Me shokë e miq
Njeriu pa njeri, si zogu pa
shtëpi.
Fjalët e urta mamaja jonë i
përdorte shpesh. Kështu ndodhte edhe me këtë fjalë të urtë. Në radhë të parë
ajo të edukonte me shembullin personal. Vinte vetë e kërkonte nga ne e të
tjerët që njerëzve, shokë e miq, t’u gjendeshim pranë për çdo gjë.
Përparësi u jepte rasteve
me fatkeqësi të ndryshme, sëmundje e vdekje. Njeriut t’i gjendesh kur ka hall,
pa të mirën e kalon edhe vetëm. Nuk e tepëroj kur po shkruaj se ajo në ndonjë
rast ka shprehur shqetësim që në këtë drejtin nga ne fëmijët e saj apo
xhaxhallarët e njerëzit e tjerë këto hatëre nuk janë bërë në kohë. Në ditarin
tim nuk gjej asnjë ditë ku të jem takuar me të e të mos ketë thënë se duhet
vajtur te filani, se ka qenë sëmurë, ka bërë 30 gjilpëra. Atyre që sëmureshin e
bënin gjilpëra, sipas saj, u duhet vajtur.
Përgjithësisht në këto
raste, sëmundje apo vdekje, prerje apo thyerje dore, këmbe, ajo na kujtonte e
insistonte për ta shoqëruar. Kur venim për darkë, sidomos në dimër që errej
shpejt e nuk shikonim rrugën, porosiste të merrnim ndriçues për rrugën e ndonjë
shkop që mund të nevojitej për ndonjë të papritur, qen a diçka tjetër.
Kur këto hatëre duheshin
bërë në fiset Velaj apo Shehaj, që përbëjnë lagjen e perëndimit të fshatit në
drejtim të Grajovës, porosiste dhe thoshte: Në darkë do të vemi te Velo Aliu
apo Adil Dervishi (Shehu), te Ilmi Refiti (Velaj) apo te Zylo Shehu, por do të
vemi pak shpejt se erret e nuk e shikojmë rrugën. Vinte edhe ditën vetëm në
këto familje e të tjera se kishte shoqe Merjemen, Flamuren, Nimeten, Nafien,
Razien, Qanien, Bexheten, Hankon, Fizen, Hanen, Pashakon, Besien, Selimen. U
gjendej shoqeve edhe në lagje të tjera, duke patur parasysh e respektuar edhe
lidhjet miqësore si me Merushen, motrën e Myzafer Kananit, me Bejleren e
Engjëllushen që janë vajza nga Çorrushi, me Manushaqen, me Rabison, Haxhiren,
Tajanen, Mexhiden, Ferzileten, Refien, Fluturën, Nimeten, Dudën, Violetën,
Dritën, Hatemen, Bukurinë, Sofinë, Nadiren, Shanikon, Nekien etj.
Përparësi u jepte vizitave
për çdo rast, sado i vogël që të ishte, te dy kunatat e saj, që janë larg nga
shtëpia jonë 250 – 300 metra. Te Zyrakua e Zybejdeja nuk rrinte dot pa vajtur
pothuajse një herë në ditë. Kishte raste që pyeste në këmbë për shëndetin dhe
kthehej. Edhe këto të dyja, që shtëpitë i kishin ngjitur, pothuajse vinin më
shpesh te Dedeja, jo vetëm se e kishin kunatën më të madhe, por kishin hequr
halle bashkërisht e duheshin shumë.
Na kujtonte e porosiste për
çdo rast që ajo u jepte rëndësi, qoftë edhe larg fshatit tonë. Duhet ruajtur
miqësia, porosiste. Ajo ruhet kur e nderon tjetrin. Kur i bënim vetë këto
hatëre për raste gëzimesh e fatkeqësish, ajo ndiente kënaqësi. Rrofshi, ishte
urimi i saj i zakonshëm, kështu duhet. Porositë e saj i kemi parasysh
vazhdimisht , në gjurmët e saj ecim edhe
tani që ka ikur e nuk është më.