LAVDIJEN DHE MUSTAFANË
Klos, më 10 korrik 1990
Baba Temua ishte i veçantë. Sipas dokumenteve ai ishte i
datëlindjes 1914. E them sipas dokumenteve, se ai më thoshte gjithmonë: kur u
ngrit flamuri në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali, unë isha 6 – 7 vjeç. Pra ai
qe regjistruar i vogël dhe viti i lindjes së tij duhet të jetë 1907 – 1908.
Jetoi 83 vjet. Gjatë gjithë jetës punoi si ai..., punëtor i madh.
Ishte i dashur dhe i dhembshur për fëmijët, mikun e
shokun. Nuk mbaj mend që të më ketë qëlluar një herë kur isha fëmijë dhe,
kuptohet, ajo moshë kishte çapkënllëqet e veta. Bile po të shikonte edhe gjetkë
që të rrihej një fëmijë, do të ndërhynte e do t’i dilte krah dhe do të thoshte
se druri vërtet ka dalë nga xheneti, por ai nuk ndreq, po prish. Fëmijën mësoje
me fjalë e me bëma dhe jo me dru. Kur në shtëpi përgatitej ndonjë ëmbëlsirë a
ndonjë gjë e mirë, pjesën e tij na e ndante ne, 7 fëmijëve. Ishim pesë vëllezër
e dy motra.
Për vitet që kishte mbi kurriz e për kohën që kishte
kaluar, ndryshe nga shumë të tjerë, ishte i përparuar e i civilizuar, duke
mbetur deri në fund pro mendimit të fëmijëve për lidhjet e tyre bashkëshortore,
për emrat e nipërve e të mbesave dhe për shumë çështje të tjera. Gjithmonë,
sidomos Hysenit dhe mua që ishim larg, na pyeste: kur do t’i bini nuset e
fëmijët, kurse tek Lefteria e Lina po ta merrte malli apo mërzitej, shkonte se
nuk i kishte larg, një vrap pele, thoshte, është Klosi nga Ballshi, por
asnjëherë duarbosh, do të merrte diçka për fëmijët.
Në datën 10 korrik 1990 Tiku po mbushte 10 vjeç. Sa
kishte mbaruar klasën e tretë. Kishte marrë edhe fletë lavdërimi. Vendosëm të
shkojmë në fshat dhe ta festojmë atje përvjetorin. Tiku me të mbaruar shkollën,
çdo verë shkonte në fshat. Ndihmonte babanë për ruajtjen e bagëtive, sidomos të
lopëve... Gëzimi i fëmijëve ishte i madh. E ndienin veten ndryshe atje në
fshat. I hipëm autobuzit që shkonte në Vlorë, por që kalonte nga Poçemi.
Zbritëm tek ulliri në anë të xhadesë poshtë shtëpive të Ymer Çymes. U ngjitëm
lart. Tek Rraheja, mbi shtëpitë e Ymerit, babai po kulloste lopën. E pashë nga
larg dhe mbajta këmbët. Nuk i kishim lajmëruar që do të shkonim e nuk na prisnin.
I thashë Tikut: shko me kujdes nga mnbrapa që të mos të të shikojë dhe kape nga
këmba... Tiku kaq deshi, e realizoi mjaft bukur. Babai mbeti për një çast i
habitur, pastaj hapi krahët dhe djali iu hodh në qafë. Me kë erdhe... si
jeni... – dhe pyetjet pasonin njëra – tjetrën.
Unë i ngrita dorën nga larg. Arritëm atje, u përqafuam. U
gëzua pa masë. Kjo gjë shprehej në të gjithë qenien e tij. Më pyeti andej e
këtej... Dy – tre orë bisedë aty nën një hije, ndërsa lopa kulloste më tej. Një
pamje që të çlodhte në çdo drejtim. Dielli digjte, por fjalët e ngrohta,
dashuria na fladiste dhe na mbushte shpirtin plot.
-Nuk
kam gjunjë fare, - më tha pas disa çasteve. – Jetuam pra dhe u plakëm. Po ti
kujdes Lavdijen dhe Mustafanë...
E pashë me vemendje. Ai burrë që nuk e kisha parë
asnjëherë të menduar, u çua me mundim dhe, pa e dhënë veten, bërë përpara. Na
priu për në shtëpi.
Nuk kaluan pak muaj dhe ajo, që kishte parashikuar, doli.
Në tetor të atij viti u sëmur dhe zuri shtratin për të mos u ngritur më.
BABAI JU LA!...
Sëmundja e babait i shpeshtoi vajtjet në fshat. Sa vente
e rëndohej, megjithatë nuk e jepte veten. Mundohej të na mbante me muhabet.
Pyeste për gjithçka. Ne nuk donim ta afronim të keqen, por ajo erdhi.
Më 4 mars 1991, sapo kishte filluar të hidhte hapat e
para pranvera dhe dimri po zvarritej drejt fundit të vet, Myneverja nga Ballshi
merr në telefon për të njoftuar lajmin e keq... Babai mbaroi... Vetëm kaq.
Ç’mund të thoshte më tepër. Fjalët në këto raste sikur e humbasin peshën e
tyre. Kokën sikur e ke bosh, fjalët nuk e gjejnë dot rrugën e artikulimit për
të shprehur mendimet dhe ndjenjat që përjeton në ato momente.
Edhe Myneverja baba i thoshte. Si korrekte që ishte
përherë, ajo mori në Gjirokastër. Lajmëroi kudo ku duhej lajmëruar dhe si duhej
lajmëruar. Ajo frazë e shkurtër, pavarësisht se isha përgatitur për një rast të
tillë, më tronditi dhe fjalët ngushëlluese që pasuan nuk zunë vend në trurin
tim.
Me ta marrë lajmin, u nisëm për në Klos me Skënderin,
Shemen, Nexhin, Përparimin dhe Fredin.
Kur arritëm në shtëpi, fjala e parë e Dedesë ishte:
-Babai ju la...
Diçka tjetër dëshironte të shtonte, por unë nxitova e
thashë:
-Të na rrosh ti me gjithë ç’la prapa! – dhe e përqafova.
Kështu vepruan dhe të tjerët.
Atë ditë koha ishte e mirë, por dhimbja e madhe. Gjithçka
ia bëmë sipas zakonit.
Mbas vdekjes së babait tonë të urtë e punëtor, rolin e
tij e mori nënë Lavdija dhe për 20 vjet ajo u bë edhe baba për 7 fëmijët e saj,
që me shumë sakrificë i rriti, edukoi e shkolloi.
Minushja dhe
Zylka, dy motrat e dashura të Temos
E enjte, 01 mars 1991
Pardje, të martën, shkova në Tiranë për një problem
timin. Mbasi mbarova punë në Ministrinë e Mbrojtjes, mora në telefon hallë
Zylkën, motrën e vogël të babait. Pas përshëndetjeve të para dhe pasi e mori
vesh që isha në Tiranë, më tha prerë: Të pres në shtëpi! Kështu bëra. Më
përqafoi fort dhe filloi të më pyesë gjerë e gjatë. I thashë se babanë e kisha
lënë shumë të sëmurë në shtrat dhe se do të kthehesha prapë në Klos. Ajo e
dinte se unë me Dedenë dhe me Linditën po i qëndronim natë e ditë te koka dhe i
shërbenim. U përlot për vëllanë e saj të madh. Më luti të qëndroj edhe për
drekë. Më puthi disa herë. Ishte e veçantë ajo dhe dashurinë e shprehte me
mënyrën e saj. Vite të shkuara, kur isha në shkollë në Tiranë dhe ajo gatuante
ndonjë gjë të mirë, ma ruante dhe kur venim bashkë me Hysenin, ç’të na bënte më
parë. Të gjithë sa kishim në Tiranë kujdeseshin për ne, fëmijët e Klosit, por
veçanërisht hallë Zylka. Kur i kishim treguar nënë Lavdijes për përkujdesjet e
tyre, ajo u shpreh: Zylka e Nasipi për ne janë bërë çadër, gjithmonë na kanë
ndihmuar, të bëhen kurban dy motrat e Temos, kur u vete në shtëpi, e mbyllte
bisedën ajo për të dy kunatat.
Bisedo me
xhaxhallarët
E martë, 5 mars 1991
Njerëzit hynin e dilnin. Shumë njerëz. Nderonin atë që
iku. Do të bëhet varrimi. Dedeja më kërkon e më thotë:
-Bisedo me xha Baçon e xha Zenelin që varrimi të bëhet
bashkë me prindërit e tij.
Kaq tha dhe shkoi prapë në vendin e saj, aty pranë atij
që po ikte. Ishte një urdhër që nuk pranonte diskutim. Ashtu do të bëhej.
E dija që gjyshërit e mi preheshin në vendin e quajtur
Dradovë. Duhej organizuar puna që të nxirreshin eshtrat e tyre dhe të silleshin
në varrezat e reja të fshatit. Gjithçka e bëmë me rregullin e vet.
Mos e ka lënë vallë amanet këtë, nuk më shqitej mendimi,
apo Dedeja donte ta bashkonte djalin me prindërit e ikur prej vitesh?!
Amaneti i
Dedesë së dashur
Klos, më 12
mars 1991
Të dyzetat e babait u lanë të bëhen më 15 prill. Në fshat
unë me Nexhmijen bëmë edhe të tretat e u kthyem në Gjirokastër, se djemtë ishin
në shkollë e gruaja në punë. Të shtatat, sipas zakonit i bënë vëllezërit e
babait xhaxha Baçua e xhaxha Zeneli. Në këtë drekë përkujtimore vajta vetëm. Në
orën 10 shkuam në varreza. Ishim të gjithë fëmijët dhe të afërmit. Dedeja me dy
xhaxhallarët në krye. Pas tyre ne fëmijët, nipër e mbesa. Bëmë zakonet dhe në
rrugën e kthimit Dedeja më mori pranë. E përqafova dhe ecëm përkrahu.
-Agron, - më tha, - vdekjen borxh e kam edhe unë! Nga
fshati nuk do të iki, nuk lëviz gjëkundi... Në krah të Temos, kur të bëni
rrethimin, llogarit vendin! Mirë është që ta keni bërë për të 40 – tat, që do
të bëhen më 15 prill...
-Mos u bëj merak për këtë, - ia ktheva dhe e përqafova, -
ti të na rrosh sa më gjatë...
Nuk folëm më për këtë. U kthyem në shtëpi dhe vazhduam
sipas programit. Mbasdite vonë u nisa për Gjirokastër. Gjatë gjithë rrugës
mendoja për porosinë e Dedesë, duhej të veproja shpejt, të merrja masat e
duhura. Kohë nuk kisha, vetëm 30 ditë, larg isha, koha qe e vështirë. Si ta
bëja rrethimin?! Solla ndër mend disa variante që kisha parë. Do ta bëja me
hekur. Kthesat, lulet, shkrimet do t’i bëja në Gjirokastër, kurse saldimet e
montimin me Batjarin e Nuredinin në fshat. U mendova gjatë se kush mund të më
ndihmojë. E gjeta, te Avni Peçi, një miku im oficer nga Picari, i cili më është
gjendur gjithmonë në krah...
E mërkurë, më...
Disa ditë me radhë nuk e kapa lapsin me dorë e as
fletoren. Kam shumë për të thënë. Telashet ishin të shumta. Me Avniun e
bisedova që të nesërmen e kthimit tim dhe ai u tregua i gatshëm. Bëmë skicat e
duhura, matjet e llogaritjet. Gjetëm specialistët dhe nisi puna. Unë isha në
ankth se mos nuk arrija dot. Megjithatë gjithçka ishte gati dhe më 9 prill
gjithë materialin e sistemuar në thasë me autobus e çova në fshat. Sikur m’u
hoq një barrë e rëndë nga supet.
Nuk na mbetej gjë tjetër veçse t’i çonim në vendin e
caktuar. Ia hymë punës me Batjarin, që kishte marrë leje nga puna e tij në
stacionin e naftës, Nuredinin, Tekiun e Mustafanë. Filluam matjet, sepse
rrethimi do të bëhej për tre varoshe radhazi: të gjyshërve, të babait dhe...
Një ditë para të dyzetave “porosia” është gati. Gjithçka
në vendin e vet. Diçka e pëlqyeshme.
Shtesë, 20 vite më vonë
Vitet kalojnë duke lënë gjurmë mbi secilin prej nesh.
Dikur të rinj e plot energji nuk e mendonim se ç’mund të sjellë e nesërmja.
Shfletoj ditarin dhe më shfaqen para syve ditët e kaluara. Asgjë nuk ka humbur,
gjithçka është e strukur thellë brenda vetes dhe telashet e problemet e
përditshmërisë nuk mund t’i shlyejnë nga kujtesa. Kështu është njeriu. Atëherë
e bëmë atë rrethim me vëllezërit dhe lamë një vend sipas amanetit të Dedesë.
Ç’i shkon në mend dhe kësaj, ndoshta kam thënë me vete atëherë, por nuk ia
prishja dot, s’mund t’i ktheja fjalë. Kështu ishim gatuar ne. Fjala e tyre
ishte ligj dhe duhej zbatuar patjetër. Tani u bëmë vetë prindër e gjyshër dhe
na vjen çudi me veten. Si ndryshuam! Megjithatë jeta e shkuar, mbresat e
kujtimet, një fjalë nën zë për të mos u dëgjuar nga të tjerët, një këshillë a
qortim, një porosi e amanet nuk shlyhen lehtë.
Atëherë e bëmë atë rrethim dhe u nderuam. Kaluam vitet
dhe ai i rezistoi kohës, qëndron ashtu i bukur, duke mbajtur brenda vetes
njerëzit e dashur, të cilët i kemi përjetësuar edhe me mermer...
Erdhët, sa
mirë që kini marrë djemtë!
Klos, e shtunë, më 31 gusht 1991
Erdhëm në fshat se babai mbush 6 muaj që ka vdekur. Në Klos u mblodhëm të
gjithë për ta kujtuar. Unë shkova me Nexhin, Tikun e Mirin. Dedeja me të parë
Tikun që ishte 11 vjeç dhe Mirin 9 u shpreh:
-Sa mirë që kini marrë djemtë!
-Kanë shprehur dëshirën fëmijët të çojnë buqetë me lule te varri i gjyshit,
që i donte aq shumë.
E kisha merak
E
diel, 24.11.1991
Shkoj në Ballsh. Më 17 nëntor ishte bërë varrimi i Qerim
Cenos, disident i demokracisë dhe i persekutuar politik, babai i Lefterit.
Shkova për të ngushëlluar nënën e mirë Gonxhe dhe fëmijët e saj. Janë disa
detyrime që duhen bërë patjetër, pavarësisht se je larg. Largësia nuk do të
thotë asgjë.
Koha këto ditë ka qenë e keqe, me shi dhe ftohtë. Në
lajme u tha se vetëm dje ka rënë 75 mm shi. Koha po rëndohet më tepër. Nga
Veriu kanë nisur borërat. Të kthehem në shtëpi apo të shkoj në fshat? Erdhe
deri këtu, hidhu një vrap deri në Klos, tha një zë brenda meje.
Shkova. Ishin të gjithë mirë. U gëzuan të gjithë,
veçanërisht Dedeja.
-Kisha merak se mos nuk të kishin lajmëruar, se je larg.
-Po – i thashë. – I bëra detyrimet siç duhet.
Ajo ndjeu një gëzim të veçantë.
Do shkosh në
Fratar, për të ndarë ditën e nuses
Klos, më 20 mars 1993
Në fshatin Bejar është fejuar Mustafai, vëllai i vogël.
Për këtë nuse ndërmjetësoi dajo Nekimi me nusen e tij Shefikon. Kishte shtatë
muaj që ishte dhënë fjala dhe tani duhej caktuar data e dasmës. Sipas zakonit,
njerëzit e djalit venë tek ata të nuses për të prerë ditën.
-Do të vesh në Fratar me Mustafanë, - më thotë Dedeja, -
për të ndarë ditën e nuses.
-Të dërgojmë njërin nga dajot ose Hysenin, - ia ktheva
unë, jo se nuk mund ta kryeja këtë detyrë, por nuk desha t’u dilja përpara më
të mëdhenjve. Ishte respekti ndaj tyre.
-Po ç’i mundon ata, - ma preu ajo, - Barjami është i
ngarkuar në dy anët e në mes. Ju keni rrugën lart, në këmbë si në Krahës nuk do
të ecni, se krushku i ri në anë të rrugës e ka shtëpinë.
U nisa të them diçka, ta kundërshtoj, por një gjest i saj
më ndaloi:
-Do të hidhni 10 mijë lek dhe do të caktosh datën e
dasmës një nga të dielat e shtatorit të këtij viti.
E pashë se nuk mund të kundërshtoja. Ashtu e kishte ajo,
qetë e butë, po fjala e saj duhej vënë në vend.
Ashtu bëmë.
Nuk po e vlerësojnë sa duhet LANCÇl
Klos, 20.08.1993
Në territorin e fshatit tonë Klos – Mallakastër gjatë
Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që e radhiti Shqipërinë në krah të
aleatëve të koalicionit të madh antifashist botëror, ndodhën tre ngjarje të
rëndësishme: E para, më 4 shkurt 1943 u krijua formacioni i parë partizan i
kësaj krahine, Çeta Plakë e Mallakastrës; së dyti: në 14 korrik 1943 Besëlidhja
e Poçemit, ku morën pjesë mbi dymijë mallakastriotë; së treti: më 5 gusht 1943
te kubeja e Klosit u krijua batalioni “Ismail Klosi” dhe komisar i këtij
formacioni partizan u caktua Qemal Klosi, djali i Ismail Klosit dhe babai i
Fatos Klosit. Përsa i përket ngjarjes së 14 korrikut, Besëlidhjes së Poçemit,
ia vlen të bëjmë një sqarim: ajo ishte e treta në këtë krahinë. E para ishte
besa duke kryqëzuar shpatat, luftëtarët e heroit popullor Rrapo Hekali që në
vitin 1847 në luftë me turqit. Më pas do të ishin luftëtarët e kësaj krahine me
tradita të vyera patriotike që nga Poçemi do të krijohej besëlidhja e dytë për
në Luftën e Vlorës në qershor të vitit 1920 dhe kjo ishte e treta.
Në këtë luftë kjo krahinë dha 270 dëshmorë dhe 366
viktima të pafajshme. Të tria këto ngjarje këtë vit kishin 50 – vjetorin e
krijimit të tyre e për rrjedhojë duheshin kujtuar me nderim të madh. E kundërta
ndodhi me qeverinë e PD – së. Për këtë gjë Dedeja m’u shpreh me pakënaqësi: Nuk
po e nderojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. E kanë gabim…
Do rrish
nesër, se duhen ndarë Tekiu me Mustafanë
Klos,
30.11.1994
Kohët janë të tilla që secili duhet të shikojë punën e
vet. Një herë shtëpitë e mëdha ishin plot gjallëri. U rritëm dhe secili mori
rrugën e vet. Shumë kurora rrinin nën një çati dhe harmonia harmoni. Kishte një
çoban për gjithë kopenë. Nuk i binte njëri gozhdës e tjetri patkoit. Ç’t’i
bësh! Sipas muzikës do ta heqim vallen. Edhe Dedeja e di këtë gjë. Mërzitet
ajo, e do folenë ta ketë plot si dikur, po s’mund të bëjë ndryshe. E kishte
tjerrë gjerë e gjatë me veten dhe e kishte vendosur. Meraku i nënës, merak.
Më mori mënjanë dhe e mërzitur më tha:
-Nesër bisedo me të dy dhe ndaji.
Pashë një pikë loti që u shfaq në cepin e syrit të majtë,
por që e fshiu shpejt me cepin e shamisë për të mos e dhënë veten dhe vazhdoi:
-Sa më shpejt, aq më mirë...
E pashë pa i kthyer përgjigje. Heshti, një heshtje e
rëndë. Një si gulç i kishte zënë fytin, megjithatë vazhdoi:
-Tekiu të marrë pjesën andej, - dhe tregoi me dorë, -
kurse Mustafai shtëpitë e vjetra, gjënë e gjallë le ta bisedojnë vetë...
Nuk i thashë asgjë. I kishte menduar të gjitha. Bisedova
me të dy vëllezërit dhe ishin të një mendjeje. Filluam. Ndarja u bë me vullnet
dhe me drejtësi. Kur mbaroi gjithçka, u thashë:
-A jeni dakort kështu?
-Po, - u përgjigjën të dy.
-Atëherë vëllazëri të mirë e mbarë ju vaftë!
Ndenja edhe dy ditë. Dedeja dukej mirë. U nisa i qetë...
Adelina duhet
ndihmuar
Klos, më 20.10.1998
Përsëri në Klos. Ndonëse kohët janë të vështira dhe ajo
që kaluam ishte edhe më e vështirë (themi kaluam, por nuk ka kaluar akoma), nuk
më rrihet pa ardhur herë pas here në fshat. Sikur më tërheq balta. Ç’dreq
balte, balta jote, siç thotë Dritëroi. Gëzohen ata kur më shikojnë dhe unë seç
ndiej një drithërimë tjetërlloj. Këtu kam kaluar një pjesë të jetës sime, kam
qeshur e qarë, kam dashur e më kanë dashur. Shumë gjëra më lidhin me Klosin.
Pastaj është edhe Dedeja, kunatat dhe fëmijët e tyre. Nurua, Tekiu dhe Mustafai
kanë ikur në Greqi. E kush nuk ka ikur?!... Emigrantë ekonomikë.
Duke banuar në Gjirokastër për një kohë të gjatë, pata
mundësinë t’i ndihmoj këta njerëz që dëshironin të shkonin në Greqi për një
jetë më të mirë. Një vizë a ndonjë ndihmë tjetërsoj.
Disa herë, kur kisha shfaqur dëshirën të largohem nga
Gjirokastra, që të jem më pranë tyre, Dedeja më kishte thënë:
-Mos ik nga Gjirokastra se po ndihmon edhe këta...
-Edhe Adelina duhet ndihmuar, - më tha një ditë gjithë
merak, - është e sëmurë me karbon në gjak. I hëngri uzina e Ballshit...
Unë e dija problemin e motrës dhe e kisha merak vetë.
-Do të vejë në Tiranë, por i duhen disa lek, - më tha një
herë tjetër. E ndieja në zërin e saj , se nuk e donte këtë gjë, por ç’t’i bësh.
Kështu janë gjërat.
-Të iki nga Ballshi për shëndetin e saj, - tha duke
tundur kokën. Mërzitjen e vura re lehtë, megjithatë nuk e dha veten. – Ne nuk
na bëhet mirë se e kemi pasur për çdo gjë aty.
Tekiu bën 40 –
vjetorin. Mos harroni!
Klos, e shtunë, 28 shkurt 2004
Herën e fundit që kisha qenë në fshat, para se të ikja, Dedeja më përcolli
një copë rrugë dhe, kur po ndaheshim, më përqafoi duke më thënë:
-Tekiu bën 40 – vjetorin. Mos harroni!
Fjalët
e saj si me të përshpëritur më jehuan gjatë në vesh. Koha ishte e keqe. Bora
kishte veshur malet. Ftohtë është. Shi bie e herë – herë edhe një borë e lehtë
që nuk mban. Do të shkojmë patjetër.
Tekiu kishte ftuar motra e vëllezër, xhaxhallarët, teze Mbeten me
Myzaferin, vjehrrin, Muhametin me Shanikon, Rustemin me Tashën, Klodin, burrin
e Ëngjëllushes, Fuatin e xha Nazifit, Barjamin e xha Islamit e të tjerë.
Nga Gjirokastra isha unë me Tikun. Dedesë, kur na pa, i ndritën sytë. Nga
Tirana ishin Hyseni, Tasha, Lefteri me Lefterinë, Mirela, Elona, Përparimi,
Lina, Erjoni me të fejuarën, Marjola me të fejuarin. Dy xhaxhallarët. Nga Nuriu
ishin Geni, Soni dhe Tomi. Ishim plot. U çmallëm. Njeriu ka nevojë për sebepe
të tilla, se koha i ndau njerëzit. E bënë mirë që erdhën të gjithë.
Tekiu i kishte marrë të gjitha masat. Mishi i qengjit
ishte pjekur në hell, të tjerat në furrën me dru. Shiu bie litarë dhe era
ulërin si e marrë. Sa hundën nuk mund të nxjerrësh jashtë. Megjithatë ne s’duam
t’ia dimë nga koha. Ajo ka punën e vet e ne tonën. Oxhaku bubullon. Flaka lëpin
kërcunjtë e ullirit dhe ngrohtësia e zjarrit shpërndahet në të gjithë dhomën,Dedeja,
e ulur në krye të oxhakut, ngriti gotën dhe uroi:
-Mirë se më erdhët! – pastaj u kthye nga Tekiu – Të më
rrosh, edhe 100 vjet!
U ngritën gotat dhe urimet s’kishin të mbaruar me radhë e
sipas zakonit. Filloi kënga. Për humor i thashë Hysenit:
-Do marrë sa më shpejt kënga që dimë, se do na e marrë
njeri dhe mbetemi pa të...
Darka kaloi mirë me këngë, valle e gëzim. Vetëm një
“incident” i vogël sikur e fashiti pak. Në një moment dritat ikën. Helbete
dimër. Por edhe për këtë ishte menduar. Llamba e fenerë si qëmoti...
Vazhdon me dru
në pyll
13 shtator 2004
Kthehesha nga Tirana. Ndalova në Ballsh për të blerë
ushqime për në Klos. Sallam, mollë, portokalle, limona dhe karamele. Në Klos
shkova me Lazen, djalin e Dilaver Harizajt. I telefonova dhe u tregua i gatshëm
si përherë. Kur arritëm në fshat, Tanua e Keli, djemtë e Mustafait, ishin te
porta. Ata i morën qeset që kishim në duar. Dedeja ishte në avlli. Kur pa
nipërit me qese në duar dhe mua, që u dhashë te dera, u shpreh me të qeshur:
--Mbete duke çuar dru në pyll.
-Kështu thua gjithmonë ti, - ia ktheva me të njëjtin ton.
Klosi ka një klimë të mirë. Të përshtatshme për agrumet,
por në fshat nuk ka, prandaj Dedeja thoshte: Bjer dru në pyll...
Biseduam, u kënaqëm. Në mëngjes ika për në Gjirokastër.
Hyseni në Klos
Pa datë...
Ka raste kur përjeton një gjendje të veçantë. Një angështi ta pushton
shpirtin. Koka të zien nga mendimet, por që nuk mund t’u japësh udhë. Je si i
mpirë, i fjetur apo nuk e di se si. Të thonë shëndet dhe ti pa një pa dy ua
kthen me një plaaaç të gjatë. Kam ditë pa shkruar. Dëshiron të shkruash, por
pena të rëndon në dorë. Për të thënë kam se çfarë them. Megjithëse nuk ka hyrë
akoma dimri, koha ka qenë e keqe. Shiu nuk na u nda. Ndoshta e ka fajin koha.
Grija të hyn në trup. Edhe në shpirt.
Andej nga Klosi, si më thonë, mirë janë. Nuk e kemi
zgjatur shumë.
Të dielën ndodhi kohë e mirë. Dita e fundit e tetorit
ishte, 31. Hyseni, Tasha dhe Lefteria shkuan në Klos për të çuar porosinë e
Dedesë në vend. Mustafai do ndihmuar, kishte thënë. U mblodhën dhe e vendosën.
Një shumë lekësh. Për të punuar tokën, për të blerë foragjere, miell...
Peshën kryesore e mbajti Hyseni... Vajtën e ikën brenda
ditës...
Pasdite e mora në celular. Ishin në Kavajë. Shkonin për
në Tiranë. Arritën mirë.
E more vesh për
Ismetin...
Gjirokastër, më 12.12.2004
Në orën 18 e 30 mora në telefon në Klos. Doli Tani,
pastaj Dedeja.
-Jam mirë, - më tha, - po ju e morët vesh për Ismetin e
Mjaftimes... Ra nga ulliri...
-Po, po... – nuk desha ta zgjas. E dija se Dedeja
shqetësohej shumë. Ngjarje të tilla e hidhërojnë. E njihja mirë, ajo e
përjetonte thellë gjithçka. Jo vetëm kaq, por kishte merakun. Njeriu për një
nder rron, na thoshte herë pas here. Duhet të kesh cipë në faqe. Për t’u
turpçruar, turpërohesh kur të duash. Të tjerët duaji që të të duan, nderoji që
të të nderojnë. Dedeja priste edhe diçka tjetër. E ndieja nga gulçimet e saj
dhe frymëmarrja e rëndë përmes telefonit.
-Më lajmëroi Irena, - shtova pas një heshtjeje goxha të
gjatë. – mora edhe në telefon...
Frymëmarrja përtej sikur iu lehtësua. Ismeti ishjte burri
i Mjaftimes, vajzës së hallës nga Hekali. Vetë ai ishte nga Gorishova. E njihja
mirë. Kisha respekt të veçantë për të. Ishte njeri për së mbari. Pa vese. I urtë
e i ndershëm, punëtor si ai. Respektin ta impononte. Albana, vajza e tij është
martuar me djalin e dajo Barjamit, Arturin. Nipi i tij, Vojua, shok shkolle i
Agimit, ka marrë Eftalinë, po vajzën e dajos. Të pleksur nga të dyja anët. Të
hahet buka ose bukë e pandarë, siç thonë.
Ç’fatkeqësi! Të iki para kohe!
Mora në telefon Fiqon, Yllin, Gramozin në Hekal,
megjithatë më takon të shkoj për ngushëllim...
-Mustafai që ka ikur në Greqi, nuk ka marrë në telefon
akoma, - Dedeja nga ana tjetër e telefonit.
-Mos u mërzit, do të marrë...
Lajmëro Hysenin, Lefterinë dhe Linën
Klos, më 26.12.2004
Me Nexhmijen shkuam në Klos
për t’i uruar Dedesë Vitin e Ri 2005. E kemi bërë këtë gjë pothuajse përvit,
edhe atëherë kur jetonte babai, edhe tani kur ajo është edhe nënë, edhe baba.
Mezi na pret. Më hapen sytë, kur më vini, thotë. S’ka faj! Largësia sjell me
vete mallin dhe malli është i tillë që të copëton zemrën, të ha dalngadal aq më
tepër ata që janë në moshë të shtyrë. Sot janë, nesër s’janë. E dimë këtë, ndaj
nxitojmë për në fshat. Më parë, kur fëmijët ishin të vegjël, shkonim të gjithë
ose, sipas rastit, vetëm unë. Këtë herë vetëm me Nexhmijen.
Këtë herë nuk kemi ardhur vetëm për gëzim. Kemi disa
detyrime për të kryer. Do të shkojmë në Hekal te Sefer Alimerkaj që është
sëmurë, pastaj duhet ta ngushëllojmë edhe për dhëndrin, Ismet Alushin nga
Gorishova. Duhet të shkojmë edhe në Poçem te Vajziu. I ka vdekur vjehrri.
Ishte mesditë, rreth dymbëdhjetës, kur shkuam në Klos.
Derën na e hapi Tanua. Dedeja erdhi pas nja dyzet minutash duke dihatur nga nxitimi.
Kishte qenë tutje nga kopshtet. Na kishte dëgjuar. Në këtë moshë dhe dëgjimin e
ka birinxhi.
-Mirë se më erdhët… mirë se më erdhët… - dhe hapi krahët
për të na përqafuar të dyve njëherësh. Siç e kishte zakon, filloi të pyesë
mbarë e mbrapsht për Tajbenë, Papin, Ladin, Lindën, Shemen e të tjerë.
Shkuam nga Nurua e Tekiu. I uruam edhe ata. Me Nuron
shkova në Hekal. Seferi ishte shumë i sëmurë. Sa na pa, u mundua të ngrihet,
por nuk e lamë. Shtëpia ishte plot. Aty takuam Fiqon, Petritin, Gramozin me
nuse. I uruam shërim të shpejt dhe pas ndonjë ore u ngritëm. Me Baftjarin, që
kishte ardhur nga Italia dhe me Lanin shkuam në Poçem te Vajziu. Pastaj te
xhaxhallarët, xha Boçua e xha Zeneli, që kanë muhabet të ëmbël dhe histori pa
fund.
Ishte një ditë e lodhshme, por i kisha mbaruar të gjitha
detyrimet. U kthyem në të ngrysur. Dedeja kishte përgatitur darkën. Drita nuk
kishte, por ajo kishte bërë gati edhe një gjel deti për ta marrë ne me vete për
Vitin e Ri 2005. Këtë ajo e kishte bërë zakon. Çdo Vit të Ri u jepte fëmijëve
të larguar nga një gjel deti.
-Edhe për këtë vit lajmëro Hysenin, Lefterinë dhe Linën
të marrin nga Dedeja një gjel deti për Vitin e Ri, - tha.
Kelon e ka lënë babai “veqil”
E hënë. 25 prill 2005
Një natë më parë mori në telefon Anda e Nuros për problemin
që kish ndodhur. Fat i madh që makina ishte spostuar djathtas, se në të kundërt
do të diskutohej jeta e nëntë personave që ishin në të.
U nisëm me autobusin e parë të linjës Gjirokastër –
Tiranë në orën pesë të mëngjesit. Rrugën për në fshat e bëmë me një frymë. Me
Dedenë shkuam te Nurua. Gjetëm vetëm Adelinën, së cilës ende nuk i kishte ikur
ankthi. Më vonë erdhi Nurua, Geni, Tomi, Tani, Olta, Toshja dhe të tjerë. Të
gjithë ishin në dijeni të asaj që ndodhi dhe diçka donin të thoshin…
Rrugët janë bërë të rënda. Shumë ngarkesë. Shumë
aksidente. Makina plot. Disa shoferë të jetës e disa nga ata që i thonë këmbës
dorë. Shpejtësia shpejtësi, pija pije e nga të mos ndodhin aksidente pastaj.
Mirë kur shkon me ndonjë këmbë, dorë a brinjë të thyer, por ç’t’i bësh kur
ndodh më e keqja?! Kujdesi është i domosdoshëm, po ku duan t’ia dinë këta të
sotmit për të. Eh, kohë, kohë!…
Me Nuron e kishim lënë që në datën 1 maj të shkonim në
Përmet për fejesën e Adriatikut.
-Na u prish, - tha i mërzitur ai.
-S’ka pse, - u mundova ta qetësoj. – Të jeni mirë ju, pa
të gjitha rregullohen. Do të gjejmë një zgjidhje tjetër.
Kështu e lamë.
Me Dedenë shkuam te xhaxhai, i cili kishte qenë në spital
në Ballsh. I uruam të shkuara. Kur u kthyem në shtëpi, gjetëm Kelon, Mikelin,
djalin e vogël të Mustafait, i cili ishte në Greqi.
-Po ç’bën, o Kelo, - iu kthye Dedeja, - të ka lënë babai
veqil…
Nurua na bleu gaz
Klos, më 23.12.2005
Koha është e mirë. Si
zakonisht do të shkoj në Klos për Vitin e Ri. Ikën edhe një vit. Kishte edhe të
mira, edhe probleme. Padyshim që jeta nuk do të kishte kuptim pa këto të
kundërta. Po të mos kishte hidhërim, asnjëherë nuk do t’ia dinim vlerën gëzimit
e lumturisë. Lumturohem kur shkoj në Klos. Më lumturon gjithçka: njerëzit,
vendi. Dedeja është një gëzim i veçantë dhe unë vrapoj në krahët e saj si
dikur. Nuk thonë kot që klloçka i mbledh zogjtë e saj.
Ah, kjo kohë! Mustafai ka
ikur në Greqi. Vajti 15 vjet që po bën emigracion të vështirë. Nga ana
ekonomike ai është dobët. Ç’t’i bësh! Politika shqiptare po sjell një
tranzicion të gjatë. Jemi vend i vogël dhe nuk na mungon pothuajse asgjë,
megjithatë punët nuk po na shkojnë mbarë. Populli vuan. Të gjithë vuajmë. Duam
kushte më të mira, po s’na del.
Kur vajta në Klos, Dedeja ishte nga kasollja poshtë.
Erdhi menjëherë. Nuk vonoi dhe pas fjalëve të para, më tha:
-Nurua na bleu GAZ…
Nurua
kishte blerë një sobë për ngrohje, nga të mirat, të shtrenjtë, po ajo thoshte
“Na beu Gaz”.
Vajte te miku në Përmet?…
8
janar 2006
Në
mëngjes nisem për në Klos. E kishim vendosur një natë më parë në familje. Mora
disa gjëra me vete. Ishte rast i veçantë kjo vajtje. Zbrita nga autobusi dhe u
nisa me këmbë. Në qafën e Kashit më arriti Batua me makinë. Ishte edhe
Mbarimja, Rita, Renatua. Kishin qenë në Ballsh për të bërë fotografi. U
duheshin për dokumente për bashkim familjar sipas ligjit italian. Kohë kisha pa
u takuar me Baton. U çmallëm. Me makinën që e drejtonte Batjari, të pestë
shkuam në Klos. Dedenë, Valentinën, Mikelin, Neritanin i gjetëm në shtëpi.
Mustafai kishte ikur nga Bregu i Lisit. U takuam me mall. Si gjithnjë, Dedeja
filloi pyetjet për Nexhin, Tikun, Mirin, për Përparimin, Vladimirin, Linditën,
Fredin, gjysh Zijanë, për vëllanë e Fredit, Artanin, për motrën e Fredit që
banon në Gjermani, Lauretën dhe fëmijët e saj. Pyetjet m’i drejtonte mua dhe
priste përgjigje. “Ç’kujtesë, mendova, dhe nuk është e vogël”. U mundova ta
kënaq me përgjigjet e mia, po ajo kërkonte akoma, donte hollësi dhe unë ia
plotësova dëshirën.
Dy – tri herë më pyeti: “Vajte te krushku në Përmet?
Vajte te krushku në Përmet?”, desha t’ia bëja suprizë për të nesërmen, që
kishim vendosur të bëjmë një drekë. Po ajo priste përgjigje dhe s’kisha si ia
bëja.
-Po, - i thashë, - ishim për drekë më 1 janar, caktuam
edhe datën e dasmës së Tikut. Më 1 tetor e lamë.
Të këshillon ai që të do
Klos, më 15 mars 2006
Është e mërkurë. Një ditë
si të gjitha ditët. Shi. Ftohtë. Një natë më parë fjeta tek Miri në Fier, në
katin e dytë të një vile në qendër të qytetit. Agron quhet pronari i saj. Miri
përgatiti një darkë të mirë për të na kënaqur. Me ne ishte edhe Erjoni, djalë i
një mikut tim. Djalë shumë i mirë.
Rreth orës njëmbëdhjetë isha në Klos. Dedenë e takova të
parën.
Si zakonisht më priti me “mirë se ardhjen” dhe buzëqeshjen
e saj, por me zë më të lartë se zakonisht. U pyetëm për shëndetin e pastaj më
gostiti me një gotë dhallë. Vesha një palë rroba pune dhe shkova në Bregun e
Lisit. Aty kanë marrë tokat bujqësore dhe ullinjtë Nurua, Tekiu e Mustafai.
Darkën e hëngrëm te Mustafai. Biseduam gjatë për punët e problemet bujqësore.
Më kishin thënë që Tekiu kishte marrë borxh mbi dhjetë milionë lekë të vjetra
për blerje fidanë hardhish…
-Ndryshe duhej të kishe bërë, - i thashë, - jo kaq për
një vit. Megjithatë e bëre tani, ki kujdes të zihen në behar e mos u mërzit.
Dedeja dëgjonte me kujdes bisedat tona, po nuk ndërhynte.
Më në fund, ndërhyri, duke iu drejtuar Tekiut:
-Të këshillon ai që të do.