Thursday, February 19, 2015

Një libër përmendore për nënën

Një libër përmendore për nënën
Miku im nga Klosi, Agron Çala, më befasoi një ditë dhjetori kur më tha se kishte shkruar disa kujtime për nënën e tij, duke më thënë t’u hidhja një sy se mbase kërkonin një redaktim. I mësuar me libra të kësaj natyre, e kisha shumë mirë parasysh se ç’shkruhet e si shkruhet në të tilla raste. Edhe nga mënyra si ma tha Agroni: Hidhi një sy...
Mirëpo këtu qëndroi befasia. E fillova si një libër familjar, si një libër që Agroni ia ka dedikuar nënës së tij të shtrenjtë, por shpejt rashë në mendime, sepse pashë se kisha të bëja me një libër të kompletuar, të kompozuar bukur dhe me një vizion të gjerë. Pashë se faqe pas faqeje shpalosej një dashuri e pakufishme jo vetëm për nënën e tij, Lavdijen, apo Dedenë, sikurse e kanë thirrur bijtë dhe bijat e saj. Aty është dashuria dhe respekti për gjithë të afërmit, për babanë, xha Temon e njohur në fshat e krahinë për ndershmërinë e fisnikërinë e tij, për xhaxhallarët, hallat, dajat e tezet, vëllezërit e motrat, nipërit e mbesat... Është një marrëdhënie komplekse njerëzore me një vijimësi normale drejt së mirës dhe lartësimit të virtyteve njerëzore, në qendër të të cilëve është vendosur portreti i nënës.
Ky është një libër përmendore për nënën. Tek portreti i Lavdijes vërejta se ishte bërë me finesë portreti i të gjitha nënave mallakastriote. Për nderin që gëzon Mallakastra jonë, për lavdinë e burrave me emër që ka nxjerrë nëpër kohëra, për gjithë ato tradita të bukura që janë kultivuar dhe na kanë dhënë një emër të nderuar në gjithë Shqipërinë, më së pari duhet të ulemi me nderim të thellë dhe t’u bëjmë homazh nënave fisnike e të mrekullueshme mallakastriote.
Hoqa dorë nga redaktimi. Pse? Sepse dashuria nuk redaktohet. Sidomos dashuria për nënën, që është dashuria më e sinqertë dhe më e padyshimtë në botë. Ajo është një dashuri hyjnore, së cilës i kanë kënduar të gjithë shkrimtarët dhe poetët e botës. Por i këndojnë edhe njerëzit e thjeshtë sipas mënyrës së tyre, edhe kur nuk marrin vesh nga letërsia, i këndojnë me fjalë zemre, thjesht, drejtpërdrejt, pa ojna, pa teprime. Dhe këtu qëndron bukuria e madhështia në të njëjtën kohë. E kush nuk e ka dëgjuar apo përsëritur shprehjen “O nëno xhani!”, që edhe Agroni e përmend natyrshëm në librin e tij. Më thjesht dhe më bukur nuk ka si shprehet dashuria për nënën. Ajo është baraz me xhanin, domethënë me shpirtin e njeriut. Këtë shprehje “O nëno xhani” e përdorte shpesh i ndjeri Dr. Sherif Klosi deri në fundin e jetës së tij. Në këtë rast ai, njeriu i parë që e ka shqiptuar i pari këtë shprehje, mbase nuk e ka ditur se me dy fjalë i ka thënë të gjitha: Nëna është burimi i jetës dhe ajo është baraz me jetën. Pra dashuria për nënën është vetë jeta, është fryma dhe shpirti i saj. Kjo jetë nuk do të kishte kuptim pa këtë dashuri, ajo do të ishte e shpëlarë dhe e pakuptimtë.
Agroni ka ndërtuar një libër përmendore për nënën e tij, duke u krijuar mundësinë edhe të tjerëve të njohin një nënë tipike mallakastriote. Tek ai portret shëmbëllejnë të gjitha nënat me mirësinë, me urtësinë, me dhembshurinë, me bujarinë, me përkushtimin, me sakrificat për veselitjen e fëmijëve me dashuri e përkëdhelira, mbrothësinë e shtëpisë... Mënyra se si e bën këtë Agroni është interesante: Këtu hyn një histori e familjeve të Klosit dhe të Çorrushit që u lidhën me krushqi, jepen copëza kujtimesh, fletë ditari, episode jete në Klos, Ballsh, Gjirokastër e Tiranë, lidhjet e forta të Dedesë me bijtë e bijat, nipërit e mbesat, jepen rrëfenja, urtësi popullore dhe barcaleta, humor e ngjarje të hidhura, pra të gjitha ato që në të vërtetë i ka jeta dhe që e kompletojnë jetën e njeriut. Askush tjetër si Agroni nuk mund ta shkruante një libër më të mirë për nënën e tij të shtrenjtë. Por jam i sigurt se, duke lexuar këtë libër çdokush do të mallëngjedhet e mbushet me kujtime të shumta dhe do të bëhet më i mirë, sepse e tillë është dashuria për nënën, dashuria më e vërtetë dhe më njerëzore në botë.
Ky libër nuk është i rastësishëm. Mbase autori nuk e ka bërë me qëllim, por një zë i brendshëm e ka shtyrë ta ndërtojë në këtë mënyrë librin që është në antitezë të plotë me shumë shëmtira që shikojmë e dëgjojmë çdo ditë në realitetin tonë të ashpër, ku janë zbehur si asnjëherë dashuria dhe vlerat njerëzore, ku vërehet një shkëputje shpesh e pamëshirshme nga traditat tona të forta e të mrekullueshme që na kanë mbajtur gjallë, që na kanë bërë të ndihemi krenarë dhe që na kanë zbukuruar jetën. Agroni beson tek vlerat njerëzore, tek gjërat e mira dhe tek virtytet që duhet të jenë sunduese në jetën e njeriut. Ky është mbase dhe mesazhi më i rëndësishëm që përcjell libri. Parë me këtë sy, libri merr një peshë dhe rëndësi të veçantë, ndaj dhe meriton fjalët më të mira përshëndetëse.
Urime Agron, për këtë punë të bukur që ke bërë!
                                                                     Xhevdet Shehu
                                                       Kryetar i Shoqatës Mallakastra                                                                               (Shok klase)

Tiranë, 18 janar 2014