P Ë R J E T I
M E…
Siç e kemi pohuar edhe më sipër, ikja e Dedesë krijoi një boshllëk jo
vetëm për familjen, por për të gjithë të afërmit dhe ata që kishin pasur lidhje
miqësie apo shpirtërore me të…
Ajo mbeti e gjallë në kujtesën me jetën dhe veprën e saj. Gjithsekush
ka se çfarë të kujtojë prej saj dhe ato përjetime i shprehin me fjalë të
thjeshta zemre.
Kujtime për nënën
Nëna jonë ka qenë thesar
i paçmuar dhe pa fund, por u mbyll me një kapak betoni. Unë me shumë dhimbje do
të mbledh gjithë forcën e shpirtit ta hap sadopak me ndihmën e çelësit të
vëllait tonë Agron.
Ndoshta e pabesueshme,
por nënën e mbaj mend që nga mosha 5 – vjeçare. Kërkoj falje nëse gaboj, por do
ta përshkruaj si një hyjneshë mbi një
horeç vaji. Rrallë më vjen në kujtesë ndonjë fizik i tillë femre, me dy
gërsheta gështenjë të dala nga shamia, me pulpat e këmbëve si dëbora, me atë
fytyrë të bukur (që i ngjan vetëm Nuredini), më mbante afër duke më mësuar të
thurja me dy pendë pule (kjo për të më pasur afër syve, mbasi nuk dihej sa do
të vonohej duke bërë vaj). Në vazhdim po të kësaj moshe mbaj mend familjen e
madhe: gjyshen, xhaxhallarët, xhaxheshën se si punonin në harmoni, por nëna
është ajo që të lë mbresa dhe kjo periudhë për mua ka qenë përrallore, mbasi
vendi që unë mbaj mend nënën time kanë qenë stanet në Poçem. Nëse e fillova me
koreçin e vajit për t’i qëndruar korrekte kujtesës, vazhdoj ta mbaj mend duke
bërë niseshtenë, trahananë, bollgurin, të gjitha prodhimet blegtorale si
djathë, gjizë në shakull, gjalpi i shkrirë. Nëna ka punuar shumë, periudha
prill – tetor. Jetonin në stane dhe muajt e dimrit ngjiteshin në fshat. Dedeja
jonë kishte shumë qejf punën e dorës, fillonte që nga larja e leshit, krehja,
tjerrja dhe punimi qoftë me shtiza dhe me tezgjah. Ishte e pakapshme, mbasi
këto punë i kryente në errësirë me kandile. Dita kishte punë të tjera si gatimi
i bukës, gjellës, larja e rrobave me dorë, rritja e shpendëve të ndryshme:
pula, pata, rosa, gjela deti plus bulmetit, për të cilin tregonte shumë kujdes.
Shquhej për qilimat, velencat, gunat, shiltetë dhe punimet e tjera të leshit,
duke bashkëpunuar me shoqet e saj.
Prindërit e mi kanë qenë
shumë mikpritës. Çdo lloj inspektimi që vinte në fshat, gatimin do ta bënte
mamaja ime pa asnjë farë shpërblimi. Nëna jonë ka bërë 8 fëmijë, i pesti (Zaimi)
ka vdekur 2 vjeç, e kujtoj se si qante, i puthte rrobat e tij, ishte shumë e
dhimbsur për fëmijët, mundohej të mos dukej, por e tradhtonte fytyra, mbasi ajo
zverdhej. Kujtoj kur për herë të parë Hyseni shkoi në shkollë në Tiranë – ajo
qante çdo ditë, i puthte çdo rrobë që gjente. Nuk e di, por kujtimet e mia të
vogëlisë më shkaktojnë shumë dhimbje për nënën, mbasi katër fëmijët e parë u
shkëputën shpejt prej saj, që 13 vjeç, shkuam nëpër shkolla.
Dedeja jonë nuk thoshte
kurrë s’kam, por ishte dhe kërkuese. Ajo ta impononte respektin, i donte nuset
dhe dhëndurët. Këto vite i quante më të lumturat e jetës së saj.
Gatimi i nënës sime ishte
shumë specifik. Nuk di ta shpjegoj se si i realizonte arapashin, qullin me
pulë, trazaken me peta të pjekura, mesnikun me mish e peta të pjekura, yshmerin
me djathin e prerë, byrekun me gjizë – spinaq, tavën me zarzavate (tavën e
kosit), rosnicat me zogj, qullapiten me djathë e erëza, bukët e grurit të
veçanta – karavelet. Në këtë fushë për mamanë ka shumë: trajtonte ullirin në
forma të ndryshme, por maraqi ishte i veçantë, djathi thyente rekord, mbasi ajo
nuk pranonte ilaçe, vetëm mullë qëngji.
Në vitin 1976 ra tërmet i
fortë, shtëpitë tona u dëmtuan shumë. Erdhi komisioni i caktuar nga qarku i
rrethit, përcaktoi dëmet. Për riparimet erdhën 10 persona nga qendra e
mirëmbajtjes së shtëpive muze (shtëpia jonë ishte caktuar e tillë në ato vite).
Mamaja mbahej si kuzhiniere, e cila i la shumë mbresa ekipit që kontrollonte
punimet. Kuota e caktuar nga komisioni nuk e plotësoi riparimin e dëmit. Në
respekt të prindërve të mrekullueshëm që ne kishim, vazhduan punimet më tej
kundrejt vlerës prej 20 mijë lekësh që babai shtoi nga ana e vet. Kjo sasi
lekësh u dha nga katër fëmijët e mëdhenj, dy djemtë e dy vajzat. Shtëpia jonë
shkoi përsëri në vend dhe kjo e gëzoi pa masë mamanë.
Në vitin 1978 – 1981 në
fshatin tonë erdhi ekipi i arkeologëve për zbulime në Bylys. Mamaja shkon
përsëri kuzhiniere bashkë me një vajzë nga fshati, Donikën. Përgjegjës i grupit
të arkeologëve ishte Neritan Ceka. Fjalë të mira e lavdërime për Dedenë.
Dedeja karakterizohej nga
shumë virtyte të çmuara, mbasi ajo rridhte nga një familje e shëndoshë
patriotike, e arsimuar dhe e emancipuar. I ati i saj e kishte futur në grupin e
vajzave që bënin kursin e shkollës dhe punë dore për partizanët.
Në vitin 1991 babai
vdes. Mamaja u rëndua shumë. Kohët ishin të vështira, por ajo nuk e donte
emigracionin. Të tre vëllezërit e fundit shkuan në Greqi. Vëllanë e vogël,
Mustafanë, babai e la pa martuar, njëkohësisht këtij nuk i eci as në Greqi,
mbasi nuk ushtronte ndonjë zanat. Më 1994 Mustafai martohet dhe përsëri
detyrohet të marrë rrugët e Greqisë. Dedeja jonë kishte sedër të fortë, por
mosha ishte delikate për të përballuar punët e fshatit bashkë me nusen. Këtu
është zanafilla e kapakut prej betoni që përmenda në fillim. Me sedrën që
kishte e dënoi veten; çdo shqetësim e bluante përbrenda dhe kështu kaloi në
sëmundjen e sklerozës. Të shumta janë fjalët e bijës për nënën, se të shumta e
pashlyeshme janë përkujdesjet e nënës për fëmijët e saj…
Lefteri Temo (Çalaj) Canaj
Për motrën e madhe
Lavdijen e
kisha motrën e madhe dhe ajo kështu thoshte për mua, o vëlla i madh. Këto
shprehje buronin nga thellësia e zemrave tona. Në fëmijëri e më vonë duheshim
shumë, kemi qëndruar afër njeri – tjetrit, pavarësisht se kemi qenë larg nga
vendbanimi.
Me Lavdijen
na ka lidhur jo vetëm vëllazëria, por dashuria reciproke, sinqeriteti e çiltërsia,
mendimi i pjekur, mençuria e saj u jepte zgjidhjen e duhur të gjitha problemeve
që kishte jeta në zhvillim në atë periudhë kohore.
Ajo nuk mundi të bëjë
shkollë, por gjykonte e arsyetonte sikur kishte mbaruar disa fakultete. Nuk
kishte bërë program të plotë të ndonjë shkolle, por kishte zgjuarsinë e
zotëronte njohuri për shumë degë nga jeta e përditshme dhe krijonte besim të
madh për çdo bisedë tek kolektivi që e rrethonte. Plot cilësi të mira kishte
motra ime, por unë do të ndalem tek dy prej tyre.
Së pari, zotësia e saj për
t’i bërë ballë jetës në kushte të vështira. Lindi, rriti e shkolloi shtatë
fëmijë. Të gjithëve u dha arsim të mesëm e të lartë dhe ka ndjekur me shumë
kujdes përparimin e tyre në shkollat ku vazhdonin, duke shkuar vetë e takuar
kujdestarë e pedagogë për të parë mbarëvajtjen e tyre. Porosia e saj ishte:
mësoni për vehte, t’i dilni zot punës, sepse kështu nderoni vehten dhe gjithë
ata që na rrethojnë.
Lavdija ishte punëtore e
madhe, dallohej për respekt të veçantë dhe ruante e zbatonte zakonet e mira që
kishte në atë kohë në Mallakastër. Ka punuar në bujqësi, ka organizuar punët
për shumë kohë në familjen Çalaj, ka qenë shembëll për dashurinë e harmoninë në
familje. Lavdija ka ndjekur me shqetësim dhe ecurinë e jetës së prindërve,
motrave e vëllezërve në Çorrush; merrte pjesë në diskutimet për fejesat e
martesat e vëllezërve e motrave të saj, që ishin më të vegjël në moshë dhe
vinte në Çorrush e diskutonte për lidhjen e miqësive e, më konkretisht, kur u
lidh miqësia në Toç, në Hekal, në Çorrush dhe për nipërit e mbesat e saj. Mendimet
e saj në këto raste merreshin në konsideratë.
Drita që ka dhënë Lavdija
për fëmijët, nipër, mbesa, vëllezër e motra nuk do të shuhet kurrë, por do të
forcohet në kujtesën e tyre.
Shkurt
2012
Barjam Maliq Seranaj
Lavdijen e kemi
patur shembëll…
KUNATË TË MADHE E KISHA, POR SI MOTËR E DOJA!
Kur u martova me Baçon në
shtator 1950 në Klos, vëllanë e dytë, Lavdija që ishte martuar me Temon kishte
katër vjet ardhur në këtë shtëpi. Këtu jetonin 3 vëllezër bashkë dhe punët i
kryenin po bashkërisht, por edhe më vete. Ato i drejtonte nëna e tyre, Kanushja
dhe Temua. Baçua merrej më tepër me punët e bujqësisë, ndërsa vëllai i madh me
blegtori. Kishin kope me dhen. Lavdija, unë e më vonë Zybejdeja më tepër
punonim në punët e shtëpisë, por dilnim edhe në bujqësi. Në tërë këto punë
Lavdijen e kemi patur pranë, na ka mësuar gjithmonë dhe e kemi dashur njëra –
tjetrën. Në shumë raste, kur vinin miq apo shokë në shtëpinë tonë, ajo më
mësonte si duhen pritur e kënaqur ata. Se kishte nam për mikpritje ajo shtëpi.
Lavdija ishte pa shkollë, por i kishte lezet fjala. Edhe buka që përgatiste i
kishte shije. Një vit më e madhe nga unë ishte. Ajo e tridhjetës, unë e
tridhjetë e njëshit, por unë e dëgjoja sikur të qe nëna ime, se ishte e mençme,
e urtë e punëtore. Kur ndodhte që Temua apo Baçua nuk ishin të kënaqur me punën
tonë, ajo thoshte: do të tregohemi të urta e do të mendojmë si t’i bëjmë më
mirë punët…
Edhe kur u ndamë në tre
familje, Lavdija ruajti atë qëndrim; po ajo dashuri, po ato këshilla e porosi
si më parë. Gjithmonë vinim tek njëra – tjetra e bisedonim si motra për halle e
probleme të jetës. Më shumë se 60 vjet e kam pasur shembull si kunatë e motër.
Kështu do ta ruaj kujtimin e saj deri sa të jem.
Klos, më 10.11.2011
Zyrako Çalaj
Ruaj kujtimet
më të mira për Dedenë
U martova me djalin e
madh të Dedesë, Hysenin, në vitin 1975. Po mbush 40 vjet që në këtë familje unë
të ndiej e të përjetoj kënaqësinë e atyre fjalëve të zgjuara, të urta e të
ëmbla të vjehrrës sime, nënë Dedesë.
Në Klos
vinim shpesh me Hysenin, edhe pse rrugët kanë qenë jo të mira. Në çdo rast ajo
na ka pritur me shumë mall, më ka pyetur për prindërit mi, për vëllezërit, motrën, bile edhe për
ndonjë nga komshinjtë që ajo njihte nga ardhjet në Tiranë. Sa herë që vinim në
Klos, ajo na priste me shumë kënaqësi dhe bënte tepër për ne.
Kur vinim në Klos
Në çdo rast ajo gjente
frutin apo ëmbëlsirën, përdorte shumë mirë saçin me dru dhe çdo gatim që bënte,
kishte shije të veçantë. Ato që dua të them unë për Dedenë e dashur në mënyrë
të përmbledhur janë:
·
Dinte të priste e të përcillte sipas zakoneve më
të mira të popullit tonë. Në çdo rast, sidomos për Vit të Ri, na siguronte
gjelin e detit që e rriste vetë, edhe pse kishte plot punë të tjera për të
bërë.
·
Ishte e zonja e punës brenda e jashtë shtëpisë.
Me një kopsht të vogël afër shtëpisë ajo bënte perime e zarzavate, kishte pula
e plot vezë. Edhe në punët e kooperativës merrte më shumë se dita e punës,
pavarësisht se pensionin e kishte të pjesshëm për shkak të viteve të punës.
·
Ishte e zonja në mirërritjen, miredukimin,
mirëshkollimin e shtatë fëmijëve të saj e më gjerë.
·
Ishte shembull për të bërë nderet e hatëret në
miqësi, në fshat e kudo. Ajo na kujtonte
edhe ne, bashkë me të shkonim në fshat tek xhaxhallarët, kushërinjtë etj. për
sebepe të ndryshme. Me cilësitë e saj ajo na kishte imponuar respekt e dashuri.
Ishte ky fakt që unë me dëshirë vendosa të bëj rrugën 4 orë e më tepër në këmbë
më 2 janar 1976 për në Çorrush e në Shkallën e Poçemit. Hyseni na nxori në
fotografi. Në Tiranë fotografi kemi plot edhe me Dedenë, por kjo më zgjon plot
kujtime me Dedenë. Më shpalos zgjuarsinë, aforizmat e saj, vështirësitë e plot
të tjera.
Si përfundim, mund të them
se nga Dedeja kishe shumë për të mësuar dhe mësuam. Agronin e përgëzoj për këtë
punë dhe uroj që ato cilësi që kishte Dedeja të mishërohen tek nuset e djemve
në Çalaj e më gjerë, në nipër e mbesa të saj.
Lavdi kujtimit të saj!
Natash
Ali (Xhafa) Çalaj
Tiranë, më
10.11.2011
Lavdijen e kemi
dëgjuar si nënën tonë
Unë jam më i vogli i
vëllezërve të Temos. Babai na la të vegjël dhe nëna na vdiq shpejt. Temua e
Lavdija morën rolin e tyre. Kohët që kemi kaluar kanë qenë të vështira në çdo
drejtim. Lavdija ndikoi e kontribuoi në mirërritjen tonë. Ajo na mësonte se si
të mirësilleshim, të bënim nderet sipas zakonit, të punonim për të mbajtur
shtëpinë e miqësinë. Mbaj mend para 30 vjetëve se si na kujtonte e këshillonte
për punët që i duheshin shtëpisë, se si duhen dëgjuar fjalët e më të mëdhenjve.
Lavdija ishte edhe kuzhiniere e mirë. Ajo dinte të na kënaqte me gatimet që
bënte, pavarësisht se ne bëheshim shumë, sidomos kur u martuam dhe nuk ishim
ndarë akoma. Trahana na bënte në mëngjes, sidomos në dimër, por kishte shije të
veçantë, se edhe trahananë ajo e bënte vetë. Përshesh me dhallë e me ndonjë
kokërr ulli na jepte ndonjëherë për drekë apo për darkë, por unë i shijoja shumë.
Shije i kishte çdo gjë që gatuante me saç apo byrekët e supëzat e ndryshme që
ajo kurrë nuk kish përtuar për mua apo pjesëtarë të tjerë të familjes. Nuk
harroj porositë e saj: te Ai duhet vajtur se ka qenë sëmurë, ka fejuar djalin
apo vajzën, i ka ardhur djali nga ushtria etj. etj. Nuk donte të lije asnjë
boshllëk në këto ndere e hatëre. Edhe kur u ndamë si vëllezër, ajo e bëri shumë
mirë rolin e nënës sonë Kanushes. Nga ushtria kthehej nipi i gruas sime apo
fejohej. Lavdija do të interesohej se duhej bërë hatëri bashkërisht. Kam plot
raste që tregojnë se Lavdija ishte një nënë e rrallë dhe gjithmonë e kemi
kujtuar e do ta kujtojmë me respekt të thellë. Falënderim të veçantë kam për
nipin tim, Agronin, që me thjeshtësi ka hedhur në këtë libër disa nga cilësitë
e mira të Lavdijes. Ato do të shërbejnë edhe për nipër e mbesa, për fëmijët e
nuset, për këdo…
Zenel Metkë Çalaj
Klos, më
05.11.2011
Tezja jonë e
shenjtë
Ne, tre vëllezër, nipërit e
Dedesë që punojmë e jetojmë prej vitesh në Greqi me fjalë zemre shprehemi: Fjala e saj e urtë, e ëmbël, e mençme është
ngulitur thellë në mendjen e shpirtin tonë, duke na ndihmuar fort edhe këtu në
emigracion larg vendit tonë. I përjetshëm kujtimi i saj!
Rroftë kushëriri i parë për këtë monografi për tezen tonë të shenjtë!
Ilmi, Xhevdet, Besnik Musa Kapaj
nga Toçi i Tepelenës
Athinë,
10.12.2011
Për xhaxheshën Dede nga
Italia ku kam vite familjarisht (me Mbarimen, Lanin, Renaton e Ritën) në
emigracion ju them vetëm kaq: Ishte e rrallë… Kam mësuar shumë…
Romë, më
10.11.2011
Batjar Zenel Çalaj
Hallë tepër e
mirë e shembëllore
Kushdo mund të hidhte poshtë kërkesat e mia, mund të
kthente krahët e të më linte vetëm me dëshirat e mia fëminore, sidomos në një
moshë të re. Po hallë Lavdia nuk e bënte kurrë këtë. Asgjë nuk ishte e pamundur
me të: as përkushtimi për gatime të shijshme, as një mori fjalësh të ngrohta e
përkëdhelëse, as një buzëqeshje që nuk perëndon kurrë.
Kjo ishte, pra, halla ime e ndjerë, një grua e palodhur,
dashuria e pamasë e së cilës i dorëzohej pa kushte secilit prej nesh. Një grua
punëtore, e aftë për të shuar çdo konflikt me butësi e zgjuarsi, një grua e
përkushtuar ndaj familjes së saj të madhe, një grua shembëll për ne të gjithë,
por, mbi të gjitha, një grua, një motër, një nënë e një hallë që çdokush do të
donte ta kishte pranë.
Nuk kanë qenë të paktë njerëzit që e njihnin, sepse ajo
si një grua e zonja që ishte, kishte krijuar një rreth të gjerë familjar e
shoqëror. Edhe pse të shumtë në numër, të gjithë ata që e kanë njohur pohojnë
se sa e rrallë e mbresëlënëse ishte hallë Lavdia. Dikur të lumtur se prej saj
mund të përfitonin këshilla të vlefshme e humor të këndshëm, sot të lumtur se
pjesë e jetës së tyre ishte një njeri kaq i veçantë sa ajo.
Gëzoheshim shumë kur Halla vinte në shtëpinë tonë,
dashuria e saj lexohej te të gjithë ne. Gëzohej gjyshja ime, prindërit e mi, ne
nipërit dhe mbesat e saj, gjithë lagjja Agaraj gëzohej kur kishte pranë bija të
tilla. Megjithëse rallë, për shkak të largësisë, unë kam shkuar disa herë në
Klos, kur kam qenë fëmijë dhe më kujtohet kur na mblidhte halla për të
shtrydhur hojet e bletëve dhe të shijonim mjaltin më të mirë. Më kujtohet edhe
kur më merrte me vete në vizitat e miqve tanë në Klos e kënaqej kur më
prezantonte si nipin e saj. Ndonjëherë ne si fëmijë edhe e lodhnim. Gëzonim që
në Klos kishte disa çezma publike të ujit dhe luanin duke lagur njëri – tjetrin
me ujë me presion. Halla detyrohej të kujdesej për rrobat e lagura dhe të na e
ndërronte lojën, duke na sjellë në sheshin e shkollës, me ëmbëlsinë e saj të
veçantë, ndonjë kofshë zogu me kulaç saçi apo ndonjë fetë byreku me dhallë.
I detyrohem shumë hallës sime për çastet që kemi kaluar
bashkë. Edhe pse nuk takoheshim shpesh për shkak të rrethanave, ajo mbetej po e
njëjta, e mirësjellë, e buzëqeshur e gojëmjaltë. Tani e kujtoj me mall e
respekt dhe përmes këtyre rreshtave mundohem të shpreh sadopak se sa e
rëndësishme ka qenë për mua dhe për të gjithë ne e dashura Hallë Lavdia.
Agim Barjam Seranaj
Edlira
Hamza Seranaj
Mars 2013
Në çdo rast që
do vinim në Klos,
do takonim
Lavdijen e Temos
Sot jam 68 vjeç. Banoj në
Hekal që është fshat i madh e kufitar me Klosin. Në vitet 1960 – ’80 kam punuar
elektricist i zonës, anëtar i këshillit të fshatrave të bashkuar Hekal – Klos –
Romës – Mollas e më vonë kryetar i këshillit të bashkuar të këtyre fshatrave.
Puna e binte që të vinim në Klos për mbledhje e probleme të ndryshme. Në Klos
shkonim me ekipe çdo 5 Maj apo festa të tjera kombëtare 28 e 29 nëntor, 4
shkurt etj. Më kujtohen shumë raste që bisedonim me njeri – tjetrin, me Luftar
Jasharin, ish kryetar i kooperativës, me vëllezërit e mi Hajri, Razmi e Ferik
Hametaj se Lavdija e Temo Metkës në Klos i ka shoqet të rralla, si ajo janë të pakta
gratë. Gjithmonë na ka nderuar me fjalën e saj të mençme, me atë gotën e
dhallës të veçantë nga shija, me ato fruta që ajo në çdo kohë i ruante për një
rast mikpritjeje. Në këtë shtëpi, me
këmbënguljen e xha Temos, ne kemi ngrënë drekë dhe e kemi shijuar atë në
maksimum. Saçi që përdorte, por edhe praktika e një nëne të zgjuar i jepte
lezet e kënaqësi çdo gatimi. Për këto cilësi asaj i kishte dalë nami: Lavdija e
Temos në Klos është e rrallë. Me këtë rast shpreh kënaqësinë që djali i saj,
(ajo përgjërohej jo vetëm për fëmijët e saj, por për gjithë të tjerët) ka
evidentuar cilësitë e saj për të mbetur shemull.
Lavdi emrit e cilësive të
saj! I paharruar kujtimi!
Asllan Filo Hametaj
Ballsh, më
11.11.2011
Vetëm fjalë
zemre e shpirti
për gjyshe
Dedenë
Gjyshja jonë flori
me virtyte e cilësi.
Dy vjet që Dedeja jonë e
shtrenjtë nuk jeton fizikisht, por ajo do të jetojë në shpirtin e në zemrën
time dhe të fëmijëve të mi, Mateos e Irisit sa të jetojmë dhe ne. Kam 8 vjet që
jetoj në Majami të SHBA – së me bashkëshortin tim Altinin dhe dy fëmijët, por
gjithmonë e kam kujtuar Dedenë për dashurinë që ajo shprehte, për këshillat që
na jepte, për kujdesin e dhembshurinë që tregonte. Kur isha e vogël, më vonë si
nxënëse e studente, në punë si inxhiniere elektronike në AMC dhe tani në SHBA
gjyshe Dedenë e kam pasur në zemër, në shpirt. Më ka pasur ajo, së pari, e
është ngulitur tek unë, është bërë e shenjtë për mua e për fëmijët e mi.
Dajë Agroni na jep
mundësinë të shprehemi me shkrim për gjyshen tonë të shtrenjtë, por unë mund të
them se sado të shkruaj për të si mbesa më e madhe nga fëmijët e saj, nuk mund
t’i shpreh dot të gjitha ato porosi, këshilla, mençuri e ngrohtësi që ajo
kishte për mua e për gjithë mbesat e nipërit e tjerë. Ajo që dua të nënvizoj
është se cilësitë e saj do t’i mishërojmë e mbajmë gjallë, se gjyshen do ta
kujtojmë gjithmonë e do t’i ngjajmë asaj. Për të do të flasim përherë me fjalë
zemre e shpirti…
Irena Lefter (Canaj) Basha
Majami
SHBA, dhjetor 2011
Vjehrrë model
Kujtimet
që na ka lënë
Na
ndritin si një pasqyrë,
Ajo ish
si nëna jonë.
Ne tre nuset e djemve
Nuredin, Teki e Mustafa të Dedesë, që banojmë në Klos, jetuam bashkë e më shumë
me vjehrrën tonë. Jetesa bashkë e afër, kur u ndamë, na krijoi mundësinë që nga
vjehhra jonë, që edhe ne i flisnim Dede, të mësonim, të këshilloheshim e të
ndihmoheshim më tepër. Punët në fshat gjithmonë kanë qenë të vështira, por që
duheshin bërë tërësisht e në kohë, pavarësisht se të ardhurat ishin të pakta.
Në tërë punët e shtëpisë, bujqësisë e blegtorisë, hatëre, ndere etj. vjehrra
jonë, Dedeja, ka qenë model, shembullore. Ajo ishte grua e mençur. Dinte të na
orientonte, të na ndihmonte konkretisht për rritjen e fëmijëve, për punët e
shtëpisë, për pritjen e mikut, për hatëret që duheshin bërë në fshat e jashtë
tij. Për shumë vite që jetuam me Dedenë, ajo na qëndronte pranë si nëna jonë,
na donte si dy vajzat e saj. Edhe ne e donim po ashtu.
Ja çfarë kemi mësuar nga
Dedeja:
·
Të duam njëra – tjetrën, të mos kemi mëri e të
merremi me llafe
·
Të bëhemi punëtore e të përballojmë gjithçka me
guxim
·
Të jemi nikoqire e të nderojmë miqtë e shtëpisë
·
Të ruajmë vlerat e arritura e t’i ngremë më lart
ato.
Me këtë rast shprehemi edhe
një herë se ato vlera të Dedesë e mësimet e saj do t’i ruajmë e do t’ua
transmetojmë bijve e nipërve tanë.
Adelina Ibrahim (Cumani) Çalaj
Lindita Muhamet (Shabani) Çalaj
Valentina Rustem (Merkaj) Çalaj
Janar 2012
Kënaqësi ta
kishe Lavdijen fqinje
Në Klos kam pasur fatin ta
kem shtëpinë afër me Lavdijen, Dedenë, kështu i thosha edhe unë. Hyrjet e
shtëpive tona janë më afër se me të tjerat e fshatit tonë. Jeta me komshi apo
fqinjësi, si i themi ne këtu, më ka lënë mbresa shumë të mira me Dedenë, të
cilat i kujtoj me shumë mall e respekt. Për shumë vite me këtë grua të mirë
pranë ndjeva kënaqësi jo vetëm unë, por e gjithë familja ime. Ishte kënaqësi të
bisedoje me Lavdijen, e cila ma dashuri, me urtësi e me fjalën e saj të ëmbël
na lehtësonte për ndonjë problem apo halle të kohës. Gjatë viteve marrëdhëniet
tona kanë qenë të shkëlqyera. Si hyrjet më të afërta me njëra – tjetrën, puna e
binte që te njëra – tjetra të shkonim edhe për ndonjë mangësi që delte nga
kuzhina. Ndodhte që papritur të të vinte ndokush, të mos kishe kafe, sheqer,
oriz a diçka tjetër të të nevojitej atë çast në ato kohë të vështira. Dedeja të
gjendej. Nuk mbaj mend ndonjë herë që Dedeja të mos ma kishte zgjidhur hallin.
Edhe gramin e fundit po të kishte do të ma jepte, duke lënë veten. Ajo ishte e
dashur me të gjithë, veçanërisht me fëmijët. Nuk mbaj mend ndonjëherë të jetë
mërzitur me ta e çapkënllëqet e tyre. Shpesh ka ndodhur që pulat e detit e të
fushës të jenë gdhirë në shtëpinë e saj e anasjelltas. Mund të kenë bërë edhe
dëme nëpër të mbjellat, por asnjëherë nuk jemi mërzitur a grindur.
Si përfundim, mund të them
se nuk ka kënaqësi më të madhe se të kesh një fqinj të mirë. Kur je derë e krah
më krah, bëhet mur, bëhet kala.
Bejlere Veizaj. Merushe Harizaj
Klos,
dhjetor 2011
Respekt të
veçantë për Dedenë
Me vëllanë Përparimin e
motrën Linditën i shprehim dëshirën Agronit të shkruajmë pak për Dedenë, për
këtë nënë të mirë që të impononte ta respektoje. Ajo erdhi disa herë në
Gjirokastër te djali i saj dhe në të gjitha këto raste do të vinte të na takojë
dhe asnjëherë duarbosh, veçanërisht nga prodhimet e fshatit si ullinj, shegë,
ftonj apo revani që ajo e bënte vetë. Dedeja e kishte bërë normë këtë gjë dhe
ne bënim kujdes që kur venin në fshat Agroni me Nexhmijen apo vetëm, do t’i
dërgonim ndonjë pako kafe, karamele, lekë etj. dhe, kur filloi filloi ekonomia
e tregut me paketime e
bollëk, dërgonim ndonjë gjë të veçantë. Nuk e shpëton njeriun kjo që çon, shprehej Dedeja, por është respekti, kujdesi ndaj tjetrit.
Ajo që ka rëndësi të
kuptoje prej saj nuk ishte thjesht respekti e kujdesi që tregonte për njerëzit,
por gjykimi i saj në biseda, ndonjë këshillë që jepte për shoqëritë, punët etj.
Fjala e saj ngjiste, zinte vend. Me nënën tonë, Taibenë, duheshin shumë dhe u
prek për vdekjen e parakohshme të saj. Në ditën e varrimit më 16 shkurt 2005 ra
borë e madhe dhe rrugët u rrezikuan, por ajo erdhi në Gjirokastër, edhe pse
ngulmuam që të mos lëvizte. Fjala që iu dërgua ishte si një urdhër: “Mos lëviz
se janë bllokuar rrugët!” Po ajo si përherë, vendimet i merrte dhe asgjë nuk e
kthente nga ajo që kishte vendosur, pasi e gjykonte të drejtë.
Nga Dedeja dhe kujtimi i
saj ke shumë se çfarë të mësosh. Le të jetë puna dhe shembulli i saj një
përvojë për të gjithë ne.
Përparim, Vladimir Cacaj, Lindita Çelo.
Gjirokastër,
05.11.2011
Nëna e Agronit
të bënte për vete
Me nënën e Agronit jam
takuar e njohur për herë të parë kur u bë fejesa e Agronit me Nexhmijen, mbesën
e burrit tim më 24 shtator 1978. Nga njerëzit e Agronit ishin nënë Lavdija,
daja i tij Barjami, xhaxhai Baçua, motra e tij Lefteria dhe vëllai i madh
Hyseni. Nga ne të Nexhmijes ishim unë, Skënderi, Taibeja,
Përparimi, Vladimiri, Hysnia, Lindita, Asllani, Yzeiri, Hajriu, Estrefi,
Sabriu, Shemja, Barija etj. Kishim organizuar darkë se miqësia ishte bërë larg
nga krahina e Mallakastrës, pavarësisht se Agroni punonte në Gjirokastër. Mbaj
mend që nëna e Agronit ishte bashkë me të vëllanë e kunatin. “Miqësi e pandarë!”, tha ajo dhe biseda
rrodhi lirshëm. Nga sa ishim atje, ajo ishte më e moshuara. Nuk ishte mosha,
por diçka tjetër që të bënte për vete. Fjalët e matura e me “avash”, ndërhyrjet
me mend në biseda apo ndonjë fjalë e urtë që përdorte, të jepte shpejt të
kuptoje se kishe të bëje me një grua të mençur e të zonjën. E kam takuar disa
herë nënë Lavdijen, kam vajtur në Klos, në fshatin ku ajo banonte, në
Gjirokastër ku lindi Adriatiku etj. dhe ruaj kujtime të mira prej saj. Kishte
bisedë të këndshme. Rroftë djali që ka shkruar për të! Unë sot jam 77 vjeç e
nuk i bëj dot të gjitha hatëret, por do t’i çoja një lule te varri i saj në
fshat. Me Shemen, Estrefin e Sabriun, xhaxhallarët e Nexhit, hodhëm këto
mendime dhe e dimë se nuk i kemi thënë të tëra, se Dedeja ishte e veçantë.
Lavdi e respekt jeta e saj, përvojë e mësim për të rinjtë!
Sose Mystehak Cacaj
Zhapokikë,
Tepelenë, 02.11.2011
Ta përjetosh
ndryshe…
E premte, 25.11.2011
Sot Adjoni mbush 43 muaj
ose 3 vjeç e 7 muaj. Ai është vogëlush i shkathët, i lezetshëm, i këndshëm…
Edhe në kopsht Adjonin e duan tepër moshatarët, vajza apo djem qofshin. E duan
shumë edhe edukatoret, që bëjnë përkujdesje të veçantë për të gjithë fëmijët e
meritojnë respekt e falënderime nga prindërit, por veçanërisht nga gjyshërit…
Gjatë këtij viti që po
merrem me monografinë, ku herë pas here më është dashur të lexoj, të shkruaj,
të meditoj, të seleksionoj fotografi, të flas në telefon me dajat, tezen,
Hysenin, Lefterinë, Adelinën apo me fshatin: Nuron, Tekinë, Mustafanë etj.
Adjoni më është ndodhur pranë. Ka ndodhur që edhe më ka ngatërruar e mërzitur.
Më ka marrë letrat, të shkruaj dhe unë. Jemi ulur pranë njeri – tjetrit me
letrën përpara. Unë me timen dhe ai me zhgarravinat e veta. Është e vështirë
t’i thuash pusho, mos pyet, mos ngacmo, mos m’i ngatërro etj. Fjala “mos” nuk
mund të përdoret me fëmijët, aq më tepër në rastin e tij. Edhe pse kaq i vogël,
pyetjet i bën tamam: Gjyshi… Nëna jote… dhe më sjell fotografitë ku ka dalë
Dedeja. Gjyshi, ja gjyshja e babait tim dhe tregon me gishtin e vogël
fotografitë e vendosura te biblioteka dhe në mur të shtëpisë.
Në mjaft raste Adjoni e
bashkë me të edhe Skerdi e Dea e vogël, dy fëmijë bukuroshë të Ladit e të
Almës, me gisht më kanë treguar edhe fletët që kam shkruar për nënë Dedenë.
Kisha dëgjuar që fëmijët sot lindin të zgjuar, por tani po bindem me nipin tim,
Adjon Adriatik Çalaj, që Nënë Dedenë, gjyshen e babait të tij po e përjeton pa
e parë e jetuar fizikisht, por vetëm me fjalët që po dëgjon nga gjyshja e
mamaja e tij. Me siguri Adjoni do ta përjetojë më shumë kur të rritet e të
lexojë këto radhë dhe patjetër do të bëhet ashtu si e kishte dëshirën Nënë Dedeja,
që në ditëlindjet e fëmijëve (ajo kishte merak dhe donte t’i mësonte emrat e të
gjithë fëmjëve, jo vetëm të nipërve e të mbesave, por edhe të stërnipërve e
stërmbesave) gjithmonë kishte urimin emblematik:
Fëmija
me shëndet, edukatë, kulturë e arsim – pasuria më e madhe!
Kështu u shpreh ajo edhe
për Adjonin më 25 prill 2008. Këtë urim do të kishte dëshirë ajo të bëhej për
të gjithë të tjerët brez pas brezi. Detyrë mbetet që këtë urim e dëshirë të saj
ta mbajmë të freskët e ta zbatojmë më së miri.
Gjyshja ishte
shumë e dashur;
Fjalëpak,
gojëëmbël, mikpritëse…
Më donte dhe e doja shumë
Më kujtohet shumë mirë kur
ishim të vegjël dhe shkonim të gjithë, nipër e mbesa, e mblidheshim në fshat te
Dedeja. E doja shumë, por edhe ajo më donte shumë. Shkoja shpesh në Klos dhe me
kënaqësinë më të madhe. I rrija para mbrapa edhe për ta ndihmuar, por edhe se e
kisha porosi nga mamaja. Ajo transmetonte vetëm mirësi dhe, veç shumë gjërave
të tjera, ishte bujare e shumë mikpritëse. Kur shkonim në fshat, pa hyrë mirë
në derë, Dedeja e kishte shtruar tavolinën dhe këtë e bënte jo vetëm për ne,
por për të gjithë që i shkonin atje. Ishte shumë e veçantë. Nuk e bën kushdo
këtë edhe në këtë kohë sot. Unë me vëllanë tim, Erjonin, rrinim tërë beharin në
Klos. Valin, nusen e dajë Mustafait, e ndihmoja në punët e shtëpisë. Isha
rritur me gjyshe në shtëpi dhe mami më kishte futur që të vogël për të bërë
punë. Çdo ditë, pasi kisha mbaruar punët e shtëpisë brenda dhe i kisha dhënë
një fshesë edhe avllisë, Dedeja ma shtronte tavolinën për të ngrënë. Unë
mbaroja për pesë minuta. Më thoshte: “Siç ke punën, ha edhe bukën, t’u bëftë
Dedeja ty!” Sa më kënaqnin fjalët e saj, vetëm fjalë të mira e të thëna me
shpirt.
Më pëlqente shumë jeta në
fshat. Që ditën e parë që shkonim, niseshim me vrap për nga Bregu i Lisit dhe
ruanim lopët. Unë futesha dhe në punë të tjera. Me sa mbaj mend, mbillja misër,
fasule, mblidhja patate, ullinj etj. punë të kësaj natyre, por që i bëja me
qejf të madh e me dëshirën për ta ndihmuar Dedenë sa më shumë. Kënaqesha kur të
dyja me Dedenë dilnim tek lapidari dhe “hidhnim grurin në veri” për ta
pastruar.
Nuk i harroj gatimet e
shijshme të saj si petullat, paparen dranë, pispilin, zogun e pjekur në saç e
shumë e shumë të tjera. Të gjitha i gatuante aty prapa shtëpisë, ndizte një
zjarr dhe unë rrija e shikoja. Kujtimi më i bukur: dybeku i Dedesë. Të pije
dhallë nga dybeku i saj, nuk do të doje kurrësesi diçka tjetër.
Në vitin 1999 ne blemë
shtëpi në Tiranë dhe unë vazhdova studimet për inxhinieri ndërtimi. E vuajtëm
shumë këtë largim, por sidomos mami. Kushedi sa herë e gjeja me sy të përlotur
dhe e pyesja ç’kishte. “Eh, ç’të kem, ja Dedeja, kaloi java e unë s’vajta dot!”
– më përgjigjej. Kur ishim në Ballsh, shkonim çdo fundjave, ndërsa në Tiranë
një herë në dy ose tri javë, më shumë nuk rezistonte dot mami. Eh, si bijat,
atje në Klos e kishte kokën. Që kur fillova punë për herë të parë e deri ditën
që ajo u nda nga ne, sa herë që shkoja vetë ose me mamin, i dërgoja kafe e
ndonjë 5 apo 10 mijëshe. E kisha bërë zakon dhe, kur ia jepja, i puthja duart…
Ishte e mrekullueshme dhe e pazevendësueshme Dedeja jonë.
Kujtimet për Dedenë janë pa
fund të ngulitura thellë në trurin e shpirtin tim. Unë disa grimca hodha në
letër, veçse tërë jetën do të punoj që porositë e vlerat e saj të mbeten e
kujtohen në familjen time me burrin Ernestin, djalin Etjen, që më 23 janar
mbush 4 vjeç, përgjithmonë.
P.S: Falënderoj dajën tim, Agronin, që na jep mundësinë të kemi një
kujtim kaq të bukur.
Nga mbesa
Tiranë, 22 djetor
2011 Marjola
Përparim (Zeneli) Pepaj
Nëna!
Me qindra e mijëra njerëz kanë shkruar e
folur për të. E kanë simbolizuar me shpresën, dashurinë, dhembshurinë, ndjenjën
e pastër e një mori emrash të tjerë. Dhe unë, jo pa shkak, zgjodha një temë të
tillë.
Vetëm të përmendurit e kësaj fjale më kujton
sakrificën e saj për të më sjellë në botë.
Ato çaste, kur isha kërthi e vetëm, ajo
tregohej e gatshme në orët e vona të natës për të më qetësuar. Është ajo që më
mësoi fjalët dhe hapat e para. Në çdo çast timin ishe ti e para që më ledhatoje
me dorën tënde të ngrohtë. Askush si ti s’ma bën qortimin dhe askush me fjalë
të ëmbla s’ma dhuron këshillimin. Si në një pasqyrë pashë tek ti flakët e
kohës, të cilat i mbron në vetvete dhe nuk djegin njeri. Por, tek meditoja për
ty, nënë, diçka më ther fort në shpirt. Një mendim i trishtuar më përshkoi
gjithë trupin. Një pyetje në veten time më bëri të të dua më shumë.
Po ata që s’kanë belbëzuar kurrë fjalën nënë?! Apo ata që s’kanë ndjerë
forcën e dashurisë tënde?! Tashmë e
kuptova më shumë se kurrë vlerën tënde. Duke të pasur ty pranë, gjithçka më
duket pranverë dhe prania jote ma shton dëshirën për të jetuar me gjithë forcën
e shpirtit. E di se çdo thinjë dhe rrudhë është një hap largimi nga unë, por
është ajo zemra ime që në çdo rrahje thotë nënë. Prandaj e shtrenjta nëna ime,
vendosa të mbaj gjallë në zemër shembullin tënd. Të eci në rrugën tënde që emri
“Nënë” t’i rezistojë furtunave e sulmeve të ndryshme.
Për këtë e skalita në zemër, që njerëzimi të ndiejë dashuri e respekt
për njeriun që sakrifikon për njeriun. Për dëlirësinë e të gjitha kohërave,
Nënën!
Marjola Pepa
Nënë e sakrificës…
Po shkruaj disa kujtime të jetës me nënën time. Dora s’më bën të hedh
kujtime të këqija për ty, nënë e dashur, por gjithmonë të bukura. Ti ke qenë
një nënë e sakrificës, një nënë rregullatore në familje, shoqëri e kudo. Nënë
pa llafe, por me shumë punë.
Kur mbarova shkollën 8 – vjeçare, babai s’kishte mundësinë që të vazhdoja
më tej shkollën. Më thoshte se duhej ndihmuar Lavdija në shtëpi, por Dedeja
(siç e thërrisnim ne dhe të gjithë) u shqetësua shumë dhe bëri të pamundurën
bashkë me vëllanë e madh, Hysenin, që të vazhdoja shkollën. Hyseni u mundua
shumë dhe më rregulloi në një shkollë 2 – vjeçare elektrike në Tiranë. Nuk e
harroj kurrë datën 17 nëntor 1972, kur erdhi Hyseni për të më marrë e çuar në
shkollë. Babait përsëri nuk ia kishte qejfi, ndërsa Dedeja këmbënguli dhe ashtu
u bë. Me të mbaruar shkollën me rezultate shumë të mira, fillova punë në uzinë.
Dita – ditës i vinin lajme shumë të mira për mua dhe Dedeja bëhej shumë
krenare. Një ditë më tha: “Jam e çliruar me sjelljen tënde se Temua gjithmonë
më thoshte: Ti Lavdije m’i hoqe çupat nga duart” dhe unë ia ktheja: “Mos u bëj
merak”, ndërsa tani i them: “Ja ku janë vajzat që ti nuk doje t’i çoje në
shkollë, ke dëgjuar gjysmë llafi për to?!”
Dedeja kishte dëshirë të jashtëzakonshme që të gjithë fëmijët t’i bënte me
shkollë. Kur u martova, Dedesë i hyri prapë meraku për mua, sepse nga ana e
familjes së Papit (im shoq) nuk ishin mirë nga ekonomia (si ajo kohë). I
thashë: “Mos ki merak, se unë kam shkollën dhe jemi të dy në punë”. Zanati që
mora, më solli shumë të ardhura në jetë dhe të dy me Papin, duke punuar shumë e
me sakrificë, e kaluam atë periudhë.
Kur linda fëmijën e parë, Erjonin, e mora në telefon Dedenë dhe i thashë:
“Do të vini ë më merrni apo të vi vetë?” Më kujtohet si tani, kur erdhi babai
me një mushkë, që e kishte marrë hua në lagje enkas për të më marrë mua dhe
djalin, ndërsa Dedeja më priste te Lapidari i fshatit. E mori djalin në krahë
dhe më tha: “T’u bëftë me mjekër të bardhë, moj bijë!”
Dedeja ka qenë një nënë e sakrificës, një nënë që të mësonte për çdo gjë.
Nëne, moj nëne
Një pleqëri e tillë nuk të takonte,
Po kështu qenka e thënë,
Kush punon nuk fiton,
I miri përherë e pëson.
Gjithmonë të kujtoj,
Nga mendja s’të lëshoj
Derisa të pushoj
Në butësinë e shpirtit tënd!
Adelina
(Çalaj) Zeneli
Mars 2012
Nënë që meriton respekt
S’të bën të madh mosha, por mendja.
Jam njohur me nënë Lavdijen për herë të parë kur ajo erdhi në Gjirokastër
më 24 shtator 1978 në fejesën e Agronit me motrën tonë, Nexhmijen. Thonë se
njerëzit njihen që në takimin e parë. Me nënë Dedenë kjo doli e përfundoi shumë
e saktë. Ashtu si e njoha e më thanë para 34 vjetëve si nënë të mirë, të
nderuar e të respektuar që kishte lindur, rritur, edukuar e shkolluar shtatë
fëmijë, ashtu mbeti deri në fund të jetës së saj. Në çdo rast që ajo vinte te
Agroni, do të bënte vizitë edhe në shtëpinë tonë. Asnjëherë duarbosh. E dëgjoja
me vemendje kur fliste me maturi, kur pyeste apo edhe kur jepte ndonjë
këshillë. Bisedonte për probleme të ndryshme dhe ishte shumë e ndjeshme për
padrejtësitë që dëgjonte. Shqipëria për drejtësi vuan, thoshte, se pasuri ka
plot. Nuk kanë vendet e tjera pasuri më shumë se Shqipëria, po te ne nuk është
ditur, është bërë luftë klasash e jo ekonomi.
Në shumë probleme ajo fliste sikur kishte bërë shkollë të madhe. Vetë e
pohonte se i kishte mbetur merak që s’kishte mundur të arsimohej, duhet të
mësoni, porosiste vazhdimisht, se pa shkollë je gjysmë njeri. I kujtoj këto
porosi kur na i thoshte në çdo rast që na vinte për vizitë. Nuk neglizhonte
asnjë herë për nderet e hatëret, dimër me ngricë të ishte apo verë me vapën
përvëluese.
Edhe një gjë tjetër dua të kujtoj për Dedenë, gatimet e saj. Gjithçka e përgatitur
nga ajo dorë kishte shije të veçantë dhe mua më pëlqenin tepër: gjeli i detit
me kulaç, ullinjtë, revania, saçi dhe gjithçka tjetër. Me siguri edhe motra ime
ka mësuar nga kjo nënë që meriton respekt. I paharruar qoftë kujtimi i saj, i
vlerave të larta njerëzore që ajo mbartte.
Vladimir Skënder Cacaj
Gjirokastër, dhjetor 2011
Kujime për motrën e madhe, Lavdije
Lavdija u lind dhe u rrit nga prindër të dashur, të urtë e të respektuar,
veti këto të cilat i trashëgoi prej tyre dhe i manifestoi gjatë gjithë jetës.
Kujtimet e mia janë të veçanta, pasi unë isha fëmija më i vogël i familjes
dhe diferenca e moshës ishte e madhe.
Ajo na konsideronte si mua dhe Hysenin njëlloj. Në pushimet e verës unë e
kaloja kohën më të madhe në Klos dhe asnjëherë s’e mbaj mend që ajo të më
diferenconte nga fëmijët e saj.
E dashur, e qeshur e plot humor me të gjithë. Punëtore, e respektuar e
fjalëmbël kudo që ishte, me ata që i njihte apo nuk i njihte, ishte tipari i
veçantë i saj. Nga puna e saj dhe e Temos gjendja ekonomike ishte e mirë dhe
ndihmonte sa të mundte ata që kishin nevojë. Këto ndjenja të larta u dha edhe
fëmijëve të saj, që edhe sot dallojnë nga të tjerët. Kishte largpamësi të
veçantë për të ardhmen e fëmijëve, duke sakrifikuar për vete.
Mikpritja për çdo njeri që kalonte në rrugë, bëri që në të gjithë zonën të
respektohej e të kishin përshtypjet më të mira për të.
Edhe në fund të jetës, megjithëse e sëmurë, nuk Ii rrinte dora pa punuar e
goja pa folur, pa ngacmuar të njohurit e saj. Kështu do ta mbaj mend gjatë
gjithë jetës motrën time Lavdije.
Neki M.Seranaj
Shkurt 2012
Vetëm fjalë të
mira për hallon
Kushtet kanë qenë të
tilla që kemi banuar larg njëra – tjetrës. Unë kam lindur në Kukës, pastaj kam
banuar në Krujë e më vonë në Tiranë si studente e me punë mjeke. Gjatë gjithë
kohës për hallë Lavdijen, prindërit e mi Nekimi e Shefikoja, por edhe të
tjerët, njerëzit e gjakut tonë: xhaxha Barjami, hallat e tjera Hatemja e Mbetja
më kanë folur shumë mirë për të.
Në dasmat që janë bërë në
Tiranë, unë jam takuar personalisht me hallë Lavdijen dhe kam parë se ajo ishte
ashtu si kisha dëgjuar: e dashur, e dhembshur, që pyeste e jepte këshilla për
mirë, që bënte me sakrificë nderet e hatëret, që punonte shumë, që ishte
shembull në familje e kudo. Monografia që kushëriri im i parë Agroni ka shkruar,
është një evidentim i vlerave njerëzore që halla ime i ka pasur, bile ne
njerëzit e saj kemi treguar modestië tonë. Rëndësi ka që ne t’i ruajmë e çojmë
më lart ato. Kjo ishte dhe porosia e saj që shpesh e përsëriste, kur thoshte të
bëhemi të mirë…
Si mbesë e hallë Lavdijes,
nuk do të harroj atë e porositë e saj që jepte për t’u bërë të vlefshëm. I
paharruar kujtimi i HA L L Ë S!
Enkelejda Nekim (Seranaj) Afjani
Mjeke në Spitalin Amerikan
Mars, 2012
Dy fjalë për
gjyshen time…
Kanë kaluar rreth dy dekada
që kur isha i vogël dhe babai më dërgonte te Dedeja. Edhe tani kujtoj që mezi
prisja të mbaronte shkolla e të shkoja në fshat. Në të shumtën e rasteve atje
ishin edhe kushërinjtë e mi dhe ia kalonim shumë bukur së bashku. Edhe pse ishim
fëmijë pak trazovaçë e bënim dhe gabime e prapësina, mbaj mend që gjyshja ishte
shumë e duruar me ne. ishte një grua shumë punëtore, nuk rrinte asnjëherë
duarkryq. Kishte një natyrë të afrueshme, nuk i mungonte sensi i humorit, bënte
shpesh shumë shaka dhe gjithmonë na tregonte histori të ndryshme, që të
nxirrnim mësime për veten tonë.
Kujtoj që një herë na
tregoi për një nga stërgjyshërit tanë, ndoshta i quajtur Braçe, i cili kishte
shumë dëshirë që të kishte një kobure, gjë e re për kohën, por që kushtonte
shumë. Edhe pse familjarët nuk e kishin aprovuar, ai kishte ndjekur dëshirën e
vet dhe për pasojë kishte shitur gjithë tokën, thjesht për të pasur një kobure.
-Ja ç’të bën kokëfortësia!
– na thoshte Dedeja.
Në atë kohë, edhe pse ishin
të varfër dhe ne fëmijët rrinim tre muajt e verës, ajo ka qenë shumë
mikpritëse. Një gjë që më bënte shumë përshtypje ishte se gjyshe Dedeja mbante
mend shumë mirë gjenealogjitë e gati shtatë brezave të mëparshëm. Ajo ua
kujtonte emrat. Kjo më çudiste shumë. Përpiqesha t’i mbaja mend, por i harroja
gjithmonë.
Kishte edhe raste që e
shihja të ulur e duke menduar dhe lotët i rridhnin nëpër faqe. Patjetër që kishte
kaluar shumë vuajtje dhe mungesa e gjysh Temos e kishte detyruar të ishte vetë
burrë e vetë grua. Atëherë ajo fliste shpesh dhe me shumë respekt për gjyshin.
Nuk i harroj as porositë që na jepte për t’u bërë fëmijë të mbarë e ta çmonim
gjithmonë familjen.
Më vjen keq që ajo nuk
jeton më e nuk arrita t’i prezantoj nusen time Klodianën, e cila e njeh gjyshe
Dedenë vetëm nga fotografitë dhe bisedat që bëjmë në familje për të. Patjetër
që për gjyshe Dedenë ka shumë gjëra për të thënë, por këto janë ato më të
veçantat që unë kujtoj për të dhe sigurisht që do ta kujtoj gjithmonë në
mendjen e zemrën time.
Janar
2012
Ermir Agron Çalaj
Nipçe: të
vendosësh këto dy fotografi!
Me këto dy fotografi që
po të jap, dua të flas shkurt për motrën time, Lavdijen që nuk harrohet. Me
fotografinë e nënës sime Mejmedisë duan të them se ajo i donte shumë prindërit,
kurse me këtë fotografi, ku kemi dalë vëllezër e motra: Lavdija, Barjami, unë,
Mbetja e Nekimi plotësoj porosinë e saj për të pasur dashuri e mirësi në
vëllazëri e kudo.
Prill
2012 Hateme
Maliq (Seranaj) Kapaj
Shënim: Me njerëzit e Dedesë, dajat e tezet e mija
dhe me fëmijët e tyre, gjithmonë kemi shkuar shumë mirë; i jemi ndodhur njëri –
tjetrit pranë, i kemi pasur në krye të tavolinave në gëzime dhe fjalën e tyre
nuk e kemi bërë kurrë dy. Kështu po veproj edhe këtë herë. Porosinë e tezes,
urdhrin e saj po e çoj në vend me kënaqësinë dhe respektin më të madh.
Në fotot më sipër janë Mejmedia, nëna e Dedesë dhe vëllezërit
e motrat e saj.
Musa Qazim
Kapaj, 91 vjeç
Kam lindur më 4 maj 1924
dhe banoj në fshatin Toç të Tepelenës. Lavdijen e kam pasur motrën e madhe të
gruas sime, Hatemes.
Ajo ishte grua e veçantë
dhe fëmijët e mi Eqeremi, Ilmiu, Xhevdeti, Besniku, Myzejeni e Dhurata e kujtojnë
me shumë mall, dashuri e respekt.
Do bëhem si
mamaja e gjysh Hysenit
Lukjana Elvis Baholli 5
vjeçe është stërmbesë e Dedesë. Ajo ka lindur e banon në Tiranë dhe këto tre
muajt e fundit është e gëzuar se i ka ardhur Adjoni nga Gjirokastra. Duke e pyetur
për Dedenë, ajo u shpreh: Do bëhem si mamaja e gjyshit tim që e donte aq shumë!
Kanushe
Muharrem (Mahmutaj) Canaj,
Nënë Gonxhe 93
vjeçe
Në bisedë me nënën e
Lefterit më datën 25.4.2012, ku ndodheshin Lefteri e Selvi Canaj, nuset e
djemve të saj, Violeta Murataj , Lume Serani, nënë Gonxhja, që kështu i është
folur gjithmonë, u shpreh: Lavdijen si krushkë që e kam patur, ka qenë e
veçantë. Me Qerimin për Lavdijen thoshim: I ka lezet fjala, i ka shije buka…
Lavdijen s’e
harrojmë…
Me Myzaferin dhe fëmijët,
Enerjetën, Edmondin dhe Kozetën kur e takonim e bisedonim me Lavdijen, e
dëgjonim me vemendje, ndienim kënaqësi të veçantë. E dinim që ajo do të thoshte
fjalë të mençura, do të bënte ndonjë shaka apo humor me vend, do të jepte
ndonjë porosi apo këshillë të vlefshme etj.
Mbete Maliq (Seranaj) Kanani
Prill 2012
Takoheshim me
mall
Koha, punët, jeta e pruri
që të ishim larg njëra – tjetrës edhe ne si kushërira të para të fisit Seranaj.
Kështu unë, Feruzja, Fatbardha, Faikja, Mbetja të banonim në Tiranë, Lavdija në
Klos, Xhemilja në Kalenjë, Pashakua në Kutë të Mallakastrës, Hatemja në Toç të
Tepelenës etj. Vazhdimisht kemi pyetur për njëra – tjetrën, por kur takoheshim,
sidomos nëpër fejesa e dasma, çmalleshim. Dëshiroj nga zemra që ky mall e
dashuri të transmetohet te brezat tanë.
Yllka Ramadan (Seranaj) Këllëzi
Vajza e vetme e Barjamit, Eftalia, që banon e punon në Kanada, për hallën
Lavdije në telefon shprehet: “Shpresoj e uroj që vlerat e larta njerëzore
të hallës sime të shkojnë kudo në botë. Unë i kam gjithmonë të freskëta fjalët
e saj të dashura e nuk do ta harroj kurrë. Me burrin tim Vojon e me dy fëmijët,
Erindin dhe Denadën, do ta kujtojmë gjithmonë Dedenë…”
Dhe disa fotografi, kujtime të bukura…
Hallua e babait na kishte xhan
Si të vegjël, unë me vëllanë tim Altin kemi dëgjuar
fjalë të mira për Dedenë e Klosit, motrën e gjysh Barjamit dhe hallën e babi
Agimit.
Në dasmën e xhaxhi Altinit ajo na puthi e përqafoi
fort. Na kishte xhan, zemër. Edhe ne do të bëhemi të mirë, ashtu si donte ajo.
Sibora Agim Seranaj
EMA ALTIN SHERIFI
17 maj 2008
Unë jam e vogël, 4 vjeçe. Do të rritem, do të bëhem e madhe, do të
bëhem e mirë si gjyshet e babi Altinit dhe të mami Mirelës.
Nënë e gjyshe e dalluar,
Që të gjithë të kujtojnë,
Si dikur sot të nderojnë!
Hysen Temo
Çalaj: Nënë, Nënë, Nënë e rrallë…
Natasha Ali
Çalaj: Grua e veçantë që meriton respekt.
Migena
Hysen Çalaj: Gjyshja ime shumë e mirë.
Elvis Hysen
Çalaj: E desha shumë Dedenë…
Luka Elvis
Baholli: Nëna e gjysh Hysenit ka qenë shumë e mirë…
Lefteri Temo
Çalaj: Nëna ime nuk harrohet…
Lefter Qerim
Canaj: E kujtoj si nënën time…
Mirela Lefter
Canaj: Gjyshe Dedeja ishte flori…
Altin Sherif
Sherifi: Me Dedenë krenohem edhe unë.
Elona Lefter
Canaj: Gjyshja jonë sa e mirë!
Nuredin Temo
Çalaj: Nëna jonë i kishte duart flori.
Adelina
Ibrahim Çalaj: Grua punëtore e
mikpritëse.
Adelina Temo
Zeneli: Nuk gjen në botë si
Dedeja jonë.
Përparim Zeneli: Dedeja sakrifikon shumë.
Teki Temo
Çalaj: Dedeja na rriti me shumë sakrifica.
Lindita
Muharrem Çalaj: Nënë Lavdija nuk vjen më…
Mustafa Temo
Çalaj: Nënë e përkushtuar për familjen.
Neritan Mustafa
Çalaj: Dedeja më jepte bukë e më mësonte.
Barjam Zeqo
Çalaj: Na donte si vëllezër.
Haredin Zeqo
Çalaj: Lavdija si kishte emrin, ashtu ishte Lavdi!
Zihni Zeqo Çalaj: I kishte lezet fjala…
Festim Zeqo
Çalaj: Si Dedeja janë të rralla gratë.
Lefter Gjysh Çalaj: Dede ishte, Dede me të vërtetë.
Nekim Seranaj: Të mirat e Lavdijes nuk
harrohen.
Shefiko Seranaj: Katër orë rrugë në
këmbë Klos – Çorrush me
Dedenë m’u dukën si katër minuta.
Shkëlqin
Nekim Seranaj: Disa herë e kisha
takuar, por shumë mësova.
Kujtim Ramadan Seranaj: Lavdija e nderonte fisin
tonë.
Yllka Ramadan Seranaj: Kushërirë e veçantë, e
paarritshme.
Caush Dervish
Shehaj: Lavdija dallohej në fshat.
Novruz Adil
Shehaj: Grua punëtore dhe e zgjuar.
Ahmet Adil
Shehaj: Kishe qejf ta dëgjoje.
Luan Adil Shehaj: Dedeja të përgjigjej me
logjikë.
Hanko Shehaj: Dedenë e kisha si
motër të madhe.
Zazan Xhezmi
Çalaj: Në Greqi ku punoja, kam marrë të fala nga Dedeja.
Zenel Metkë
Çalaj: Lavdija në këtë shtëpi ka bërë nder e lezet.
Batjar
Zenel Çalaj: Me Dedenë mësoje
gjëra të mira për jetën.
Arshi Zenel
Çalaj: Për Dedenë veç fjalë të mira mund të thuash.
Mehmet
Zenel Çalaj: Dedeja ka ditur se si të
ndihmojë.
Katerina Çalaj: Mua më është bërë si nënë e vërtetë.
Barjam Maliq
Seranaj: Motër me kuptimin e plotë të kësaj fjale.
Keze Sefedin
Seranaj: Mësova shumë nga Dedeja.
Agim Barjam
Seranaj: Hallë tepër e mirë e shembullore.
Mbete Maliq
Kanani: E kisha motër e nënë…
Mondi Muzafer Kanani: Teze Lavdija të shkrinte së
qeshuri.
Hateme
Maliq Kapaj: Si motër kishe të
mësoje shumë.
Ilmi Musa
Kapaj: Më pyeste me shumë dashuri për gjithë familjen Kapaj.
Myzejen
Musa Kapaj: Dedeja të jepte kurajë në
jetë.
Dhurata
Musa Zeneli: Tezja gëzohej shumë, kur
merrte vesh se ishim mirë.
Teki
Muharrem Shehaj: Dedeja me sedër të
madhe…
Fuat Nazif
Verbaj: E pyesja dhe e dëgjoja me respekt.
Izet Selman
Ferzaj: Lavdijen e mburrnin të gjithë në fshat.
Petrit Izet
Ferzaj: Punonte si bletë.
Foto Soko: Nënën edhe ne e duam, por ju
shkoni shpesh për ta takuar.
Leonidha Veizaj: Nuk i dihet pleqërisë. Nuk e mendoja
Dedenë kështu…
Bedri Veizaj: Me nënën time Manushaqen duheshin
si motra.
Refat Axhem
Xhelilaj: Dedeja arsyetonte shumë…
Fatbardh
Ali Xhafa: Dedeja mundohet me gjithë shpirt për të nderuar
njerëzit.
Enver e
Xheko Llakaj: Nga ne jepi Dedesë këtë pako kafe.
Pëllumb Ali
Xhafa: Edhe një gotë dhallë apo një kokër ulli nga ai që ka
përgatitur
Dedeja, ka shije më vehte…
Bujar Murati: Lavdija tregonte kujdes e respekt për
ne që ishim larguar nga Klosi.
Të tjerët për
Dedenë
Petro Stathi: Kanë bulmet prindërit…
Foto Xhavara: Rruga është e mirë për te prindërit
në fshat.
Nesti Gumi: Prindërve u qëndron afër,
pavarësisht se je larg.
Qazim Aliko: Si kalove nga fshati, si i kishe
prindërit…
Jorgo Pulla: Do të të shohë Zoti, që shikon
nënën!
Pelush e
Petrit Alushaj: Këto 5 mijë lekë jepja nënës...
Napolon Semi: Me kënaqësi do t’i paguaj një drekë
nënës tënde.
Shemsho e
Sihat Çela: Të fala nënës dhe jepi një pako kafe nga ne.
Avni e
Dushi Peçi: Këto lekë do t’ia japësh nënës…
Llambi e
Eftali Qiro: Këtë bluzë e kam për nënën tënde…
Kristo Nushi: Nëna mbahet?…
Demo Tushe: Mbahet ajo, Nëna, si kalon…
Pando Partali: Këto 5 mijë dhrahmi jepja nënës…
Mehmet Shehu: Këtë shishe me Uiski çoja nënës…
Athina Shehu: Këto rroba jepja nënës…
Prokop
Vardhami: Do të të bëhen të mira, kujdesi për nënën…
Çarçan Mema: Shikoje nënën sa të jetë gjallë…
Mustafa e
Sano Xhafa: Një batanije për nënën tënde…
Çavo Puleri: Një vazo mjaltë për nënën…
Petro Kosta: Kur të vijë nëna në Gjirokastër, nxire
për vizitë…
Kujtim
Ismail Koxhaj: Dedenë e kam dashur si teze…
Sulo Ismail
Koxhaj: Nëna jote më ka dashur si fëmijën e saj…
Servet Kanina: T’i shikosh prindërit…
Pelivan Tushe: Do të shkosh në fshat, t’i gjesh mirë…
Stefan Arseni: Sa mirë që ke mbajtur ditar për nënën!
Dilaver Xhaferi: Për nënën ke bërë e po bën akoma…
Isuf Çepani: Pse i thonë nënë…
Llukan
Stavri: Nënë e baba nuk gjen dot…
Izet Çela: Jo të gjithë janë interesuar
kështu…
Ceno Visha: Bën mirë që e kujton nënën…
Thimjo
Fili: E ke respektuar nënën ashtu si i takon nënave…
Memo Gjoka: Agroni mbeti në fshat te nëna.
Pali Kaci: Nëna jote punëtore e madhe.
Gole Zogo: Rrofsh që i qëndron afër nënës…
Ajet
Çeribashi: Më pyetën për ty; u thashë ka vajtur te nëna…
Pavllo e
Sokrat Zherdi: Një vazo mjaltë nga Lunxhëria për nënën tënde.
Fane Gjoka: Nëna jote shumë mikpritëse…
Myslim Kuçi: Pleqtë e tu na dhanë 2 kg mish të
pjekur dhe revani.
Blendi
Klosi: Vetëm një gotë dhallë dua se është shumë e mirë.
Sherif
Kamber Shehu: Në Klos vinte sikur është Kordhoca. Ju e bëni shumë
nënën!
Sihat Dino
Osmani: Bravo të qoftë që e kujton vazhdimisht nënën tënde, por
edhe ajo është e rrallë
që u ka bërë kështu…
Kiço Vasil
Shtika: Agron, sa mirë i përgatit nëna juaj ullinjtë dhe kuleçtë në tigan. Kam
shkuar në gjithë Shqipërinë, po me këtë shije nuk kam gjetur…
Vaso Jorgo
Millo: Sa herë që unë vete në Dervicjan, ju shkoni te nëna. Mirë
bëni…
Sheme e Sabri
Banush Cacaj: Dedeja është zonjë e shtëpisë dhe e arës.
Shënim: Këto shprehje janë
vetëm disa, të sistemuara në këtë mënyrë, që njerëzit e afërt e të largët, që e
kanë njohur shumë apo pak, kanë dashur ta portretizojnë nënën tonë. Me siguri
them se ka edhe shumë miq e të njohur që kanë kujtime edhe më të mira për
Dedenë tonë, por unë shkrova në këtë libër vetëm disa prej tyre. Janë ato ku
kam qenë prezent e i mbaj mend vetë gjatë kohës kur ajo ka qenë mirë, sëmurë e
sidomos kur u nda nga jeta dhe njerëzit kanë dhënë gjykimet e vlerësimet e tyre
për vetitë e cilësitë e saj.
Me këtë rast dua të falënderoj nga zemra edhe një herë të gjithë ata që
ruajnë kujtime të mira për Dedenë, që janë shprehur e shprehen qoftë edhe me
një fjalë të thjeshtë, të sinqertë zemre për të, ashtu siç ishte në të vërtetë
nënë Lavdija.