NË VEND TË
HYRJES
1. Nipi për gjyshen
Babai im e ka shkruar këtë libër për
nënën e tij dhe gjyshen time si një borxh, detyrim moral që ai ndien për të,
për vuajtjet e sakrificat e saj të panumërta e në kohë të vështira për vendin, për
familjen e saj dhe për vetë atë grua fisnike, që s’dinte shkrim e këndim, por
dinte shumë për jetën, për njerëzit, bashkëfshatarët, fëmijët, nipërit e mbesat
e saj. Kishte shkollën e jetës.
Në jetën e çdonjerit prej nesh ka faktorë, të cilët
influencojnë në zhvillimin tonë moral, emocional e intelektual. Në më të shumtën e rasteve, një rol të tillë
në jetën e individit e luan prindi, vëllai, motra, mësuesi apo shoku.
Nëse do të veçoja një individ, ndikimi i të cilit ka qenë
i ndjeshëm tek unë në çdo pikëpamje dhe vazhdon të jetë edhe sot një përvojë e
gjallë për mua, ky individ ka qenë gjyshja ime, nëna e babait tim, Nënë Lavdija
ose si i thërrisnin të gjithë dhe ne fëmijët, nipër e mbesa, Dedeja.
Kur isha fëmijë, nga klasa e parë deri në të pestën, babai
më dërgonte në fshat te Dedeja 30 – 40 ditë në behar, për dy arsye më thoshte:
për të ndihmuar Dedenë në ruajtjen e bagëtive se xhaxha Mustafai ishte në Greqi
emigrant ekonomik dhe Tanua e Mikeli ishin të vegjël. Së dyti, të mësohesha me
jetën e fshatit, të doja njerëzit e tij, të njihesha me vështirësitë e tyre. Për
të siguruar vajtjen time dhe të Mirit në fshat te Dedeja pas mbarimit të
shkollës, babai më përgatiste më parë si për dashurinë për Dedenë dhe për
veshjen tonë që duhej për të ruajtur lopët, dhentë apo pulat e detit. Kështu
disa muaj më parë ai më bënte këpucë, opinga si ato që mbanin çobenjtë te Selim
Kuçi e Sihat Osmani. Këto rronin 3 – 4 vjet, por unë i përdorja vetëm një behar
dhe ua jepnim të tjerëve, kushërinjve tanë, sipas porosisë së Dedesë.
Nënë Dedeja nuk dinte fabula e përralla. Ajo dinte
ngjarje të vërteta dhe i tregonte ato si përrallat më të bukura. Me to më bënte
për të qeshur, më vinte në sedër të sillesha më mirë e të bëhesha i përsosur në
çdo pikëpamje. Çdo ditë ajo më kujtonte babanë që vinte çdo muaj në fshat për
të takuar prindërit, më kujtonte vështirësitë që kishin hequr në të kaluarën.
Një e dy e na thoshte: Mësoni e bëni shkollë, se koha jonë ishte ndryshe. Merak
të madh kishte Dedeja kur ne i çonim bagëtitë në lumë, se mos mbyteshim. Ajo na
porosiste disa herë: aman e aman, kujdes e kujdes.
Ç’më ka mbetur sot prej nënë Dedesë?
Dashuria, mirësia e saj, përkushtimi i plotë për
familjen, dëshira për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, korrektësia në
marrëdhëniet me të tjerët, veçanërisht me miqtë e familjes dhe bashkëfshatarët,
zakoni i të zgjuarit herët në mëngjes dhe i fillimit të çdo dite të re me një
vrull e forcë të re. Kur shkoja në fshat, Dedeja më zgjonte herët për të shkuar
nga bagëtia apo nga arat e mbjella bashkë me të. Në ndonjë ditë të shënuar ajo
gjente lule të ndryshme, i bënte tufa e më jepte mua njerën prej tyre, duke më
thënë: Do të shkojmë në varreza e ju këtë do ta çoni te babagjysh Temua dhe
këto të tjera do t’i mbaj unë, do t’i çojmë te varri i Pelivanit, që iku djalë
i ri, e vrau makina në Hekal. Gjatë rrugës në këmbë më merrte për dore e më
fliste për fshatin, për njerëzit, për babagjyshin. Kur arrinim tek varri,
gjithmonë më thoshte: Të ketë lënë uratën e më puthte me shpirt.
Sa mall kam për nënë Dedenë! Sa shumë i jam borxhli asaj,
veçanërisht kur kujtoj sa e mërzitja me sjelljen dhe çapkënllëqet e mia. Zemra
e saj e madhe, duart e saj të ngrohta e të palodhura nga mundimet e jetës,
prehri i saj magjepsës u bënë djepi i fëmijërisë sonë, mësimi ynë i parë
jetësor, një libër i hapur këshillash të urta që na kanë ndihmuar e do të na
ndihmojnë gjithmonë.
Babait tim, që e pasqyroi me modesti jetën e Nënë Dedesë
në këtë libër i jam shumë mirënjohës. Gjithashtu mirënjohës do t’i jenë fëmijët
tanë dhe fëmijët e tyre Agron Çalës, i cili me këtë libër për nënën e tij mban
gjallë traditën më të mirë të familjes ÇALAJ.
*
* *
Një mirënjohje
të veçantë zotit Agim Barjam Seranaj, i afërmi im nga ana e Dedesë, që banon e
punon në Tiranë, i cili me iniciativë, me shumë dëshirë, fisnikëri e
mirësjellje i ka ofruar ndihmë financiara babait tim për zgjidhjen e problemeve
dhe botimin e kësaj monografie për Dedenë...
O njeriu i
mirë që ndrit në tokë si yjet në qiell...
Adriatik Çalaj
15.08.2010
Me rastin e 30 – vjetorit të
lindjes
2.
Nënë, e shtrenjta nënë!
S’ka në botë si ty!
Për mua: diell e hënë,
Diell, yll e dhembshuri!
Sa kujtime ka njeriu në jetë. Një det. Na vijnë në mendje
dallgë - dallgë, janë të pashterrshme. Selia e tyre, vatra e tyre është truri,
zemra. Kujtime të mendjes, kujtime të zemrës. Dhe, më të shumtat, më të mirat,
më të bukurat, më të ëmblat, më mbresëlënëset janë për atë që quhet NËNË!
Nënë! Njeriu më i dashur për mua! Më e mira në botë. Ti,
që mban foshnjën nëntë muaj në bark, që e mëkon me gjakun tënd, je më e
madhërishmja. Do të doja të shkruaja jo me penë, por me zemër.
Dola si të gjithë nga barku i nënës,
Me zë të ngjirur porsi trumbeta.
Shkëlqimi im si dritë e hënës,
Me britma botën përshëndeta.
Është nëna ajo që e gëzon foshnjën akoma pa lindur. Prek
me dorë barkun e saj dhe dëgjon lëvizjet. Është e para që e njeh foshnjën sa
del në dritë. Në sytë e saj rrjedhin lot të nxehtë gëzimi. Një bebe, si kukull,
qëndron përballë saj. Një jetë. Një filiz. Është e para që e merr në duar. E
mbështjell.
Më mbështolli me tesha të ngrohta,
Të reja, të pastra si pupla të buta;
Nëna e dashur më rrinte te koka,
Me nina – nana dhe fjalë të urta!
Nëna fëmijën e përgëzon. I këndon. E mban në prehër. E vë
në gji. I jep qumësht. E mbron që të mos sëmuret. I dhemb në zemër, kur foshnja
qan. E shëtit nëpër dhomë. E pastron, e rrit me kujdes.
Unë qaja si foshnjë që isha
E lotët më shkonin vesë bliri,
U bë për t’u shtrydhur këmisha
Dhe nëna shpejt më vu te gjiri.
Nëna ime e dashur! E tillë ishte ti për mua. Era jote
prej nëne më vjen valë – valë edhe sot. Është erë e ngrohtë si fjala jote;
është erë e bardhë si shpirti yt. Erë e këndshme si buzëqeshja jote. Erë
borziloku si ai që rritje ti në avllinë e shtëpisë.
Je përherë në sytë tanë. Je shkruar me germa të arta në
mendjet tona. Je skalitur thellë në zemrat tona. Trupi yt i vuajtur është
peizazhi ynë më i bukur. Të kujtojmë sa herë që marrim frymë. Të përfytyrojmë
në këmbë, në ecje si flutur, me atë buzëqeshjen e bukur, me humorin e këndshëm,
punëtore si bleta, llërëpërveshur, me ato duar flori që s’rreshtnin kurrë.
Të kemi pasur nënë, po ne kurrë s’të folëm me këtë emër.
Të flisnim DEDE.
Njeriu ka shumë detyrime në jetë, por detyrimet më të
shumta, pa fund e plot kolorit janë për atë, nënën. Detyrime shpirtërore,
njerëzore, jetësore. Të natyrshme, të ligjshme. Janë detyrime ndaj asaj, sytë e
së cilës na panë të parët. Ndaj saj, zërin e së cilës e dëgjuam të parin. E
para fytyrë që pamë ishte ajo e nënës. Të parin njeri që dallon fëmija është
nëna, e bukura nënë, e dashura nënë, e paharruara nënë, emri dhe vemendja e së
cilës i jep foshnjës shëndet, forcë, bukuri, jetë. Ndaj dhe unë, djali i Dedesë,
jam ulur tani e po shkruaj për nënën tonë të shtrenjtë. Shpirtin e kam plot me
kujtime, dashuri, dhembshuri, mallëngjim. E kujtoj nënën ashtu si ishte në
familje, në punë, në shoqëri, në jetë.
Portreti i saj shpaloset shumëplanësh: e palodhur për të
mbijetuar familjen, e dashur më fëmijët; punëtore e madhe në shtëpi, në arë, në
blegtori etj. Me enë të mbushura me ujë burimi të Otomënit që në orët e para të
mëngjesit ende pa zbardhur mirë; me govatën e rrobave të lara në Vjosë, 3 orë
larg shtëpisë, mbi kokë; të përkulur duke mbjellë perime në kopsht; me fruta e
ëmbëlsira në duar për ne fëmijët, nipër e mbesa. Sytë dhe mendja përherë tek
ne: që të mësonim mirë në shkollë e të bëheshim të vlefshëm për veten,
familjen, atdheun.
Më rriti nëna plot dhembshuri,
Si zogun e vogël që rritet në fole.
Më mësoi ajo që kur isha fëmijë
Fjalët: familje, dije, punë, Atdhe!
Për nënën detyrimi është i shumëfishtë. Për dy dekada ajo
ishte për mua nënë dhe baba. Pra, kam ç’të kujtoj. Mbresat janë të shumta, të
fuqishme dhe tepër intime. Nuk e di a do të mund t’i shpreh dot ashtu siç i
ndiej, ashtu si duhet në këtë monografi?! A do të mund ta përshkruaj nënën,
ashtu siç e meriton, ashtu siç ishte realisht?!
Kujtimet për të më vezullojnë si ujëvarë e kristaltë. Ajo
jetoi tetëdhjetë vjet.
Veç fytyrën e saj e shoh aq mirë.
E dalloj përherë dhe kudo,
Se zemra e nënës është e dëlirë,
Mes nesh ajo përherë qëndron.
Njeriu është çudi. Ka botë, mendime, ndjenja. I shpreh drejtpërdrejt apo i
mban thellë brenda vetes. Ka shokë e miq, u shprehet atyre, u zbulon
përjetimet, gëzimet e hidhërimet,
problemet e, pse jo, kërkon edhe ndihmën e tyre. Ka të tjerë që kanë shok vetëm
veten. Nuk i besojnë askujt. Mbyllen në guaskën e tyre si kërmilli apo e futin
kokën si breshka kur ndien rrezikun.
Unë kam shokë e miq, bisedojmë e shprehemi me njëri – tjetrin, qajmë hallet
apo ndajmë bashkë gëzime e hidhërime, po prej vitesh më është bërë zakon që të
mbaj shënime. Hedh në letër ngjarjet e përditshmërisë, takime, biseda, mendime
të ndryshme. Ndokush i thotë ditar. I mbajtur përditë. Ashtu kam vepruar edhe
unë. Përditë jo, por i kam hedhur në letër ato që më kanë lënë mbresa. Dhe
mbresat janë nga më të ndryshmet: të ëmbla apo të hidhura. Gëzohesh e
lumturohesh, kur punët të shkojnë mbarë, kur fëmijët ecin, kur të gjithë të
dashurit janë mirë. Po ndodh që në të kam hedhur edhe meditime të çastit. Kam
ndarë me veten mërzinë, atë që nuk kam dashur t’ua them të tjerëve për të mos i
turbulluar me shqetësimin tim.
E kam pasur shok e mik të pandarë. E marr në dorë, shfletoj dhe para syve
më shpalosen vite, jetë. Një fjalë e hedhur ashtu me nxitim me laps apo
stilolaps, një njollë, shkrim i bukur, një ditë, një datë, një emër, një
toponim, gjithçka është aty: koha me të gjitha vlerat dhe antivlerat e saj.
Thonë se koha e bën njeriun. Ka një të vërtetë këtu, por e vërteta më e madhe
është se është njeriu ai që i jep tonin kohës.
Njeriu vjen dhe ikën nga kjo jetë, po lë pas kujtimin dhe ai rron te të
afërmit po se po, por edhe tek të tjerët dhe kjo varet nga gjurmët që ka lënë
në këtë jetë.
Në fletët e këtij ditari janë gjurmë të një jete, të shumë jetëve, të atyre
që janë e të atyre që s’janë më. Duke shfletuar gjej gjurmët e një jete të
dashur, mirësinë, dëlirësinë, pastërtinë, merakun, fisnikërinë e gjithçka
tjetër që ajo, nëna e dashur, Dedeja, la pas...