MALLI S’KA TË
SHUAR
S’ka si
nëna për fëmijët,
U bën
kokën, u jkep gjinë,
I mëkon
me dashurinë
Si ta
duan njerëzinë.
Prandaj
thotë çdo njeri,
Në rini
e në pleqëri,
Në
lodhje, në vështirësi:
“Oh,
nënë, nënë xhani!”
15 dhjetor 1987
Adriatiku ka nisur klasën e
parë. Me mësime shkon shumë mirë dhe mësuesja i ka kërkuar një fotografi për ta
vendosur në tabelën e nderit të shkollës “Andon Zako Çajupi”. Dedeja u gëzua
shumë. E mori nipin në prehër dhe filloi nga historitë, të cilat i shoqëronte
me fjalë të urta që lidheshin me shkollën e dijen. Këshilla e porosi. Ne nuk
patëm mundësi të bëjmë shkollë, tha dhe vazhdoi:
·
Më mirë dituria, se sa pasuria.
·
Më mirë të dish, se sa të kesh.
·
Libri është arma e të mençurit.
·
Kush s’mësoi, mbeti bagëti.
·
I pa shkolli është si ai që s’ka sy të shohë.
·
Shkolla të bën me katër sy.
·
Bukuri pa dituri, dru i thatë pa stoli.
E enjte, 15 shkurt
1989
Dedeja ka dy ditë që ka
ardhur në Gjirokastër. Ajo ngulmon të mos rrijë më gjatë, po të shkojë në
fshat. Ka merak. Gjatë këtyre ditëve na ka gjallëruar të gjithëve. Unë e prisha
rendin e gjërave të mija. Para e mbas dite qëndroj me të. Kemi plot për të
thënë. Kur e pyeta se si venë e punojnë në kooperativë Nurua, Tekiu, Mustafai
etj., ajo u përgjegj me humor: Hoj – mbroj, gjithë njëlloj. Për të gjitha sa
bisedonim, do të gjente ndonjë fjalë të urtë ta shoqëronte. Unë i shkruaja. Për
ndonjë prej tyre, kur i kërkoja ta përsëriste, ma thoshte dhe shtonte ndonjë
tjetër.
·
Mendjemadhi niset me kalë, kthehet me këmbë.
·
Pikë vaji në shtëpi, hunda sipër mbi çati.
·
Mos e lëviz kokën, se të derdhet tagjia.
·
Ul turinë, të hash tagjinë.
·
Ata që janë pleq, kanë parë mirë e keq.
·
Mbi gjithë botën është mbreti, përmbi mbretin
është shëndeti.
·
Le të jem me një sy, po të kem dituri.
·
Kush pyet, mëson. Kush s’ka hequr, nuk di.
·
Njeriu që di, turbullon edhe ujin që pi.
·
Prindi të rrit, shkolla të ndrit.
Kush merret me
krunde, e hanë pulat…
E martë, 30 janar 1990
Kjo ditë u gdhi me shi,
megjithatë unë e kisha planifikuar. Do të shkoja në Klos dhe shkova. Rreth orës
10 u takova me Dedenë në fshat. Me shëndet ishte mirë, ndërsa nga ekonomia
dobët. Si zakonisht më pyeti për njerëzit. I thashë për Mirin që e kisha pasur
sëmurë me të ftohtë, por ishte më mirë e do të shkonte në shkollë. Më pyeti
edhe për problemet e mia. I tregova se isha lidhur me një njeri të rregullt e
me karakter. Ti e di më mirë, më tha, po unë kam merak se njerëzit është
vështirë t’i njohësh dhe kur nuk i njeh tamam, dalin krunde dhe kush merret me
krunde e hanë pulat…
Në darkë Agush,
në mëngjes Alush…
E mërkurë, 31 janar 1990
Në Klos qëndrova një natë.
I lashë të gjithë mirë. E kam lënë të takoj një shok në Ballsh e të kthehem në
shtëpi. Kam merak për Mirin. Para se të nisesha, Dedeja më pyeti se kë do të
takoja në Ballsh. Ia thashë. Mblodhi buzët, e njihte.
-Nuk janë burra ata që nuk
e mbajnë fjalën, - më tha. – Në darkë Agush, në mëngjes Alush…
-Edhe mua nuk më pëlqejnë
ata që nuk e mbajnë fjalën, por do shkoj ta takoj se pastaj dal unë i tillë.
-Shko, shko, por kujdes, -
porositi ajo.
E martë, 13 mars 1990
Pas shirave, koha u përmirësua.
Shkoj në Klos. Kam njerëzit. Kam mall për të gjithë e për të gjitha. Rruga
Ballsh – Klos është shumë e keqe. Makinat e vogla nuk ngjiten deri atje. Dedeja
e kishte zakon që kur veja unë e rrija për darkë, të ftojë edhe xhaxhallarët.
Në këtë kohë flitej shumë për situatën politike, ekonomike etj. Kishim filluar
të bëhemi nga pak politikanë. Në fshat po diskutohej për ndarje të tokës,
bagëtive, ndërtesave etj. Këto ndryshime Dedeja i priste mirë, po nuk besonte
se do të bëheshin ashtu siç duhej, me drejtësi. Gjatë asaj darke e të nesërmen
ajo bënte humor, tregonte histori e ndodhi dhe i shoqëronte me fjalë të urta.
·
Kur të marrin me të mirë, ruaj qesen e kij
fiqirë.
·
Lajka përmbi lajka gjer sa të dalë darka.
·
Largoju nga ai që të lëvdon, duaje atë që të
qorton.
·
Shumë shihen e pak njihen.
·
Po të lavi, të levi edhe bishtin ta krevi, hap
sytë se të gënjevi.
·
Ç’e do mall e ç’e do gjënë, kur s’ke mendjen për
të qenë.
·
Kush flet pak e me mend, të gjithë i zenë vend.
·
Gjuha që llap, të hedh në trap.
·
Gjuha është thikë e mprehtë, plaga e saj nuk
është e lehtë.
·
Kripën hidhe me karar, fjalën në kandar.
31
gusht 1991
Baba Temua mbushi gjashtë
muaj që ndërroi jetë. Ai vdiq më 4 mars dhe në datën 5 u bë varrimi në Klos.
Koha mbajti shumë mirë si ditën e varrimit edhe sot, më 31 gusht që e
përkujtojmë.
Shkuam familjarisht në Klos. Erdhën edhe
djemtë, Tiku e Miri. Në vjeshtë do të shkojnë i pari në klasën e pestë dhe i
dyti në të katërt. Dedeja, kur shikonte nipër e mbesa, bëhej edhe një herë sa
aq nga gëzimi. I ndriste fytyra dhe mundohej ta shprehë në mënyra të ndryshme.
Në orën 10 të mëngjesit të
gjithë, të mëdhenj e të vegjël, nisemi për në varreza. Te porta e madhe e
oborrit kur po dilnim, Dedeja ndaloi dhe nxori nga një çantë dy tufa me lule të
thjeshta dhe ua zgjati Tikut e Mirit.
-T’u ketë lënë uratën gjysh
Temua, - tha, - i vendosni te varri i tij. Ju jeni të vegjël dhe, sa më mirë ta
bëni këtë, aq më të mirë do të bëheni…
Dhe porositë e saj
vazhduan. Mjaltë kullonte nga goja. Lumë fjalët dhe këshillat e porositë,
shoqëruar me fjalë të urta.
·
Po ke xhepe, ke lepe.
·
Edhe kopshti i mbretit të jetë, një gjemb brenda
do të ketë.
·
Peshku i mirë nuk do turbullirë.
·
Fëmija lind me tre brirë; të parin ia heq
familja, të dytin shkolla, të tretin ushtria.
·
Kërraba tërheq, nuk shtyn.
·
Në do të jesh i lumtur për një ditë pi raki, për
një muaj martohu, për gjithnjë puno një kopsht.
·
Kur s’fiton nga dora, fito nga goja.
·
Mos iu lut pemës në dimër.
·
Pyet më parë për komshi, pastaj bli shtëpi.
·
Çdo fillim ka edhe mbarim.
Floriri provohet
në zjarr, njeriu në jetë
E mërkurë, 26.2.1992
Ngjarjet e tranzicionit
politik në vendin tonë, që filluan nga fundi i vitit 1989, i priti mirë. Që më
parë ajo, pa frikë, ishte shprehur se populli vuan. Në fshat jemi e qumësht nuk
kemi. Edhe pulën duan ta kolektivizojnë. Ulliri në avlli të shtëpisë, shteti
kujtohet vetëm për ta vjelë kur ai piqet. Gjykimin e kishte të qartë e të
saktë: ta dënosh njeriun me burg se ai thotë të vërtetën, nuk do shumë mend.
Kjo tregon se punët vërtet nuk shkojnë mirë e nuk do të mbyllen mirë, arrinte
në përfundim. Partitë që kanë dalë tani, po shajnë e premtojnë shumë. Nxitin
për të prishur e shkatërruar. Që tani duket se edhe me këta populli do të
vuajë. Flasin sikur nuk kanë jetuar e jetojnë në Shqipëri, sikur kanë ardhur nga
ndonjë planet tjetër. Në fshatin tonë nuk u prishën shumë, ndonjë stallë,
magazinë a hangar. Ulliri nuk u prek. Dedeja i ndjek në televizor të gjitha dhe
mbledh buzët.
Po hanim darkë, ndërsa
televizioni shqiptar po transmetonte lajmet: “Privatizimi në bujqësi do të
rrisë rendimentet e do të shtojë prodhimet, do të rritet niveli i jetesës në
fshat…” Dedeja e la lugën mbi tavolinë:
-Shumë po flasin këta që
kanë dalë tani, do ta rregullojnë Shqipërinë, po a e dinë ata që tokat po
punohen me kafshë?!…
Heshti pak dhe shtoi:
Floriri provohet në zjarr, njeriu në jetë… Do të shohim.
Bam e bum
këmborë e madhe, qumështi gjysëm okare
E enjte, 27.2.1992
Kam ardhur në fshat për të
marrë masat për përvjetorin e babait, siç e kam thënë më lart. Është përhapur
gripi dhe të gjithë janë të sëmurë. Dedeja që kur është shtuar bagëtia,
mundohet shumë. Kujdeset për lopën, viçin, mushkën, pulat e detit. Se zakonin
nuk e ka lënë: çdonjërit nga një për Vit të Ri.
-Këto duan njeri që të
merret me to, - thotë. – Këta (e ka fjalën për Tekiun e Mustafanë) e kanë kokën
në Greqi. Po të dish, Greqinë e bën këtu. Po të merresh me një lopë e me një
dhi, mundimi është i madh dhe fitimi i paktë dhe kësaj i thonë “bam e bum
këmborë e madhe, qumështi gjysëm okare".
Dedeja e kishte fjalën, që po
u more me to duhet të ngresh kope tamam dhe t’u dalësh zot.
E shtunë, 7 mars 1992
Sot u ktheva nga Tirana, ku
shkova me Dedenë për dy arsye: do të ngushëllonim Nasip Islamin se i ka vdekur
vëllai në Elbasan dhe për të takuar B.Sh – në për problemin tim. Në Tiranë
shkuam e erdhëm me autobus. Fjetëm tek Hyseni. Ky me Tashën bënë shumë për ta
kënaqur Dedenë. Ata u treguan të gatshëm për të na shoqëruar edhe në detyrimet
që do të bënim te Myzafer Kanani, Nekim Seranaj, teze Mbetja etj. Në biseda të
ndryshme Dedeja nuk u ndahej fjalëve të urta. I kishte si kripa për t’i dhënë
shije gjellës. Kur ra fjala për privatizimet, ajo tha: “Kush e rriti luadhë,
kush e hëngri bar…
·
Na rruat merhabaja, bakllavatë i ha dynjaja.
·
Nga bishti i qenit nuk bëhet sitë.
·
Gazi dhe helmi janë vëllezër.
·
Pas lotëve sytë shohin më mirë.
·
Besnik bëhu, por besë mos zër.
·
E mira çalon. E liga fluturon.
·
Fjala e keqe të verbon, e mira të shëron.
·
Fjala e mirë çel derën e hekurt.
·
Fjala e ëmbël melhem në zemër.
E shtunë, 11 prill 1992
Koha është me shi. Në
Gjirokastër bie, po gjetiu nuk e di. Dimri i sivjetëm kaloi pa shi. Megjithëse
prill, maleve po bie borë. Në këtë kohë shkoj në Klos. Dedeja u gëzua shumë,
pasi më pyeti me radhë, i thashë se para 5 ditësh, më 5 prill, kishte ardhur
Astriti me Eftalinë. Ajo ngriti veshët. Eftalia është vajza e vetme e dajë
Barjamit. Do të vazhdojë studimet në Gjirokastër, i thashë, se Elbasanin e ka
larg. Ajo filloi të më tregojë se ata janë të gjithë të mirë, e duan shkollën.
Foli për vështirësitë që kalojnë atje në Çorrush, pavarësisht se studimet
vëllai i saj më i madh i bëri në Bullgari. Dy net qëndrova dhe një e dy biseda
shkonte te dajë Barjami dhe fëmijët e tij. Ma mburri më shumë Eftalinë. Ta
ndihmosh, më tha. I kam dashur dhe i dua. Kishte shumë mall e sinqeritet në ato
fjalë. Na duan edhe ata dhe prapë fjalët e mençura të saj nuk munguan.
·
Zemër e kulluar – shpirti i gëzuar.
·
Fjala e drejtë është e shkurtër.
·
E kujt është ara, atij i takon kashta e fara.
·
E drejta do të shkojë tek i zoti.
·
E drejta të mundon, por prapë ajo fiton.
·
Ec drejt, të eci drejt.
·
E drejta të lag, por të nxjerr.
·
E drejta rri si vaji mbi ujë.
·
Në degën me kokrra qëllojnë të gjithë.
·
Dielli edhe kur ka re, ndrit.
·
E mirë dhe fuqia, po më e mirë urtia.
·
I mençmi të këndon kartën në xhep. Ai di ç’do
bëhet mot.
·
Kush mendon, gjithmonë fiton.
·
I miri e ka armikun mbas dere.
Miku i mirë
vlen më shumë se çifligu…
E enjte, 15 tetor 1992
Mëngjesin e kësaj dite e
kisha lënë të takohem me Ismetin, burrin e Mjaftimes nga Gorishova për shitjen
e vajit të ullirit të tij në Gjirokastër. U takuam dhe e lamë që vajin ta
sjellë të shtunën në Ballsh. Pasi mbarova punë me të, shkova në Klos. Dedeja
ishte në oborr dhe më priti si përherë krahëhapur. Më pyeti për të gjithë dhe,
kur mori përgjigjet që kërkonte, tha:
-Agron, ky behar ka qenë i
keq. Katër muaj pa shi, tani ka dy ditë që nisi… Po me atë punën tënde ç’bëhet,
mos të gënjejnë?!…
-Mirë, mirë, - ia ktheva pa
dashur ta ngas më tej këtë bisedë. – Janë të fisëm…
-Po është kështu, ai nuk
është shok, por mik dhe miku i mirë është më shumë se çdo lloj e sado i madh të
jetë çifligu… Drejtësia e ndershmëria e ruan këtë miqësi.
I duruari, i
fituari
3 nëntor 1992
Diell. Koha ecën mirë.
Shkoj në Klos për të marrë vajin e ullirit të Nuredinit. Kishim biseduar të
çojmë me mushka dy kuintal ose në Qafën e Sykuqit ose te Klubet e Greshicës.
Vështirësitë ekonomike janë të mëdha. Kudo e njëjta gjendje. Në familjen time
punon vetëm Nexhmia që merr një rrogë, që s’del as për bukë. Buka vajti 300
lekë. Na duhen dy bukë, domethënë 600 lekë. 18000 lekë vetëm për bukë në muaj.
Këtë llogari e bëmë me Dedenë, pasi më pyeti se si do të jetojnë njerëzit, se
televizori thotë ndryshe. Më pyeti për pensionin tim si ushtarak dhe i thashë
se nuk e kisha marrë akoma. I duruari, i fituari, - ma ktheu. Mos ki frikë se
t’u vonua zgjidhja e problemit, po të jetë ashtu si më the herën e kaluar. Miku
i mirë nuk të hedh asnjëherë.
E diel, 16 maj 1993
Në mëngjes nisem për në fshat.
Në Ballsh kthehem tek Përparim Zeneli. Në orën 14 u nisa për në Hekal për të
takuar hallë Minushen e xha Seferin me djem e nuse. Në Klos do të qëndroj një
natë. Dedeja u nis të bëjë një darkë sikur i ka vajtur një mik që duhet pritur
me gjel deti, sheleg a kec. Nuk e lashë, duke i thënë: po u “lodhe” për mua,
unë nuk do të vi kaq dendur, por një herë në dy – tre muaj. Kjo sikur e bindi.
U tremb se mos do të veproja vërtet ashtu. Do të më ketë sa më shpesh pranë.
Ulu e thuaj ndonjë nga ato të tuat, i kërkova. Nuk ma prishi. Nisi e tregoi dhe
lidhjet që bënte me fjalët e urta ishin logjike, asgjëkund nuk “ngëcte”, por i
thoshte siç duheshin e aty ku duheshin.
·
Të panjohurin e pret sipas rrobave dhe e
përcjell sipas mendjes.
·
S’të shkon kot moti, kur je i zoti.
·
Një ka që e vret lopa, ja there ja çoje në
Pazar.
·
Kokën në tra e mendjen hava.
·
Mos e shiko nga kalliri, por nga fiqiri.
·
Mos e qaj se mbeti pa tokë, por se s’vuri mend
në kokë.
·
Pandeha për bir soji, por doli gërraç kroi.
·
Vajti për grurë e humbi thesin.
·
Ku urdhëron gruaja e këndon pula, hajër nuk
është.
·
Ku këndon pula, këndesi nemitet.
E shtunë, 22 tetor 1994
Ka filluar dimri. Koha
është e ngrysur e me shi. Erdha në Klos se më ka kërkuar Dedeja. Ka ardhur koha
që Tekiu me Mustafanë të ndahen me rregull e lezet si gjithë të tjerët, më tha.
Isha në një mendje me të. E bisedova me Nuron si vëlla i madh në Klos se nga
duhej filluar dhe ramë dakort ta nisim nga shtëpitë, nga ndërtimet e tjera,
bagëti e bazë ushqimore, tokë e territor shtëpie dhe, së fundmi, me pajisjet e
brendshme. Ndarja u bë në prezencë të nënës e sipas dëshirës së saj. Nuk pati
asnjë kundërshti dhe mbetën të kënaqur të dy palët. Nëna ishte e kënaqur dhe na
përgatiti një darkë të veçantë. Ishte i natyrshëm gëzimi i saj. Lindi, rriti e
martoi 7 fëmijë dhe tashmë edhe këtyre dy të fundit u kishte ardhur koha të shikonin
punën e tyre. M’u lut të rrija edhe një ditë akoma. Ndoshta ndiente peshën e
largimit të vëllait në shtëpinë e tij. Nuk ia prisha dhe historitë e fjalët e
urta vazhduan…
·
Mushkës xanxare i vënë barrën më të madhe.
·
Qengjin e sertë s’e do as e ëma.
·
Njeriut i hahet fjala e jo mishi.
·
Inati të nxjerr nga rehati.
·
Kush qortohet i vogël, lëvdohet i madh.
·
Më mirë del shpirti se huqi.
·
Kush rreh viçat, s’e vrasin qetë.
·
Ai që nuk ka turp, të turpëron.
·
Brumbulli të çon në pleh.
·
Një gram kujdes vlen më shumë se një kuintal
ilaçe.
·
Nga këmbët e ngrohta, koka e ftohtë, barku plot
nuk vjen sëmundje kurrë.
Koha për të
dalluar sojlinjtë nga sojsëzët
E shtumë, 5.11.1994
Këto ditë kam ndjekur
fushatën elektorale për miratimin e projektit të Kushtetutës së Shqipërisë. Kam
që të enjten që ndodhem në Klos. Dedeja më lutet të qëndroj edhe nesër, të
dielën. Jo, ia ktheva, duhet të kthehem në Gjirokastër për votimet. Pastaj
duhet të shkoj të vizitoj Tikun për ato njollat në lëkurë tek mjeku. Eja prapë
shpejt, por kini kujdes se është koha për të dalluar sojlinjtë nga sojsëzët…
Bir Selman i
nënës kë të qaj më parë
E martë, 25 prill 1995
Mbrëmë u kthyem nga Klosi.
Isha me Adriatikun dhe Ermirin. Ermirin para 20 ditësh e bëmë synet. Në fshat
kaluam mirë. Dedeja u gëzua shumë dhe, si zakonisht, saçi nisi të pjekë. Tavat
dhe byrekët e saj na shijojnë të gjithëve. Tikun dhe Mirin s’i mban shtëpia,
shkojnë sa nga njëri tek tjetri. Kemi shumë njerëz në fshat, por Dedeja
mërzitet për nipërit: mos hipin në ndonjë pemë, mos rrëzohen nga ndonjë mur,
mos i hanë qentë. Rrinim në avlli atje pranë shegës dhe, midis të tjerave, më
foli edhe për vështirësitë ekonomike e problemet që kalonte vendi. Shumë gjëra
nuk i pëlqejnë. Ç’do të bëjë fshatari, po nuk e ndihmoi shteti, pyeti, punohet
toka me kafshë?! Të gjithë flasin, po vetëm fjalë, askush s’e vë ujin në zjarr.
Kësaj i thonë: Bir Selman i nënës kë të qaj më parë…
10 maj 1995
Sot është ditë pushimi.
Është festë zyrtare. Dita e Barjam Barjamit. Do të shkoj në fshat të gëzojmë së
bashku. E di që Dedesë do t’i bëhet shumë qejfi e do të kënaqet. Vite pa
festuar. Vetëm pak vite kemi, pas ’90-ës që u rihapën objektet e kultit. Kur më
pa që hyra në derë të oborrit, Dedeja m’u hodh në qafë. “Rrofsh, mor bir, që ma
kujton emrin e Barjamit!” Filloi të më pyesë se mos kisha pasur ndonjë kontakt
me ta. Telefonat në ato vite ishin të pakta dhe komunikimi i vështirë. I thashë
të rejat dhe ajo e lumtur lëvizte si
flutur nëpr shtëpi. Saçi nuk pushoi së pjekuri atë ditë dhe gjithçka kishte një
shije të veçantë. Gjithçka nga duart e Dedesë. Darka vazhdoi gjatë dhe bisedat
s’kishin të mbaruar, ashtu siç nuk kishin të mbaruar as aforizmat e Dedesë.
·
Jep me dorë, merr me këmbë. I jep si burrë, i
merr si pulë.
·
Muarrën vesh që jep “miell” hua, erdhi edhe
mullixhiu të kërkojë.
·
Për darkën që hëngre, lidh pulën për këmbe.
·
Leku thotë: Të shumtë janë ata që më fitojnë,
por të paktë ata që s’më lëshojnë.
·
Paraja del nga goja e gjarprit dhe tehu i
briskut.
·
Shtëpia me dy të këqija: Duhani dhe rakia.
·
Nga avllia duket shtëpia, nga nëna duket bija.
·
Rrite një fëmijë, ke bërë një shtëpi.
·
Njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhé, por kur
harrohet.
·
Kur nuk do nënë e baba, s’të ka njeri sevda.
·
Më mirë nga pak e të pikojë, se sa të rrjedhë e
të shkojë.
·
Ruaje kur e ke, të të ndodhet kur s’e ke.
·
I miri e vë vetë gjënë, i ligu e shet.
E diel, 90 korrik
1995
Që të shtunën kemi zbritur
në Ballsh. Na ka ftuar Hajri Hametaj në dasmën e vajzës, Luljetës. U ulëm në
një tavolinë me Ladin, Fredin, Linditën, Adriatikun, Shemen dhe Ermirin.
Taulanti, djali i Hajriut i kishte ujdisur të gjitha më së miri. Takuam shumë
nga njerëzit që kishim kohë pa u parë. U çmallëm.
Sot që në mëngjes u gjendëm
në Klos. Të gjithë bashkë. Dedeja u gëzua shumë, i pyeti të gjithë një për një.
Ishim në vitet e tranzicionit dhe emigracioni kishte krijuar shumë probleme
familjare e sociale. Ajo interesohej për të gjitha. Kishte shumë merak për një
bagëti e jo më për një njeri. Bisedonte, jepte këshilla e porosi për të mëdhenj
e të vegjël, duke i shoqëruar edhe me fjalë të urta. Ndonjëri vinte buzën në
gaz, kur ajo tha: “Del për rrush e bie shkarpa” apo “E nisi revani, e nxori
paluze”. E kishte për ata që bënin emigracion e nuk sillnin asgjë në shtëpi.
Për çdo gjë e kishte nga një fjalë të gatshme.
·
Herë me hir, herë me pahir, gabon edhe ai që
është i mirë.
·
Kur ngjitesh përpjetë, shih tatëpjetë.
·
Fëmijës mos i lër pasuri, por mësoi gramati.
·
Çdo mësim e ke fitim, dëmi të bëhet mësim.
·
Ai që duron, trashëgon. Durove, fitove.
·
Ec ngadalë, të arrish më parë.
·
Kush nuk urdhëron dot veten, pajtohet kollaj me
të keqen.
·
Kush u nxitua shumë, bie në lumë.
·
I miri e vë vetë gjënë, i ligu e shet.
Janë halle, jo këngë e valle…
Është
e martë, data 18 qershor 1996. Në mëngjes bleva gazetën “Koha jonë” dhe lexova
intervistën e Fatos Lubonjës “Mbas manipulimit të votës e vjedhjes së saj më 26
– 28 maj 2006”. Më bëri përshtypje mendimi: “Kjo që ndodhi tregoi se Shqipëria
nuk e kaloi provën e demokracisë, se liria e 1990 ishte e dhuruar dhe jo e
fituar…” E bluaja gjatë në kokë.
Rreth
orës 10 me një shok u nisëm për në Fier për një punë të tij, kurse unë për të
takuar nënën në fshat. Në Klos u kthyem për 30 minuta. E takuam në oborrin e
shtëpisë. Ishte vetëm, nuset në punë, nipër e mbesa në shkollë, kurse djemtë,
vëllezërit e mi, emigracion në Greqi. Dedeja në këto kushte ndiente përgjegjësi
për të gjitha, prandaj pasi u përshëndetëm, e shprehu gëzimin që më pa, tha:
Janë halle, jo këngë e valle… E kuptova ku rrihte çekani: fëmijët duheshin
rritur, bagëtia duhej ruajtur, toka duhej
punuar, shtëpia duhej mbajtur.
E hënë, 20
janar 1997
Shkova
si zakonisht në Klos për të takuar Dedenë, por edhe një diçka tjetër. Një ditë
më parë në Tiranë në Sheshin Skënderbej ishte bërë një protestë e madhe kundër
qeverisë për humbjen e lekëve në firmat piramidale si “Sude”, “Gjallica”,
“Xhaferri”, “Populli” etj. Të tre vëllezërit kishin hedhur lekët e fituara me
mund e djersë në Greqi. Dedeja dukej e menduar. Duke folur për të rejat e
fundit ajo tha: Nuk duron askush sa
trimi. Po nise një rrugë, do kalosh sheshe, male dhe gurë.
E shtunë,
21 qershor 1997
Koha
është e nxehtë. Temperatura i ka kaluar të 33 gradët. Shkova pak më parë se
parashikimi, sepse më 29 qershor do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Do të
bëhet ndërrimi i pushteteve. Padyshim Sali Berisha do të dalë në opozitë. Nënë
Lavdia ishte e mërzitur për punët në përgjithësi dhe për hallet e saj në
veçanti. U gëzua që më pa dhe këtë gjë e shprehu me fjalë: Rrofsh, o djalë që
na vjen, se çlodhemi e ç’mërzitemi…
Nga
bisedat që bëmë, fiksova fjalët e mëposhtme:
·
Kur nuk dëgjohet i pari, nuk vete puna për së
mbari.
·
Mos mbeç në pleqëri pa plak, në dimër pa shark e
në behar pa dhallë.
·
Dalngadalë aguridhja bëhet mjaltë.
·
Hyri varfëria, iku dashuria.
·
Buka vret më shumë se pushka.
·
E zeza më e madhe kur s’ka bukë në magje.
·
Drurin e than krimbi, njeriun mjerimi.
·
Kalë i Meros, drith i Sulos.
·
Behari për fukaranë është më i dashur nga babai.
·
Fukarallëku gjysmë vdekje.
·
Di hallua të bëjë kulaç, por me se more plaç.
·
Ku është pjesa, është besa.
Më parë në Emër të Popullit, tani në emër të Lekut
22 qershor 2003
Kjo e diel është shumë e
nxehtë në Tiranë. Kemi ardhur për dasmën e Irenës. Lefteria dhe Lefteri e kanë
gëzimin e parë dhe i kanë marrë të gjitha masat. Gëzim i madh është veçanërisht
për gjyshem. Shkojmë bashkë. Gjatë rrugës ajo vazhdon të pyesë e unë t’i
përgjigjem. Papritur më pyeti për Lefterin: “Te burgjet punon akoma?” Po, ia
ktheva, dhe është mirë atje. Eh, nxori një psherëtimë ajo, burgjet tani janë
mbushur më shumë se sa më parë. Më parë në emër të popullit, tani në emër të
lekut. Duke vazhduar bisedën më tha: Para njëzet ditësh erdhi një djalë
nga Hekali e kërkoi Mustafanë për një punë. Unë i nxora një gotë raki dhe e
pyeta: I kujt je, ku ke punuar, çfarë po bën tani e të tjera. Djali m’u
përgjigj: Kam punuar 9 vjet në Itali dhe tani dua të bëj diçka këtu, po këtu në
Shqipëri qeveritë e kanë me popullin si ajo që tregojnë: La dora, la qafa, la gishti, la suma… e kish fjalën, me të hedhur
ia kanë këtij populli dhe ai djalë i ri e kishte me të drejtë, tha nënë Dedeja
me keqardhje.
Po nuk di nga
ke ardhur, nuk di ku do të shkosh
E diel, 13 korrik 2003
Para një muaji Dedeja më
porositi që për dasmën e Mondit, djalit të Muzafer Kananit, të kthehesha një
natë në Klos e të shkonim bashkë në Tiranë. Kështu bëra. Shkova dje në Klos me
makinën që kisha blerë te Genti, djali i
Estref Dostit. Në mëngjes u nisëm me Dedenë për në Tiranë. Rrugës m’i mburri
njerëzit e Estrefit, njerëz të mirë, tha. Kur ishim në Kolonjë të Lushnjës, m’u
drejtua: “Merre atë gruan me fëmijë se e la autobusi, ti nuk je vetëm
shofer…” E mbajta makinë dhe hipën.
Dedeja nisi ta pyesë mbarë e mbrapsht. Kur ajo zbriti dhe matej të thotë diçka,
Dedeja më tha: populli është hallexhi, asnjëherë mos harroni nga kemi ardhur,
se nuk do të dini ku do të shkoni... E kuptova domethënien e asaj fjale. Nuk
mora lekë. Gruaja falënderoi.
Nëna jonë nuk ka shkollë
dhe ky është meraku më i madh i jetës së saj. Megjithatë ajo ka shkollën e
madhe të jetës dhe fjalët e saj përherë zënë vend. Përmes fjalëve të saj
zbulohet mençuria popullore, filozofia e jetës e përftuar në përpjekjet e
përditshme për të rritur e edukuar fëmijët, për të siguruar jetesën dhe
përballja me problemet e vështirësitë.
Gjuha kocka nuk
ka, kocka thyen
E hënë, 14 korrik 2003
-Më pëlqeu nusja e Mondit,
- më tha Dedeja, - ishte e ëmbël. E bëri fora Muzaferi me Mbeten.
Dhe kishte të drejtë
Dedeja. Muzaferi ishte i veçantë. Ai u gjendet të gjithëve. Edhe Mbetja është
njësoj si ai. Kanë gjetur njëri – tjetrin. Fjala e tyre përherë rrjedh mjaltë.
Të gjithëve u janë gjendur. Nekimin e ndihmuan që iku nga Çorrushi, e ndihmoi
që iku edhe nga Kukësi.
-Muzaferi nuk e thotë
fjalën e keqe kollaj, - shton Dedeja, - se gjuha kocka s'ka e kocka thyen. Edhe
sikur ta thuash fjalën e keqe nga nxitimi, prapë të vret shumë. Unë jam 70 e ca
vjeçe dhe nuk mbaj mend që edhe vëllezërit e mi Barjami e Nekimi të jenë
nxituar ndonjëherë, po ashtu as motrat e mia Hatemja e Mbetja. Gjuha, fjala e
keqe të dhemb më tepër se sa kur e qëllon me dorë njeriun.
Klos, më 27 nëntor 2003
Kam pesë ditë me Dedenë në
fshat. Kohë e mirë me diell. Mustafai është në Greqi. Punon. Do të vijë mbas
një muaji. Dua të kthehem në Gjirokastër, por Dedeja s’më lë: do të rrish edhe
sot… Duket sikur më urdhëron dhe unë nuk ia prish dot. Biseda plot, të ngjara e
të pangjara dhe porosi plot të shprehura thjesht e qartë.
·
Dita pa punë të lodh si nata pa gjumë.
·
Duket stani në të pjellë, shihet ara në të
mbjellë.
·
Ujku e ka zverkun të trashë se nuk përton.
·
Tokën kur s’e sheh i zoti, s’e sheh as Zoti.
·
Njeriu që nuk derdh djersë, nuk e di çfarë shije
ka buka.
·
Pasuria më e madhe është puna.
·
Puna në të ri, shkop në pleqëri.
·
Nga puna po nuk rodhi, do pikojë.
·
Si t’i bësh hyzmetin, ke dhe bereqetin.
·
Rrëfen puna, nuk rrëfen guna.
·
I ligu as mbjell as korr.
·
Duaje mikun me gjithë huqet.
·
Më mirë bukën thatë se sa me shamatë.
·
Veresije nuk ka hije.
·
Si Selimi Selimeja, si kapaku tenxherja.
·
Miku i vërtetë nuk blihet me kuletë.
·
Zjarrin e vogël e shuan era, të madhin e forcon.
·
Mos u krih në sy të qerosit.
·
Ku ka zili, nuk ka prokopi.
·
Kush i ra prapa sevdasë, gjeti koqen e belasë.
·
Nuk i bie vlera floririt, kur e hedh në baltë.
·
Tinëzari të vret natën e të qan ditën.
·
Shikoi turrinë, pastaj vuri kusinë.
·
Duhet mend, s’duhet kokë.
·
Gjykon mendja, nuk gjykon mosha.
·
Peshkun e zë krimbi e jo grepi.
·
Fjalë e nga një fjalë edhe deti bëhet dhallë.
·
Ç’del nga goja, hyn në vesh e del nga hundët.
Pleqëri me plot
kusure nuk të desha, po më zure
3.1.2004
U nisa për në Klos për të
uruar Vitin e Ri. Rreth orës 11 në kuzhinë takoj Dedenë dhe të tjerët. Nisëm
bisedat. Pyeta për shëndetin dhe të tjerat. Dedeja tundte kokën pas çdo
përgjigjegje që kthente. Dikur tha: Pleqëri
me plot kusure nuk të desha, po më zure. Nga çanta nxora ato që më kishte
përgatitur Nexhi dhe ia vura përpara. Rrofsh, mor bir, po unë kam ngrënë plot,
i jepni Tanos e Kelit. Mbasdite me Dedenë kryem vizitat nga xhaxhallarët dhe
tek të tjerët. Kudo çuam diçka. Nuk shkuam duarbosh. Gjithmonë Dedeja më
porosiste për këtë: Nuk është keq njeriu
për gjënë tënde, por e nderon dhe e respekton!
Kur të zë
pleqëria, nuk të do as bir as bija
20 shkurt 2004
Ishin këto fjalët e Dedesë
në paraditen e sotme, kur e takova te shega në avllinë e shtëpisë. Po fliste me
Mikelin, Kelon siç i flet ajo, po e qortonte. E ka rritur ajo vetë dhe mërzitet
kur nuk e dëgjojnë për ndonjë porosi që u
jep. U plaka tani dhe sikur nuk ma varin shumë, m’u ankua kur hymë në
shtëpi. U mundova ta kundërshtoj, por nguli këmbë në të vetën dhe prapë
përsëriti: Kur të zë pleqëria, nuk të do
as bir as bija.
Nami në qiell e
b… në diell
17 mars 2004
Rreth orës 10 Dedenë e
gjeta te lopët dhe bagëtitë e imta, që e kanë stanin bashkë poshtë shtëpisë.
Tani, ndryshe nga më parë, ato janë shtuar. Duhet përshtatur me ekonominë e
tregut. Bulmeti, mishi, leshi, prodhimet blegtorale shkojnë. Babai ynë i kishte
për “zanat” këto punë. Dedeja u gëzua që erdhi kjo kohë. Kush të dojë, mund të
mbajë bagëti sa të dojë e jo si më parë me kufizim nga “lart” apo që ia hoqën
fare fshatarit dhe i thanë lugën. Dedeja i gëzohej gjësë së gjallë dhe kujdesej
për to.
U gëzova kur e pashë nënën
të qeshur, mbasi punët shkonin mbarë. Megjithatë ajo u shpreh: “Nami në qiell e b… në diell!” Nuk shtoi
gjë tjetër, por e kuptova se nuk ishte e kënaqur me të rinjtë. Nuk u dhimbset
malli e gjëja e nuk kujdesen tamam për to. Ky ishte nënteksti i fjalëve të saj.
E premte, 16.04.2004
Me Nexhin nisemi për në
Klos. Koha është e mirë. Në Hekal na pret Nuredini. Në Klos shkojmë rreth orës
14. Dedeja ishte nga Tekiu. Bisedonte me Linditën. Erdhi menjëherë, sapo e mori
vesh. Ishte hequr pak, se kishte qenë me të ftohtë. Mustafai kishte ardhur nga
Greqia. Do të iki pas dy ditësh. Për drekë shkuam nga Nuredini. “Do të
përuronin edhe frezën e re që kishte blerë”. E kishte thënë disa herë Dedeja,
toka do mjete që të punohet e të prodhojë. Freza do ta lehtësonte punën e
krahut e të kafshëve.
Gjatë dy ditëve në Klos, si
gjithmonë, Dedeja mundohej të na kënaqë. U nisëm të dielën, unë për në Tiranë,
kurse Nexhi për në shtëpi në Gjirokastër.
Po të jesh
shembull, zë dhe fjala vend
E shtunë, 15 maj 2004
Ndryshe nga herët e tjera,
Dedeja ka dëshirë të flasë shumë. Shenjat e sëmundjes i ka dhënë që më parë,
megjithatë nuk kuptohet fare. Gjithçka që thotë, është e saktë dhe e matur.
Shakatë, humorin dhe fjalët e urta nuk i harron asnjëherë. Shpesh më ka ndodhur
që ato të thëna të Dedesë t’i përsërisin edhe të tjerë e t’i referohen asaj.
Këtë herë më pyet gjerë e
gjatë për dy djemtë e mi, Adriatikun dhe Ermirin. Pinë duhan, raki, në darkë a
mblidhen shpejt në shtëpi, si i kanë shokët. Kohët janë të këqija; droga,
vrasje, aksidente ndodhin plot përditë. Duhen ruajtur. Juve, shyqyr, ju kam pa
vese dhe u zë vend fjala. Kështu duhet të jenë edhe ata.
E diel, 20 qershor 2004
Si zakonisht një herë në
muaj zbres në Klos. Ora 12. I shpie pensionin nënës, pastaj Tanua ka thyer dorën.
Para meje kishin ardhur Hyseni, Tasha, Papi e Lina. Dedeja i kishte sytë të
ënjtura. Se si është bërë kështu këto kohët e fundit. Një e dy e përlotet.
Ndoshta këtë herë është mërzitur nga problemi i Tanit. U mblodhëm të gjithë për
drekë. Mbas dreke grupi i Tiranës iku. U shtriva për të pushuar. Pa më zënë
gjumi mirë, vjen Irena e më thotë: Ka ardhur vjehrri im me të shoqen dhe vëllai
i tij me gruan e djalin. Erdha, sa të vishem. Ishin në lokal tek Tekiu. Qëndruan
ndonjë orë bashkë. Irisi e vogël rrinte e qetë, edhe pse po kalonte dorë më
dorë.
Nesër do të nisem për në
Ballsh, Fier, Lushnjë e pastaj do të kthehem në Gjirokastër. Dedeja më pyeti
disa herë. Ia thashë. Prapë pyeti. Sëmundja po përparon.
Klos, 17.07.2007
Me Dedenë, Nuron, Tekiun
nisemi për Tiranë. Papi fejon vajzën dhe ne nuk mund të mos jemi në gëzimin e
tij. Gjyshja duhet të gëzojë për fejesën e mbesës së saj Marjola. Nisemi në
mëngjes herët. Ora 6.00. Në fillim Dedenë e zuri makina. Nuk është më e para. E
mori veten, megjithatë është e lodhur, ka rënë. Dreka u bë në një lokal të
Lincës.
U nisëm mbasdite vonë.
Dedeja erdhi me ne. Lina u përlot dhe ngulmoi ta mbajë, por nuk pranoi. Kam
lënë vetëm nënën e Valit dhe nuk rri dot, u justifikua ajo, do të rri një herë
tjetër.
Bir Selman i
nënës kë të qaj më parë
E shtunë, 21 gusht 2004
Ora 8 e mëngjesit më zuri
në Klos. Dedeja dhe Vali ishin zgjuar. Bagëtia dhe punët e bujqësisë në verë
duan shpejt në mëngjes. Ajo ishte mësuar me këtë dhe në orën 5 do ta gjeje në
bahçe. Nga fjalët që më tha, duket se punët nuk shkonin si duhet, sahat siç i
donte ajo.
-Këtej nga ne i thonë: Bir
Selman i nënës kë të qaj më parë, po nga ju si është? – më pyeti.
-Kudo njësoj është, - i
thashë për ta qetësuar e për t’i bërë qejfin shtova. – Si thua ti është edhe në
qeveri.
Qeshi pak: - Hajde të hash
mëngjes, pa mos u mërzisni ju të paktën…
E shtunë, 04.09.2004
Dje shkova në Ballsh. E
kisha lënë me Nuron dhe me topografin të takohemi atje. Mbaruam punë dhe u nisa
për në fshat. Dedeja e kishte marrë vesh nga Nurua. Më priste se ishim ftuar
edhe në dasmën e vajzës së Ylli Seferit në Hekal.
-Pse ke rënë nga shëndeti,
- më pyeti.
-Mirë jam – ia ktheva.
-Do të hash bukë?
-Po, përshesh me dhallë
fshati, ullinj e qepë.
I dhashë lekët e pensionit,
28000 lekë të vjetra. Edhe 22000 nga unë, i thashë. Më rrofsh dhe duart plot,
ma ktheu. Po sa na u rrit, më pyeti. 2000 lekë, ia ktheva. Ajo merrte pension
të pjesshëm nga kooperativa bujqësore dhe unë ia kisha rregulluar atje në
Gjirokastër.
Në darkë në Hekal për urim.
Na mbajtën për darkë. Vonë pas mesnate u kthyem në shtëpi. Sot do të shkojmë
për darkë tek Ylli. Në Ballsh do ta bëjnë. Para se të niseshim, Dedeja nisi të
flasë: Po ne ishim… Pleqëria e sëmundja po bën të vetën. Ajo nuk erdhi. Nuk
mund të përballojë kaq ngarkesë. Nga Ballshi ne do të nisemi për në Tiranë. Nga
dasma në dasmë. Dajë Barjami marton Altinin. Atje do të vijë.
Shtesë, shënim i veçantë: Këto
ditë nuk hodha dot asnjë rresht. Isha shumë i ngarkuar. Dasma, gëzime. Telashe.
Vrapime lart e poshtë. Mundohesh të mbarosh diçka dhe, kur të duket se gjithçka
e ke vënë në vijë, shikon se s’ke bërë asgjë. Fjalë, premtime, do ta shohim… Ke
të drejtë… të gjitha në rregull… Fjalë të mira dhe gurë në trastë, thotë
populli. Dedeja thotë: duhen luajtur
këmbët, që të bluajnë dhëmbët!
Meqë flas për Dedenë, në
dasmë u kënaq shumë. Kisha kohë pa e parë të kërcejë e këndojë ashtu si nuse e
re. Agimi e nxori fotografi në valle. Dola edhe unë me të në derën e
restorantit. Kujtime të bukura. Ika vetëm, ajo qëndroi. E mbajtën fëmijët. Ua
plotësoi dëshirën…
Mirë se erdhe!
E diel, 21.11.2004
Nga Tirana kthehem në Klos.
Dedeja po u hidhte pulave në oborr afër
shegës. Mirë se erdhe, më përshëndeti sa më pa në derë. Nga erdhe, si i le
njerëzit, Taibeja si është, nisi lumin e pyetjeve. Iu përgjigja dhe vajta e
vesha rroba të vejtra pune. Shkova tek Bregu i Lisit. Atje Mustafai po ndërton
një shtëpi të re. Dedeja u mërzit pak që u largua. Ç’t’i bësh! Kështu erdhën
kohët!
E diel, 05 shtator 2004
Dje isha në Tiranë. Lefteri
dhe Lefteria fejuan Mirelën. Isha i pamundur, megjithatë nuk mund të mos shkoja
për mbesën. Pastaj do të nderoja edhe Altinin, babanë e tij Sherifin si shokë
të vjetër që ishim. Sot u ktheva në Gjirokastër. Në Fier mora në telefon Nuron.
Duhej shkuar në Toç për të ngushëlluar xha Musanë për vdekjen e një nipi. Teze
Hatemja u gëzua shumë kur na pa, veçanërisht për Dedenë. Na bëri për të qeshur
disa herë, po kulmi arriti kur ajo tregoi refrenin “Ku vajte…”. Xha Musai që ka
mbushur 82 vjeç, shkon çdo ditë për të kullotur lopën, pesë dele dhe gomarin.
Në shtëpi kthehet hipur në gomar. Sa i afrohet shtëpisë, nis e thërret: “Ku
vajte moj…”. Tezja e ndihmon të zbresë nga gomari. Flet disa herë kështu, por
nuk merr përgjigje. Gjithmonë majë gomarit. Përpiqet të zbresë, por më kot.
Atëherë ndryshon ton: “O Beso…” Tezja rrëfen, xha Musai ngryset, ne shkrihemi
gazit. Por më bukur e imiton Fjorda, vajza e Ilmiut, që rri me këta dy pleq për
t’i ndihmuar.
E premte,
18.11.2004
Marr në telefon Klosin.
Kërkoj Dedenë. Jam mirë, më përgjigjet. Kanë filluar ngricat. I ftohtë i madh.
Sot paradite në gazetën “Shekulli” lexova shkrimin “Trashëgimia, 10 monumente e shpëtojnë harresës… NIKAIA – MALLAKASTËR”.
Si t’i them
Dedesë
Në pasditen e 20 janarit
2005 erdhi në shtëpi Elsoni, djali i Nuros. Vazhdon klasën II më Medresenë
“Hoxha Tahsin” këtu në Gjirokastër. Nesër do të iki në fshat, më tha. Kemi
pushime. Çfarë t’i them Dedesë se ka merak.
-Elson, të vish nesër para
se të ikësh. Do të të jap një pako kafe dhe një pagur mjaltë për Dedenë dhe një
për juve.
Tepelenë, 15.11.2007
Po kthehesha me furgon nga
Tirana. Nurua më ka bërë zile në celular. Nuk e kam dëgjuar. Diku nga Lushnja
pashë zilen. Bisedova me të. E pyeta për Dedenë: Si është… mirë, ma ktheu.
Është e sëmurë. Skleroza ka përparuar. Kam kohë pa shkuar për të dhe takimet në
Klos…
Në furgon është një burrë
nga Toçi i Tepelenës. Sulo Pashaj e quajnë. Na njihte të gjithëve. E pyeta për
teze Hatemen, xha Musanë, për kushërinjtë. Dua të shkoj, por nuk mundem. Këmba
e djathtë më ka krijuar probleme. Megjithatë të gjitha do të kalojnë. Duke u
ndarë, i dhashë Sulos të falat për të gjithë dhe 10000 lekë (të vjetra), jepua
nga unë, i thashë, nuk i harrojmë.