Thursday, February 19, 2015
GJURMËT E NJË JETE - NËNË LAVDIJA
AGRON ÇALAJ
GJURMËT E NJË JETE
NËNË LAVDIJA
(Homazhe në kujtim të Dedesë)
2011 - 2015
Falënderoj nga zemra dajat e mi
Bajram e Nekim
Seranaj; tezet e mia Hateme Kapaj
e Mbete Kanani;
vëllezërit e motrat e mia: Hysen,
Nuredin, Teki, Mustafa
Çalaj, Lefteri Canaj e Adelina
Zeneli; djemtë e mi Adriatik
e Ermir Çalaj, që ndihmuan për
përgatitjen e kësaj monografie.
Falënderim i veçantë shkon edhe
për ata që kontribuan
financiarisht për botimion e
këtij libri!
NJERIU DHE KOHA
NJERIU DHE KOHA
Duke punuar për pëgatitjen e kësaj monografie të një biri
për nënën e vet, njoha dimensionet e vërteta humane të njeriut me emrin Agron
Temo Çalaj. I lindur në Klos të Mallakastrës, ku vetëm fëmininë kaloi aty, se
pastaj vazhdoi shkollën ushtarake dhe detyra e hodhi në Gjirokastër, por
asnjëherë nuk i shkëputi lidhjet me rrënjët e veta. Dashuria dhe nostalgjia për
njerëzit e afërt dhe vendlindjen shprehen qartë në faqet e ditarit të tij. Malli
bënte që të gjente kohën dhe të hidhej “një vrap” atje, në fshat dhe kujtimet
nuk kanë të sosur dhe ngazëllimi i nënës që iu kthye “pëllumbi në fole” qoftë
edhe për pak.
Nëna si të gjitha nënat, e dashurisë dhe e përkujdesjes
së pafund, e merakut për gjithçka që ka të bëjë me nderin, moralin, mikun,
punën, vlerën e vërtetë njerëzore. E tillë ishte Lavdija, që të gjithë e
njihnin dhe i flisnin Dede. Dhe Agroni në këtë libër e ka gdhendur figurën e
saj në gjithanshmërinë e vet, duke evidentuar ato cilësi që e kanë
karakterizuar gjithmonë shqiptarin. Një familje me norma, njerëz të punës, që
pavarësisht nga vështirësitë e mungesat u përpoqën për më të mirën për fëmijët
e tyre. Nënë Lavdija nuk kishte shkollë, por fëmijët e saj i arsimoi. Si
pëllumba i nxori nga foleja e saj e i nisi në rrugën e gjatë të jetës, por më
parë i përgatiti që krahët e tyre të ishin të fortë e të mos thyheshin nga
acaret e kohës. I mëkoi me dashuri dhe me cilësi e virtyte të larta. Dhe koha
tregoi se ata u bënë ashtu siç i dëshironte ajo. Është ky libër një dëshmi e
gjallë e kësaj gjëje.
Me Agronin jemi moshatarë, pavarësisht drejtimeve të
ndryshme. Ai është ushtarak dhe në bazë të ligjit Nr.9171 datë 22.01.2004 “Për
gradat dhe karrierën ushtarake në forcat e armatosura të Republikës së
Shqipërisë” sot duhet të kishte gradën e
gjeneral majorit apo gjeneral leitnantit. Kohët ishin të tilla që i
hanin ata që me kontributin e tyre përpiqeshin për të ndryshuar diçka në
realitetin ku jetonin e punonin. I rritur e edukuar në një familje me norma, ku
të bardhës i thoshin të bardhë e të zezës të zezë, ai nuk mund të vepronte
ndryshe, nuk mund të tjetërsohej apo të vinte një maskë e për më tepër të
përshtatej me të keqen.
Në
qytete të vogla si Gjirokastra edhe po të mos kishe miqësi, një njohje e
thjeshtë, një mirëmëngjesi do ta kishe këmbyer me gjithkënd. Pastaj “të rejat”
përhapeshin shpejt. Le pastaj qimja bëhej tra nga thashethemet. Kështu ndodhi
edhe në rastin e Agronit. Po të kthehemi në vitin e largët 1989, para
ndryshimeve demokratike në vend, po t’u referohemi kujtimeve të atyre që e kanë
njohur e punuar me të do të mësojmë të vërtetën mbi dënimin e tij, heqjen e
titullit oficer dhe pasojat e tjera. Agroni e dinte se lufta për progres të
krijon kosto, por ai si një njeri i devotshëm dhe me ndërgjegje të lartë i
shtroi problemet me ndjenjë të lartë përgjegjshmërie. Kritikoi dhe vuri në
dukje të meta që mund të ndreqeshin e duheshin ndrequr. Për këtë u dënua. Koha
dëshmoi se ai kishte të drejtë në ato që kishte theksuar se me urdhërin Nr.2799
datë 15.10.1997 është rititulluar oficer aktiv si komandant i B2K në Gërhot të
Gjirokastrës. Po vendos edhe një foto me Ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes
Sabit Brokaj, që kishte firmosur urdhërin. Megjithatë peripecitë e këtij njeriu
në drejtim të së drejtës së tij ende nuk kanë marrë fund. Koha nuk po i
rivlerëson siç duhet kontributet njerëzore. Rastësi, koecidencë, ngatërresë,
harresë apo çfarë emri mund t’i vihet kësaj gjëje?!... Padyshim janë organet
kompetente që duhet ta vënë të drejtën në vend, duke vlerësuar kontributet në
luftë me çdo tiran, mashtrues e përvetësues.
Ndoshta një herë tjetër do të kem rastin të shkruaj më
gjatë për kontributet dhe çështjen e Agronit, por po i rikthehem edhe një herë
librit “Gjurmë jete”. Çdo lexues do të gjejë në të realitete konkrete dhe
njerëz konkretë. Portreti i nënës jepet me objektivitet me të vërtetat që
mbart. Autori është ndalur në momente që përbëjnë disa kulme. Vetë ai pohon se
ka qenë larg, ashtu si dy vëllezërit dhe dy motrat, por sa herë që shkonte në
fshat për të takuar prindërit apo për ndere e hatëre të ndryshme Dedenë e
gjente në punë. Megjithatë linte gjithçka dhe e pyeste e interesohej mbarë e
mbrapsht për gjithçka. Kur vdiq babai, pohon Agroni, vajtjet në fshat i
shpeshtova. E lusja të vinte të banonte tek ne në Gjirokastër apo dhe në Tiranë
tek Hyseni e të tjerët, por mendjen e kishte atje në fshat. Njeriu i punës, i
ullinjve, shegës, kopshtit të vogël në vitet e kooperativës dhe i gjërave të
reja në vitet e demokracisë, i gjelave të detit dhe i gjithçkaje tjetër e
tërhiqnin dhe mendonte se vendi i saj ishte atje ku kishte kaluar jetën.
Libri i Agronit i konceptuar në kapituj sjell freski, të
emocionon me thjeshtësinë dhe mënyrën e rrëfimit. Fletët e shkëputura nga
ditari apo vlerësimet e të tjerëve për Dedenë tregojnë për gjurmët e një jete
që nuk shuhen lehtë, por janë ngulitur thellë në zemrat e njerëzve të dashur e
që do të trashëgohen brez pas brezi.
Çdokush që do të marrë në dorë këtë libër padyshim do ta
vendosë veten në pozicionin e Agronit, se gjithsekush prej nesh ka një nënë dhe
në moshë sado të shtyrë të jetë e përmend me mall e nostalgji: NËNË!
ODHISE ÇERKEZI
Një kujtim me Dedenë time të shtrenjtë, që lindi, rriti
dhe edukoi me shumë sakrifica shtatë fëmijë: Hysenin, Agronin, Lefterinë,
Adelinën, Nuredinin, Tekiun dhe Mustafanë. Ajo pati meritën edhe në rritjen,
arsimimin dhe edukimin e 16 nipërve e mbesave të fëmijëve të saj; të 17 nipërve
e mbesave të vëllezërve e motrave dhe 22 nipër e mbesa të vëllezërve e motrave
të burrit.
NË VEND TË HYRJES
NË VEND TË
HYRJES
1. Nipi për gjyshen
Babai im e ka shkruar këtë libër për
nënën e tij dhe gjyshen time si një borxh, detyrim moral që ai ndien për të,
për vuajtjet e sakrificat e saj të panumërta e në kohë të vështira për vendin, për
familjen e saj dhe për vetë atë grua fisnike, që s’dinte shkrim e këndim, por
dinte shumë për jetën, për njerëzit, bashkëfshatarët, fëmijët, nipërit e mbesat
e saj. Kishte shkollën e jetës.
Në jetën e çdonjerit prej nesh ka faktorë, të cilët
influencojnë në zhvillimin tonë moral, emocional e intelektual. Në më të shumtën e rasteve, një rol të tillë
në jetën e individit e luan prindi, vëllai, motra, mësuesi apo shoku.
Nëse do të veçoja një individ, ndikimi i të cilit ka qenë
i ndjeshëm tek unë në çdo pikëpamje dhe vazhdon të jetë edhe sot një përvojë e
gjallë për mua, ky individ ka qenë gjyshja ime, nëna e babait tim, Nënë Lavdija
ose si i thërrisnin të gjithë dhe ne fëmijët, nipër e mbesa, Dedeja.
Kur isha fëmijë, nga klasa e parë deri në të pestën, babai
më dërgonte në fshat te Dedeja 30 – 40 ditë në behar, për dy arsye më thoshte:
për të ndihmuar Dedenë në ruajtjen e bagëtive se xhaxha Mustafai ishte në Greqi
emigrant ekonomik dhe Tanua e Mikeli ishin të vegjël. Së dyti, të mësohesha me
jetën e fshatit, të doja njerëzit e tij, të njihesha me vështirësitë e tyre. Për
të siguruar vajtjen time dhe të Mirit në fshat te Dedeja pas mbarimit të
shkollës, babai më përgatiste më parë si për dashurinë për Dedenë dhe për
veshjen tonë që duhej për të ruajtur lopët, dhentë apo pulat e detit. Kështu
disa muaj më parë ai më bënte këpucë, opinga si ato që mbanin çobenjtë te Selim
Kuçi e Sihat Osmani. Këto rronin 3 – 4 vjet, por unë i përdorja vetëm një behar
dhe ua jepnim të tjerëve, kushërinjve tanë, sipas porosisë së Dedesë.
Nënë Dedeja nuk dinte fabula e përralla. Ajo dinte
ngjarje të vërteta dhe i tregonte ato si përrallat më të bukura. Me to më bënte
për të qeshur, më vinte në sedër të sillesha më mirë e të bëhesha i përsosur në
çdo pikëpamje. Çdo ditë ajo më kujtonte babanë që vinte çdo muaj në fshat për
të takuar prindërit, më kujtonte vështirësitë që kishin hequr në të kaluarën.
Një e dy e na thoshte: Mësoni e bëni shkollë, se koha jonë ishte ndryshe. Merak
të madh kishte Dedeja kur ne i çonim bagëtitë në lumë, se mos mbyteshim. Ajo na
porosiste disa herë: aman e aman, kujdes e kujdes.
Ç’më ka mbetur sot prej nënë Dedesë?
Dashuria, mirësia e saj, përkushtimi i plotë për
familjen, dëshira për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, korrektësia në
marrëdhëniet me të tjerët, veçanërisht me miqtë e familjes dhe bashkëfshatarët,
zakoni i të zgjuarit herët në mëngjes dhe i fillimit të çdo dite të re me një
vrull e forcë të re. Kur shkoja në fshat, Dedeja më zgjonte herët për të shkuar
nga bagëtia apo nga arat e mbjella bashkë me të. Në ndonjë ditë të shënuar ajo
gjente lule të ndryshme, i bënte tufa e më jepte mua njerën prej tyre, duke më
thënë: Do të shkojmë në varreza e ju këtë do ta çoni te babagjysh Temua dhe
këto të tjera do t’i mbaj unë, do t’i çojmë te varri i Pelivanit, që iku djalë
i ri, e vrau makina në Hekal. Gjatë rrugës në këmbë më merrte për dore e më
fliste për fshatin, për njerëzit, për babagjyshin. Kur arrinim tek varri,
gjithmonë më thoshte: Të ketë lënë uratën e më puthte me shpirt.
Sa mall kam për nënë Dedenë! Sa shumë i jam borxhli asaj,
veçanërisht kur kujtoj sa e mërzitja me sjelljen dhe çapkënllëqet e mia. Zemra
e saj e madhe, duart e saj të ngrohta e të palodhura nga mundimet e jetës,
prehri i saj magjepsës u bënë djepi i fëmijërisë sonë, mësimi ynë i parë
jetësor, një libër i hapur këshillash të urta që na kanë ndihmuar e do të na
ndihmojnë gjithmonë.
Babait tim, që e pasqyroi me modesti jetën e Nënë Dedesë
në këtë libër i jam shumë mirënjohës. Gjithashtu mirënjohës do t’i jenë fëmijët
tanë dhe fëmijët e tyre Agron Çalës, i cili me këtë libër për nënën e tij mban
gjallë traditën më të mirë të familjes ÇALAJ.
*
* *
Një mirënjohje
të veçantë zotit Agim Barjam Seranaj, i afërmi im nga ana e Dedesë, që banon e
punon në Tiranë, i cili me iniciativë, me shumë dëshirë, fisnikëri e
mirësjellje i ka ofruar ndihmë financiara babait tim për zgjidhjen e problemeve
dhe botimin e kësaj monografie për Dedenë...
O njeriu i
mirë që ndrit në tokë si yjet në qiell...
Adriatik Çalaj
15.08.2010
Me rastin e 30 – vjetorit të
lindjes
2.
Nënë, e shtrenjta nënë!
S’ka në botë si ty!
Për mua: diell e hënë,
Diell, yll e dhembshuri!
Sa kujtime ka njeriu në jetë. Një det. Na vijnë në mendje
dallgë - dallgë, janë të pashterrshme. Selia e tyre, vatra e tyre është truri,
zemra. Kujtime të mendjes, kujtime të zemrës. Dhe, më të shumtat, më të mirat,
më të bukurat, më të ëmblat, më mbresëlënëset janë për atë që quhet NËNË!
Nënë! Njeriu më i dashur për mua! Më e mira në botë. Ti,
që mban foshnjën nëntë muaj në bark, që e mëkon me gjakun tënd, je më e
madhërishmja. Do të doja të shkruaja jo me penë, por me zemër.
Dola si të gjithë nga barku i nënës,
Me zë të ngjirur porsi trumbeta.
Shkëlqimi im si dritë e hënës,
Me britma botën përshëndeta.
Është nëna ajo që e gëzon foshnjën akoma pa lindur. Prek
me dorë barkun e saj dhe dëgjon lëvizjet. Është e para që e njeh foshnjën sa
del në dritë. Në sytë e saj rrjedhin lot të nxehtë gëzimi. Një bebe, si kukull,
qëndron përballë saj. Një jetë. Një filiz. Është e para që e merr në duar. E
mbështjell.
Më mbështolli me tesha të ngrohta,
Të reja, të pastra si pupla të buta;
Nëna e dashur më rrinte te koka,
Me nina – nana dhe fjalë të urta!
Nëna fëmijën e përgëzon. I këndon. E mban në prehër. E vë
në gji. I jep qumësht. E mbron që të mos sëmuret. I dhemb në zemër, kur foshnja
qan. E shëtit nëpër dhomë. E pastron, e rrit me kujdes.
Unë qaja si foshnjë që isha
E lotët më shkonin vesë bliri,
U bë për t’u shtrydhur këmisha
Dhe nëna shpejt më vu te gjiri.
Nëna ime e dashur! E tillë ishte ti për mua. Era jote
prej nëne më vjen valë – valë edhe sot. Është erë e ngrohtë si fjala jote;
është erë e bardhë si shpirti yt. Erë e këndshme si buzëqeshja jote. Erë
borziloku si ai që rritje ti në avllinë e shtëpisë.
Je përherë në sytë tanë. Je shkruar me germa të arta në
mendjet tona. Je skalitur thellë në zemrat tona. Trupi yt i vuajtur është
peizazhi ynë më i bukur. Të kujtojmë sa herë që marrim frymë. Të përfytyrojmë
në këmbë, në ecje si flutur, me atë buzëqeshjen e bukur, me humorin e këndshëm,
punëtore si bleta, llërëpërveshur, me ato duar flori që s’rreshtnin kurrë.
Të kemi pasur nënë, po ne kurrë s’të folëm me këtë emër.
Të flisnim DEDE.
Njeriu ka shumë detyrime në jetë, por detyrimet më të
shumta, pa fund e plot kolorit janë për atë, nënën. Detyrime shpirtërore,
njerëzore, jetësore. Të natyrshme, të ligjshme. Janë detyrime ndaj asaj, sytë e
së cilës na panë të parët. Ndaj saj, zërin e së cilës e dëgjuam të parin. E
para fytyrë që pamë ishte ajo e nënës. Të parin njeri që dallon fëmija është
nëna, e bukura nënë, e dashura nënë, e paharruara nënë, emri dhe vemendja e së
cilës i jep foshnjës shëndet, forcë, bukuri, jetë. Ndaj dhe unë, djali i Dedesë,
jam ulur tani e po shkruaj për nënën tonë të shtrenjtë. Shpirtin e kam plot me
kujtime, dashuri, dhembshuri, mallëngjim. E kujtoj nënën ashtu si ishte në
familje, në punë, në shoqëri, në jetë.
Portreti i saj shpaloset shumëplanësh: e palodhur për të
mbijetuar familjen, e dashur më fëmijët; punëtore e madhe në shtëpi, në arë, në
blegtori etj. Me enë të mbushura me ujë burimi të Otomënit që në orët e para të
mëngjesit ende pa zbardhur mirë; me govatën e rrobave të lara në Vjosë, 3 orë
larg shtëpisë, mbi kokë; të përkulur duke mbjellë perime në kopsht; me fruta e
ëmbëlsira në duar për ne fëmijët, nipër e mbesa. Sytë dhe mendja përherë tek
ne: që të mësonim mirë në shkollë e të bëheshim të vlefshëm për veten,
familjen, atdheun.
Më rriti nëna plot dhembshuri,
Si zogun e vogël që rritet në fole.
Më mësoi ajo që kur isha fëmijë
Fjalët: familje, dije, punë, Atdhe!
Për nënën detyrimi është i shumëfishtë. Për dy dekada ajo
ishte për mua nënë dhe baba. Pra, kam ç’të kujtoj. Mbresat janë të shumta, të
fuqishme dhe tepër intime. Nuk e di a do të mund t’i shpreh dot ashtu siç i
ndiej, ashtu si duhet në këtë monografi?! A do të mund ta përshkruaj nënën,
ashtu siç e meriton, ashtu siç ishte realisht?!
Kujtimet për të më vezullojnë si ujëvarë e kristaltë. Ajo
jetoi tetëdhjetë vjet.
Veç fytyrën e saj e shoh aq mirë.
E dalloj përherë dhe kudo,
Se zemra e nënës është e dëlirë,
Mes nesh ajo përherë qëndron.
Njeriu është çudi. Ka botë, mendime, ndjenja. I shpreh drejtpërdrejt apo i
mban thellë brenda vetes. Ka shokë e miq, u shprehet atyre, u zbulon
përjetimet, gëzimet e hidhërimet,
problemet e, pse jo, kërkon edhe ndihmën e tyre. Ka të tjerë që kanë shok vetëm
veten. Nuk i besojnë askujt. Mbyllen në guaskën e tyre si kërmilli apo e futin
kokën si breshka kur ndien rrezikun.
Unë kam shokë e miq, bisedojmë e shprehemi me njëri – tjetrin, qajmë hallet
apo ndajmë bashkë gëzime e hidhërime, po prej vitesh më është bërë zakon që të
mbaj shënime. Hedh në letër ngjarjet e përditshmërisë, takime, biseda, mendime
të ndryshme. Ndokush i thotë ditar. I mbajtur përditë. Ashtu kam vepruar edhe
unë. Përditë jo, por i kam hedhur në letër ato që më kanë lënë mbresa. Dhe
mbresat janë nga më të ndryshmet: të ëmbla apo të hidhura. Gëzohesh e
lumturohesh, kur punët të shkojnë mbarë, kur fëmijët ecin, kur të gjithë të
dashurit janë mirë. Po ndodh që në të kam hedhur edhe meditime të çastit. Kam
ndarë me veten mërzinë, atë që nuk kam dashur t’ua them të tjerëve për të mos i
turbulluar me shqetësimin tim.
E kam pasur shok e mik të pandarë. E marr në dorë, shfletoj dhe para syve
më shpalosen vite, jetë. Një fjalë e hedhur ashtu me nxitim me laps apo
stilolaps, një njollë, shkrim i bukur, një ditë, një datë, një emër, një
toponim, gjithçka është aty: koha me të gjitha vlerat dhe antivlerat e saj.
Thonë se koha e bën njeriun. Ka një të vërtetë këtu, por e vërteta më e madhe
është se është njeriu ai që i jep tonin kohës.
Njeriu vjen dhe ikën nga kjo jetë, po lë pas kujtimin dhe ai rron te të
afërmit po se po, por edhe tek të tjerët dhe kjo varet nga gjurmët që ka lënë
në këtë jetë.
Në fletët e këtij ditari janë gjurmë të një jete, të shumë jetëve, të atyre
që janë e të atyre që s’janë më. Duke shfletuar gjej gjurmët e një jete të
dashur, mirësinë, dëlirësinë, pastërtinë, merakun, fisnikërinë e gjithçka
tjetër që ajo, nëna e dashur, Dedeja, la pas...
Dy fshatra të një krahine
Dy fshatra të
një krahine
Iki dhe kthehem sërish në ato vende. Atje ka lindur si
një rrap madhështor me rrënjët të shtrira thellë në zemër një dashuri e
pashuar. Me një nostalgji të pashuar kthehem sërish atje. Qielli më merr në
krahët e tij dhe më sjell midis ullinjve dhe blerimit. Është një vend i dashur.
Është vendlindja ime, është vendlindja e njerëzve të mi. Çorrushi dhe Klosi
janë dy fshatra të krahinës së Mallakastrës dhe largësia midis tyre me rrugë
këmbësore është rreth 20 km, ndërsa me mjete bëhet dy herë më e gjatë. Dy
fshatra me të njëjtat tradita e zakone, me njerëz punëmirë, të besës,
mikpritës, trima. Historia e tyre vjen nga thellësia e shekujve.
“Rreth vitit 270
p.Kr. bylinët kishin formuar plotësisht
koinonin e tyre, si një bashkësi politike, e cila shtrihej në një sipërfaqe
rreth 20 km² në krahinën e sotme të Mallakastrës, duke pasur si bosht luginën e
lumit Gjanicë. Përveç Bylisit dhe qytetit të vjetër në Klos, bënin pjesë në
këtë koinon qyteti antik në Gurëzezë, pranë Cakranit dhe qyteti antik në
Margëlliç, pranë Patosit...” – shkruajnë Neritan Ceka e Skënder Muçaj në
veprën “Bylisi”.
Çorrushi
është vendlindja e nënës sime, ndërsa Klosi vendlindja ime. E gjithë krahina e veçanërisht
këto fshatra u bënë më të njohura me Luftën Nacionalçlirimtare e pas saj. Dy
figura, Mehmet Shehu e Bilbil Klosi, i dhanë emër atyre. I pari si komandant i
Brigadës I Sulmuese e më vonë për tridhjetë vjet me radhë si kryeministër i
vendit, ndërsa i dyti si komisar në formacionet partizane e më vonë në detyra
të rëndësishme të pushtetit. Të dy dhanë kontributin e tyre për përparimin e
shoqërisë shqiptare. Bilbil Klosi vuri në dispozicion të luftës ose, siç i
thonë, “shkriu” gjithë pasurinë e tij të tundshme e të patundshme për idealet e
mëdha. Ai vinte nga një familje e pasur, por me vizione të gjera. Nuk mund të
mos përmend në këtë monografi Qemal e Sherif Klosin, Izet e Bujar Muratin,
Ardian e Bledi Klosin, Luftar Binjakun, Asllan Ferzaj, Hair Pashaj, Shefit
Velaj, Bajram Zeqo Çalaj, Axhem Xhelilaj, Asqeri Veizaj, Skënder Lamaj, Dilaver
Harizaj, Novruz e Dino Shehu, Sulo Bajramaj etj, të cilët nëna ime i kujtonte
me respekt dhe shpesh
i sillte si shembull për mençurinë, maturinë, drejtësinë dhe virtytet e tjera
të larta njerëzore që mbartnin e ua transmetuan edhe brezave të tjerë. Forca e
dashurisë dhe e lidhjes së fuqishme me vendlindjen padyshim e detyroi
Gjeneralin, ushtarakun e lartë Izet Murati, që në momentet e fundit të jetës,
aty në Korçë ku shërbeu për shumë vjet e doli në pension, t’u lejë amanet gruas
dhe tre fëmijëve: “Të prehem në Klos... Atje ku kam lindur...”
Historia e Klosit është e lidhur ngushtë me atë të
Bylisit e të bylinëve. Gjeografi grek Pseudo – Skylaksi në një përshkrim të
bregdetit Adriatik e Jon rreth vitit 380 p.Kr. shkruante: “Orikët banojnë në krahinën e Amantisë; amantët që shtrihen deri këtu
janë ilirë nga bylinët”, duke lënë të kuptohet se lidhja midis amantëve e
bylinëve shpreh një bashkësi politike. Bashkësia e bylinëve ishte pjesë e
krahinës së madhe ilire të Atintanisë, e cila përfshinte gjithë luginën e
poshtme e të mesme të Vjosës. Ndërtimi i menjëhershëm i një qyteti të madh
ishte zhvillimi i hershëm i jetës qytetare në atë trevë. Fare pranë Bylisit, në
fshatin e sotëm Klos, gjenden rrënojat e një qyteti tjetër ilir të themeluar në
gjysmën e dytë të shekullit V p.Kr, Klosi i njohur me emrin Nikaia. I pari që
shkroi për qytetin e Klosit ishte arkeologu austriak K.Paç, që e vizitoi atë në
vitin 1900.
I pasur është historiku i të dy fshatrave. Çorrushi
shtrihet në krahun jugor të rrugës nacionale Tiranë – Sarandë. Nga Lindja
kufizon krahinën e Mallakastrës me rrethin e Tepelenës. Nga Veriu kufizohet me
fshatin Zhubanat, malin e thatë; nga Lindja me fshatin Zhulaj; nga Perëndimi me
fshatin Kutë, ndërsa në Jug të fshatit gurgullojnë ujërat e Vjosës dhe në
brigjet përtej saj shtrihen fshatrat Shkozë, Sevaster e Gorishtë të rrethit
Vlorë.
Pozita gjeografike dhe klima është e favorshme për
rritjen e ullirit, arrës, lajthisë, shegës, bajames, hardhisë, dardhës,
qershisë, kumbullës, ftoit, mollës, fikut etj. Veprimtaria kryesore ekonomike
vazhdimisht ka qenë bujqësia, blegtoria dhe frutikultura. Në qendër të fshatit
ndodhet shkolla 9 – vjeçare.
Janë të njohura fiset Seranaj, Islamaj, Hodaj, Pashaj,
Haxhiaj, Velaj, Ymeraj, Zenelaj, Jaupaj, Memushaj, Saliaj, Lazaj, Velikaj,
Begaj, Mahmutaj, Koçiaj, Allkaj, Hamzaj, Sinani, Shehu, Islami, Myrtaj,
Xhelilaj, Avdulaj, Kalemaj, Ramaj, Kapllani, Hoxhaj, Ismalili, Velaj, Aliaj, Demaj,
etj. Ndodh që disa fise janë me mbiemër të njëjtë, por kjo gjë nuk tregon për
lidhje gjaku. Këto fise banojnë në lagjet Majas, Varfaj, Bajraktari, Asllanaj,
Banaj, Kënaj, Shullënjas, Zotoagaj, Bregasi, Shehaj (lagjia në të cilën ka
lindur edhe Mehmet Shehu), Hoxhaj, Agaraj, Çaushaj, Hederaj, Hallkomuçaj.
Theksojmë se terreni është kodrinor me një toponimi të pasur. Shpjegime të
shumta jepen për origjinën e fshatit dhe banorët e tij. Lidhjet martesore
zakonisht bëheshin jashtë fshatit dhe, sipas zakonit, me krushqi. Kështu ndodhi
që një ditë mblesi nga Klosi trokiti në derën e Seranajve për nënën time.
Klosi
ndodhet në qafën midis vendbanimit ilir Bylis dhe Nikae, sot vende arkeologjike
turistike, të cilave populli i zonës u thotë përkatësisht Gradishta e Hekalit
dhe Gradishta e Klosit, toponime sllave që vijnë nga gjysma e dytë e shekullit
VI m.Kr. Klosi është një fshat i vogël, aq sa para një shekulli është quajtur
edhe fshati i 40 shtëpive. “Nga një
qendër e thjeshtë protourbane, buzë rrugës që lidhte bregdetin e Adriatikut me
Epirin në gjysmën e dytë të shekullit V p.Kr. Kloasi u shndërrua në një qytet
të fortifikuar me mure të fuqishme të stilit poligonal dhe kuadratik” – shkruhet
në veprën “Bylisi” të autorëve
Neritan Ceka e Skënder Muçaj dhe më tej vazhdojnë: “muri rrethues me një gjatësi 1850 m e qarkon plotësisht
kodrën në një sipërfaqe prej 18 ha, duke ndjekur
linjën e terrenit. Muri nga më të hershmit e fortifikimeve qytetare ilire, ka
trashësi 3m – 3.5m dhe është ndërtuar në dy faqe me blloqe të mëdha guri
gëlqeror lokal... Qyteti ka vetëm një hyrje të formuar nga zgjatja paralele e
dy krahëve të mureve, të vendosur në qafën që e lidh me zonën përreth. Pranë
hyrjes dhe në pikat më të mundshme për t’u sulmuar janë ndërtuar tri kulla
mbrojtëse.”
Nga Veriu e Perëndimi ai kufizohet me fshatin Hekal, i
njohur veçanërisht në vitet ’30 – ’40 të shekullit XIX në kohën e Tanzimatit e
të revoltave popullore dhe më vonë për kontributin e tij në luftën çlirimtare.
Nga Lindja kufizohet me fshatin Kremenar, ndërsa nga Jugu me fshatin Drizar. Në
Jugperëndim të tij gjarpëron Vjosa dhe në luginën përballë shtrihen fshatrat
Gorishtë e Karbunarë të rrethit të Vlorës. Padyshim Vjosa me ujërat e saj ka
ndikuar në ekosistemin e vendit dhe në mikroklimën e tij.
Ky fshat i vogël është i mbledhur dhe emrat e fiseve janë
përdorur kryesisht për të emërtuar edhe lagjet. Por katër mund të quhen lagjet
kryesore të tij: lagjja Qendër në mes të qafës midis dy qyteteve, Gradishta (e
shkëmbit) në lindje, Gradova në perëndim dhe Poçemi ose fusha nga jugu.
Përsa u përket fiseve kryesore, ato janë: Murataj, Klosi,
Merkaj, Veizaj, Harizaj, Çalaj, Velaj, Shehaj, Binjaku, Lamaj, Pashaj, Ferzaj,
Xhelilaj, Verbaj, Rama, Likaj, Bajramaj, Hamitaj. Fshati ka një shkollë
fillore, ndërsa si aktivitet ekonomik historikisht banorët janë marrë me
bujqësi, blegtori, pemëtari e perime. Kultura e ullirit dhe hardhia përbëjnë
bazën kryesore të të ardhurave të ekonomisë së familjeve të Klosit. Për ullirin
historikisht në gjithë krahinën është krijuar mendimi se ai sjell fat, është i
mbushur me simbole si në botën fetare, klasike dhe moderne. Është simbol
paqeje. Për këtë arsye në vitin 1997, kur u dëmtuan shumë drurë frutorë, ulliri
u mbrojt nga vetë populli me fanatizëm.
Lagjja Gradishtë ose e Shkëmbit është e vendosur në anën
perëndimore të rrethimit të qytetit arkeologjik Nikaia dhe në anë të këtij muri
rrethues në drejtimin veri – perëndim janë vendosur në vitin 1960 varrezat e
fshatit Klos.
Këtej u nisën krushqit atë ditë për në Çorrush...
Për mua padyshim të dyja fshatrat janë të dashura, sepse
rrënjët e mia zgjaten e ndërthuren prej tyre...
LIDHJE GJAKU NË BREZA
LIDHJE GJAKU NË
BREZA
Marrim pjesë në lavdinë e të parëve tanë, vetëm atëherë kur mundohemi t’u
ngjajmë...
Molier
Prejardhja e fisit Seranaj ka lidhje me lëvizjet e fiseve
nga pjesa më jugore e vendit e më konkretisht nga Hormova e Tepelenës e të
vendosura në kodrat e fshatit Çorrush të Mallakastrës dhe përkatësisht në
Çaushaj, Asllanaj, Zoto – agaj, Agaraj dhe Bajraktaraj. Për Seranin e Mahmutin
nuk kemi gjetur të dhëna për lidhjet miqësore dhe nivelin e shtrirjes së tyre
në pjesët e banuara të zonës. Në brezin e tretë Nurçe Mahmutaj ka marrë gruan e
parë në lagjen Haxhaj te familja e Abedin Haxhiut dhe quhej Pashako, ndërsa
gruan e dytë Zonjë Xhaferi nga Bregasi.
Nga martesa lindën e u rritën këta fëmijë:
Nga martesa e parë Nga martesa
e dytë
1. Rrapo
1. Sulo
2. Qazim
2. Ramadan
3. Gjylo
3. Musa
4. Maliq Nurçe (gjyshi im) 4. Hasime
5. Lulo
Maliq Nurçe Seranaj ka lindur më 02.04.1889 në lagjen
Agaraj. Ai është marrë me blegtori e bujqësi bashkë me vëllanë e tij të madh,
Rrapon. Në martesën e parë nuk pati fëmijë dhe gruan e kishte nga fisi Kananaj
në Toç. Martohet për herë të dytë me Memehdi Myslym Dosti nga Kalivaçi Tepelenë
dhe lindën, rritën e gëzuan dashurinë e fëmijëve, 3 vajza dhe 2 djem.
Në lagjen Agaraj është mbajtur familja e madhe ku
bashkëjetonin 2 dhe 3 vëllezër bashkë, 2 – 3 kurora dhe këtë e kanë zbatuar
edhe prindërit tanë. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare Maliq Seranaj ka marrë
pjesë në brigadën e 12 – të sulmuese që nga fillimi i saj deri në çlirimin e
vendit dhe për këtë ka edhe dëshminë e vërtetuar. Pas çlirimit është marrë me
bujqësi e blegtori. Me koolektivizimin punoi në bujqësi. Burrë i leshtë, e
vlerësonin, duke evidentuar cilësitë e tij: burrërinë, maturinë, sinqeritetin,
dashurinë e respektin jo vetëm për të vetët e miqtë, por për njeriun në
përgjithësi. Fëmija e parë, Lavdija lindur më 7 prill 1930, u rrit me shumë përkëdheli
e përkujdesje si fëmija e parë e familjes Seranaj. Pastaj erdhën me radhë
Hatemja më 21.01.1935, Barjami më 15.01.1939, Mbetja më 10.04.1945 dhe Nekiu më
07.06.1949.
Nën kujdesin e prindërve dhe xhaxhait të madh Rrapo ata u
rritën në një familje të madhe. Ashtu si gjithë lagjja Agaraj, edhe prindërit
tanë kanë qenë shumë punëtorë, të dashur e të respektuar. Respekti i fëmijëve
nuk ishte i imponuar, por buronte vetvetiu nga marrëdhëniet dhe sjelljet e
qëndrimet e tyre. Ata kryesisht merreshin me bujqësi e blegtori dhe zotëronin
dhe, lopë, dy pendë qe dhe kafshë ngarkese. Mbaj mend mirë psikologjinë e
prindërve tanë si para dhe pas çlirimit. Patriarkalizmi e konservatorizmi ishin
pjesë e jetës së tyre. Ndoshta kjo lidhet edhe me pronën dhe punën. Gëzimi
ishte i madh e i papërshkruar kur në familje lindnin djem dhe mërzitja e madhe,
kur në jetë vinin vajza. Këto koncepte ishin ngulitur shekuj me radhë dhe ata
s’mund të bënin përjashtim nga një këndvështrim dhe praktikë e tillë jete.
Lavdija, si vajza e madhe e familjes, ka qenë shumë
punëtore, e dashur e largpamëse në analizat e situatave. U martua me Temo Çalaj
në Klos në qershor 1947. Martesa u bë sipas zakonit. Një ditë mblesi trokiti në
derën e Seranajve dhe kërkoi dorën e Lavdies për djalin e familjes Çalaj në Klos.
U pleqërua mirë dhe u vendos. U bënë të gjitha sipas zakonit. Erdhi dita e
dasmës. Karvani i krushqve me kuaj e mushka zbukuruar erdhi në Çorrush. Të
gjithë ishin të interesuar dhe pyesnin për dhëndrin, por ai nuk ishte midis
tyre. Fanatizmi dhe zakoni nuk e lejonin një gjë të tillë. Vetë Lavdija nuk e
kishte parë, le më njohur deri atëherë atë që do bëhej shoku i saj i jetës. Mes
gëzimit e haresë së përgjithshme karvani mori rrugën e kthimit, duke marrë edhe
nusen me vete. Një ankth i pashpjegueshëm i shtrëngonte gjoksin dhe zemra
rrihte me një ritëm të ri: si do të ishte atje?! Po vinte në një familje të re
e të madhe. Kishte dëgjuar shumë për ta. Temua kishte dy vëllezër, Baçon e
Zenelin dhe dy motra, Minushen e Zylkën. Njëri vëlla i tij, Ceno Çalaj, kishte
rënë dëshmor në luftën çlirimtare.
Me zgjuarsinë dhe qëndrimin e saj fitoi respektin e
familjes ku shkoi dhe rriti e edukoi fëmijë, që u bënë shembull në të gjithë
sektorët ku punojnë e jetojnë. Nuk thonë kot që dardha bin nën dardhë. Ajo
nderoi familjen nga rridhte dhe gjithë fisin.
Pema
gjenealogjike e fisit Çalaj me çiftin e ri u rrit e u madhua me degë e filiza
të rinj.
Hysen Çalaj lindi më 16 mars 1948 në Klos. Vitet e para
dhe 7 – vjeçaren e mbaroi në vendlindje. Ç’i sheh syri i bën dora, thonë për
njeriun e aftë. Aftësitë e tij u shfaqën në ushtri ku zotëroi shumë
specialitete. Martohet me Natasha Ali Xhafën, lindur më 17.01.1950 me arsim të
lartë ekonomik. Nga kjo martesë lindin Elvisi më 21,06.1976 dhe Migena më
26.11.1978. Të dy fëmijët mbarojnë shkollën e lartë. Migena martuar me Elvis
Astrit Bahollin nga Dibra e Madhe, vendosur në Tiranë që më 1928. Migena ka
lindur një vajzë, Lukianën më 21.12.2006 dhe një djalë Kevin më 31.01.2011. Elvisi
punon si fotoreporter dhe merret edhe me pikturë.
I dyti lindi Agroni më 21.09.1951. Pas mbarimit të
shkollës shjtatëvjeçare vazhdoi shkollën e mesme në Fier e më vonë Shkollën e
Bashkuar, ku u diplomua oficer dhe u emërua në qytetin e Gjirokastrës. Martuar
me Nexhmije Cacaj nga fshati Zhapokikë i Tepelenës, nga një familje patriote me
mjaft kontribut në shërbim të atdheut. I ati i saj, Skënderi ka punuar në
organet e punëve të brendshme. Familja e Agronit ka dy djem: Adriatik Çalaj
lindur më 15.08.1980 dhe Ermir Çalaj më 08.02.1982. Adriatiku, me arsim të
lartë, u martua me Fjorevitën, bija e Ylli e Natasha Fezgaj nga Përmeti, me
arsim të lartë dhe kanë lindur një djalë, Adjonin më 25 prill 2008. Ndërsa
Ermiri, po me arsim të lartë ekonomik, është martuar me Klodiana Isuf Allkja me
arsim të lartë ekonomik, njohur e dashuruar në punë.
Lefteria e lindur më 21.01.1954 mbaroi shkollën e mesme
profesionale. Ajo është martuar me Lefter Canaj nga Greshica, një nga djemtë e
birit trim të Mallakastrës Qerim Canajt, që kujtohet edhe sot me respekt për
veprën e tij. Nga kjo martesë lindën Irena, Mirela dhe Elona, të cilat mbaruan
arsimin e lartë. Irena martuar me Altin Bashën nga Ballshi lindi Erisën dhe
Mateon, ndërsa Mirela me Altin Sherifin solli në jetë Emën.
Fëmija i katërt ishte prapë vajzë, Adelina lindur më
15.03.1957 martuar me Përparim Zenelaj nga Aranitasi dhe kanë lindur dy fëmijë:
Erjonin dhe Marjolën, të dy me arsim të lartë, të martuar dhe me fëmijë.
Nuredini është fëmija i pestë që lindi më 19.01.1961. Ai
ka kryer shkollën e policisë dhe ka dhënë kontributin e tij për ruajtjen e
rendit dhe zbatimin e ligjit. Martuar me Adelina Ibrahimin nga Toçi i Tepelenës
kanë lindur tre fëmijë: Euglenin, Elsonin dhe Eltonin, të tre vazhdojnë
studimet e larta për inxhinieri ndërtimi, mjekësi dhe elektronikë.
Teki Çalaj u lind më 28.02.1964. Ai martohet me Lindita
Muhametin nga Krahsi Tepelenë dhe kanë lindur dy fëmijë: Oltën dhe Taulantin.
Olta mbaroi arsimin e lartë jurudik.
Fëmija i shtatë i Temos dhe Lavdies është Mustafai lindur
më 09.04.1967 dhe martuar me Valentina Rustemin me origjinë nga fisi Merkaj në
Fratar. Ata kanë mbaruar arsimin e mesëm dhe merren me bujqësi e blegtori në
vendlindje. Dy fëmijët e tyre janë Neritani dhe Mikeli, që vazhdojnë shkollën
në vendlindje.
Siç shihet nga paraqitja e mësipërme, vetë përbërja
familjare e Temo e Lavdije Çalaj është e gjerë e me shumë lidhje, degë e
filiza.
Hatemja është fëmija e dytë e familjes Seranaj lindur më
21.11.1935 në Çorrush. Martohet me Musa Kapaj në Toç të Tepelenës dhe për pak
punon në bujqësi. Më vonë i shoqi vishet polic dhe e merr familjen me vete në
ndërtimin e kanalit Vjosë – Levan – Fier. Më pas rikthehen në fshat dhe merren
me bujqësi e blegtori. Ata kanë lindur këta fëmijë:
Eqeremin më 28.08.1953, që pas mbarimit të shërbimit ushtarak,
nis punën në minierën e qymyrit në Memaliaj, deri sa doli në pension. Nga
martesa me Ëngjëllushe Jonuzin nga Krahësi kanë lindur Alketin, i cili nga ana
e vet është martuar me Julinda Gogaj nga Tepelena e jetojnë në Greqi. Fëmija i
dytë, Amarilda Kapaj është martuar me Hysni Çalën nga Toçi dhe kanë dy fëmijë.
Marsela martuar me Dritan Silën nga Fratari i Mallakastrës dha ka dy fëmijë.
Ilmi Kapaj, fëmija i dytë i Hatemes, lindur më 05.01.1958
dhe martuar me Shazen nga fshati Bozaraj Kalivaç. Ata kanë katër fëmijë:
Erjolën martuar me Erjonin nga Kavaja dhe kanë lindur djalë; Fjorën martuar në
Dukat Vlorë; Erindin dhe Enkelën.
Fëmija i tretë, Xhevdeti, martuar me Ëngjëllushe Osmanaj
nga Ninshi, aktualisht emigrantë në Greqi kanë dy fëmijë: Aurelo dhe Xhesika.
Fëmija i katërt, Myzejeni, i datëlindjes 1965, e martuar
me tre fëmijë: Matildën, Elisin dhe Farushen. Edhe fëmija i pestë ishte vajzë,
Dhurata, e cila është martuar me Mikel Zenelaj nga Aranitasi e banon në Ballsh
dhe ka tre fëmijë: Rea, Dea dhe Redi. I gjashti ishte Besniku i 1969 – ës, që u
martua me Lumturinë nga Gërcallija dhe lindën vajzat Katerina, Angjelina dhe
Marinela.
Pas dy
vajzave në familjen Seranaj vjen më 15 janar 1939 një djalë, Barjami. Gëzimi
ishte i madh. Krisma armësh lajmëruan ardhjen e tij në jetë në Çorrush. U rrit
me përkujdesje të veçanta, aq sa mund të quhen të tilla, në atë kohë trazimesh
e lufte. Pas mbarimit të shkollës 7 – vjeçare në vendlindje, mbaron Teknikumin
Bujqësor në Fier. I jepet e drejta e studimit për në Bullgari, ku për një vit
kreu studimet e larta, por u detyrua të kthehet në atdhe për shkak të prishjes
së madhe me bllokun e Lindjes. Studimet e larta i mbaron në Institutin e Lartë
Bujqësor të Kamzës. Më 1965 diplomohet “Agronom Ekonomist” i specializuar
ekonomist agrar. Me orientim të kryeministrit të atëhershëm Mehmet Shehu
emërohet në Çorrush, ku kryen një seri detyrash si agronom, kryetar i degës së
planit, ekonomist, kryetar etj. Barjami më 10 gusht 1960 martohet me Këze
Asimetaj nga Hekali i Mallakastrës dhe kanë lindur, rritur, edukuar e arsimuar
pesë fëmijë: Agimin (1966), Eftalinë (1968), Arturin (1970), Astritin (1972)
dhe Altinin (1975). Të pesë fëmijët janë martuar dhe janë me fëmijë. Ata kanë
mbaruar studimet e larta universitare e pasuniversitare dhe punojnë në të katër
anët e vendit në pozicione të ndryshme.
Mbete Seranaj u lind më 10.04.1945 në Çorrush. Ajo u
martua me Muzafer Kananaj nga Toçi Tepelenë dhe vendosen në Sarandë, ku ai
punonte si oficer i Degës së Punëve të Brendshme. Ata kanë tre fëmijë:
Enerietën, Edmondin dhe Kozetën, të tre të martuar me nga dy fëmijë secili.
Fëmija i pestë, Nekiu, lindur më 07.06.1949, mbasi mbaron
shkollën në Çorrush kryen shërbimin ushtarak në Shishtavec të Kuksit. Pas
shërbimit ushtarak vishet nënoficer dhe për shumë vite punon atje, pastaj
transferohet në Krujë dhe aktualisht banon në Tiranë. Ai është martuar me
Shefiko Muharrem Velaj dhe kanë tre fëmijë: Shkëlqimin, Ardianën dhe
Enkelejdën, të tre të martuar dhe me fëmijë.
Më sipër dhamë një degë, atë të Maliq Nurçe Seranajt dhe
të shtatë fëmijëve të tij. Nëse do të ndaleshim të shikonim rrënjët e gjakut
dhe të qumështit të vëllezërve e motrave të tij, do të vërejmë se radha është e
gjatë. Filizat bëhen degë, degët trungje me rrënjë që shtrihen thellë. Vlen të
theksohet se ky fis i madh përherë ka pasur të ngulitur thellë dëshirën për
dije e kulturë. Ata kanë qenë të drejtë e të ndershëm, kanë kultivuar dashurinë
e respektin njerëzor. Vërehet gjithashtu se lidhjet e tyre me vendlindjen kanë
qenë të fuqishme dhe kudo që kanë shkuar, kokën e kanë kthyer përherë prapa,
nuk kanë harruar se nga e cilët janë. Nëse njeriu do të harronte prejardhjen e
tij, nëse do ta përçmonte atë vend që e solli në jetë, atë vend ku hodhi hapat
e para, ku përshëndeti diellin së pari, ku përgjaku këmbën në një gur a dru, ku
brodhi pas shqerrave e kecave apo ndoqi ndonjë zog, atëherë gjithçka do të
ishte e humbur.
Nëse do të shikonim çështjen nga një anë tjetër, do të
vërenim se edhe lidhjet martesore kryesisht janë bërë brenda trevave të tyre:
Tepelenë, Mallakastër, Vlorë, Fier dhe më pak në trevat e tjera. Kjo nuk do të
thotë se ata janë thjesht lokalistë, se kemi lidhje martesore të të rinjve me
njohje e dashuri nga Dibra, Tirana, Përmeti, Elbasani, Tepelena, Lezha e më
gjerë.
Të rinjtë kanë trashëguar traditat e zakonet e të parëve
dhe ua kultivojnë edhe brezave që vijnë, duke i mëkuar me dashurinë për
vendlindjen dhe respektin për të moshuarit.
NËNË DHE BABA
NËNË DHE BABA
T’i bëjmë ballë kohës, ashtu si të na
vijë...
S h e k s p i r
Me Linën do të
vini në Krahës
Klos, 21 tetor 1988
Shkoj në Klos si zakonisht çdo muaj. Prindërit dhe të
tjerët ishin të gjithë mirë. U çmallëm. Kishim shumë për të thënë. Më pyesnin,
u përgjigjesha. Pyesja, më përgjigjeshin. Në bisedë e sipër Dedeja më tha:
-Do veni në Krahës me Linën për të bërë hair nusen e
Tekiut...
U mendova një çast dhe ia ktheva:
-Po Tekiu a është dakort?
-Ai ka pyetur vetë, pastaj ne kemi Ëngjëllushen, njeriun
tonë atje. Le që Tekiu është për së mbari, nuk e kemi për të humbur djalin.
Familje e mirë, njeri i mirë.
Diçka kisha biseduar me Tekiun ashtu shkarazi, por Dedeja
e bëri fakt të kryer. Megjithatë duheshin marrë disa masa, duheshin bërë
përgatitjet e duhura. Një seri pyetjesh më trokisnin në kokë dhe ia thashë
Dedesë.
-Kur do të vemi? Sa do të jemi: Çfarë do të blejmë?
Nënqeshi lehtë si për të më qetësuar.
-Muajin tjetër, - tha, - po do biseduar me Linën.
-Dakort.
Kështu bëmë.
MOS U MËRZIT,
QESH AI QË QESH I FUNDIT
E hënë, 15.01.1990
Kohë e ftohtë. Ka afërsisht 30 ditë që temperatura
qëndron nën zero. Me diell dy muaj. Unë po mbush 10 muaj që kam ikur nga puna
dhe prindërit janë mërzitur tepër. Ata dhe Hysenin i kisha sqaruar edhe më parë
për problemin tim, që ishte një kontribut i heshtur. Megjithatë ata kishin të
drejtë të shqetësohen e të bëhen merak. Dedeja, sa herë që unë veja në Klos, më
bënte pyetje të zgjuara, duke e kuptuar më mirë problemin tim.
Erdha në fshat. Të rri disa ditë dhe t’i qetësoj edhe
këta. Ishte ora 12 e po kësaj dite. Koha ishte me diell. Kisha dalë në avlli të
shtëpisë dhe po mendohesha. Dedeja vjen me dy – tre kokrra mollë nga ato të
shtëpisë dhe më thotë:
-Ulemi këtu e qëroji këto...
U ulëm tek shkallët. Erdhi edhe babai. Duke biseduar më
thotë:
-Unë besoj se ju vetë nuk keni probleme, por ato që keni
thënë, për të mirën e punës i keni thënë. Mos u mërzit, qesh ai që qesh i
fundit...
KUJDES
LAVDIJEN DHE MUSTAFANË
Klos, më 10 korrik 1990
Baba Temua ishte i veçantë. Sipas dokumenteve ai ishte i
datëlindjes 1914. E them sipas dokumenteve, se ai më thoshte gjithmonë: kur u
ngrit flamuri në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali, unë isha 6 – 7 vjeç. Pra ai
qe regjistruar i vogël dhe viti i lindjes së tij duhet të jetë 1907 – 1908.
Jetoi 83 vjet. Gjatë gjithë jetës punoi si ai..., punëtor i madh.
Ishte i dashur dhe i dhembshur për fëmijët, mikun e
shokun. Nuk mbaj mend që të më ketë qëlluar një herë kur isha fëmijë dhe,
kuptohet, ajo moshë kishte çapkënllëqet e veta. Bile po të shikonte edhe gjetkë
që të rrihej një fëmijë, do të ndërhynte e do t’i dilte krah dhe do të thoshte
se druri vërtet ka dalë nga xheneti, por ai nuk ndreq, po prish. Fëmijën mësoje
me fjalë e me bëma dhe jo me dru. Kur në shtëpi përgatitej ndonjë ëmbëlsirë a
ndonjë gjë e mirë, pjesën e tij na e ndante ne, 7 fëmijëve. Ishim pesë vëllezër
e dy motra.
Për vitet që kishte mbi kurriz e për kohën që kishte
kaluar, ndryshe nga shumë të tjerë, ishte i përparuar e i civilizuar, duke
mbetur deri në fund pro mendimit të fëmijëve për lidhjet e tyre bashkëshortore,
për emrat e nipërve e të mbesave dhe për shumë çështje të tjera. Gjithmonë,
sidomos Hysenit dhe mua që ishim larg, na pyeste: kur do t’i bini nuset e
fëmijët, kurse tek Lefteria e Lina po ta merrte malli apo mërzitej, shkonte se
nuk i kishte larg, një vrap pele, thoshte, është Klosi nga Ballshi, por
asnjëherë duarbosh, do të merrte diçka për fëmijët.
Në datën 10 korrik 1990 Tiku po mbushte 10 vjeç. Sa
kishte mbaruar klasën e tretë. Kishte marrë edhe fletë lavdërimi. Vendosëm të
shkojmë në fshat dhe ta festojmë atje përvjetorin. Tiku me të mbaruar shkollën,
çdo verë shkonte në fshat. Ndihmonte babanë për ruajtjen e bagëtive, sidomos të
lopëve... Gëzimi i fëmijëve ishte i madh. E ndienin veten ndryshe atje në
fshat. I hipëm autobuzit që shkonte në Vlorë, por që kalonte nga Poçemi.
Zbritëm tek ulliri në anë të xhadesë poshtë shtëpive të Ymer Çymes. U ngjitëm
lart. Tek Rraheja, mbi shtëpitë e Ymerit, babai po kulloste lopën. E pashë nga
larg dhe mbajta këmbët. Nuk i kishim lajmëruar që do të shkonim e nuk na prisnin.
I thashë Tikut: shko me kujdes nga mnbrapa që të mos të të shikojë dhe kape nga
këmba... Tiku kaq deshi, e realizoi mjaft bukur. Babai mbeti për një çast i
habitur, pastaj hapi krahët dhe djali iu hodh në qafë. Me kë erdhe... si
jeni... – dhe pyetjet pasonin njëra – tjetrën.
Unë i ngrita dorën nga larg. Arritëm atje, u përqafuam. U
gëzua pa masë. Kjo gjë shprehej në të gjithë qenien e tij. Më pyeti andej e
këtej... Dy – tre orë bisedë aty nën një hije, ndërsa lopa kulloste më tej. Një
pamje që të çlodhte në çdo drejtim. Dielli digjte, por fjalët e ngrohta,
dashuria na fladiste dhe na mbushte shpirtin plot.
-Nuk
kam gjunjë fare, - më tha pas disa çasteve. – Jetuam pra dhe u plakëm. Po ti
kujdes Lavdijen dhe Mustafanë...
E pashë me vemendje. Ai burrë që nuk e kisha parë
asnjëherë të menduar, u çua me mundim dhe, pa e dhënë veten, bërë përpara. Na
priu për në shtëpi.
Nuk kaluan pak muaj dhe ajo, që kishte parashikuar, doli.
Në tetor të atij viti u sëmur dhe zuri shtratin për të mos u ngritur më.
BABAI JU LA!...
Sëmundja e babait i shpeshtoi vajtjet në fshat. Sa vente
e rëndohej, megjithatë nuk e jepte veten. Mundohej të na mbante me muhabet.
Pyeste për gjithçka. Ne nuk donim ta afronim të keqen, por ajo erdhi.
Më 4 mars 1991, sapo kishte filluar të hidhte hapat e
para pranvera dhe dimri po zvarritej drejt fundit të vet, Myneverja nga Ballshi
merr në telefon për të njoftuar lajmin e keq... Babai mbaroi... Vetëm kaq.
Ç’mund të thoshte më tepër. Fjalët në këto raste sikur e humbasin peshën e
tyre. Kokën sikur e ke bosh, fjalët nuk e gjejnë dot rrugën e artikulimit për
të shprehur mendimet dhe ndjenjat që përjeton në ato momente.
Edhe Myneverja baba i thoshte. Si korrekte që ishte
përherë, ajo mori në Gjirokastër. Lajmëroi kudo ku duhej lajmëruar dhe si duhej
lajmëruar. Ajo frazë e shkurtër, pavarësisht se isha përgatitur për një rast të
tillë, më tronditi dhe fjalët ngushëlluese që pasuan nuk zunë vend në trurin
tim.
Me ta marrë lajmin, u nisëm për në Klos me Skënderin,
Shemen, Nexhin, Përparimin dhe Fredin.
Kur arritëm në shtëpi, fjala e parë e Dedesë ishte:
-Babai ju la...
Diçka tjetër dëshironte të shtonte, por unë nxitova e
thashë:
-Të na rrosh ti me gjithë ç’la prapa! – dhe e përqafova.
Kështu vepruan dhe të tjerët.
Atë ditë koha ishte e mirë, por dhimbja e madhe. Gjithçka
ia bëmë sipas zakonit.
Mbas vdekjes së babait tonë të urtë e punëtor, rolin e
tij e mori nënë Lavdija dhe për 20 vjet ajo u bë edhe baba për 7 fëmijët e saj,
që me shumë sakrificë i rriti, edukoi e shkolloi.
Minushja dhe
Zylka, dy motrat e dashura të Temos
E enjte, 01 mars 1991
Pardje, të martën, shkova në Tiranë për një problem
timin. Mbasi mbarova punë në Ministrinë e Mbrojtjes, mora në telefon hallë
Zylkën, motrën e vogël të babait. Pas përshëndetjeve të para dhe pasi e mori
vesh që isha në Tiranë, më tha prerë: Të pres në shtëpi! Kështu bëra. Më
përqafoi fort dhe filloi të më pyesë gjerë e gjatë. I thashë se babanë e kisha
lënë shumë të sëmurë në shtrat dhe se do të kthehesha prapë në Klos. Ajo e
dinte se unë me Dedenë dhe me Linditën po i qëndronim natë e ditë te koka dhe i
shërbenim. U përlot për vëllanë e saj të madh. Më luti të qëndroj edhe për
drekë. Më puthi disa herë. Ishte e veçantë ajo dhe dashurinë e shprehte me
mënyrën e saj. Vite të shkuara, kur isha në shkollë në Tiranë dhe ajo gatuante
ndonjë gjë të mirë, ma ruante dhe kur venim bashkë me Hysenin, ç’të na bënte më
parë. Të gjithë sa kishim në Tiranë kujdeseshin për ne, fëmijët e Klosit, por
veçanërisht hallë Zylka. Kur i kishim treguar nënë Lavdijes për përkujdesjet e
tyre, ajo u shpreh: Zylka e Nasipi për ne janë bërë çadër, gjithmonë na kanë
ndihmuar, të bëhen kurban dy motrat e Temos, kur u vete në shtëpi, e mbyllte
bisedën ajo për të dy kunatat.
Bisedo me
xhaxhallarët
E martë, 5 mars 1991
Njerëzit hynin e dilnin. Shumë njerëz. Nderonin atë që
iku. Do të bëhet varrimi. Dedeja më kërkon e më thotë:
-Bisedo me xha Baçon e xha Zenelin që varrimi të bëhet
bashkë me prindërit e tij.
Kaq tha dhe shkoi prapë në vendin e saj, aty pranë atij
që po ikte. Ishte një urdhër që nuk pranonte diskutim. Ashtu do të bëhej.
E dija që gjyshërit e mi preheshin në vendin e quajtur
Dradovë. Duhej organizuar puna që të nxirreshin eshtrat e tyre dhe të silleshin
në varrezat e reja të fshatit. Gjithçka e bëmë me rregullin e vet.
Mos e ka lënë vallë amanet këtë, nuk më shqitej mendimi,
apo Dedeja donte ta bashkonte djalin me prindërit e ikur prej vitesh?!
Amaneti i
Dedesë së dashur
Klos, më 12
mars 1991
Të dyzetat e babait u lanë të bëhen më 15 prill. Në fshat
unë me Nexhmijen bëmë edhe të tretat e u kthyem në Gjirokastër, se djemtë ishin
në shkollë e gruaja në punë. Të shtatat, sipas zakonit i bënë vëllezërit e
babait xhaxha Baçua e xhaxha Zeneli. Në këtë drekë përkujtimore vajta vetëm. Në
orën 10 shkuam në varreza. Ishim të gjithë fëmijët dhe të afërmit. Dedeja me dy
xhaxhallarët në krye. Pas tyre ne fëmijët, nipër e mbesa. Bëmë zakonet dhe në
rrugën e kthimit Dedeja më mori pranë. E përqafova dhe ecëm përkrahu.
-Agron, - më tha, - vdekjen borxh e kam edhe unë! Nga
fshati nuk do të iki, nuk lëviz gjëkundi... Në krah të Temos, kur të bëni
rrethimin, llogarit vendin! Mirë është që ta keni bërë për të 40 – tat, që do
të bëhen më 15 prill...
-Mos u bëj merak për këtë, - ia ktheva dhe e përqafova, -
ti të na rrosh sa më gjatë...
Nuk folëm më për këtë. U kthyem në shtëpi dhe vazhduam
sipas programit. Mbasdite vonë u nisa për Gjirokastër. Gjatë gjithë rrugës
mendoja për porosinë e Dedesë, duhej të veproja shpejt, të merrja masat e
duhura. Kohë nuk kisha, vetëm 30 ditë, larg isha, koha qe e vështirë. Si ta
bëja rrethimin?! Solla ndër mend disa variante që kisha parë. Do ta bëja me
hekur. Kthesat, lulet, shkrimet do t’i bëja në Gjirokastër, kurse saldimet e
montimin me Batjarin e Nuredinin në fshat. U mendova gjatë se kush mund të më
ndihmojë. E gjeta, te Avni Peçi, një miku im oficer nga Picari, i cili më është
gjendur gjithmonë në krah...
E mërkurë, më...
Disa ditë me radhë nuk e kapa lapsin me dorë e as
fletoren. Kam shumë për të thënë. Telashet ishin të shumta. Me Avniun e
bisedova që të nesërmen e kthimit tim dhe ai u tregua i gatshëm. Bëmë skicat e
duhura, matjet e llogaritjet. Gjetëm specialistët dhe nisi puna. Unë isha në
ankth se mos nuk arrija dot. Megjithatë gjithçka ishte gati dhe më 9 prill
gjithë materialin e sistemuar në thasë me autobus e çova në fshat. Sikur m’u
hoq një barrë e rëndë nga supet.
Nuk na mbetej gjë tjetër veçse t’i çonim në vendin e
caktuar. Ia hymë punës me Batjarin, që kishte marrë leje nga puna e tij në
stacionin e naftës, Nuredinin, Tekiun e Mustafanë. Filluam matjet, sepse
rrethimi do të bëhej për tre varoshe radhazi: të gjyshërve, të babait dhe...
Një ditë para të dyzetave “porosia” është gati. Gjithçka
në vendin e vet. Diçka e pëlqyeshme.
Shtesë, 20 vite më vonë
Vitet kalojnë duke lënë gjurmë mbi secilin prej nesh.
Dikur të rinj e plot energji nuk e mendonim se ç’mund të sjellë e nesërmja.
Shfletoj ditarin dhe më shfaqen para syve ditët e kaluara. Asgjë nuk ka humbur,
gjithçka është e strukur thellë brenda vetes dhe telashet e problemet e
përditshmërisë nuk mund t’i shlyejnë nga kujtesa. Kështu është njeriu. Atëherë
e bëmë atë rrethim me vëllezërit dhe lamë një vend sipas amanetit të Dedesë.
Ç’i shkon në mend dhe kësaj, ndoshta kam thënë me vete atëherë, por nuk ia
prishja dot, s’mund t’i ktheja fjalë. Kështu ishim gatuar ne. Fjala e tyre
ishte ligj dhe duhej zbatuar patjetër. Tani u bëmë vetë prindër e gjyshër dhe
na vjen çudi me veten. Si ndryshuam! Megjithatë jeta e shkuar, mbresat e
kujtimet, një fjalë nën zë për të mos u dëgjuar nga të tjerët, një këshillë a
qortim, një porosi e amanet nuk shlyhen lehtë.
Atëherë e bëmë atë rrethim dhe u nderuam. Kaluam vitet
dhe ai i rezistoi kohës, qëndron ashtu i bukur, duke mbajtur brenda vetes
njerëzit e dashur, të cilët i kemi përjetësuar edhe me mermer...
Erdhët, sa
mirë që kini marrë djemtë!
Klos, e shtunë, më 31 gusht 1991
Erdhëm në fshat se babai mbush 6 muaj që ka vdekur. Në Klos u mblodhëm të
gjithë për ta kujtuar. Unë shkova me Nexhin, Tikun e Mirin. Dedeja me të parë
Tikun që ishte 11 vjeç dhe Mirin 9 u shpreh:
-Sa mirë që kini marrë djemtë!
-Kanë shprehur dëshirën fëmijët të çojnë buqetë me lule te varri i gjyshit,
që i donte aq shumë.
E kisha merak
E
diel, 24.11.1991
Shkoj në Ballsh. Më 17 nëntor ishte bërë varrimi i Qerim
Cenos, disident i demokracisë dhe i persekutuar politik, babai i Lefterit.
Shkova për të ngushëlluar nënën e mirë Gonxhe dhe fëmijët e saj. Janë disa
detyrime që duhen bërë patjetër, pavarësisht se je larg. Largësia nuk do të
thotë asgjë.
Koha këto ditë ka qenë e keqe, me shi dhe ftohtë. Në
lajme u tha se vetëm dje ka rënë 75 mm shi. Koha po rëndohet më tepër. Nga
Veriu kanë nisur borërat. Të kthehem në shtëpi apo të shkoj në fshat? Erdhe
deri këtu, hidhu një vrap deri në Klos, tha një zë brenda meje.
Shkova. Ishin të gjithë mirë. U gëzuan të gjithë,
veçanërisht Dedeja.
-Kisha merak se mos nuk të kishin lajmëruar, se je larg.
-Po – i thashë. – I bëra detyrimet siç duhet.
Ajo ndjeu një gëzim të veçantë.
Do shkosh në
Fratar, për të ndarë ditën e nuses
Klos, më 20 mars 1993
Në fshatin Bejar është fejuar Mustafai, vëllai i vogël.
Për këtë nuse ndërmjetësoi dajo Nekimi me nusen e tij Shefikon. Kishte shtatë
muaj që ishte dhënë fjala dhe tani duhej caktuar data e dasmës. Sipas zakonit,
njerëzit e djalit venë tek ata të nuses për të prerë ditën.
-Do të vesh në Fratar me Mustafanë, - më thotë Dedeja, -
për të ndarë ditën e nuses.
-Të dërgojmë njërin nga dajot ose Hysenin, - ia ktheva
unë, jo se nuk mund ta kryeja këtë detyrë, por nuk desha t’u dilja përpara më
të mëdhenjve. Ishte respekti ndaj tyre.
-Po ç’i mundon ata, - ma preu ajo, - Barjami është i
ngarkuar në dy anët e në mes. Ju keni rrugën lart, në këmbë si në Krahës nuk do
të ecni, se krushku i ri në anë të rrugës e ka shtëpinë.
U nisa të them diçka, ta kundërshtoj, por një gjest i saj
më ndaloi:
-Do të hidhni 10 mijë lek dhe do të caktosh datën e
dasmës një nga të dielat e shtatorit të këtij viti.
E pashë se nuk mund të kundërshtoja. Ashtu e kishte ajo,
qetë e butë, po fjala e saj duhej vënë në vend.
Ashtu bëmë.
Nuk po e vlerësojnë sa duhet LANCÇl
Klos, 20.08.1993
Në territorin e fshatit tonë Klos – Mallakastër gjatë
Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që e radhiti Shqipërinë në krah të
aleatëve të koalicionit të madh antifashist botëror, ndodhën tre ngjarje të
rëndësishme: E para, më 4 shkurt 1943 u krijua formacioni i parë partizan i
kësaj krahine, Çeta Plakë e Mallakastrës; së dyti: në 14 korrik 1943 Besëlidhja
e Poçemit, ku morën pjesë mbi dymijë mallakastriotë; së treti: më 5 gusht 1943
te kubeja e Klosit u krijua batalioni “Ismail Klosi” dhe komisar i këtij
formacioni partizan u caktua Qemal Klosi, djali i Ismail Klosit dhe babai i
Fatos Klosit. Përsa i përket ngjarjes së 14 korrikut, Besëlidhjes së Poçemit,
ia vlen të bëjmë një sqarim: ajo ishte e treta në këtë krahinë. E para ishte
besa duke kryqëzuar shpatat, luftëtarët e heroit popullor Rrapo Hekali që në
vitin 1847 në luftë me turqit. Më pas do të ishin luftëtarët e kësaj krahine me
tradita të vyera patriotike që nga Poçemi do të krijohej besëlidhja e dytë për
në Luftën e Vlorës në qershor të vitit 1920 dhe kjo ishte e treta.
Në këtë luftë kjo krahinë dha 270 dëshmorë dhe 366
viktima të pafajshme. Të tria këto ngjarje këtë vit kishin 50 – vjetorin e
krijimit të tyre e për rrjedhojë duheshin kujtuar me nderim të madh. E kundërta
ndodhi me qeverinë e PD – së. Për këtë gjë Dedeja m’u shpreh me pakënaqësi: Nuk
po e nderojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. E kanë gabim…
Do rrish
nesër, se duhen ndarë Tekiu me Mustafanë
Klos,
30.11.1994
Kohët janë të tilla që secili duhet të shikojë punën e
vet. Një herë shtëpitë e mëdha ishin plot gjallëri. U rritëm dhe secili mori
rrugën e vet. Shumë kurora rrinin nën një çati dhe harmonia harmoni. Kishte një
çoban për gjithë kopenë. Nuk i binte njëri gozhdës e tjetri patkoit. Ç’t’i
bësh! Sipas muzikës do ta heqim vallen. Edhe Dedeja e di këtë gjë. Mërzitet
ajo, e do folenë ta ketë plot si dikur, po s’mund të bëjë ndryshe. E kishte
tjerrë gjerë e gjatë me veten dhe e kishte vendosur. Meraku i nënës, merak.
Më mori mënjanë dhe e mërzitur më tha:
-Nesër bisedo me të dy dhe ndaji.
Pashë një pikë loti që u shfaq në cepin e syrit të majtë,
por që e fshiu shpejt me cepin e shamisë për të mos e dhënë veten dhe vazhdoi:
-Sa më shpejt, aq më mirë...
E pashë pa i kthyer përgjigje. Heshti, një heshtje e
rëndë. Një si gulç i kishte zënë fytin, megjithatë vazhdoi:
-Tekiu të marrë pjesën andej, - dhe tregoi me dorë, -
kurse Mustafai shtëpitë e vjetra, gjënë e gjallë le ta bisedojnë vetë...
Nuk i thashë asgjë. I kishte menduar të gjitha. Bisedova
me të dy vëllezërit dhe ishin të një mendjeje. Filluam. Ndarja u bë me vullnet
dhe me drejtësi. Kur mbaroi gjithçka, u thashë:
-A jeni dakort kështu?
-Po, - u përgjigjën të dy.
-Atëherë vëllazëri të mirë e mbarë ju vaftë!
Ndenja edhe dy ditë. Dedeja dukej mirë. U nisa i qetë...
Adelina duhet
ndihmuar
Klos, më 20.10.1998
Përsëri në Klos. Ndonëse kohët janë të vështira dhe ajo
që kaluam ishte edhe më e vështirë (themi kaluam, por nuk ka kaluar akoma), nuk
më rrihet pa ardhur herë pas here në fshat. Sikur më tërheq balta. Ç’dreq
balte, balta jote, siç thotë Dritëroi. Gëzohen ata kur më shikojnë dhe unë seç
ndiej një drithërimë tjetërlloj. Këtu kam kaluar një pjesë të jetës sime, kam
qeshur e qarë, kam dashur e më kanë dashur. Shumë gjëra më lidhin me Klosin.
Pastaj është edhe Dedeja, kunatat dhe fëmijët e tyre. Nurua, Tekiu dhe Mustafai
kanë ikur në Greqi. E kush nuk ka ikur?!... Emigrantë ekonomikë.
Duke banuar në Gjirokastër për një kohë të gjatë, pata
mundësinë t’i ndihmoj këta njerëz që dëshironin të shkonin në Greqi për një
jetë më të mirë. Një vizë a ndonjë ndihmë tjetërsoj.
Disa herë, kur kisha shfaqur dëshirën të largohem nga
Gjirokastra, që të jem më pranë tyre, Dedeja më kishte thënë:
-Mos ik nga Gjirokastra se po ndihmon edhe këta...
-Edhe Adelina duhet ndihmuar, - më tha një ditë gjithë
merak, - është e sëmurë me karbon në gjak. I hëngri uzina e Ballshit...
Unë e dija problemin e motrës dhe e kisha merak vetë.
-Do të vejë në Tiranë, por i duhen disa lek, - më tha një
herë tjetër. E ndieja në zërin e saj , se nuk e donte këtë gjë, por ç’t’i bësh.
Kështu janë gjërat.
-Të iki nga Ballshi për shëndetin e saj, - tha duke
tundur kokën. Mërzitjen e vura re lehtë, megjithatë nuk e dha veten. – Ne nuk
na bëhet mirë se e kemi pasur për çdo gjë aty.
Tekiu bën 40 –
vjetorin. Mos harroni!
Klos, e shtunë, 28 shkurt 2004
Herën e fundit që kisha qenë në fshat, para se të ikja, Dedeja më përcolli
një copë rrugë dhe, kur po ndaheshim, më përqafoi duke më thënë:
-Tekiu bën 40 – vjetorin. Mos harroni!
Fjalët
e saj si me të përshpëritur më jehuan gjatë në vesh. Koha ishte e keqe. Bora
kishte veshur malet. Ftohtë është. Shi bie e herë – herë edhe një borë e lehtë
që nuk mban. Do të shkojmë patjetër.
Tekiu kishte ftuar motra e vëllezër, xhaxhallarët, teze Mbeten me
Myzaferin, vjehrrin, Muhametin me Shanikon, Rustemin me Tashën, Klodin, burrin
e Ëngjëllushes, Fuatin e xha Nazifit, Barjamin e xha Islamit e të tjerë.
Nga Gjirokastra isha unë me Tikun. Dedesë, kur na pa, i ndritën sytë. Nga
Tirana ishin Hyseni, Tasha, Lefteri me Lefterinë, Mirela, Elona, Përparimi,
Lina, Erjoni me të fejuarën, Marjola me të fejuarin. Dy xhaxhallarët. Nga Nuriu
ishin Geni, Soni dhe Tomi. Ishim plot. U çmallëm. Njeriu ka nevojë për sebepe
të tilla, se koha i ndau njerëzit. E bënë mirë që erdhën të gjithë.
Tekiu i kishte marrë të gjitha masat. Mishi i qengjit
ishte pjekur në hell, të tjerat në furrën me dru. Shiu bie litarë dhe era
ulërin si e marrë. Sa hundën nuk mund të nxjerrësh jashtë. Megjithatë ne s’duam
t’ia dimë nga koha. Ajo ka punën e vet e ne tonën. Oxhaku bubullon. Flaka lëpin
kërcunjtë e ullirit dhe ngrohtësia e zjarrit shpërndahet në të gjithë dhomën,Dedeja,
e ulur në krye të oxhakut, ngriti gotën dhe uroi:
-Mirë se më erdhët! – pastaj u kthye nga Tekiu – Të më
rrosh, edhe 100 vjet!
U ngritën gotat dhe urimet s’kishin të mbaruar me radhë e
sipas zakonit. Filloi kënga. Për humor i thashë Hysenit:
-Do marrë sa më shpejt kënga që dimë, se do na e marrë
njeri dhe mbetemi pa të...
Darka kaloi mirë me këngë, valle e gëzim. Vetëm një
“incident” i vogël sikur e fashiti pak. Në një moment dritat ikën. Helbete
dimër. Por edhe për këtë ishte menduar. Llamba e fenerë si qëmoti...
Vazhdon me dru
në pyll
13 shtator 2004
Kthehesha nga Tirana. Ndalova në Ballsh për të blerë
ushqime për në Klos. Sallam, mollë, portokalle, limona dhe karamele. Në Klos
shkova me Lazen, djalin e Dilaver Harizajt. I telefonova dhe u tregua i gatshëm
si përherë. Kur arritëm në fshat, Tanua e Keli, djemtë e Mustafait, ishin te
porta. Ata i morën qeset që kishim në duar. Dedeja ishte në avlli. Kur pa
nipërit me qese në duar dhe mua, që u dhashë te dera, u shpreh me të qeshur:
--Mbete duke çuar dru në pyll.
-Kështu thua gjithmonë ti, - ia ktheva me të njëjtin ton.
Klosi ka një klimë të mirë. Të përshtatshme për agrumet,
por në fshat nuk ka, prandaj Dedeja thoshte: Bjer dru në pyll...
Biseduam, u kënaqëm. Në mëngjes ika për në Gjirokastër.
Hyseni në Klos
Pa datë...
Ka raste kur përjeton një gjendje të veçantë. Një angështi ta pushton
shpirtin. Koka të zien nga mendimet, por që nuk mund t’u japësh udhë. Je si i
mpirë, i fjetur apo nuk e di se si. Të thonë shëndet dhe ti pa një pa dy ua
kthen me një plaaaç të gjatë. Kam ditë pa shkruar. Dëshiron të shkruash, por
pena të rëndon në dorë. Për të thënë kam se çfarë them. Megjithëse nuk ka hyrë
akoma dimri, koha ka qenë e keqe. Shiu nuk na u nda. Ndoshta e ka fajin koha.
Grija të hyn në trup. Edhe në shpirt.
Andej nga Klosi, si më thonë, mirë janë. Nuk e kemi
zgjatur shumë.
Të dielën ndodhi kohë e mirë. Dita e fundit e tetorit
ishte, 31. Hyseni, Tasha dhe Lefteria shkuan në Klos për të çuar porosinë e
Dedesë në vend. Mustafai do ndihmuar, kishte thënë. U mblodhën dhe e vendosën.
Një shumë lekësh. Për të punuar tokën, për të blerë foragjere, miell...
Peshën kryesore e mbajti Hyseni... Vajtën e ikën brenda
ditës...
Pasdite e mora në celular. Ishin në Kavajë. Shkonin për
në Tiranë. Arritën mirë.
E more vesh për
Ismetin...
Gjirokastër, më 12.12.2004
Në orën 18 e 30 mora në telefon në Klos. Doli Tani,
pastaj Dedeja.
-Jam mirë, - më tha, - po ju e morët vesh për Ismetin e
Mjaftimes... Ra nga ulliri...
-Po, po... – nuk desha ta zgjas. E dija se Dedeja
shqetësohej shumë. Ngjarje të tilla e hidhërojnë. E njihja mirë, ajo e
përjetonte thellë gjithçka. Jo vetëm kaq, por kishte merakun. Njeriu për një
nder rron, na thoshte herë pas here. Duhet të kesh cipë në faqe. Për t’u
turpçruar, turpërohesh kur të duash. Të tjerët duaji që të të duan, nderoji që
të të nderojnë. Dedeja priste edhe diçka tjetër. E ndieja nga gulçimet e saj
dhe frymëmarrja e rëndë përmes telefonit.
-Më lajmëroi Irena, - shtova pas një heshtjeje goxha të
gjatë. – mora edhe në telefon...
Frymëmarrja përtej sikur iu lehtësua. Ismeti ishjte burri
i Mjaftimes, vajzës së hallës nga Hekali. Vetë ai ishte nga Gorishova. E njihja
mirë. Kisha respekt të veçantë për të. Ishte njeri për së mbari. Pa vese. I urtë
e i ndershëm, punëtor si ai. Respektin ta impononte. Albana, vajza e tij është
martuar me djalin e dajo Barjamit, Arturin. Nipi i tij, Vojua, shok shkolle i
Agimit, ka marrë Eftalinë, po vajzën e dajos. Të pleksur nga të dyja anët. Të
hahet buka ose bukë e pandarë, siç thonë.
Ç’fatkeqësi! Të iki para kohe!
Mora në telefon Fiqon, Yllin, Gramozin në Hekal,
megjithatë më takon të shkoj për ngushëllim...
-Mustafai që ka ikur në Greqi, nuk ka marrë në telefon
akoma, - Dedeja nga ana tjetër e telefonit.
-Mos u mërzit, do të marrë...
Lajmëro Hysenin, Lefterinë dhe Linën
Klos, më 26.12.2004
Me Nexhmijen shkuam në Klos
për t’i uruar Dedesë Vitin e Ri 2005. E kemi bërë këtë gjë pothuajse përvit,
edhe atëherë kur jetonte babai, edhe tani kur ajo është edhe nënë, edhe baba.
Mezi na pret. Më hapen sytë, kur më vini, thotë. S’ka faj! Largësia sjell me
vete mallin dhe malli është i tillë që të copëton zemrën, të ha dalngadal aq më
tepër ata që janë në moshë të shtyrë. Sot janë, nesër s’janë. E dimë këtë, ndaj
nxitojmë për në fshat. Më parë, kur fëmijët ishin të vegjël, shkonim të gjithë
ose, sipas rastit, vetëm unë. Këtë herë vetëm me Nexhmijen.
Këtë herë nuk kemi ardhur vetëm për gëzim. Kemi disa
detyrime për të kryer. Do të shkojmë në Hekal te Sefer Alimerkaj që është
sëmurë, pastaj duhet ta ngushëllojmë edhe për dhëndrin, Ismet Alushin nga
Gorishova. Duhet të shkojmë edhe në Poçem te Vajziu. I ka vdekur vjehrri.
Ishte mesditë, rreth dymbëdhjetës, kur shkuam në Klos.
Derën na e hapi Tanua. Dedeja erdhi pas nja dyzet minutash duke dihatur nga nxitimi.
Kishte qenë tutje nga kopshtet. Na kishte dëgjuar. Në këtë moshë dhe dëgjimin e
ka birinxhi.
-Mirë se më erdhët… mirë se më erdhët… - dhe hapi krahët
për të na përqafuar të dyve njëherësh. Siç e kishte zakon, filloi të pyesë
mbarë e mbrapsht për Tajbenë, Papin, Ladin, Lindën, Shemen e të tjerë.
Shkuam nga Nurua e Tekiu. I uruam edhe ata. Me Nuron
shkova në Hekal. Seferi ishte shumë i sëmurë. Sa na pa, u mundua të ngrihet,
por nuk e lamë. Shtëpia ishte plot. Aty takuam Fiqon, Petritin, Gramozin me
nuse. I uruam shërim të shpejt dhe pas ndonjë ore u ngritëm. Me Baftjarin, që
kishte ardhur nga Italia dhe me Lanin shkuam në Poçem te Vajziu. Pastaj te
xhaxhallarët, xha Boçua e xha Zeneli, që kanë muhabet të ëmbël dhe histori pa
fund.
Ishte një ditë e lodhshme, por i kisha mbaruar të gjitha
detyrimet. U kthyem në të ngrysur. Dedeja kishte përgatitur darkën. Drita nuk
kishte, por ajo kishte bërë gati edhe një gjel deti për ta marrë ne me vete për
Vitin e Ri 2005. Këtë ajo e kishte bërë zakon. Çdo Vit të Ri u jepte fëmijëve
të larguar nga një gjel deti.
-Edhe për këtë vit lajmëro Hysenin, Lefterinë dhe Linën
të marrin nga Dedeja një gjel deti për Vitin e Ri, - tha.
Kelon e ka lënë babai “veqil”
E hënë. 25 prill 2005
Një natë më parë mori në telefon Anda e Nuros për problemin
që kish ndodhur. Fat i madh që makina ishte spostuar djathtas, se në të kundërt
do të diskutohej jeta e nëntë personave që ishin në të.
U nisëm me autobusin e parë të linjës Gjirokastër –
Tiranë në orën pesë të mëngjesit. Rrugën për në fshat e bëmë me një frymë. Me
Dedenë shkuam te Nurua. Gjetëm vetëm Adelinën, së cilës ende nuk i kishte ikur
ankthi. Më vonë erdhi Nurua, Geni, Tomi, Tani, Olta, Toshja dhe të tjerë. Të
gjithë ishin në dijeni të asaj që ndodhi dhe diçka donin të thoshin…
Rrugët janë bërë të rënda. Shumë ngarkesë. Shumë
aksidente. Makina plot. Disa shoferë të jetës e disa nga ata që i thonë këmbës
dorë. Shpejtësia shpejtësi, pija pije e nga të mos ndodhin aksidente pastaj.
Mirë kur shkon me ndonjë këmbë, dorë a brinjë të thyer, por ç’t’i bësh kur
ndodh më e keqja?! Kujdesi është i domosdoshëm, po ku duan t’ia dinë këta të
sotmit për të. Eh, kohë, kohë!…
Me Nuron e kishim lënë që në datën 1 maj të shkonim në
Përmet për fejesën e Adriatikut.
-Na u prish, - tha i mërzitur ai.
-S’ka pse, - u mundova ta qetësoj. – Të jeni mirë ju, pa
të gjitha rregullohen. Do të gjejmë një zgjidhje tjetër.
Kështu e lamë.
Me Dedenë shkuam te xhaxhai, i cili kishte qenë në spital
në Ballsh. I uruam të shkuara. Kur u kthyem në shtëpi, gjetëm Kelon, Mikelin,
djalin e vogël të Mustafait, i cili ishte në Greqi.
-Po ç’bën, o Kelo, - iu kthye Dedeja, - të ka lënë babai
veqil…
Nurua na bleu gaz
Klos, më 23.12.2005
Koha është e mirë. Si
zakonisht do të shkoj në Klos për Vitin e Ri. Ikën edhe një vit. Kishte edhe të
mira, edhe probleme. Padyshim që jeta nuk do të kishte kuptim pa këto të
kundërta. Po të mos kishte hidhërim, asnjëherë nuk do t’ia dinim vlerën gëzimit
e lumturisë. Lumturohem kur shkoj në Klos. Më lumturon gjithçka: njerëzit,
vendi. Dedeja është një gëzim i veçantë dhe unë vrapoj në krahët e saj si
dikur. Nuk thonë kot që klloçka i mbledh zogjtë e saj.
Ah, kjo kohë! Mustafai ka
ikur në Greqi. Vajti 15 vjet që po bën emigracion të vështirë. Nga ana
ekonomike ai është dobët. Ç’t’i bësh! Politika shqiptare po sjell një
tranzicion të gjatë. Jemi vend i vogël dhe nuk na mungon pothuajse asgjë,
megjithatë punët nuk po na shkojnë mbarë. Populli vuan. Të gjithë vuajmë. Duam
kushte më të mira, po s’na del.
Kur vajta në Klos, Dedeja ishte nga kasollja poshtë.
Erdhi menjëherë. Nuk vonoi dhe pas fjalëve të para, më tha:
-Nurua na bleu GAZ…
Nurua
kishte blerë një sobë për ngrohje, nga të mirat, të shtrenjtë, po ajo thoshte
“Na beu Gaz”.
Vajte te miku në Përmet?…
8
janar 2006
Në
mëngjes nisem për në Klos. E kishim vendosur një natë më parë në familje. Mora
disa gjëra me vete. Ishte rast i veçantë kjo vajtje. Zbrita nga autobusi dhe u
nisa me këmbë. Në qafën e Kashit më arriti Batua me makinë. Ishte edhe
Mbarimja, Rita, Renatua. Kishin qenë në Ballsh për të bërë fotografi. U
duheshin për dokumente për bashkim familjar sipas ligjit italian. Kohë kisha pa
u takuar me Baton. U çmallëm. Me makinën që e drejtonte Batjari, të pestë
shkuam në Klos. Dedenë, Valentinën, Mikelin, Neritanin i gjetëm në shtëpi.
Mustafai kishte ikur nga Bregu i Lisit. U takuam me mall. Si gjithnjë, Dedeja
filloi pyetjet për Nexhin, Tikun, Mirin, për Përparimin, Vladimirin, Linditën,
Fredin, gjysh Zijanë, për vëllanë e Fredit, Artanin, për motrën e Fredit që
banon në Gjermani, Lauretën dhe fëmijët e saj. Pyetjet m’i drejtonte mua dhe
priste përgjigje. “Ç’kujtesë, mendova, dhe nuk është e vogël”. U mundova ta
kënaq me përgjigjet e mia, po ajo kërkonte akoma, donte hollësi dhe unë ia
plotësova dëshirën.
Dy – tri herë më pyeti: “Vajte te krushku në Përmet?
Vajte te krushku në Përmet?”, desha t’ia bëja suprizë për të nesërmen, që
kishim vendosur të bëjmë një drekë. Po ajo priste përgjigje dhe s’kisha si ia
bëja.
-Po, - i thashë, - ishim për drekë më 1 janar, caktuam
edhe datën e dasmës së Tikut. Më 1 tetor e lamë.
Të këshillon ai që të do
Klos, më 15 mars 2006
Është e mërkurë. Një ditë
si të gjitha ditët. Shi. Ftohtë. Një natë më parë fjeta tek Miri në Fier, në
katin e dytë të një vile në qendër të qytetit. Agron quhet pronari i saj. Miri
përgatiti një darkë të mirë për të na kënaqur. Me ne ishte edhe Erjoni, djalë i
një mikut tim. Djalë shumë i mirë.
Rreth orës njëmbëdhjetë isha në Klos. Dedenë e takova të
parën.
Si zakonisht më priti me “mirë se ardhjen” dhe buzëqeshjen
e saj, por me zë më të lartë se zakonisht. U pyetëm për shëndetin e pastaj më
gostiti me një gotë dhallë. Vesha një palë rroba pune dhe shkova në Bregun e
Lisit. Aty kanë marrë tokat bujqësore dhe ullinjtë Nurua, Tekiu e Mustafai.
Darkën e hëngrëm te Mustafai. Biseduam gjatë për punët e problemet bujqësore.
Më kishin thënë që Tekiu kishte marrë borxh mbi dhjetë milionë lekë të vjetra
për blerje fidanë hardhish…
-Ndryshe duhej të kishe bërë, - i thashë, - jo kaq për
një vit. Megjithatë e bëre tani, ki kujdes të zihen në behar e mos u mërzit.
Dedeja dëgjonte me kujdes bisedat tona, po nuk ndërhynte.
Më në fund, ndërhyri, duke iu drejtuar Tekiut:
-Të këshillon ai që të do.
Subscribe to:
Posts (Atom)